
Gjykata Kushtetuese
e Republikës së Maqedonisë së Veriut
UZ.nr.60/2025 dhe UZ.nr.61/2025
Shkup, 25.02.2026
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në përbërje të Kryetarit të Gjykatës, dr.Darko Kostadinovski dhe gjykatësve Naser Ajdari, mr.Tatjana Vasiq-Bozaxhieva, dr.Osman Kadriu, Dobrilla Kacarska, dr.Goce Naumovski, dr.Ana Pavllovska-Daneva dhe mr.Fatmir Skender, në bazë të nenit 110 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe nenit 72 alineja 1 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.115/2024), në seancën e mbajtur më 25 shkurt 2026, miratoi
V E N D I M
1. ANULOHEN:
– Vendimi për miratimin e Propozim-planit urbanistik të detajuar përfundimtar për bllokun 25, njësia urbane-zona VI, VII dhe VIII, KK Gostivar 1 – Komuna e Gostivarit, me sipërfaqe të përfshirjes prej 15.176 ha, për periudhën e planifikimit 2019-2029 (“Fletorja Zyrtare e Komunës së Gostivarit”, nr.9 e datës 22.08.2025) dhe
– Vendimi për miratimin e Planit urbanistik të detajuar përfundimtar për bllokun 24, KK Gostivar 1 – Komuna e Gostivarit, me sipërfaqe të përfshirjes 26.088 ha, për periudhën e planifikimit 2023-2028 (“Fletorja Zyrtare e Komunës së Gostivarit”, nr.9 e datës 22.08.2025).
2. Ky vendim do të publikohet në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut”.
Arsyetim
I
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në bazë të iniciativës së parashtruar nga Ministria e Transportit, me Aktvendimin UZ.nr.60/2025 dhe UZ.nr.61/2025 të 11 dhjetorit 2025, inicioi procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së vendimeve të shënuara në pikën 1 të këtij vendimi, sepse me justifikim të plotë u ngrit çështja për përputhshmërinë e tyre me nenin 8 paragrafi 1 alineja 3 dhe nenin 51 të Kushtetutës.
II
Në seancë, Gjykata konstatoi se në bazë të nenit 22 paragrafi 1 pika 1 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.5/2002), ndërsa në lidhje me nenin 39 paragrafi 1 të Ligjit për Planifikim Hapësinor dhe Urbanistik (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.199/2014, 44/2015, 193/2015, 31/2016, 163/2016, 64/2018 dhe 168/2018), me propozim të kryetarit të Komunës së Gostivarit, Këshilli i Komunës së Gostivarit, në seancën e dyzetenëntë të mbajtur më 22.08.2025, miratoi Vendim për miratimin e Propozim-planit urbanistik të detajuar përfundimtar për bllokun 25, njësia urbane-zona VI, VII dhe VIII, KK Gostivar 1 – Komuna e Gostivarit, me sipërfaqe të përfshirjes prej 15.176 ha, për periudhën e planifikimit 2019-2029.
Sipas nenit 1 të Vendimit, miratohet Propozim-plani urbanistik i detajuar përfundimtar për bllokun 25, njësia urbane-zona VI, VII dhe VIII, KK Gostivar 1 – Komuna e Gostivarit, me sipërfaqe të përfshirjes prej 15.176 ha, për periudhën e planifikimit 2019-2029, i cili përfshin nga ana veriore rrugën magjistrale Gostivar – Shkup dhe një pjesë të rrugës magjistrale “Ilindenska”, nga ana lindore rrugën magjistrale “Ilindenska”, nga ana jugore rrugën e shërbimit të sapoprojektuar “18” dhe nga ana perëndimore rrugën e shërbimit të sapoprojektuar “8”.
Neni 2 i Vendimit parashikon se Plani urbanistik i detajuar pasqyrohet në pjesën tekstuale dhe grafike, të cilat janë pjesë përbërëse të Vendimit.
Sipas nenit 3, ky Vendim hyn në fuqi në ditën e miratimit të tij dhe do të publikohet në “Fletoren Zyrtare të Komunës së Gostivarit”.
Vendimi është me numër 08-1964/1 të datës 22.08.2025 dhe është publikuar në “Fletoren Zyrtare të Komunës së Gostivarit”, me nr.9 të datës 22.08.2025.
