Rendi i ditës i seancës së dhjetë të caktuar për 22 prill 2026 në orën 9:30

Më 22 prill 2026, në orën 9:30, Gjykata Kushtetuese do të mbajë seancën e saj të dhjetë. Në Rendin e ditës do të përfshihen diskutime për pesë iniciativa për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, dy kërkesa për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave dhe vendime përfundimtare për dy lëndë. Seanca do të transmetohet drejtpërdrejt në linkun e mëposhtëm, të publikuar në faqen e internetit të Gjykatës: https://ustavensud.mk/%D0%B2%D0%BE-%D0%B6%D0%B8%D0%B2%D0%BE, ndërsa gjatë zhvillimit të saj do të vendoset për:

I. INICIATIVAT PËR VLERËSIMIN E KUSHTETUTSHMËRISË DHE LIGJSHMËRISË

1. Referatin U.nr.63/2025

Ligji për Lirimin nga Tatimi me qëllim të realizimit të Vendimit për nënshkrimin e aneksit të Marrëveshjes për koncesion për ndryshimin e destinimit të një pjese të mjeteve (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.87/2025).

Parashtruesi i iniciativës: Igorço Toçev

Pretendimet në iniciativë: 

Parashtruesi potencon se sipas dispozitave të kontestuara, lirimi nga tatimi mbi vlerën e shtuar parashikohet me “të drejtën për zbritjen e tatimit paraprak”, ndërkaq Ligji për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në asnjë nen, paragraf apo rresht të përmbajtjes së tij nuk parashikon me ligj mundësinë e lirimit nga tatimi mbi vlerën e shtuar me “të drejtën për zbritjen e tatimit paraprak”, ashtu siç përcaktohet me Ligjin e kontestuar.

2. Referatin U.nr.107/2025

Akti i kontestuar: Neni 64 paragrafi 7, neni 96 paragrafi 2 alineja 1, neni 97 paragrafi 1 dhe neni 120 paragrafi 1 i Ligjit për të Punësuarit në Ministrinë e Mbrojtjes (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.53/2024).

Parashtruesi i iniciativës: Nikollçe Musharevski

Pretendimet në iniciativë:

Në pretendimet ekzistojnë pohime se me dispozitat e kontestuara përcaktohet vlerësimi i të punësuarve në Ministri, të cilat përcaktojnë cilësinë, përkushtimin e të punësuarve në kryerjen e detyrave të tyre të punës, por pretendohet se të punësuarve nuk u jepet mundësia të paraqesin ankime ose kundërshtime kundër vendimit të këshillit të autorizuar, me çka mohohet mundësia e mbrojtjes së të drejtave që eventualisht mund të shkelen.

Shënim: Lënda u propozua për shqyrtim në seancën e tetë të Gjykatës, të mbajtur më 25 mars 2026, por u tërhoq nga gjykatësi-referues, për shkak të shqyrtimit të rrethanave shtesë.

3. Referatin U.nr.118/2025

Akti i kontestuar: Neni 34 paragrafi 1 alineja 1 të Ligjit për Gjykatat (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.58/2006, 35/2008, 150/2010, 83/2018, 198/2018 dhe “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.96/2019) dhe neni 3 paragrafi 1 pika 5, neni 24 paragrafi 2 alineja 3, si dhe neni 69 pika 4 për pjesën: “Nuk lejohet ankimi kundër aktgjykimit, me të cilin akti administrativ i veçantë anulohet ose shpallet i pavlefshëm dhe lënda kthehet për rigjykim nga organi publik” të Ligjit për Kontestet Administrative (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.96/2019).

Parashtruesi i iniciativës: Branko Radojçiq, avokat

Pretendimet në iniciativë: 

Pretendohet se me dispozitat e kontestuara krijohet rrezik sistemik për rendin kushtetues, për shkak të kompetencës së papërshtatshme dhe të pambështetur me Kushtetutë të Gjykatës Administrative për të ushtruar kontroll mbi aktet e Kuvendit, që nuk janë të natyrës administrative, por politike, të cilat rrjedhin drejtpërdrejt nga funksioni i tij kushtetues si organ ligjvënës dhe politik. Theksohet se me rregullimin e tillë cenohet drejtpërdrejt parimi themelor kushtetues i ndarjes së pushteteve në legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor. Parashtruesi thekson se vendimi i Kuvendit për zgjedhjen e gjykatësit në Gjykatën Kushtetuese, anëtarit të Këshillit Gjyqësor apo guvernatorit nuk përbën akt administrativ për nga natyra e tij dhe se vendimi nuk miratohet në procedurë administrative, por në procedurë të veçantë parlamentare, e cila është shprehje e vullnetit politik.

Shënim: Lënda u propozua për shqyrtim në seancën e tetë të Gjykatës, të mbajtur më 25 mars 2026, por u tërhoq nga gjykatësi-referues, para miratimit të Rendit të ditës, për shkak të shqyrtimit të rrethanave shtesë.

4. Referatin U.nr.175/2025

Akti i kontestuar: Titulli dhe nëntitulli: Agjencia e Cilësisë në Arsimin e Lartë”,  i përfshirë në Kapitullin pesë, pjesa 3 dhe në nenin 45 në tërësi dhe në veçanti në paragrafin 1 në pjesën: “professional” të Ligjit për Arsimin e Lartë (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.82/2018 dhe “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.154/2019, 178/2021, 58/2024 dhe 124/2025).

