Takimi i Kryetarit Kostadinovski me Mihalis Pikramenos, Kryetar i Këshillit Shtetëror të Republikës së Greqisë

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, dr.Darko Kostadinovski, Kryetari i Gjykatës Supreme, Afrim Fidani dhe Kryetari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski zhvilluan takim pune me Mihalis Pikramenos, Kryetar i Këshillit Shtetëror të Republikës së Greqisë, institucion me kompetenca të ngjashme me Gjykatën Kushtetuese në fushën e kontrollit kushtetues dhe gjyqësor.


Në takim u shkëmbyen mendime dhe përvoja mbi kompetencat konkrete me theks të veçantë në vlerësimin e kushtetutshmërisë së akteve të miratuara nga organet shtetërore, Presidenti, Qeveria dhe Parlamenti.


Bashkëbiseduesit e diskutuan po ashtu mënyrën e punës dhe organizimit të Këshillit Shtetëror duke shqyrtuar specifikat, ngjashmëritë dhe ndryshimet ndërmjet dy sistemeve të kontrollit kushtetues.


Në bisedë u theksua se besimi në gjyqësor është një parakusht kyç për stabilitetin e proceseve demokratike. Bashkëbiseduesit u dakorduan se: “Krijimi i perceptimit lidhur me mungesën e besimit në sistemin gjyqësor ndikon drejtpërdrejt në demokraci”.


Kryetari Kostadinovski, u bëri ftesë të hapur për vizitë reciproke në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, me qëllim thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit, si dhe ftesë për pjesëmarrje në Forumin Ballkanik të Gjykatave Kushtetuese, si një platformë për shkëmbimin rajonal të përvojave dhe përforcimin e praktikës kushtetuese dhe gjyqësore.