Gjykata, gjithashtu, konstatoi se Vendimi për miratimin e Planit urbanistik të detajuar përfundimtar për bllokun 24, KK Gostivar 1 – Komuna e Gostivarit, me sipërfaqe të përfshirjes 26.088 ha, për periudhën e planifikimit 2023-2028, është miratuar në bazë të nenit 22 paragrafi 1 pika 1 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.5/2002), ndërsa në lidhje me nenin 39 paragrafi 1 të Ligjit për Planifikim Hapësinor dhe Urbanistik (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.199/2014, 44/2015, 193/2015, 31/2016, 163/2016, 64/2018 dhe 168/2018), me propozim të kryetarit të Komunës së Gostivarit, nga Këshilli i Komunës së Gostivarit në seancën e dyzetenëntë të mbajtur më 22.08.2025.
Sipas nenit 1 të Vendimit, miratohet Plani urbanistik i detajuar përfundimtar për bllokun 24, KK Gostivar 1 – Komuna e Gostivarit, me sipërfaqe të përfshirjes 26.088 ha, për periudhën e planifikimit 2023-2028 me kufij – nga ana veriore me rrugën magjistrale “M1-M1”, ana jugore me rrugën e shërbimit të sapoprojektuar “6”, nga ana lindore me rrugën e shërbimit të sapoprojektuar “8” dhe nga ana perëndimore me rrugën magjistrale “Brakja Gjinoski”.
Në përputhje me nenin 2 të Vendimit, Plani urbanistik i detajuar pasqyrohet në pjesën tekstuale dhe grafike, të cilat janë pjesë përbërëse të Vendimit.
Sipas nenit 3, ky Vendim hyn në fuqi në ditën e miratimit të tij dhe do të publikohet në “Fletoren Zyrtare të Komunës së Gostivarit”.
Vendimi është me numër 08-1976/1 të datës 22.08.2025 dhe është publikuar në “Fletoren Zyrtare të Komunës së Gostivarit”, me nr.9 të datës 22.08.2025.
III
Në përputhje me nenin 8 paragrafi 1 alineja 3 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, sundimi i së drejtës është vlerë themelore e rendit kushtetues të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Neni 51 i Kushtetutës parashikon se në Republikën e Maqedonisë së Veriut ligjet duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën, ndërsa të gjitha rregullat e tjera me Kushtetutën dhe me ligjin. Secili e ka për detyrë ta respektojë Kushtetutën dhe ligjet.
Sipas nenit 110 alineja 2 të Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut vendos për përputhshmërinë e rregullave të tjera dhe të marrëveshjeve kolektive me Kushtetutën dhe me ligjet.
Neni 20 me titull: “Programi vjetor i komunave, komunave në Qytetin e Shkupit dhe Qyteti i Shkupit” i Ligjit për Planifikim Hapësinor dhe Urbanistik (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.199/2014, 44/2015, 193/2015, 31/2016, 163/2016, 64/2018 dhe 168/2018), në paragrafin 1 përcakton se komunat, komunat në Qytetin e Shkupit dhe Qyteti i Shkupit, më së voni deri më 31 janar për vitin aktual, janë të detyruara të miratojnë program vjetor për përgatitjen e planeve urbanistike nga neni 7 paragrafi 1 pika 2 të këtij Ligji, dokumentacionit urbanistik planifikues dhe dokumentacionit urbanistik projektues.
Neni 28 i Ligjit me titull: “Vlerësimi strategjik i ndikimit në mjedisin jetësor dhe në shëndetin e njerëzve”, në paragrafin 2 rregullon se miratuesi i planeve urbanistike dhe i dokumentacionit urbanistik planifikues nga paragrafi 1 i këtij neni është i detyruar, pas miratimit të Programit vjetor nga neni 20 paragrafi 1 i këtij Ligji, të miratojë Vendim për zbatimin ose Vendim për moszbatimin e vlerësimit strategjik të ndikimit në mjedisin jetësor dhe në shëndetin e njerëzve, në të cilin arsyetohen shkaqet për zbatimin, përkatësisht moszbatimin e vlerësimit, në mënyrën dhe procedurën e përcaktuar me Ligjin për Mjedisin Jetësor.
