
Gjykata Kushtetuese e
Republikës së Maqedonisë së Veriut
U.nr.148/2023
Shkup, 25.06.2025
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në përbërje të dr.Darko Kostadinovski, Kryetar i Gjykatës dhe gjykatësve mr.Tatjana Vasiq-Bozaxhieva, dr.Jadranka Daboviq-Anastasovska, dr.Osman Kadriu, Dobrilla Kacarska, dr. Ana Pavllovska-Daneva dhe mr.Fatmir Skender, në bazë të nenit 110 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe nenit 73 alineja 1 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.115/2024) në seancën e mbajtur më 25 qershor 2025, miratoi
A K T V E N D I M
- INICIOHET procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Rregullores për Mënyrën dhe Procedurën e Monitorimit të Funksionimit të Tregjeve të Energjisë (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.98, e datës 10.05.2023).
- Ky aktvendim do të publikohet në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut”.
Arsyetim
II
Krenar Lloga nga fshati Livadhi, Strugë, parashtroi iniciativë në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Rregullores për Mënyrën dhe Procedurën e Monitorimit të Funksionimit të Tregjeve të Energjisë, në të cilën potencohet se ky rregull me numrin 01-1013/1 është miratuar më datë 27 prill 2023, ndërsa është publikuar në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut” me numër 98 më 10 maj 2023, me ç’rast gjatë kësaj periudhe kanë kaluar më shumë se shtatë ditë dhe si pasojë nuk është respektuar afati kushtetues për publikimin e rregullave në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut”. Me këtë iniciativë kërkohet inicimi i procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së aktit të kontestuar si në kundërshtim me nenin 52 të Kushtetutës.
II
Në seancë, Gjykata konstatoi se Komisioni Rregullator i Energjetikës dhe Shërbimeve të Ujit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në seancën e mbajtur më 27 prill 2023, miratoi Rregulloren për Mënyrën dhe Procedurën e Monitorimit të Funksionimit të Tregjeve të Energjisë në bazë të nenit 24 paragrafi 1 pika 1 alineja 4 dhe nenit 25 paragrafi 3 të Ligjit për Energjetikë (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.96/18 dhe “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.96/19, 236/22), e cila përmban 49 nene.
Në shtojcën dhe pjesën përbërëse të Rregullores janë bashkëngjitur edhe shtatë shtojca me formularët në vijim: Shtojca 1 – Formulari Remit-1, Regjistri nacional i pjesëmarrësve në tregun me shumicë të energjisë; Shtojca 2 – Formulari Remit-2, Rregullat për ndarjen e kodit të regjistrimit ECRB; Shtojca 3 – Formulari Remit-3, Kërkesa për evidentim në Regjistër; Shtojca 4 – Formulari Remit-4, Njoftimi drejtuar KRRE-së për zbatimin e përjashtimit nga ndalimi i tregtimit, bazuar në informacione të brendshme; Shtojca 5 – Formulari Remit-5, Njoftimi drejtuar KRRE-së për publikimin e vonuar të informacioneve të brendshme; Shtojca 6 – Formulari Remit-6, Njoftimi i shkeljeve të mundshme; Shtojca 7 – Formulari Remit-7, Njoftimi për dyshime për shkelje drejtuar ECRB-së dhe Sekretariatit të KE-së.
III
Një nga qëllimet themelore të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut është vendosja e sundimit të së drejtës në sistemin e qeverisjes. Ky parim kushtetues është përcaktuar si vlerë themelore e rendit kushtetues të Republikës së Maqedonisë së Veriut me nenin 8 paragrafi 1 alineja 3 të Kushtetutës.
Në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ligjet duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën, ndërsa të gjitha rregullat e tjera me Kushtetutën dhe me ligjin. Secili e ka për detyrë ta respektojnë Kushtetutën dhe ligjet, në përputhje me nenin 51 të Kushtetutës.
Sipas nenit 52 paragrafi 1 të Kushtetutës, ligjet dhe rregullat e tjera publikohen para se të hyjnë në fuqi, ndërsa sipas paragrafit 2 të të njëjtit nen, ligjet dhe rregullat e tjera publikohen në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut” më së voni brenda afatit prej shtatë ditësh nga dita e miratimit të tyre.
Publikimi i ligjeve dhe rregullave të tjera shërben për të siguruar sundimin e së drejtës dhe ushtrimin e lirive dhe të drejtave të njeriut dhe qytetarit, si parakusht për sigurinë juridike të qytetarëve dhe subjekteve të tjera juridike.
Vetë publikimi i ligjeve dhe rregullave të tjera përbën një akt të shpalljes së këtyre akteve dhe vënies së tyre në dispozicion të opinionit publik. Në fakt, me miratimin e rregullit dhe publikimit të tij në gazetën zyrtare me interes publik, rregulli bëhet akt i zbatueshëm.
Duke e marrë parasysh karakterin dhe rëndësinë e publikimit të ligjeve dhe rregullave të tjera, Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka përcaktuar detyrim, si dhe afat kohor për publikimin e tyre në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, si gazetë zyrtare e Republikës.
Dispozita për publikimin e ligjeve dhe rregullave të tjera në Kushtetutë është parashikuar në kapitullin mbi liritë dhe të drejtat themelore të njeriut dhe qytetarit, në pjesën mbi garancitë e lirive dhe të drejtave themelore. Ky fakt tregon se Kushtetuta nuk i qaset publikimit të ligjeve dhe rregullave të tjera si një çështje teknike, por si një çështje që depërton thellë në garancitë kushtetuese të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut dhe qytetarit.
Garancia kushtetuese për publikimin e ligjeve dhe rregullave të tjera afirmohet pikërisht duke përcaktuar afat kohor për shkak të intensifikimit të vetë procedurës së publikimit.
Rregullorja e kontestuar, e cila i nënshtrohet shqyrtimit kushtetues-gjyqësor, është e regjistruar me numrin arkivor nr.01-1013/1 më datë 27 prill 2023, që do të thotë se ky rregull është miratuar më 27 prill 2023 nga Komisioni Rregullator i Energjetikës dhe Shërbimeve të Ujit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Akti është publikuar në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut” me nr.98, më datë 10 maj 2023.
Me një gjendje të tillë faktike, Gjykata konstatoi se afati i përcaktuar kushtetues prej shtatë ditësh për publikim në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut” është tejkaluar, prandaj në mënyrë të justifikuar mund të ngrihet çështja e kushtetutshmërisë së kësaj Rregulloreje, përkatësisht çështja e përputhshmërisë së saj me nenin 52 të Kushtetutës, të cilit i referohet parashtruesi, si dhe përputhshmërisë së saj me nenin 8 paragrafi 1 alineja 3 dhe nenin 51 të Kushtetutës.
IV
Bazuar në sa më sipër, Gjykata me shumicë votash vendosi si në dispozitivin e këtij aktvendimi.
KRYETAR
i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut,
dr. Darko Kostadinovski