Si të shfrytëzohen mundësitë e inteligjencës artificiale, e njëkohësisht të ruhen të drejtat e njeriut dhe pavarësia e vendimmarrjes gjyqësore?
Për këto çështje foli mr.Tatjana Vasiq-Bozaxhieva, gjykatëse e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në kuadër të seancës së tretë tematike të Konferencës Ndërkombëtare në Ohër, kushtuar gjykatave kushtetuese në epokën digjitale.
Në fjalimin e saj ajo iu referua sfidave që sjellin teknologjitë e reja për mbrojtjen e privatësisë, lirinë e shprehjes dhe barazinë, por edhe mundësive për përdorimin e tyre të përgjegjshëm në gjyqësor.
Me theks të veçantë foli për nevojën që inteligjenca artificiale të mbetet mjet ndihmës, ndërsa përgjegjësia për interpretimin e Kushtetutës dhe për marrjen e vendimeve të mbetet te gjykatësit.
“Teknologjia mund ta ndryshojë mënyrën se si funksionon drejtësia, por nuk guxon t’i ndryshojë vlerat mbi të cilat ajo mbështetet”.
Fjalimi i saj ishte pjesë e Konferencës Ndërkombëtare: “Sfidat bashkëkohore të sundimit të së drejtës: Roli i gjykatave kushtetuese”, e mbajtur në kuadër të Takimit të Katërt Vjetor të Forumit të Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit (BCCF).
Në vijim është fjalimi i plotë i gjykatëses Vasiq-Bozaxhieva:
A mund të bëhet avancimi teknologjik, i cili duhet ta bëjë jetën tonë më të lehtë dhe më të sigurt, njëkohësisht kërcenim për të drejtat dhe liritë e njeriut? Dhe, nëse teknologjia ndikon gjithnjë e më shumë në mënyrën se si funksionojnë shteti, institucionet dhe shoqëria, cili duhet të jetë roli i gjykatave kushtetuese në këtë realitet të ri?
Para gjykatave kushtetuese, sot qëndron një sfidë e dyfishtë. Nga njëra anë, ato duhet t’i mbrojnë të drejtat e njeriut nga format e reja të cenimit të tyre përmes teknologjive digjitale, nga ana tjetër, duhet ta rishqyrtojnë në mënyrë kritike rolin e tyre, metodat e punës dhe mënyrën e marrjes së vendimeve, në kushte kur edhe vetë gjyqësori fillon t’i shfrytëzojë mundësitë e inteligjencës artificiale.
Transformimi digjital nuk i ndryshon të drejtat themelore të njeriut, por në thelb i ndryshon rrethanat në të cilat ato ushtrohen dhe mund të shkelen. E drejta e privatësisë sot nuk rrezikohet vetëm me format tradicionale të gjurmimit, por edhe me mbledhjen, ruajtjen dhe përpunimin masiv të të dhënave personale. Liria e shprehjes mund të kufizohet përmes menaxhimit algoritmik të përmbajtjeve, ndërsa parimi i barazisë mund të vihet në pikëpyetje kur sistemet e automatizuara marrin vendime në bazë të të dhënave të njëanshme ose kritereve jotransparente.
Prandaj, gjykatat kushtetuese duhet t’i interpretojnë garancitë ekzistuese kushtetuese në dritën e realiteteve të reja teknologjike. Detyra e tyre nuk është të krijojnë të drejtë të veçantë për çdo teknologji të re, por të sigurojnë që zhvillimi teknologjik të mos i minojë vlerat kushtetuese të përcaktuara tashmë.
Shembull konkret për këtë është lënda U.nr.137/2017, në të cilën ne, si gjykatës të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, iniciuam procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dispozitave të Ligjit për Komunikime Elektronike, që i referoheshin mbajtjes së të dhënave për komunikimet elektronike. Çështja thelbësore ishte nëse nevoja e shtetit për siguri dhe për luftë kundër krimit mund ta justifikojë mbajtjen masive dhe të papërzgjedhur të të dhënave të të gjithë përdoruesve të shërbimeve të komunikimit elektronik, pa kufizime mjaftueshëm të qarta ligjore dhe pa garanci kundër keqpërdorimit. Gjykata nuk i vuri në dyshim qëllimet legjitime, por kufijtë deri te të cilët ato mund ta justifikojnë ndërhyrjen në privatësi.
