U.nr.65/2024

Gjykata Kushtetuese e
Republikës së Maqedonisë së Veriut
U.nr.65/2024
Shkup 18.06.2025

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në përbërje të dr.Darko Kostadinovski, Kryetar i Gjykatës dhe gjykatësve Naser Ajdari, mr.Tatjana Vasiq-Bozaxhieva, dr.Jadranka Daboviq-Anastasovska, dr.Osman Kadriu, Dobrilla Kacarska, dr.Ana Pavllovska-Daneva dhe mr.Fatmir Skender, në bazë të nenit 110 dhe 112 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, nenit 72 alineja 1 dhe nenit 82 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.115/2024) në seancën e mbajtur më 18 qershor 2025, miratoi

V E N D I M

  1. SHFUQIZOHET titulli i kapitullit 9: “Interpretimi autentik i akteve të përgjithshme” dhe nenet 100, 101 dhe 102 të Rregullores së Këshillit të Komunës së Resnjës, të regjistruar me numrin 07-256/4 më 25 maj 2005 dhe të publikuar në “Fletoren Zyrtare të Komunës së Resnjës”, nr.4/2005.
  2. Ky vendim do të publikohet në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut”.

Arsyetim

I

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut në bazë të nenit 14 paragrafi 1 të Rregullores së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, me vetëiniciativë formoi lëndë dhe me Aktvendimin U.nr.65/2024 të datës 4 dhjetor 2024 inicio procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit të aktit, të shënuar në pikën 1 të vendimit, pasi para Gjykatës me justifikim të plotë u ngrit çështja e përputhshmërisë së tij me Kushtetutën.

II


Në seancë, Gjykata konstatoi se Këshilli i Komunës së Resnjës e miratoi Rregulloren e Këshillit të Komunës së Resnjës nr.07-256/3, të datës 26 maj 2005, e cila i përmban 13 pika. Pika 9 e titulluar: “Interpretimi autentik i akteve të përgjithshme”, i rregullon nenet 100, 101 dhe 102, të cilat janë lëndë e kësaj iniciative.

Neni 100 i Rregullores përcakton se kërkesa për interpretimin autentik të akteve të përgjithshme mund të parashtrohet nga anëtarët e Këshillit, 10% e votuesve në komunë, ndërmarrja publike që kryen veprimtari në territorin e komunës dhe organet shtetërore kur paraqitet nevoja për interpretim autentik në lidhje me zbatimin e akteve gjatë kryerjes së punës së tyre. Kërkesa për interpretim autentik të akteve të përgjithshme i parashtrohet Komisionit për Statut dhe Rregulla.

Në nenin 101 përcaktohet që për kërkesën për interpretim autentik, Komisioni ka të drejtë të kërkojë mendim nga komisionet e Këshillit dhe punonjësit e administratës komunale.

Në nenin 102 përcaktohet që nëse Komisioni për Statut dhe Rregulla vlerëson se kërkesa për interpretim autentik është e justifikuar, ai do të përgatisë propozim për interpretim autentik dhe do t’ia paraqesë atë Këshillit Komunal, ndërsa nëse vlerëson se kërkesa për interpretim autentik nuk është e justifikuar, atëherë Komisioni për Statut dhe Rregulla do t’i paraqesë raport Këshillit, i cili do të vendosë lidhur me kërkesën dhe raportin e paraqitur.

III

Një nga qëllimet themelore të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut është vendosja e sundimit të së drejtës në sistemin e qeverisjes. Ky parim kushtetues është përcaktuar me nenin 8 paragrafi 1 alineja 3 të Kushtetutës si vlerë themelore e rendit kushtetues të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ligjet medoemos duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën, ndërsa të gjitha rregullat e tjera me Kushtetutën dhe ligjin. Secili e ka për detyrë ta respektojë Kushtetutën dhe ligjet, në pajtim me nenin 51 të Kushtetutës.

Sipas nenit 110 alineja 2 të Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut vendos për përputhshmërinë e rregullave të tjera dhe marrëveshjeve kolektive me Kushtetutën dhe ligjet.

Me iniciativën e Gjykatës kontestohet kushtetutshmëria dhe ligjshmëria e titullit të Kapitullit 9: “Interpretimi autentik i akteve të përgjithshme” dhe nenet 100, 101 dhe 102 të Rregullores së Këshillit të Komunës së Resnjës.

Këshilli i Komunës së Resnjës, duke iu referuar nenit 21 paragrafi 1 pika 2 të Statutit të Komunës së Resnjës (“Fletorja Zyrtare e Komunës së Resnjës”, nr.4/2002), në seancën e mbajtur më 26 maj 2005, e miratoi Rregulloren e Këshillit të Komunës së Resnjës, të regjistruar me numrin 07-256/3 më 26 maj 2005 dhe të publikuar në “Fletoren Zyrtare të Komunës së Resnjës”, nr.4/2005.

Rregullorja e Këshillit të Komunës së Resnjës e përmban pjesën 9: “Interpretimi autentik i akteve të përgjithshme” dhe nenet 100, 101 dhe 102 të Rregullores së Këshillit të Komunës së Resnjës. Sipas nenit 100, kërkesë për interpretim autentik të akteve të përgjithshëm mund të parashtrojnë anëtarët e Këshillit, 10% e votuesve në komunë, ndërmarrja publike që kryen veprimtari në territorin e komunës dhe organet shtetërore kur paraqitet nevoja për interpretim autentik në lidhje me zbatimin e akteve gjatë kryerjes së punës së tyre. Kërkesa për interpretim autentik të akteve të përgjithshme i parashtrohet Komisionit për Statut dhe Rregulla. Sipas nenit 101 të kësaj Rregulloreje, Komisioni ka të drejtë të kërkojë mendim nga komisionet e Këshillit dhe organet e administratës komunale në lidhje me kërkesën për interpretim autentik. Në nenin 102 të Rregullores përcaktohet që nëse Komisioni për Statut dhe Rregulla vlerëson se kërkesa për dhënien e interpretimit autentik është e justifikuar, ai do të përgatisë propozim për interpretim autentik dhe do t’ia paraqesë atë Këshillit Komunal, ndërsa nëse vlerëson se kërkesa për interpretim autentik nuk është e justifikuar, atëherë Komisioni për Statut dhe Rregulla do t’i paraqesë raport Këshillit, i cili do të vendosë lidhur me kërkesën dhe raportin e paraqitur.

