U.nr.159/2025

Nuk u gjet asnjë fjalë

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut
U.nr.159/2025
Shkup, 25.03.2026

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në përbërje të Kryetarit të Gjykatës, dr.Darko Kostadinovski dhe gjykatësve Naser Ajdari, mr.Tatjana Vasiq-Bozaxhieva, dr.Osman Kadriu, Dobrilla Kacarska, dr.Goce Naumovski dhe dr.Ana Pavllovska-Daneva, në bazë të nenit 110 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe nenit 73 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.115/2024), në seancën e mbajtur më 25 mars 2026, miratoi

A K T V E N D I M

NUK INICIOHET procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 28 paragrafi 2 në pjesën: “mund të inkorporojë edhe instrumente të tjera financiare nëse ato bashkëngjiten me akte nënligjore” të Ligjit për Veprimtari Inovative, Zhvillim Shkencor dhe Teknologjik dhe Sipërmarrje (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.154/2025 dhe 192/2025).

Arsyetim

I

Igorço Toçev nga Shkupi,  parashtroi iniciativë në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut për inicimin e procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së pjesës së dispozitës së Ligjit të shënuar në dispozitivin e këtij aktvendimi.

Sipas pretendimeve, pjesa e kontestuar është në kundërshtim me nenin 8 paragrafi 1 alineja 3 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, për arsye se nuk është mjaftueshëm e qartë dhe precize, ndërkohë që nga tërësia e Ligjit nuk rezulton se cili organ është kompetent për miratimin e aktit nënligjor.

Me dispozitën e kontestuar, Agjencisë i mundësohet të inkorporojë edhe instrumente të tjera financiare, për të cilat nuk është e domosdoshme të kenë bazë në Ligj, ku kriteret për inkorporimin e tyre mund të përcaktohen në mënyrë arbitrare me akt nënligjor, jashtë kornizës ligjore. Veçanërisht theksohet se mjetet që ndahen përmes këtyre instrumenteve financiare janë mjete nga Buxheti i Republikës, prandaj kriteret duhet të përcaktohen qartë dhe në mënyrë shteruese në vetë ligjin.

Bazuar në të lartpërmendurën, propozohet që Gjykata të iniciojë procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së pjesës së kontestuar dhe ta shfuqizojë atë.

II

Në seancë, Gjykata konstatoi se sipas nenit 28 paragrafi 2 të Ligjit për Veprimtari Inovative, Zhvillim Shkencor dhe Teknologjik dhe Sipërmarrje (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.154/2025 dhe 192/2025), Agjencia mund të inkorporojë edhe instrumente të tjera financiare nëse për to me akt nënligjor janë parashikuar kriteret e vlerësimit, të përcaktuara me këtë Ligj.

III

Sipas nenit 8 paragrafi 1 alineja 3 të Kushtetutës, sundimi i së drejtës është vlerë themelore e rendit kushtetues të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Në përputhje me nenin 51 të Kushtetutës, në Republikën e Maqedonisë së Veriut ligjet medoemos duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën, ndërsa të gjitha rregullat e tjera me Kushtetutën dhe me ligjin. Secili e ka për detyrë ta respektojë Kushtetutën dhe ligjet.

Në nenin 110 alineja 1 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut parashikohet se Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut vendos për përputhshmërinë e ligjeve me Kushtetutën.

IV

Nga analiza e nenit 28 paragrafi 2 të Ligjit rezulton se ligjvënësi ka përcaktuar qartë bartësin e autorizimit, përkatësisht Agjencinë, si dhe kushtet nën të cilat mund të inkorporohen instrumentet e tjera financiare, edhe atë me miratimin e një akti nënligjor në të cilin do të parashikohen kriteret e vlerësimit të përcaktuara me vetë Ligjin.

Kështu, ligjvënësi nuk ka vendosur autorizim të përgjithshëm dhe të pakufizuar, por ka parashikuar kornizë ligjore në të cilën akti nënligjor ka funksion operacionalizues. Dispozita që përmban pjesën e kontestuar nuk lë hapësirë për përcaktimin e kritereve jashtë bazës ligjore, por përkundrazi, udhëzon shprehimisht se kriteret duhet të përcaktohen me Ligj.

Pretendimet në iniciativë për mundësinë e veprimit arbitrar lidhen me zbatimin e mundshëm të dispozitës në të ardhmen dhe me miratimin e akteve nënligjore që mund të dalin jashtë kornizës ligjore. Megjithatë, pretendimet e tilla nuk e vënë në pikëpyetje kushtetutshmërinë e pjesës së kontestuar, por mund të jenë objekt i vlerësimit të ligjshmërisë së një akti nënligjor konkret, nëse ai miratohet në kundërshtim me Ligjin.

Duke marrë parasysh të lartpërmendurën, Gjykata konstatoi se neni 28 paragrafi 2 në pjesën: “mund të inkorporojë edhe instrumente të tjera financiare nëse ato bashkëngjiten me akte nënligjore” të Ligjit për Veprimtari Inovative, Zhvillim Shkencor dhe Teknologjik dhe Sipërmarrje është i qartë dhe preciz, nuk vendos autorizim diskrecional në kundërshtim me sundimin e së drejtës si vlerë themelore e rendit kushtetues, prandaj nuk mund të ngrihet në mënyrë të arsyeshme çështja e përputhshmërisë së tij me nenin 8 paragrafi 1 alineja 3 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut.

V

Bazuar në sa më sipër, Gjykata vendosi si në dispozitivin e këtij aktvendimi.

KRYETAR
i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut,
dr.Darko Kostadinovski