Mirënjohje ndërkombëtare për Gjykatën Kushtetuese: Falënderime nga Turqia, Austria dhe Azerbajxhani për organizimin e Takimit të Katërt Vjetor të BCCF-së në Ohër

Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, dr.Darko Kostadinovski, i mbërritën letra falënderimi nga kryetarët e gjykatave kushtetuese të Turqisë, Austrisë, Azerbajxhanit dhe nga Gjykata Supreme Kushtetuese e Republikës Arabe të Egjiptit, pas mbajtjes së Takimit të Katërt Vjetor të Forumit të Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit (BCCF), të organizuar nga data 12 deri më 14 nëntor 2026 në Ohër.

Në këto letra shprehet falënderimi për mikpritjen e treguar, nivelin e lartë të organizimit dhe vëmendjen e kushtuar ndaj pjesëmarrësve të eventit ndërkombëtar.

Veçanërisht theksohen cilësia e programit profesional dhe rëndësia e Konferencës Ndërkombëtare, e cila mundësoi shkëmbimin e përvojave dhe të qëndrimeve për sfidat bashkëkohore para gjyqësorit kushtetues, besimin e qytetarëve në gjykatat kushtetuese, efektivitetin e vendimeve të tyre dhe ndikimin e epokës digjitale mbi mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Në letrën e dërguar theksohet veçanërisht edhe miratimi i Deklaratës së Ohrit, si rezultat i rëndësishëm i Takimit Vjetor dhe hap i rëndësishëm drejt thellimit të bashkëpunimit rajonal dhe të dialogut gjyqësor.

Falënderimet e drejtuara shfaqin mirënjohjen për përpjekjet organizative të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe për kontributin e institucionit në përmirësimin e bashkëpunimit ndërkombëtar gjyqësor-kushtetues.

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Austrisë, prof.dr.Kristof Grabenvarter, në letrën e tij drejtuar Kryetarit dr.Darko Kostadinovski, shprehu kënaqësinë e tij për takimin e zhvilluar dhe për mundësinë e shkëmbimit të qëndrimeve për sfidat e përbashkëta para gjykatave kushtetuese. Ai e vlerësoi Konferencën në Ohër, si mundësi të shkëlqyer për rritjen e mirëkuptimit të ndërsjellë për gjendjet dhe rrethanat specifike në të cilat funksionojnë gjykatat kushtetuese të rajonit, duke theksuar se para tyre qëndrojnë detyra të ndërlikuara.

“Takimi me Ju dhe kolegët Tuaj nga Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut ishte për mua kënaqësi e veçantë. Ishte shumë e dobishme të shkëmbenim pikëpamjet tona lidhur me sfidat me të cilat përballen gjykatat tona. Konferenca e Forumit të Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit në Ohër ishte mundësi e shkëlqyer për të pasur një pasqyrë më të hollësishme të gjendjes dhe të rrethanave konkrete në të cilat punojnë gjykatat pjesëmarrëse, ku u bë e qartë se para të gjithë nesh, qëndrojnë detyra të ndërlikuara”, shkruan Grabenvarter në letrën e tij.

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Turqisë, Kadir Ozkaja, në letrën e tij shpreh falënderim për Kryetarin dr.Darko Kostadinovski, për kontributin e tij personal dhe punën e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut gjatë kryesimit të Forumit të Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit. Ai veçon miratimin e Deklaratës së Ohrit, si rezultat i rëndësishëm i Takimit, duke vlerësuar se dokumenti vërteton përkushtimin e përbashkët ndaj sundimit të së drejtës dhe mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore, ndërsa vlerëson se do të kontribuojë edhe në përforcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit rajonal dhe të dialogut gjyqësor. Në letër theksohen veçanërisht edhe trashëgimia e pasur kulturore e Ohrit, bukuritë natyrore dhe programi shoqërues i organizuar me kujdes, i cili ka mundësuar thellimin e lidhjeve profesionale dhe miqësore ndërmjet pjesëmarrësve.