Me inicimin e procedurës në shtator të vitit 2024, ne e hapëm çështjen e kufijve kushtetues të ndërhyrjes së tillë në privatësi dhe i dhamë afat ligjvënësit që ta harmonizojë rregullativën ligjore me parimet kushtetuese. Pas miratimit të Ligjit të ri për Komunikime Elektronike, dispozitat e kontestuara u shfuqizuan, prandaj procedura u ndërpre, pa u miratuar vendim meritor për kushtetutshmërinë e tyre. Megjithatë, kjo lëndë tregon se kontrolli gjyqësor-kushtetues mund të hapë çështje të rëndësishme për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të nxisë ndryshime normative edhe para se të miratohet vendimi përfundimtar për kushtetutshmërinë e dispozitave të kontestuara.
Ky shembull është shumë i rëndësishëm për këtë temë për dy arsye:
Së pari, tregon se teknologjitë digjitale nxitin nevojën për rishqyrtim të vazhdueshëm të mekanizmave ligjorë për përpunimin dhe qasjen në të dhëna, veçanërisht kur ato mund t’i cenojnë të drejtat si privatësia dhe fshehtësia e komunikimit. Çfarë mund të zbulojnë të dhënat që nuk e përfshijnë përmbajtjen e bisedave tona? Ato mund të tregojnë me kë komunikojmë, ku lëvizim, me kë takohemi dhe çfarë zakonesh kemi. Kur lidhen këto të dhëna, mund të krijojnë një imazh të hollësishëm të jetës private të çdo individi;
Së dyti, tregon se Gjykata Kushtetuese mund të ketë ndikim normativ në procesin ligjvënës edhe përmes veprimit të saj, pa e miratuar medoemos vendimin përfundimtar me të cilin do të konstatojë jokushtetutshmëri. Ky është shembull i rëndësishëm i rolit parandalues dhe korrigjues të gjyqësorit kushtetues në shoqërinë digjitale.
Çështje të ngjashme shfaqen edhe në praktikën e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Në lëndën Glukhin kundër Rusisë, përdorimi i teknologjisë së njohjes së fytyrës për identifikimin dhe lokalizimin e një pjesëmarrësi në protestë paqësore çoi te cenimi i së drejtës së privatësisë dhe lirisë së shprehjes. Gjykata paralajmëroi edhe për efektin e mundshëm dekurajues që mund ta ketë një gjurmim i tillë mbi lirinë e tubimit. Në lëndën Podchasov kundër Rusisë, Gjykata e shqyrtoi proporcionalitetin e detyrimit ligjor për mbajtjen masive të komunikimeve në internet, qasjen e shërbimeve të sigurisë në ato të dhëna dhe detyrimin për deshifrimin e mesazheve të enkriptuara.
Këto lëndë tregojnë se pyetja nuk është nëse shteti mund ta përdorë teknologjinë për qëllime legjitime, por në cilat kushte, me çfarë kufizimesh ligjore dhe me çfarë garancish për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Për shembull, le të imagjinojmë se shteti vendos sistem për njohjen e fytyrës me qëllim të identifikimit të pjesëmarrësve në tubime publike. Ose se një sistem i automatizuar vendos se kush ka të drejtë për ndihmë sociale, në bazë të algoritmit, kriteret e të cilit nuk janë të qasshme dhe as të kuptueshme për personat të cilëve u referohet vendimi.
Në rastin e parë, çështja që do të shtrohej do të ishte nëse korniza ligjore lejon gjurmim disproporcional të qytetarëve dhe nëse ekzistojnë garanci të mjaftueshme kundër përdorimit arbitrar të teknologjisë. Në rastin e dytë, do të shtrohej çështja nëse vendimet e automatizuara mund të çojnë në diskriminim dhe nëse personave të involvuar u sigurohen arsyetimi, shqyrtimi nga ana e njerëzve dhe mbrojtja juridike efektive. Në këtë rast, kontrolli gjyqësor-kushtetues do t’i referohej kushtetutshmërisë së kornizës ligjore që i mundëson vendimet e tilla, e jo zgjidhjes së kontesteve administrative të veçanta.
