Gjykata Kushtetuese reagon ndaj përpjekjeve për të politizuar vendimet dhe aktivitetet e saj ndërkombëtare

Gjykata Kushtetuese i kritikon ashpër përpjekjet për partizim dhe politizim të ashpër që parti të caktuara politike po përpiqen të imponojnë këto ditë me qëllim rritjen e dukshmërisë së tyre në hapësirën politike, duke përdorur punën, vendimet dhe aktivitetet ndërkombëtare të Gjykatës.

Kështu, avancimi i bashkëpunimit ndërkombëtar i Gjykatës Kushtetuese, u vendos në një kontekst politik ditor dhe u përdor për përplasje partiake dhe për përfitimin e pikëve politike.

Bashkëpunimi ndërkombëtar ka qenë dhe do të mbetet një nga angazhimet strategjike të Gjykatës dhe është pjesë integrale e aktiviteteve të saj institucionale. Këtë vit, ashtu si më parë, Gjykata Kushtetuese po punon intensivisht për të afirmuar pozicionin e saj ndërkombëtar, duke lidhur tri Memorandume Bashkëpunimi dhe Mirëkuptimi me institucione homologe, përkatësisht me Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, me Gjykatën Supreme Kushtetuese të Republikës Arabe të Egjiptit, ndërsa dy ditë më parë edhe me Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Serbisë. Përveç kësaj, Gjykatës këtë vit i është besuar kryesimi i Forumit të Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit dhe përfaqësimi i tij në eventet e rëndësishme ndërkombëtare.

Gjykata Kushtetuese mbetet e përkushtuar ndaj kompetencave dhe pavarësisë së saj kushtetuese. Gjykata nuk do t’i nënshtrohet asnjë presioni, ndikimi apo përpjekjeje politike për ta diskredituar atë dhe do të vazhdojë ta përforcojë bashkëpunimin e saj ndërkombëtar.

Njëherazi, Gjykata u bën thirrje faktorëve politikë të tregojnë një kulturë më të lartë kushtetuese dhe politike dhe të punojnë në interes të shtetit dhe qytetarëve, si dhe të mos lejojnë që dallimet politike dhe konfrontimet partiake të bëhen në dëm të sundimit të së drejtës dhe institucioneve, të cilat mbartin përgjegjësinë kryesore për mbrojtjen e rendit kushtetues.

Pavarësia dhe besueshmëria e Gjykatës Kushtetuese janë vlera që duhet të jenë me interes të përbashkët për të gjithë faktorët shoqërorë.

Prandaj, kualifikimet nga disa faktorë politikë se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë “jokushtetuese” ose “të paligjshme” janë të palejueshme dhe absurde. Sipas nenit 112 të Kushtetutës, vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të formës së prerë, të ekzekutueshme dhe përgjithësisht të detyrueshme. Në vend që të bëjnë thirrje për protesta të drejtuara drejtpërdrejt kundër sundimit të së drejtës, partitë duhet të tregojnë përkushtim të vërtetë ndaj vlerave evropiane dhe nevojave të qytetarëve.

Dëshirojmë veçanërisht të theksojmë se për Gjykatën nuk është relevante se si i kanë dhe cilët janë emrat e rrugëve, shkollave, objekteve infrastrukturore e të ngjashme. Këto janë vendime politike, që ne nuk i vlerësojmë, por ajo që ka  rëndësi për Gjykatën dhe për qytetarët është nëse këto vendime janë miratuar sipas procedurës së përcaktuar me ligj.

Si provë për një punë të tillë objektive dhe të pavarur të Gjykatës Kushtetuese, e cila bazohet ekskluzivisht në vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së rregulloreve të miratuara nga të gjitha pushtetet në vend, janë vendimet mbi ligjshmërinë e procedurës për riemërtimin e rrugëve në Çair.(https://ustavensud.mk/archives/32056 dhe https://ustavensud.mk/archives/20991). 

Prandaj, u bëjmë thirrje të gjithë faktorëve politikë të tregojnë përgjegjësi dhe të përmbahen gjatë komunikimit të tyre publik, si dhe të përmbahen nga përhapja e pretendimeve të pavërteta dhe manipulimeve në dëm të institucionit të vetëm që është mbrojtës i Kushtetutës dhe i rendit kushtetues e ligjor të shtetit.