Neni 35 i këtij Ligji titullohet: “Prezantimi publik dhe anketa publike”. Në paragrafin 10 të këtij neni është përcaktuar se për prezantimin publik dhe anketën publike të zhvilluar hartohet raport me arsyetim për vërejtjet e pranuara dhe të papranuara për planin urbanistik, nga Komisioni i Ekspertëve, i formuar nga kryetari i komunës përkatësisht komunës së Qytetit të Shkupit, i cili përbëhet nga tre anëtarë, përkatësisht nga përfaqësuesi i hartuesit të planit, i punësuari në administratën komunale kompetent për planifikim urbanistik dhe punonjësi profesional nga fusha e planifikimit urbanistik.
Në përputhje me paragrafin 11 të të njëjtit nen, raporti hartohet më së voni brenda afatit prej pesë ditësh pune nga dita e përfundimit të anketës publike dhe ai është pjesë përbërëse e propozimit të planit dhe ngarkohet edhe në formë elektronike në sistemin informativ e-urbanizëm.
Sipas paragrafit 12 të këtij neni, në bazë të raportit, Komisioni është i detyruar, brenda afatit prej pesë ditësh pune nga hartimi i raportit, të njoftojë çdo subjekt dhe çdo person fizik dhe juridik që ka paraqitur fletanketë, me arsyetim për pranimin ose mospranimin e vërejtjeve ose propozimeve të tij, ku personat që kanë paraqitur fletanketë në formë elektronike njoftohen po në mënyrë elektronike përmes sistemit informativ e-urbanizëm, ndërsa personat që kanë paraqitur fletanketë në formë të shkruar përmes letrës, njoftohen me shkrim.
Neni 36 me titull: “Mendim mbi propozimin përfundimtar të planit urbanistik” në paragrafin 5 të të njëjtit Ligj, parashikon se nëse në procedurën për miratimin e planit urbanistik janë zhvilluar dy anketa publike, propozimi përfundimtar i planit urbanistik i dërgohet edhe Komisionit kompetent të Urbanizmit nga neni 23 i këtij Ligji, i cili detyrohet të dorëzojë Mendim profesional për vlerësimin e shkallës së harmonizimit të propozimit përfundimtar të planit urbanistik me dispozitat e këtij Ligji dhe rregullat e miratuara në bazë të tij, brenda afatit të përcaktuar në paragrafin 4 të këtij neni, përndryshe do të konsiderohet se nuk ka vërejtje dhe se është dhënë Mendim pozitiv.
Neni 38 i Ligjit me titull: “Pëlqimi për planin urbanistik” në paragrafin 3 rregullon se organi i administratës shtetërore, kompetent për kryerjen e punëve në fushën e rregullimit të hapësirës, gjatë shqyrtimit të ri të planit urbanistik për të cilin paraprakisht është lëshuar Njoftim për mangësi në përputhje me paragrafin 2 të këtij neni, nuk mund të theksojë mangësi të reja që nuk janë shënuar më parë në Njoftimin për mangësi, përveçse, nëse është zhvilluar sërish anketë publike, ose kur ekzistojnë të dhëna të reja që nuk janë bashkëngjitur me kërkesën për marrjen e pëlqimit për planin urbanistik, për të cilin paraprakisht është lëshuar Njoftim për mangësi.
Neni 65 i Ligjit për Mjedisin Jetësor (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.53/2005, 81/2005, 24/2007, 159/2008, 83/2009, 48/2010, 124/2010, 51/2011, 123/2012, 93/2013, 187/2013, 42/2014, 44/2015, 129/2015, 192/2015, 39/2016 dhe 99/2018, si dhe “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut” nr.89/2022, 171/2022, 3/2025 dhe 124/2025) është i vendosur në kapitullin X me titull: “Vlerësimi i ndikimit të strategjive, planeve dhe programeve të caktuara në mjedisin jetësor” dhe në paragrafin 10 rregullon se organi që përgatit dokumentacionin planifikues, brenda afatit prej pesë ditësh nga dita e miratimit të Vendimit nga paragrafi 6 i këtij neni, së bashku me formularët nga paragrafi 20 i këtij neni, është i detyruar t’i publikojë në ueb-faqen e tij në mënyrën e përcaktuar me aktin e miratuar në përputhje me nenin 61 paragrafi 8 të këtij Ligji.
