Në prag të Takimit të Katërt Vjetor të Forumit të Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit, më 13 nëntor, i cili do të mbahet në Ohër, në një vizitë dypalëshe më 12 nëntor 2026, në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut qëndruan Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Austrisë, prof.dr.Kristof Grabenvarter dhe shefja e kabinetit të Kryetarit, znj.Mariane Brukmuller. Kryetari dr.Grabenvarter u prit nga Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, dr.Darko Kostadinovski, si dhe nga gjykatësit mr.Tatjana Vasiq Bozaxhieva, dr.Ana Pavllovska Daneva, mr.Meri Dika Georgievska, Naser Ajdari dhe mr.Fatmir Skender. Në takim morën pjesë edhe Tatjana Janiq Todorova, këshilltare e Gjykatës Kushtetuese për marrëdhënie dhe bashkëpunim juridik ndërkombëtar, si dhe këshilltari i Gjykatës, Martin Trajanovski.
Në fokus të bisedimeve, të cilat u zhvilluan në një atmosferë miqësore dhe të hapur, ishin sfidat serioze me të cilat përballen gjykatat kushtetuese evropiane në mbrojtjen e vlerave kushtetuese të sundimit të së drejtës, veçanërisht të pavarësisë dhe autonomisë së tyre, të cilat janë vënë në pikëpyetje edhe në disa vende evropiane. Po ashtu, u diskutua edhe për mënyrat se si gjykatat kushtetuese të Austrisë dhe të Republikës së Maqedonisë së Veriut komunikojnë me publikun dhe qytetarët, me synimin e përbashkët që, përmes transparencës në punën e gjykatave, të rritet besimi i publikut në gjykatat kushtetuese, të mundësohet kuptimi më i mirë i pozitës dhe rolit të tyre në sistemin kushtetues, si dhe, në veçanti, i vendimeve të tyre, të cilat kanë pasoja të rëndësishme për shoqërinë. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Austrisë theksoi hapjen e Gjykatës Kushtetuese austriake ndaj qytetarëve dhe publikut, përmes pranisë së saj në media dhe në rrjetet sociale, duke vënë në pah veçanërisht iniciativat e orientuara drejt të rinjve, me qëllim njohjen e tyre, që në moshë të hershme, me liritë dhe të drejtat e njeriut, si dhe me rëndësinë e kultivimit të vlerave demokratike.

Ndërkaq, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, dr.Darko Kostadinovski, ndau përvojën e Gjykatës Kushtetuese lidhur me transmetimin e drejtpërdrejtë të seancave të Gjykatës, praktikë e cila zbatohet që nga marsi i vitit 2026.
Gjatë takimit u trajtua edhe çështja e inteligjencës artificiale, me ç’rast u theksua rëndësia që vendimmarrja gjyqësore të mbetet edhe në të ardhmen rezultat i aftësive dhe ekspertizës njerëzore, përkatësisht i inteligjencës njerëzore dhe jo i asaj artificiale.
Përfundimi i përbashkët ishte se nevojitet përforcimi i bashkëpunimit ndërkombëtar ndërmjet gjykatave dhe i mbështetjes së ndërsjellë, duke pasur parasysh se ato përballen me sfida të njëjta në ushtrimin e funksionit të tyre themelor: mbrojtjen e demokracisë, sundimit të së drejtës dhe lirive dhe të drejtave të njeriut. Në këtë kontekst, u përgëzua edhe dialogu gjyqësor që gjykatat kushtetuese të vendeve të Ballkanit zhvillojnë në kuadër të Forumit të Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit, përmes të cilit realizohet bashkëpunimi dhe shkëmbimi i njohurive, përvojave dhe praktikave më të mira.
Prof.dr.Kristof Grabenvarter do të marrë pjesë si i ftuar nderi në Takimin e Katërt Vjetor të Forumit të Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit, i cili do të mbahet në Ohër më 13 nëntor 2026, ndërsa do të ketë fjalim hyrës me temën: “Rëndësia e bashkëpunimit rajonal ndërmjet gjykatave kushtetuese”.