Por sfida nuk përfundon me kontrollin e fuqisë teknologjike të shtetit. Gjykatat kushtetuese duhet të mendojnë edhe për përdorimin e teknologjisë nga ana e tyre. Digjitalizimi i procedurave gjyqësore, parashtrimi elektronik i iniciativave, bazat elektronike të vendimeve dhe transmetimi i seancave publike janë hapa të rëndësishëm për efikasitet, transparencë dhe qasshmëri më të madhe të drejtësisë. Por përdorimi i inteligjencës artificiale hap çështje më të ndërlikuara.
Inteligjenca artificiale mund të ndihmojë në kërkimin dhe sistemimin e praktikës gjyqësore, përmbledhjen e lëndëve të vëllimshme, identifikimin e çështjeve juridike dhe analizën e argumenteve të palëve. Por çfarë do të ndodhte kur një gjykatë kushtetuese do të përdorte një sistem të inteligjencës artificiale, i cili jo vetëm që i analizon lëndët, por përgatit edhe propozim-arsyetime dhe përfundime juridike?
Në shikim të parë, një sistem i tillë mund ta përshpejtojë punën dhe ta rrisë efikasitetin. Por, ekziston rreziku që sistemi të lërë jashtë një argument të rëndësishëm, të citojë vendim gjyqësor joekzistues, ta paraqesë gabimisht praktikën juridike ose të riprodhojë njëanshmëri të përfshirë në të dhënat mbi të cilat është trajnuar. Edhe më serioz është rreziku që gjykatësi gradualisht të fillojë t’i pranojë përfundimet e propozuara pa rishqyrtim të mjaftueshëm kritik.
Atëherë gjykatësi formalisht mund ta ruajë kompetencën për miratimin e vendimit, por ndikimi faktik në gjykimin e tij mund të kalojë te teknologjia. Prandaj, mbikëqyrja njerëzore nuk guxon të shndërrohet në konfirmim formal të asaj që propozon sistemi. Ajo duhet të nënkuptojë verifikim të vërtetë, të pavarur dhe kritik. Përgjegjësia për argumentet juridike, interpretimin e Kushtetutës dhe vendimin përfundimtar duhet të mbetet te gjykatësi.
Kjo çështje është tashmë pjesë e debatit më të gjerë evropian. Në seminarin “Dialogue between Judges 2025”, të organizuar nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, u diskutua për ndikimin e inteligjencës artificiale mbi lirinë e shprehjes, të drejtën për gjykim të drejtë dhe ndalimin e diskriminimit. Gjithashtu, në Konferencën Ndërkombëtare në Beograd, të organizuar me rastin e shënimit të 20-vjetorit të miratimit të Kushtetutës së Republikës së Serbisë, fjalim mbajti edhe Dijana Kovaçeva, gjykatëse e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut nga Bullgaria. Fjalimi i saj për raportin ndërmjet të drejtave të njeriut dhe inteligjencës artificiale e vërteton rëndësinë e çështjes se si inovacionet teknologjike duhet të harmonizohen me standardet e Konventës. Teknologjia në vetvete nuk është e papajtueshme me të drejtat e njeriut; vendimtare janë ligjshmëria, domosdoshmëria dhe proporcionaliteti i zbatimit konkret, si dhe garancitë kundër keqpërdorimit.
Në Gjykatën tonë tashmë janë ndërmarrë hapa konkretë në drejtim të digjitalizimit dhe të hapjes më të madhe institucionale: faqe e re interneti me qasje në praktikën gjyqësore, mundësi për parashtrim elektronik të iniciativave dhe transmetim i seancave publike. Këta hapa e lehtësojnë komunikimin me qytetarët dhe e rrisin transparencën e punës së Gjykatës. Megjithatë, e rëndësishme është të bëhet dallimi ndërmjet digjitalizimit të proceseve të punës dhe përdorimit të inteligjencës artificiale. Gjykata Kushtetuese për momentin nuk e përdor inteligjencën artificiale në vendimmarrjen e saj.
