
Gjykata Kushtetuese e
Republikës së Maqedonisë së Veriut
UZ.nr.21/2025
Shkup, 17.09.2025
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në përbërje të dr.Darko Kostadinovski, Kryetar i Gjykatës dhe gjykatësve Naser Ajdari, mr.Tatjana Vasiq-Bozaxhieva, dr.Jadranka Daboviq-Anastasovska, dr.Osman Kadriu, Dobrilla Kacarska, dr.Ana Pavllovska-Daneva dhe mr.Fatmir Skender, në bazë të nenit 110 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, nenit 38 alineja 1 dhe nenit 73 alineja 3 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.115/2024) në seancën e mbajtur më 17 shtator 2025, miratoi
A K T V E N D I M
HIDHET POSHTË kërkesa për rishikimin e Aktvendimit U.nr.197/2024 të Gjykatës Kushtetuese, të miratuar në seancën e mbajtur më 9 prill 2024.
Arsyetim
I
Sllavko Dimitrov nga Shkupi, Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, i parashtroi kërkesë për rishikimin e aktit të shënuar në dispozitivin e këtij aktvendimi. Në këtë kërkesë thuhet se neni i kontestuar 46 paragrafi 7 i Rregullores për Ndarjen e të Drejtave të Autorit shkaktoi pasoja juridike gjatë vlefshmërisë së tij dhe se ato vazhdojnë të ndikojnë në të drejtat e autorëve. Me zbatimin e nenit të kontestuar dhe ndarjen e kompensimeve për vitin 2024 janë shkaktuar dëme financiare për autorët, duke përfshirë humbje prej 30% deri në 50% të të ardhurave për vepra të transmetuara gjatë orëve të natës.
Më tej, në kërkesë thuhet se hedhja poshtë e iniciativës për nenin 46 paragrafi 7 mund të konsiderohet gabim juridik për arsye se neni 144 paragrafi 7 i LDADP-së dhe neni 49 i Statutit të SHMDAM-së vërtetojnë se ndarja për vitin 2024 është bërë deri në fund të muajit mars 2025, sipas nenit 46 paragrafi 7 të kontestuar të Rregullores, gjë që rezultoi me kompensime të reduktuara për autorë të caktuar (veprat e të cilëve u transmetuan gjatë orëve të natës) dhe me pabarazi ndërmjet autorëve.
Sipas parashtruesit, me nenin e kontestuar shkelet neni 8, 9 dhe 30 i Kushtetutës, për shkak të kritereve jotransparente që e cenojnë sigurinë, diskriminimin bazuar në kohën e transmetimit dhe popullaritetin mediatik dhe kufizimin e të drejtave pronësore të autorëve përmes kompensimit të padrejtë, si dhe neni 159 i Ligjit për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta, sipas të cilit ndarja duhet të bëhet në bazë të kritereve të qarta dhe të drejta.
Për shkak të arsyeve të lartpërmendura, parashtruesi kërkon që të rishikohet Aktvendimi për hedhjen poshtë të iniciativës për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së nenit 46 paragrafi 7 të Rregullores, të iniciohet procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së nenit të njëjtë, të mënjanohen pasojat që rrjedhin nga zbatimi i tij dhe të miratohet aktvendim për ndalimin e zbatimit të akteve ose veprimeve të veçanta, që janë ndërmarrë në bazë të dispozitës së lartpërmendur të Rregullores, deri në miratimin e një vendimi përfundimtar.
II
Në seancë, Gjykata konstatoi se me Aktvendimin U.nr.197/2024 të 9 prillit 2024, iniciativa është hedhur poshtë në pjesën e vlerësimit të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së nenit 46 paragrafi 7 të Rregullores për Ndarjen e Kompensimeve të Autorit (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.141/2014 dhe 36/2016, si dhe “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.147/2023, 263/2023, 286/2023, 135/2024, 218/2024 dhe 275/2024).
III
Sipas nenit 112 paragrafi 3 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të formës së prerë dhe të ekzekutueshme.
Sipas nenit 38 alineja 1 të Aktit të Gjykatës, Gjykata Kushtetuese do ta hedhë poshtë iniciativën nëse nuk është kompetente të vendosë për kërkesën.
Në nenin 81 të Aktit të Gjykatës është rregulluar se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të formës së prerë dhe të ekzekutueshme, si dhe juridikisht të detyrueshme për të gjitha subjektet juridike.
Nga pretendimet në kërkesë, rezulton se parashtruesi kërkon rishikimin e Aktvendimit U.nr.197/2024 të 9 prillit 2024, me të cilin Gjykata, ndër të tjera, vendosi ta hedhë poshtë iniciativën në pjesën e vlerësimit të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së nenit 46 paragrafi 7 të Rregullores.
Duke e marrë parasysh se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të formës së prerë dhe të ekzekutueshme, si dhe juridikisht të detyrueshme për të gjitha subjektet juridike, si dhe faktin se as Gjykata Kushtetuese dhe asnjë organ tjetër nuk ka kompetenca për t’i rishqyrtuar vendimet e miratuara të Gjykatës, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut vlerësoi se janë përmbushur kushtet e nenit 38 alineja 1 të Aktit të Gjykatës për ta hedhur poshtë kërkesën në fjalë, me të cilën kërkohet rishqyrtimi i Aktvendimit U.nr.197/2024, të datës 9 prill 2024.
IV
Bazuar në sa më sipër, Gjykata me shumicë votash, vendosi si në dispozitivin e këtij aktvendimi.
KRYETAR
i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut,
dr.Darko Kostadinovski