IV
Lidhur me pretendimet në iniciativat, si dhe çështjet e tjera që u ngritën në kuadër të procedurës paraprake, Gjykata, në bazë të dokumentacionit të dorëzuar dhe përgjigjeve nga Komuna e Gostivarit, konstatoi gjendjen faktike siç është paraqitur më poshtë në tekst:
Lidhur me Vendimin për miratimin e Propozim-planit urbanistik të detajuar përfundimtar për bllokun 25, njësia urbane-zona VI, VII dhe VIII, KK Gostivar 1 – Komuna e Gostivarit, me sipërfaqe të përfshirjes prej 15.176 ha, për periudhën e planifikimit 2019-2029, gjatë procedurës rezultoi gjendja e mëposhtme faktike:
Para miratimit të Vendimit, Këshilli i Komunës së Gostivarit, Ministrisë së Transportit i ka dorëzuar shkresën nr.18-253/48 të datës 28.04.2025, me kërkesë për pëlqim për Propozim-planin urbanistik të detajuar përfundimtar për bllokun 25, njësia urbane-zona VI, VII dhe VIII, KK Gostivar 1 – Komuna e Gostivarit, me nr.teknik 14/19 të muajit mars 2025, i hartuar nga “POLOGPROJEKT-PRO” SHPK Gostivar.
Pa u lëshuar pëlqimi nga Ministria e Transportit, dhe në bazë të Konkluzionit nr.18-253/49 të datës 06.08.2025 të Komisionit të Urbanizmit të Komunës së Gostivarit, dhe Njoftimit nr.253/50 të datës 06.08.2025 të dorëzuar nga kryetari i Komunës së Gostivarit, Këshilli i Komunës së Gostivarit konstatoi se procedura mund të vazhdojë dhe e miratoi Planin urbanistik në kundërshtim me nenin 38 të Ligjit për Planifikim Hapësinor dhe Urbanistik.
Në përputhje me nenin 65 paragrafi 6 të Ligjit për Mjedisin Jetësor, Komuna e Gostivarit ka miratuar Vendim për moszbatimin e Vlerësimit strategjik nr.18-2416/1 të datës 04.11.2024. Vendimi është miratuar pas miratimit të Programit vjetor për hartimin, ndryshimin dhe plotësimin si dhe miratimin e planeve urbanistike në Komunën e Gostivarit në vitin 2024.
Programi vjetor është miratuar nga Këshilli i Komunës së Gostivarit me nr.08-2898/01 të datës 27.12.2023, në përputhje me nenin 28 paragrafi 2 të Ligjit për Planifikim Hapësinor dhe Urbanistik, por ai, në kundërshtim me nenin 65 paragrafi 10 të Ligjit për Mjedisin Jetësor, nuk është publikuar në ueb-faqen e Komunës së Gostivarit brenda afatit të përcaktuar me Ligj prej pesë ditësh nga dita e miratimit të tij (Vendimi është publikuar më 25.11.2024, gjë që vërehet në ueb-faqe).
Gjatë procedurës së prezantimit publik dhe anketës publike, publiku ishte i informuar dhe i përfshirë në mënyrë të përshtatshme në procesin e miratimit të Planit. Konkretisht, miratuesi i Vendimit të kontestuar, si përgjigje ndaj pretendimeve në iniciativë, i ka dorëzuar Gjykatës provat në vijim: Vendimin për organizimin e prezantimit publik dhe anketës publike me nr.18-253/34, të datës 24.10.2024; Kumtesën për organizimin e prezantimit publik dhe anketës publike me nr.18-253/35, të datës 24.10.2024: Njoftimin për pjesëmarrje dhe anketë publike në përputhje me nenin 35 paragrafi 3 të Ligjit për Planifikim Hapësinor dhe Urbanistik; Publikimet e kumtesës në gazetat “Nova Makedonija” dhe “Koha”; Listën e të pranishmëve në prezantimin publik dhe njoftimet për tre pjesëmarrësit e anketës publike me fotokopje të faturave të dorëzimit për dorëzim të rregullt.
