PARAQITJA E PROPOZIMIT PËR HEQJEN E IMUNITETIT, PËRCAKTIMIN E PËRGJEGJËSISË DHE PËRCAKTIMIN E KUSHTEVE PËR PUSHIMIN E FUNKSIONIT TË PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS


Heqja e imunitetit

Sipas nenit 60 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese,

 (1) Gjykata Kushtetuese vendos për heqjen e imunitetit të presidentit të Republikës me propozim nga autoriteti kompetent të cilit i është paraqitur kërkesë për masë paraburgimi.

(2) Kryetari i Gjykatës, pas pranimit të propozimit të përmendur në paragrafin 1 të këtij neni, e ka për detyrë të caktojë seancë për formimin e Komisionit të përmendur në nenin 63 të këtij akti sa më shpejt të jetë e mundur.

(3) Komisioni e ka për detyrë ta shqyrtojë propozimin brenda dy ditëve dhe t’i dorëzojë raport kryetarit të Gjykatës.

(4) Seanca e Gjykatës në të cilën merret vendim për propozimin mbahet brenda dy ditëve nga pranimi i raportit të përmendur në paragrafin 3 të këtij neni.

 (5) Presidenti i Republikës gjithashtu njoftohet për seancën.

Përcaktimi i përgjegjësisë së presidentit të Republikës

Sipas nenit 61 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese,

 (1) Procedura për përcaktimin e përgjegjësisë së presidentit të Republikës për shkeljen e Kushtetutës dhe ligjeve në ushtrimin e të drejtave dhe detyrave të tij konsiderohet e iniciuar nga dita e paraqitjes së propozimit nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut.

(2) Propozimi duhet të përmbajë një përshkrim, si dhe dëshmi të shkeljes së Kushtetutës dhe ligjit që i atribuohet presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

 (3) Gjykata Kushtetuese do të kërkojë nga presidenti i Republikës të prononcohet për pretendimet në propozimin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

(4) Në procedurën para Gjykatës për përcaktimin e përgjegjësisë merr pjesë edhe presidenti i Republikës.

(5) Nëse Gjykata Kushtetuese e verifikon përgjegjësinë e presidentit të Republikës, funksioni i tij pushon sipas fuqisë së Kushtetutës, nga data e miratimit të vendimit me të cilin përcaktohet përgjegjësia e tij.

 (6) Gjykata Kushtetuese e ka për detyrë të marrë vendim brenda 30 ditëve nga paraqitja e propozimit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Përcaktimi i krijimit të kushteve për pushimin e funksionit

Sipas nenit 62 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese,

 (1) Krijimi i kushteve për pushimin e funksionit të Presidentit të Republikës në rast të vdekjes, dorëheqjes, pamundësisë së përhershme për të ushtruar funksionin ose pushimin e mandatit sipas fuqisë së Kushtetutës, përcaktohet nga Gjykata Kushtetuese sipas detyrës zyrtare.

 (2) Krijimi i pamundësisë së përhershme për të kryer funksionin e përmendur në paragrafin 1 të këtij neni përcaktohet në një seancë të Gjykatës, në bazë të akteve, konkluzioneve, opinioneve të ekspertëve të institucioneve ose organeve mjekësore ose të tjera.

(3) Bazuar në përcaktimin e krijimit të kushteve për pushimin e funksionit të presidentit të Republikës, Gjykata e përcakton edhe ditën në të cilën pushon detyra e presidentit të Republikës.