Kostadinovski për TV Sitell: Gjykatësit kushtetues nuk mund të barazohen për nga statusi me sekretarët e përgjithshëm të Kuvendit dhe Qeverisë

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese dr.Darko Kostadinovski, më 24.06.2026 ishte i ftuar në Ditarin qendror të TV Sitell, në rubrikën: “Tema e ditës”. Kostadinovski u përgjigj për çështjet aktuale dhe sfidat që lidhen me punën e Gjykatës, foli për iniciativën lidhur me harmonizimin e pagave të gjykatësve kushtetues, lëndët që zhvillohen para Gjykatës, si dhe për kritikat drejtuar institucionit.

Lidhur me shfuqizimin e Ligjit me të cilin u zvogëluan koeficientet për llogaritjen e pagave të gjykatësve kushtetues dhe kërkesën në Kuvend për ndryshime ligjore, me të cilat do të harmonizoheshin koeficientet për llogaritjen e pagave të gjykatësve kushtetues, Kostadinovski theksoi se bëhet fjalë për vendim juridikisht dhe kushtetueshmërisht të justifikuar, me qëllim të mbrojtjes së statusit të gjykatësve, e jo të rritjes së pagave në plan të parë, siç interpretohet në publik.

“Ne si gjykatës kushtetues e kemi të qartë se një pjesë e madhe e vendimeve tona që i miratojmë janë vendime papopullarizuara dhe ne jemi të vetëdijshëm për këtë. Një vendim i tillë është edhe ky vendim, por njerëzit që e kuptojnë të drejtën dhe që i kanë ndjekur vendimet tona, këtë vendim mund ta shohin si rrjedhojë natyrale, si vendim juridikisht logjik dhe juridikisht e kushtetueshmërisht të justifikuar dhe do t’jua shpjegoj pse. Në fillim të vitit, Gjykata Kushtetuese miratoi vendim, me të cilin, gjykatësve të gjyqësorit të rregullt në njëfarë mënyre me efektin e vendimit tonë pagat u rritën për përafërsisht rreth 10 000 denarë, nga 10 000 deri në 12 000 denarë, varet për cilën gjykatë bëhet fjalë. Efekti i atij vendimi nuk ishte që të rriten pagat e gjykatësve, por që Qeveria dhe Kuvendi në të ardhmen, të mos mund t’i zvogëlojnë më koeficientet e pagave të gjykatave të rregullta. Atëherë, kur ne e miratuam atë vendim, ndërkohë që Gjykata Kushtetuese është po ashtu gjykatë sipas të gjitha kritereve, edhe pse është e vërtetë se është një gjykatë specifike “sui generis”, gjykatë e veçantë, madje organ specifik i Republikës, por në fund të ditës është ende gjykatë, dhe sipas Mendimit të Venecias, sipas Komisionit të Venecias edhe ne i gëzojmë të njëjtat garanci si gjyqësori i rregullt për pavarësinë, përkatësisht pavarësinë financiare, e cila është e lidhur ngushtë me pavarësinë statusore si gjykatës. Nëse është kështu, ndërsa kështu është, ishte e natyrshme të ndërhynim në Ligj, por sërish do të them jo në mënyrë të drejtpërdrejtë për koeficientet, por për nga statusi të ndahemi nga bartësit e funksioneve publike të pushteteve të tjera. Me zgjidhjet e fundit ligjore në Ligjin për Personat e Zgjedhur dhe të Emëruar, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese dhe gjykatësit kushtetues u vendosën në të njëjtin regjim normativ me Sekretarin e Përgjithshëm të Kuvendit, Sekretarin e Përgjithshëm të Qeverisë dhe Avokatin e Popullit. Nuk ekziston një gjë e tillë askund në botë, nuk mund në mënyrë normative Ligjvënësi ta barazojë statusin e gjykatësit kushtetues me asnjërin nga këta pushtete”.