Prezantimi publik dhe anketa publike ishin caktuar në ambientet e Komunës së Gostivarit më 31.10.2024, me njoftimin se anketa publike do të zgjasë nga 31.10.2024 deri më 13.11.2024, në orën 08:00-16:00.
Pas përfundimit të procedurës së prezantimit publik dhe anketës publike është hartuar Raporti nr.18-253/43 i datës 25.11.2024, pas kalimit të afatit prej pesë ditësh pune nga dita e përfundimit të anketës publike, të parashikuar me nenin 35 paragrafi 11 të Ligjit për Planifikim Hapësinor dhe Urbanistik.
Me Aktvendimin nr.18-253/37 të datës 25.10.2024, kryetari i Komunës së Gostivarit ka formuar Komision për Zhvillimin e Prezantimit Publik dhe Anketës Publike, të përbërë nga tre anëtarët: Sefedin Bilali – i punësuar në administratën komunale, Bekim Aliu – i punësuar në administratën komunale dhe Valentina Poposka – anëtare e jashtme – përfaqësuese e hartuesit të planit.
Në përputhje me nenin 35 paragrafi 10 të Ligjit për Planifikim Hapësinor dhe Urbanistik, Komisioni i Ekspertëve, i formuar nga kryetari i komunës, duhet të përbëhet nga tre anëtarë, përkatësisht nga përfaqësuesi i hartuesit të planit, i punësuari në administratën komunale kompetent për planifikim urbanistik dhe punonjësi profesional nga fusha e planifikimit urbanistik.
Komuna e Gostivarit lidhur me këtë sqaroi se në përbërjen e Komisionit për Zhvillimin e Prezantimit Publik dhe Anketës Publike, një anëtar është përfaqësues i hartuesit të planit, ndërsa nga dy anëtarët e tjerë, njëri është përfaqësues i administratës që e ka udhëhequr procedurën, ndërsa tjetri është i punësuar në administratën komunale dhe nuk ka marrë pjesë në procedurën e miratimit të Planit dhe ka qenë anëtar i Komisionit për Zhvillimin e Prezantimit Publik dhe Anketës Publike si punonjës profesional.
Siç vërehet nga Aktvendimi nr.18-253/37 i datës 25.10.2024 dhe përgjigjja e Komunës, kryetari i Komunës së Gostivarit gjatë formimit të përbërjes së Komisionit të Ekspertëve për Zhvillimin e Prezantimit Publik dhe Anketës Publike nuk ka vepruar në përputhje me nenin 35 paragrafi 10 të Ligjit për Planifikim Hapësinor dhe Urbanistik.
Lidhur me kontestimin që ka të bëjë me revizionin profesional të Planit urbanistik të detajuar për bllokun 25, Njësia urbane-zona VI, VII dhe VIII, Komuna e Gostivarit, konstatohet se plani përfundimtar i propozuar ishte hartuar nga “NIMAER” SHPKNJP – Strugë, Njësia Afariste në Shkup, ndërsa revizorët, gjatë hartimit të revizionit, i ishin referuar Ligjit për Planifikim Urbanistik dhe Rregullores për Planifikim Urbanistik, ndonëse revizioni ishte hartuar në përputhje me Ligjin për Planifikim Hapësinor dhe Urbanistik.
Komuna në përgjigjen e saj lidhur me këto pretendime sqaroi se bëhet fjalë për gabim teknik të revizorit, që në tekst është cekur Ligji i ri dhe Rregullorja e re për Planifikim Urbanistik me ndryshimet e tyre, prandaj procedura për miratimin e PUD-së për bllokun 25, njësia urbane-zona VI, VII dhe VIII, KK Gostivar 1 – Komuna e Gostivarit, në sistemin informativ e-urbanizëm është udhëhequr sipas procedurave të viteve 2014-2019, ndërsa të gjitha planet e tjera urbanistike, tani në sistemin informativ e-urbanizëm udhëhiqen sipas procedurave të vitit 2020 dhe Ligjit për Planifikim Urbanistik dhe Rregullores për Planifikim Urbanistik.