Përdorimi i saj i mundshëm në të ardhmen mund të kontribuojë, për shembull, në kërkimin dhe sistemimin e praktikës gjyqësore-kushtetuese të Gjykatës. Por, para vendosjes, është e domosdoshme të përcaktohen rregulla të qarta institucionale: cilat mënyra të përdorimit lejohen, cilat të dhëna nuk guxojnë të vendosen në sisteme të jashtme, si verifikohen burimet juridike të gjeneruara dhe kush e mban përgjegjësinë për përdorimin e mjeteve. Njësoj i rëndësishëm është edhe përforcimi i kapaciteteve të gjykatësve dhe të shërbimeve profesionale për vlerësim kritik të rezultateve dhe diktim të njëanshmërive të mundshme.
Konteksti më i gjerë i Maqedonisë së Veriut e vërteton nevojën për një qasje të tillë. Enti Shtetëror i Revizionit në vitin 2025 theksoi se 48 projekte të lidhura me inteligjencën artificiale, të financuara në periudhën 2018–2023 me rreth 6.1 milionë euro, nuk çuan në ndonjë implementim sistemik në sektorin publik. I rëndësishëm është edhe fakti që Maqedonia e Veriut më 8 maj 2026 e nënshkroi Konventën Kornizë të Këshillit të Evropës për Inteligjencën Artificiale, të Drejtat e Njeriut, Demokracinë dhe Sundimin e së Drejtës. Ajo përfaqëson kornizë të rëndësishme ndërkombëtare për rregullimin e zhvillimit teknologjik në përputhje me të drejtat e njeriut dhe parimet e sundimit të së drejtës.
Të gjitha këto përvoja dhe sfida na drejtojnë te një çështje thelbësore: cili duhet të jetë roli i gjykatave kushtetuese në epokën digjitale?
Para së gjithash, ato duhet të sigurojnë që të drejtat dhe liritë kushtetuese të mbrohen në mënyrë efektive edhe në mjedisin digjital, veçanërisht e drejta e privatësisë, liria e shprehjes dhe parimi i barazisë. Në kuadër të kompetencave të tyre, duhet ta vlerësojnë kushtetutshmërinë e zgjidhjeve ligjore që mundësojnë vendimmarrje algoritmike dhe të automatizuar, duke pasur parasysh transparencën, proporcionalitetin dhe mbrojtjen juridike efektive. Njëkohësisht, nëse e përdorin inteligjencën artificiale, duhet ta përdorin si mjet ndihmës, e jo si zëvendësim të gjykimit të pavarur juridik. Dhe, së fundi, duhet ta ruajnë pavarësinë e vendimmarrjes gjyqësore-kushtetuese dhe përgjegjësinë personale të gjykatësit për çdo vendim të miratuar.
Në fund, do të doja të theksoja se epoka digjitale nuk kërkon nga gjykatat kushtetuese që ta braktisin rolin e tyre tradicional, por ta ushtrojnë atë me përgjegjësi edhe më të madhe. Ato nuk mund të jenë vetëm kontrolluese të fuqisë teknologjike të institucioneve të tjera. Duhet të jenë shembull edhe në përdorimin e përgjegjshëm të teknologjisë.
Gjykata Kushtetuese në epokën digjitale duhet njëkohësisht ta mbrojë njeriun nga rreziqet e teknologjisë digjitale dhe të sigurojë që teknologjia, kur ajo vetë e përdor, të mbetet në shërbim të njeriut.
Teknologjia mund ta ndryshojë mënyrën se si funksionon drejtësia, por nuk guxon t’i ndryshojë vlerat mbi të cilat ajo mbështetet. Ajo mund ta ndihmojë gjykatësin, por nuk guxon të vendosë në vend të tij. Prandaj, detyra jonë është të sigurojmë që teknologjia të mos bëhet më e fortë se e drejta, algoritmi më i rëndësishëm se njeriu, as efikasiteti teknologjik më i fortë se pavarësia gjyqësore.
