А) Pozita, përbërja, kompetenca dhe veprimi juridik i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese rregullohen në mënyrë të veçantë me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë.
Mënyra e punës dhe procedurës para Gjykatës Kushtetuese, në përputhje me Kushtetutën, rregullohet nga Gjykata me aktin e saj. Një akt i tillë ka qenë Rregulloreja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut e miratuar më 7 tetor 1992, me ndryshim dhe plotësim në vitet 2019, 2020 dhe 2021.
Duke filluar nga 1 shtatori 2024, hyri në fuqi Akti i ri i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
B) Sipas Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë është organ përfaqësues i qytetarëve dhe bartës i pushtetit ligjvënës të Republikës, Presidenti i Republikës së Maqedonisë përfaqëson Republikën, Qeveria e Republikës së Maqedonisë është bartëse e pushtetit ekzekutiv, ndërsa pushteti gjyqësor ushtrohet nga gjykatat. Të gjitha këto organe, në përputhje me sistemin e ndarjes së pushtetit, të drejtat dhe detyrat në kompetencë të tyre i kryejnë në suaza të Kushtetutës dhe ligjeve. Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë, në këtë kuptim, është një organ i Republikës që mbron kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë.
Shikuar përmes prizmit të marrëdhënieve të bartësve të ndryshëm të pushtetit në organizimin e pushtetit shtetëror, Gjykata Kushtetuese, sipas pozicionit të saj kushtetues, nuk i përket sistemit të organizimit të pushtetit shtetëror, por është një organ kushtetues i veçantë me status, përbërje, organizim dhe kompetenca të përcaktuara konkretisht nga vetë Kushtetuta. Ajo nuk buron nga organi legjislativ në mënyrë organizative dhe funksionale, as nuk i përgjigjet atij. Mbrojtja e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë është jashtë funksioneve të pushtetit dhe është e veçantë dhe e pavarur, prandaj ushtrimi i saj shkon përtej çdo forme të realizimit të marrëdhënieve të ndërsjella të pushtetit ligjvënës dhe ekzekutive. Prandaj, Gjykata Kushtetuese është një nga faktorët në realizimin e Kushtetutës, dhe kështu edhe në realizimin e marrëdhënieve që përcaktohen nga Kushtetuta si përmbajtje e organizimit të pushtetit. Ky organ, si të gjitha organet e tjera kushtetuese, është institucion i Kushtetutës që nxjerr bazën dhe kufirin e kryerjes së funksionit të saj kryesisht nga Kushtetuta dhe është në funksion të zbatimit të saj. Pozita e tillë Gjykatës Kushtetuese njëkohësisht i siguron garanci se kushtet për realizimin e funksionit gjyqësor kushtetues mbrohen paraprakisht nga ndryshimi i tyre nga bartësit aktualë të pushtetit politik me qëllim përshtatjen e këtij funksioni me nevojat dhe interesat e përditshme politike. Përcaktimi i tyre kushtetues siguron qëndrueshmërinë relative të këtyre kushteve, brenda kufijve të qëndrueshmërisë së Kushtetutës si akti më i lartë juridik i vendit.
Pozita kushtetuese, Gjykatës Kushtetuese i siguron që, në kryerjen e funksionit të saj gjyqësor kushtetues, të distancohet nga çdo autoritet politik, veçanërisht nga ai që është aktualisht në pushtet dhe të kryejë në kontinuitet dhe në mënyrë të vazhdueshme detyrat në kompetencë të saj, pavarësisht nga ndryshimet që ndodhin ndërmjet bartësve të drejtpërdrejtë të pushtetit. Pavarësisht nga intensiteti dhe fushëveprimi i ushtrimit të funksioneve të saj, Gjykata Kushtetuese është vazhdimisht aktive në sigurimin e mbrojtjes së kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë. Kështu, ai organ bëhet garant për realizimin e sundimit të së drejtës dhe të faktorit real shoqëror në realizimin e Kushtetutës dhe shmangien e arbitraritetit dhe paligjshmërisë në interpretimin, realizimin dhe zbatimin e Kushtetutës dhe ligjeve. Gjykata Kushtetuese në këtë periudhë kalimtare, përmes punës së saj, nuk lejoi, respektivisht e shmangu, rrezikun në praktikën e pranimit të elementeve të një organi ekzekutiv të politikës ditore operative ose të një organi vartës të pushtetit ligjvënës dhe ekzekutive.
Gjykata Kushtetuese nuk krijon ligj dhe nuk përcakton se çfarë është e drejtë, por përkundrazi përcakton se çfarë nuk është e drejtë. Ajo nuk përcakton norma origjinale, por shqyrton, vlerëson dhe përfundimisht vendos nëse normat e përcaktuara dhe marrëdhëniet e përcaktuara janë në përputhje me Kushtetutën respektivisht me ligjet. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë pasojë e shkeljeve të Kushtetutës respektivisht ligjit, prandaj ato kanë një karakter ndërhyrës. Thelbi i këtij funksioni është thelbi i kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë dhe i sundimit të së drejtës, që do të thotë: se nuk ka kushtetutë më të lartë se Kushtetuta dhe se nuk ka ligj më të lartë se ligji; se askush nuk ka më shumë pushtet sesa ai që i është dhënë nga Kushtetuta dhe ligjet; se askush nuk është i detyruar të durojë dhunë mbi personalitetin e tij; se secili ka të drejtë të realizojë liritë dhe të drejtat e pranuara dhe të njohura përgjithësisht; se askush nuk ka të drejtë të abuzojë me ato liri dhe të drejta dhe se secili është i detyruar të përmbushë detyrat dhe detyrimet e tij.
Gjykata Kushtetuese, duke kryer detyrat në kompetencë të saj, po bëhet gjithnjë e më shumë një faktor shoqëror që, duke respektuar parimin e ndarjes së pushtetit, forcon marrëdhëniet ndërmjet bartësve të tyre, duke afirmuar pozicionin e tyre të veçantë dhe duke rritur besimin e qytetarëve në kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë si komponentë të rëndësishëm të organizimit të përgjithshëm të vendit. Duke siguruar parësinë dhe supremacinë e Kushtetutës mbi ligjet dhe të gjitha rregulloret e tjera, Gjykata Kushtetuese siguron koekzistencën e rendit juridik.
Si rezultat i themelimit dhe pozitës së Gjykatës Kushtetuese, në praktikë, paraqiten gjithnjë e më shumë iniciativa për inivimin e procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së disa ligjeve dhe rregullave të tjera, si dhe kërkesa për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të caktuara të njeriut dhe qytetarit, që padyshim është shprehje dhe konfirmim i demokratizimit të marrëdhënieve në shoqëri dhe besimit më të madh të qytetarëve në Gjykatën Kushtetuese si mbrojtëse e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë. Gjykata Kushtetuese mund të mos jetë gjithmonë në gjendje t’i përmbushë plotësisht kërkesat dhe iniciativat, kryesisht për shkak të pabazueshmërisë së tyre dhe për shkak të karakterit dhe vëllimit të fushëveprimit, por kurrë për arsye të mundësisë ose për të mbrojtur reputacionin e ndonjë organi. Gjykata Kushtetuese nuk njeh pagabueshmërinë e askujt, as nuk kërkon gabime me çdo kusht.