Lidhur me Vendimin për miratimin e Planit urbanistik të detajuar përfundimtar për bllokun 24, KK Gostivar 1 – Komuna e Gostivarit, me sipërfaqe të përfshirjes 26.088 ha, për periudhën e planifikimit 2023-2028, gjatë procedurës rezultoi gjendja e mëposhtme faktike:
Para miratimit të Vendimit, Këshilli i Komunës së Gostivarit, Ministrisë së Transportit i ka dorëzuar shkresën nr.23-1628/148 të datës 26.05.2025, me kërkesë për pëlqim për Planin urbanistik të detajuar për bllokun 24, KK Gostivar 1 – Komuna e Gostivarit, me sipërfaqe të përfshirjes 26.088 ha, për periudhën e planifikimit 2023-2028, i hartuar “NIMAER” SHPKNJP – Strugë, Njësia Afariste në Shkup.
Megjithëse nga Ministria e Transportit nuk ishte lëshuar pëlqimi, Këshilli i Komunës së Gostivarit konstatoi se procedura mund të vazhdojë dhe e miratoi Planin urbanistik në kundërshtim me nenin 38 të Ligjit për Planifikim Hapësinor dhe Urbanistik, në bazë të Konkluzionit nr.23-1628/149 të datës 05.08.2025, të Komisionit të Urbanizmit të Komunës së Gostivarit dhe Njoftimit me nr.23-1628/150, të datës 06.08.2025, të kryetarit të Komunës së Gostivarit.
Një nga arsyet e kontestimit të këtij Vendimi është se nuk ka prova për publikimin e Vendimit për moszbatimin e vlerësimit strategjik të ndikimit në mjedisin jetësor dhe në shëndetin e njerëzve nr.24-1746/1, të datës 02.10.2023 në ueb-faqen e Komunës, si dhe se ky Vendim nuk ishte miratuar pas miratimit të Programit vjetor për hartimin e planeve urbanistike nga miratuesi.
Në përgjigjen e miratuesit të Vendimit të kontestuar, theksohet se Vendimi për moszbatimin e vlerësimit strategjik të ndikimit në mjedisin jetësor dhe në shëndetin e njerëzve nr.24-1746/1, i datës 02.10.2023, së bashku me formularët është publikuar në ueb-faqen e Komunës, për çka si shtojcë ka dorëzuar provë nga publikimi në ueb-faqe.
Gjithashtu, në këtë shkresë sqarohet se Komuna e Gostivarit ka miratuar Program vjetor për hartimin e planeve urbanistike nr.08-2702/1 të datës 29.12.2022, i cili i është dorëzuar Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, në sistemin e-urbanizëm, me ç’rast Programi u dorëzua si shtojcë. Si përgjigje ndaj pretendimeve për procedurë jotransparente dhe joinkluzive, Komuna e Gostivarit dorëzoi prova për njoftimin e subjekteve dhe personave fizikë që kanë paraqitur fletanketë. Në mbështetje të këtij pohimi, Gjykatës iu dorëzuan katër Njoftime për qytetarët me fotokopje të faturave të dorëzimit për pranimin e tyre.
Pas përfundimit të procedurës së prezantimit publik dhe anketës publike për miratimin e Planit urbanistik të detajuar për bllokun 24, KK Gostivar 1 – Komuna e Gostivarit, me sipërfaqe të përfshirjes 26.088 ha, për periudhën e planifikimit 2023-2028, është hartuar Raporti nr.23-1628/128, i datës 22.06.2023, (anketa publike e zhvilluar nga periudha 01.06.2023 – 07.06.2023) çka do të thotë se, në kundërshtim me nenin 35 paragrafi 11 të Ligjit për Planifikim Hapësinor dhe Urbanistik, Raporti nuk është hartuar brenda afatit të parashikuar me Ligj prej pesë ditësh pune nga dita e përfundimit të anketës publike.
Ndërkaq, Gjykata konstatoi se pas zhvillimit të dy anketave publike, nga Komisioni kompetent i Urbanizmit nuk është dorëzuar Mendim profesional për vlerësimin e shkallës së harmonizimit të propozimit përfundimtar të Planit urbanistik, çka është në kundërshtim me nenin 36 paragrafi 5 të Ligjit për Planifikim Hapësinor dhe Urbanistik.
Miratuesi i aktit në përgjigjen ndaj pretendimeve sqaroi se Komisioni i Urbanizmit ka miratuar Konkluzionin nr.23-1628/116, të datës 18.04.2023, i cili i është dorëzuar Ministrisë së Transportit.