“Miratimi i Deklaratës së Ohrit, si rezultat i rëndësishëm i Takimit të Katërt, përbënte shprehje konkrete të vendosmërisë sonë të përbashkët për të mbështetur sundimin e së drejtës dhe për të mbrojtur të drejtat dhe liritë themelore. Jam i bindur se Deklarata do të kontribuojë në përmirësimin e bashkëpunimit në kuadër të Forumit dhe në përforcimin e mëtejshëm të dialogut gjyqësor në rajon.

Gjithashtu, do të doja të shprehja falënderim për punën që Gjykata Juaj e realizoi gjatë kryesimit të Forumit, si dhe për kontributin Tuaj personal të rëndësishëm në zhvillimin institucional të Forumit.

Veçanërisht na gëzon që programi na mundësoi të njihemi me historinë e pasur dhe trashëgiminë kulturore të Ohrit dhe të shijojmë bukurinë e jashtëzakonshme natyrore të këtij qyteti. Aktivitetet kulturore dhe shoqërore të organizuara me kujdes, na mundësuan të shkëmbenim mendime me kolegët tanë në një atmosferë të ngrohtë dhe të përforconim lidhjet miqësore ndërmjet nesh”, shkruan Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Turqisë.

Kryetari i Gjykatës Supreme Kushtetuese të Republikës Arabe të Egjiptit, Bulos Fahmi Iskandar, në letrën e tij shprehu vlerësim veçanërisht të lartë për përgatitjet e imtësishme, programin e pasur shkencor dhe përmbajtjet kulturore me të cilat u prezantua trashëgimia kulturore e vendit. Ai thekson rëndësinë e Forumit, si platformë për shkëmbimin e përvojave gjyqësore dhe për përforcimin e bashkëpunimit institucional, duke shprehur bindjen se Deklarata e Ohrit do të ketë kontribut të rëndësishëm në përforcimin e sundimit të së drejtës dhe në rritjen e besimit në drejtësinë kushtetuese në epokën digjitale.

“Mbetëm thellësisht i impresionuar nga përgatitjet e imtësishme, programi i pasur dhe i përmbajtur shkencor kushtuar “Sfidave bashkëkohore të sundimit të së drejtës”, si dhe nga përvojat e jashtëzakonshme kulturore, përmes të cilave u prezantuan bukuria dhe trashëgimia e vendit tuaj të mrekullueshëm. Ky tubim i rëndësishëm siguroi një platformë unike dhe të vlefshme për dialog frytdhënës, shkëmbim të ndërsjellë të përvojave gjyqësore dhe përforcim të lidhjeve institucionale ndërmjet institucioneve gjyqësore-kushtetuese. Jemi të bindur se rezultatet e këtij Forumi, e veçanërisht Deklarata e Ohrit, do të kontribuojnë ndjeshëm në përforcimin e sundimit të së drejtës dhe në rritjen e besimit të opinionit publik në drejtësinë kushtetuese në epokën digjitale”, thekson në letrën e tij Kryetari Iskandar.

“Takimi Vjetor dhe Konferenca Ndërkombëtare, të mbajtura me temën: “Sfidat bashkëkohore të sundimit të së drejtës: Roli i gjykatave kushtetuese”, ishin mundësi e rëndësishme për shkëmbimin e mendimeve profesionale dhe për dialog konstruktiv mbi çështjet e rëndësishme, si përforcimi i besimit të opinionit publik në gjykatat kushtetuese dhe roli i gjykatave kushtetuese në epokën digjitale. Eventi kontribuoi edhe në përforcimin e bashkëpunimit dhe të mirëkuptimit të ndërsjellë ndërmjet gjykatave kushtetuese të vendeve të ndryshme”, shkruan Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Azerbajxhanit, dr.Farad Abdullajev.

Me organizimin e Forumit në Ohër, Gjykata Kushtetuese e përmbylli kryesimin e saj me BCCF-në, ndërsa kryesimi për vitin 2027 iu dorëzua Gjykatës Kushtetuese të Malit të Zi.