Interpretimi autentik i ligjeve jepet nga ligjvënësi si organ i pushtetit legjislativ. Kuvendi në përputhje me nenin 68 paragrafi 1 alineja 2 të Kushtetutës, miraton ligje dhe jep interpretim autentik të ligjeve, ndërsa procedura për interpretim autentik të ligjeve rregullohet me Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.248/2023).

Sipas teorisë juridike, interpretimi autentik i ligjeve nënkupton përcaktimin e përmbajtjes dhe kuptimit të vërtetë të një ligji të miratuar tashmë, i cili në zbatimin e tij tregon paqartësi, dykuptimësi ose përmban boshllëqe. Interpretimi autentik është pjesë përbërëse e ligjit të publikuar.

Në rastin konkret, interpretimi autentik jepet nga Këshilli i Komunës së Resnjës, si organ i vetëqeverisjes lokale.

Duke vepruar me vetëiniciativë, Gjykata konstatoi se Këshilli i Komunës, në përputhje me nenin 36 paragrafi 1 pika 1 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, e miratoi Rregulloren e kontestuar.

Ligji për Vetëqeverisje Lokale nuk përmban dispozitë të shprehur qartë se këshilli i komunës mund të japë interpretim autentik të akteve që miraton. Në përputhje me nenin 36 paragrafi 1 pika 1 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, këshilli i komunës miraton statutin komunal dhe aktet e tjera, ndërsa sipas nenit 62 paragrafi 1 të Ligjit, gjatë ushtrimit të detyrave brenda kompetencës së tij, këshilli miraton akte, përkatësisht: statutin, programet, planet, vendimet dhe rregullat e tjera të përcaktuara me ligj, që do të thotë se Ligji nuk përmban një dispozitë ku shprehet qartë se këshilli i komunës mund të japë interpretim autentik të akteve që miraton.

Në një gjendje të tillë faktike, rezulton qartë se Këshilli i Komunës së Resnjës i ka tejkaluar kompetencat e tij ligjore kur ka miratuar Rregulloren e Punës të kontestuar, në të cilën ka parashikuar Kapitullin 9: “Interpretimi autentik i akteve të përgjithshme” dhe nenet 100, 101 dhe 102, të përfshira në kapitullin e kontestuar.

Në rastin konkret, kjo çështje duhet të parashikohet me ligj në mënyrë që organet e vetëqeverisjes lokale të jenë në gjendje ta zbatojnë atë, pasi që kjo çështje është përcaktuar për ligjvënësin si organ i pushtetit shtetëror, shprehimisht në Kushtetutë me nenin 68 paragrafi 1 alineja 2, sipas të cilit Kuvendi miraton ligje dhe jep interpretim autentik të ligjeve, ndërsa procedura për interpretim autentik të ligjeve rregullohet me Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, numër 248/2023). Duke e pasur parasysh se organet e vetëqeverisjes lokale nuk kanë bazë ligjore për dhënien e interpretimit autentik, ky institut dhe procedura për zbatimin e tij, nuk mund të rregullohet në mënyrë burimore me rregullore ose statut.

Për shkak të faktit se interpretimi autentik është dhënë në bazë të njërës prej dispozitave të lartpërmendura të Rregullores, me ç’rast Këshilli Komunal i ka tejkaluar, përkatësisht i ka tejkaluar kompetencat e tij të parashikuara në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, Gjykata konstatoi se kapitulli 9: “Interpretimi autentik i akteve të përgjithshme” dhe nenet 100, 101 dhe 102 të Rregullores së Komunës së Resnjës janë të paligjshme dhe me këtë edhe në kundërshtim me vlerën themelore të rendit kushtetues – parimin e sundimit të së drejtës nga neni 8 paragrafi 1 alineja 3 të Kushtetutës, sipas të cilit në rendin juridik duhet të ekzistojnë rregulla juridikisht të harmonizuara me Kushtetutën dhe ligjet.

Gjykata, gjatë vendimmarrjes për shfuqizimin e dispozitave të Rregullores, të dhëna në dispozitivin e vendimit, në përputhje me nenin 74 të Aktit të Gjykatës, i mori parasysh të gjitha rrethanat me rëndësi për mbrojtjen e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, rëndësinë e shkeljes dhe pasojat që rezultuan në bazë të rregullave ose dispozitave të tyre, për të cilat nuk ka bazë ligjore, e veçanërisht faktin se marrëdhëniet e vendosura në bazë të akteve të tilla ose dispozitave të tyre, e cenojnë sigurinë juridike të qytetarëve si pjesë përbërëse e parimit të sundimit të së drejtës, si vlerë themelore e rendit kushtetues të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

IV

Në bazë të lartpërmendurës, Gjykata me shumicë votash vendosi si në dispozitivin e këtij vendimi.

V

Ky vendim ka efekt juridik që nga dita e publikimit të tij në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut”.

KRYETAR
i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut,
dr. Darko Kostadinovski