Analiza e këtij akti tregon se ai është miratuar pas Njoftimit të marrë për mangësitë e konstatuara me nr.21-5035/2, të datës 28 tetor 2022, nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve.
Me shkresën nr.23-1628/144 të datës 19.07.2024, Komuna e Gostivarit përmes sistemit informativ e-urbanizëm (procedura nr.8096), Ministrisë së Transportit i ka dorëzuar kërkesë për pëlqim për Propozim-planin përfundimtar për ndryshimin dhe plotësimin e Planit urbanistik të detajuar për bllokun 24 KK Gostivar 1, Komuna e Gostivarit.
Pas shqyrtimit të Propozim-planit përfundimtar dhe dokumentacionit, Ministria e Transportit me Njoftimin për mangësitë e konstatuara nr.21-817/1 të datës 23.07.2024, nuk e ka dhënë pëlqimin e kërkuar për shkak të vërejtjeve që janë cekur në mënyrë taksative në 10 pika të Njoftimit për mangësitë e konstatuara. Në fund të Njoftimit është dhënë shënim se pas veprimit sipas vërejtjeve, Plani urbanistik i detajuar duhet t’i dorëzohet për pëlqim Ministrisë së Transportit me kërkesë të re, me çka do të vazhdojë procedura për miratimin e tij.
Komuna e Gostivarit në përgjigjen ndaj këtyre pretendimeve, nuk i ka dorëzuar Gjykatës provë se i ka mënjanuar mangësitë e konstatuara, të përcaktuara nga Ministria e Transportit.
Në përputhje me nenin 35 paragrafi 10 të Ligjit për Planifikim Hapësinor dhe Urbanistik, Komisioni i Ekspertëve, i formuar nga kryetari i komunës duhet të përbëhet nga tre anëtarë, përkatësisht përfaqësuesi i hartuesit të planit, i punësuari në administratën komunale kompetent për planifikim urbanistik dhe punonjësi profesional nga fusha e planifikimit urbanistik.
Siç shihet nga përbërja e Komisionit, me Aktvendimin nr.23-1628/121 të datës 25.05.2023 dhe përgjigjja e Komunës, kryetari i Komunës së Gostivarit nuk ka formuar Komision të Ekspertëve për Zhvillimin e Prezantimit Publik dhe Anketës Publike në përputhje me nenin 35 paragrafi 10 të Ligjit për Planifikim Hapësinor dhe Urbanistik, përkatësisht, përveç anëtarit të jashtëm – hartuesit të planit, dy anëtarët e tjerë janë të punësuar në administratën komunale.
Miratuesi i aktit në përgjigjen ndaj pretendimeve, sqaroi se nga Inspektorati Shtetëror për Vetëqeverisje Lokale, për këtë Plan urbanistik, Komuna ka pasur mbikëqyrje inspektuese të jashtëzakonshme, për çka si provë dorëzoi kopje të procesverbalit nr.20-968 të datës 19.09.2025, për mbikëqyrjen inspektuese të kryer.
V
Parimi i kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë janë të pandashme dhe rrjedhin nga statusi i Kushtetutës si akti më i lartë juridik në hierarkinë e akteve juridike. Ky pozicion i Kushtetutës në raport me aktet e tjera juridike rrjedh nga neni 51 i Kushtetutës, si dispozitë kyçe kushtetuese në përcaktimin e kushtetutshmërisë si parim juridik, edhe atë si parim i supremacisë dhe prioritetit të Kushtetutës. Nga këto dispozita kushtetuese rrjedh edhe hierarkia e akteve juridike, në kuptimin që të gjitha ligjet duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën, ndërsa të gjitha rregullat e tjera duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën dhe me ligjin.
Me Ligjin për Planifikim Hapësinor dhe Urbanistik është përcaktuar rregullativë precize lidhur me planifikimin e hapësirës, duke përcaktuar saktësisht planet për planifikim hapësinor dhe urbanistik, përmbajtjen e tyre dhe procedurën për miratimin e tyre.
Si pjesë e procedurës për miratimin e planeve në varësi të hapësirës që është objekt i planifikimit, është marrja e pëlqimit të nevojshëm për planin e hartuar në formë të propozim-planit dhe hartimi i raportit pozitiv për revizionin profesional, në përputhje me nenin 38 të Ligjit për Planifikim Hapësinor dhe Urbanistik.