Në pyetjen nëse Gjykata mund të veprojë në këtë mënyrë ndaj Kuvendit, Kostadinovski u përgjigj:

“Jo, nuk mundemi absolutisht. Ne konstatuam jokushtetutshmëri në pozitën statusore të gjykatësve sepse, imagjinoni që gjykatësin kushtetues e barazoni me Sekretarin e Përgjithshëm të Kuvendit dhe të Qeverisë, ndërkohë që të njëjtin koeficient të pagave ia përcaktoni, a nuk përbën kjo mohim të pozitës kushtetuese? Absolutisht që përbën diçka të tillë dhe çdo gjykatë kushtetuese në botë do t’jua konfirmojë këtë. Ne miratuam vendim, po ashtu në fillim të vitit dhe kërkuam, i caktuam afat Kuvendit të ndërhyjë, Kuvendi nuk ndërhyri. Ky vendim që e miratuam në seancën e fundit është vendim logjik. Për të parandaluar absurditetin…vitin e ardhshëm, sepse pagat e gjykatësve të rregullt nuk mund të zvogëlohen më, ndërsa paga mesatare do të rritet, e dini cila është formula e llogaritjes, për një vit deri në dy, paga e gjykatësit themelor do të jetë më e lartë se paga e gjykatësit kushtetues. Nëse dikush gjen në këtë shtet shembull të ngjashëm kudo në botë, unë jam i gatshëm menjëherë të largohem nga Gjykata Kushtetuese”.

Lidhur me lëndën për riemërtimin e rrugëve dhe objekteve të tjera infrastrukturore në Komunën e Tetovës, Kostadinovski tha se iniciativa nuk është parashtruar para 19 vjetësh, por vitin e kaluar dhe theksoi se lënda hap çështje thelbësore për sundimin e së drejtës.

“Ajo që dua ta dinë qytetarët, sepse me shumë vendime tona politikanët shumë shpesh manipulojnë dhe gënjejnë. Madje, i gënjejnë pa mëshirë qytetarët. Ky vendim, si edhe shumë vendime të tjera që Gjykata Kushtetuese i ka miratuar që janë me rëndësi më të lartë shoqërore, i ashtuquajturi “balancuesi”, Ligji për Tatimin e Solidaritetit, Kodi Penal, Kodi Zgjedhor… hap një pyetje kyçe: Çfarë shteti duam të ndërtojmë? A duam të ndërtojmë shtet modern, evropian, funksional, juridik apo të mbetemi në atë siç ka qenë me dekada shtet “kuazi” juridik? Çfarë është shteti “kuazi” juridik? Ky është një shtet kur politika është mbi gjithçka, politika është mbi Kushtetutën, politikanët janë mbi institucionet, politikanët vendosin për të drejtat e qytetarëve, fuqia është te politikanët. Ne duam të jetojmë, përkatësisht unë si Kryetar i Gjykatës Kushtetuese jam për rezistencë kundër këtyre tendencave: “Ditë e zezë për shqiptarët”, kemi rrëzuar postulatet e marrëveshjes kornizë…Gjykata Kushtetuese, përmes prizmit etnik nuk do të lejonte një vendim të tillë, që më i pastër juridikisht nuk mund të ishte!… A keni pëlqim nga Qeveria? – Nuk keni, mbaroi! Imagjinoni ne të kishim parë nëpër gishta, atëherë ne do të kishim 80 shtete në këtë shtet, 80 komuna që do të thoshin prisni ju keni vendosur këtë praktikë gjyqësore-kushtetuese, atëherë edhe ne mundemi, nuk nevojitet pëlqim as për PUD-në, nuk nevojitet pëlqim as për riemërtim…. kjo është anarki juridike”.

Lidhur me akuzat se është i orientuar kundër shqiptarëve, Kostadinovski tha:

“Unë tashmë jam imun ndaj këtyre kritikave… unë mund të jem gjithçka vetëm jo “anti-shqiptar“. Pra, këta janë disa politikanë që u pengon sundimi i së drejtës, ndërsa gojët i kanë plot me sundimin e së drejtës, vlerat evropiane, standardet evropiane deri në mesditë, ndërsa pasdite veprojnë në mënyrë “ballkanike”. Ky është problemi i tyre.
Ne 35 vjet po sillemi në rrethin e atij shteti “kuazi“ juridik… Kushtetuta, e drejta dhe institucionet do të jenë mbi të gjithë”.