Parashtruesi i iniciativës: Igorço Toçev

Pretendimet në iniciativë:

Parashtruesi potencon se me pjesën e kontestuar “profesional” krijohet hibridizimi në përcaktimin e karakterit dhe natyrës së Agjencisë së Cilësisë në Arsimin e Lartë, gjë që sipas tij nuk është në përputhje me parimin e sundimit të së drejtës. Sipas parashtruesit, në asnjë nen tjetër të Ligjit, as në dispozitat e kontestuara, nuk përcaktohen kompetencat e Agjencisë, gjë që vë në pikëpyetje përputhshmërinë e nenit të kontestuar me Kushtetutën. Pretendohet se norma e kontestuar është e paqartë dhe nuk është precize.

5. Referatin U.nr.186/2025

Akti i kontestuar: Neni 34 i Ligjit për Ndryshimin e Ligjit për Mjedisin Jetësor (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.3/2025). 

Parashtruesi i iniciativës: Igorço Toçev

Pretendimet në iniciativë:

Parashtruesi pretendon se ndryshimet i referohen dispozitës që nuk është pjesë e qarkullimit juridik dhe për këtë arsye çojnë në konfuzion gjatë zbatimit të tyre. Thuhet se kjo është në kundërshtim me parimin e sundimit të së drejtës, të rregulluar me nenin 8 paragrafi 1 alineja 3 të Kushtetutës.

II. KËRKESAT PËR MBROJTJEN E LIRIVE DHE TË DREJTAVE

1. Referatin BZSP.nr.17/2025

Lënda e kërkesës:

Kërkesa është parashtruar në përputhje me nenin 110 alineja 3 të Kushtetutës, në lidhje me ndalimin e diskriminimit ndaj qytetarëve në bazë të përkatësisë sociale.

Akti i kontestuar: Aktgjykimi i miratuar nga Gjykata Themelore Civile e Shkupit më 21.03.2024 dhe Aktgjykimi i miratuar nga Gjykata e Apelit e Shkupit më 02.07.2025.

Parashtruesi i kërkesës: Jugosllav Milenkoviq përmes së autorizuarës Zhaklina Karanikollova Pinzovska

Pretendimet në iniciativë: 

Parashtruesi kërkon nga Gjykata Kushtetuese të konstatojë shkelje të lirive dhe të drejtave të tij për shkak të diskriminimit në bazë të përkatësisë sociale, sepse dyshohet se është vendosur në pozicion më pak të favorshëm në krahasim me një grup personash (krahasues). Konkretisht, parashtruesi pretendon se katër nga ish-kolegët e tij në Gjykatën Kushtetuese, të cilët ai i quan “krahasues” për shkak të faktit se ata, ashtu si ai, kanë paditur dhe kërkuar që t’u paguhen kontribute nga viti 2015 deri në vitin 2019 në bazë të së drejtës së fituar për  shtesë në pagë për karrierë “V” dhe rritjen e pagës për 15% si shtesë e pagës për titullin si punonjës në Gjykatën Kushtetuese. Ai potencon se, ndryshe nga ai, krahasuesve, me anë të aktgjykimeve në gjykatat themelore dhe të apelit, ua kanë pranuar kërkesat e tyre për pagesën e kontributeve dhe rritjen për 15% të pagës që e kishin marrë gjatë asaj periudhe. Parashtruesi, pretendon se është diskriminuar edhe për shkak të faktit se Avokatura e Shtetit, si përfaqësuese ligjore e Gjykatës Kushtetuese, ka vepruar në mënyrë më pak të favorshme ndaj tij dhe nuk ka dhënë as përgjigje dhe as shpjegim për pretendimet e tij në lidhje me parimin e barazisë dhe ndalimin e diskriminimit, të paraqitura në dy seanca kryesore dëgjimore. Sipas parashtruesit, dëshmi se ai është diskriminuar në bazë të përkatësisë sociale është se krahasuesit kanë marrë pension të rritur përgjithmonë në bazë të moshës si dhe kontribute më të larta, ndryshe nga ai.

2. Referatin BZSP.nr.18/2025

Lënda e kërkesës: Mbrojtja e lirive dhe të drejtave të qytetarëve në përputhje me nenin 110 alineja 3 të Kushtetutës, të cilat lidhen me të drejtën e ndalimit të diskriminimit.

Parashtruesit e kërkesës: Ordan Kërstevski dhe Svetllana Barbina

Pretendimet në iniciativë:

Parashtruesit pretendojnë se në procedurat penale u është mohuar e drejta për prononcim publik, e drejta për deklaratë të plotë në mbrojtjen e tyre, si dhe e drejta për gjykim të drejtë dhe për paraqitjen e dëshmive. Pretendohet se nga prokurori publik është shkelur parimi i barazisë para ligjit.

III.      PROPOZIMET PËR VENDIMMARRJE PËR DRAFT-VENDIMET

1. U.nr.145/2024

Më 03.12.2025, Gjykata inicioi procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së pjesës: “si dokument përmbarimor”, nga pika 2 paragrafi 2 të Konkluzionit për përcaktimin e shpenzimeve të përmbarimit (formulari nr.21), nga Rregullorja për Formën e Urdhrave, Konkluzioneve, Procesverbaleve, Kërkesave, Shënimeve Zyrtare, Vërtetimeve dhe Akteve të Tjera të Përgatitura nga Përmbaruesi gjatë Ndërmarrjes së Veprimeve Përmbarimore (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.90/2024). 

2. UZ.nr.20/2025

Më 03.12.2025, Gjykata inicioi procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së nenit 114 paragrafi 1 pikat 4 dhe 7 të Marrëveshjes kolektive të Ministrisë së Mbrojtjes (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.36/2024).