Sot, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, dr.Darko Kostadinovski zhvilloi takim pune me Sotiria Touni, Kryetare e Gjykatës së Revizionit të Republikës së Greqisë dhe me Antonis Nikitanis, zëvendësprokuror i përgjithshëm publik në këtë gjykatë, njëherazi institucioni më i vjetër gjyqësor në Greqi, i themeluar në vitin 1829.
Në këtë takim, delegacioni u njoh me kompetencat, si dhe rolin, qëllimin dhe misionin e Gjykatës së Revizionit. Delegacioni grek informoi se roli i Gjykatës është të zgjidhë konteste që rrjedhin nga revizioni i financave publike, si dhe të kontribuojë në përmirësimin e cilësisë dhe efikasitetit të menaxhimit të mjeteve publike, që paraqet një segment të rëndësishëm në sigurimin e disiplinës financiare dhe llogaridhënies, si bazë për sundimin e së drejtës.
Gjithashtu, u prezantuan edhe funksionet dhe prioritetet kryesore të Gjykatës, të tilla si sigurimi i njohurive përkatëse për Parlamentin sa i përket zbatimit më efikas të rolit të tij mbikëqyrës, përmirësimit të menaxhimit financiar dhe llogaridhënies së organeve shtetërore, përforcimit të sistemeve të kontrollit financiar, përmirësimit të qeverisjes përmes mekanizmave të kontrollit të brendshëm.
Theks i veçantë u vu në kompetencën e kontrollit parandalues të Gjykatës, sipas së cilës prokurimet publike që janë mbi 300.000 euro, i nënshtrohen kontrollit paraprak, si dhe në rolin e saj këshillues, veçanërisht në lidhje me kontratat e lidhura nga organet shtetërore. Këto mekanizma u theksuan si instrumente të rëndësishme për parandalimin e parregullsive dhe përforcimin e sigurisë juridike.
Në takimet e punës të organizuara në Athinë, në përbërje të delegacionit ishin edhe Kryetari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski dhe Kryetari i Gjykatës Supreme, Afrim Fidani. Delegacioni ynë i prezantoi kompetencat institucionale të organeve me kompetenca të ngjashme. Ndër të tjera, u theksua se Gjykata Kushtetuese, si garantuese e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, ka një rol kyç në mbrojtjen e sundimit të së drejtës dhe garantimin e sigurisë juridike. Në këtë drejtim, shkëmbimi i përvojave kontribuon në përforcimin e mëtejshëm të kapaciteteve institucionale dhe përmirësimin e mekanizmave për kontroll, llogaridhënie dhe mbrojtje të të drejtave të qytetarëve.