Sa i përket lëndës lidhur me projektin “Safe city”, Kryetari i Gjykatës deklaroi:

“Ende nuk më është dorëzuar referati për këtë lëndë, në momentin kur do të dorëzohet menjëherë do të vendoset në seancë”.

Për iniciativën e parashtruar nga ish-deputetja Ljiljana Popovska lidhur me Protokollin e Dytë nga korniza negociuese me Bullgarinë, Kostadinovski theksoi se Gjykata nuk kalkulon.

“As nuk kalkulon, as nuk do të kalkulojë. Publiku e di se unë nuk bëj kompromise me askënd në asnjë lëndë e as në këtë. Cili është thelbi, pretendimet në atë iniciativë janë jashtëzakonisht serioze, implikimet nga zgjidhja e asaj lënde, si do që të zgjidhet, janë shumë serioze. Që ne të mund ta konstatojmë gjendjen faktike çfarë vërtet ndodh sepse atje ka pretendime për shkelje edhe të kushtetutshmërisë materiale, por edhe formale, se nuk është respektuar procedura, nuk ka pasur platformë nga Qeveria, ne ende e presim përgjigjen nga Qeveria. Meqenëse Qeveria është palë në këtë procedurë, ne duhet medoemos të marrim informacion nga Qeveria”.

Lidhur me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, Kostadinovski përsëriti se lënda do të zgjidhet kur përbërja e Gjykatës të jetë e plotë.

“Unë kam thënë nuk ka kompromise me askënd në drejtim të zgjidhjes. Ajo lëndë do të zgjidhet, i pëlqen kjo dikujt apo jo, sepse do të zgjidhet dhe askush nuk duhet të frikësohet nga zgjidhja e kësaj lënde. Shumë shpesh i dëgjojmë kritikat ndaj Gjykatës Kushtetuese për mbivotim etnik, për majorizim, ka përkrahës të parimit të Badinterit në Gjykatën Kushtetuese dhe unë prandaj kam qëndrim dhe e kam shprehur atë. Ne atje pavarësisht nga etnia as gjykatësit shqiptarë e as gjykatësit maqedonas nuk jemi atje t’i mbrojmë përkatësitë etnike, kemi një detyrë të thjeshtë… Për fat të keq, përkundër të gjitha akuzave, më së shpeshti nga faktori politik shqiptar, i cili akuzon shumicën e gjykatësve maqedonas se kemi bërë majorizim… Unë, shpesh them ejani njerëz, le të ulemi të shohim çfarë i bën argumentet e kolegëve tanë të jenë juridike dhe juridike-kushtetuese, e çfarë i bën argumentet tona etnike. Nuk është e saktë, është e kundërta!”, theksoi Kostadinovski.

Në fund, duke komentuar pretendimet për planet e tij profesionale në të ardhmen pas përfundimit të mandatit, Kostadinovski tha:

“Nuk do ta komentoj narrativën primitive politike, nuk e meriton komentin tim dhe këtë e konsideroj çështje të vetërespektit. Por do të them se në 30 vitet e fundit te unë është grumbulluar shumë njohuri dhe përvojë dhe profesionalizëm, por kontributi shkencor më është mjaft i rëndësishëm. Të ishim shtet normal, pyetja për karrierën time personale pas përfundimit të mandatit nuk do të politizohej, nuk do t’i jepnin kualifikime politike. Por, për fat të keq nuk jemi. Duhet të them se jam pak i befasuar dhe i zhgënjyer edhe në një pjesë të arsimit të lartë shoh tendenca të ngjashme si në ato në politikë, mbyllje ndaj të tjerëve, frikë nga konkurrenca, frikë nga biografia e madhe, një lloj rehatie”, tha Kostadinovski në intervistën për TV Sitell.