Këtë pëlqim e jep organi i administratës shtetërore kompetent për kryerjen e punëve në fushën e rregullimit të hapësirës, me të cilin vërtetohet se ai është hartuar në përputhje me dispozitat e këtij Ligji dhe rregullat e miratuara në bazë të këtij Ligji.
Procedura për miratimin e planeve urbanistike ka rëndësi të veçantë për rregullimin dhe përdorimin e hapësirës, e cila duhet të përmbajë të gjitha elementet e përcaktuara në Ligj. Nga dispozita e cekur ligjore, rrjedh se pëlqimi që e lëshon Ministria kompetente për punët në fushën e rregullimit të hapësirës, në rastin konkret, Ministria e Transportit, është pjesë përbërëse, përkatësisht fazë e procedurës për miratimin e planeve urbanistike të detajuara. Duke pasur parasysh se pëlqimi i dhënë nënkupton se plani urbanistik është hartuar në përputhje me dispozitat e Ligjit, plani për të cilin nuk është dhënë pëlqim, nuk mund të zbatohet dhe të prodhojë efekt juridik. Kjo, me fjalë të tjera, do të thotë se në vetë Ligjin për Planifikim Hapësinor dhe Urbanistik gjatë miratimit të planeve urbanistike është përcaktuar kompetencë e ndarë ndërmjet organeve të njësive të vetëqeverisjes lokale dhe Ministrisë së Transportit, si një nga organet e pushtetit ekzekutiv.
Gjatë analizës së provave të dorëzuara nga miratuesi i akteve të kontestuara në raport me pretendimet në iniciativat lidhur me vendimet e kontestuara të miratuara nga Këshilli i Komunës së Gostivarit edhe atë Vendimi për miratimin e Propozim-planit urbanistik të detajuar përfundimtar për bllokun 25, njësia urbane-zona VI, VII dhe VIII, KK Gostivar 1 – Komuna e Gostivarit, me sipërfaqe të përfshirjes prej 15.176 ha, për periudhën e planifikimit 2019-2029 dhe Vendimi për miratimin e Planit urbanistik të detajuar përfundimtar për bllokun 24, KK Gostivar 1 – Komuna e Gostivarit, me sipërfaqe të përfshirjes 26.088 ha, për periudhën e planifikimit 2023-2028, Gjykata konstatoi se të dyja vendimet e kontestuara janë miratuar pa pëlqimin e marrë paraprakisht nga Ministria e Transportit, si organ i administratës shtetërore kompetent për kryerjen e punëve në fushën e rregullimit të hapësirës.
Duke pasur parasysh që në rastin konkret Ministria e Transportit nuk ka lëshuar pëlqim për të dyja vendimet e kontestuara për miratimin e Planit urbanistik të detajuar, rrjedh pamëdyshje se miratuesi i akteve të kontestuara ka vepruar në kundërshtim me rregullimin në nenin 38 paragrafi 1 të Ligjit për Planifikim Hapësinor dhe Urbanistik, me çka ka tejkaluar autorizimet e tij ligjore dhe e ka cenuar rëndë sigurinë juridike të qytetarëve, çka nuk është në përputhje me vlerën themelore të rendit kushtetues, sundimin e së drejtës të përcaktuar në nenin 8 paragrafi 1 alineja 3 të Kushtetutës.
Përgatitja e vlerësimit strategjik të ndikimit në mjedisin jetësor dhe në shëndetin e njerëzve është pjesë e procedurës për miratimin e planeve për planifikim hapësinor dhe urbanistik. Kështu, ligjvënësi ka përcaktuar se në procedurën për miratimin e llojeve të planeve nga neni 7 i këtij Ligji, në rastin konkret planeve urbanistike, ekziston detyrim për përgatitjen e vlerësimit strategjik të ndikimit në mjedisin jetësor dhe në shëndetin e njerëzve, ku në këtë kuptim miratuesi i planit urbanistik është i detyruar të miratojë Vendim për zbatimin ose Vendim për moszbatimin e vlerësimit strategjik të ndikimit në mjedisin jetësor dhe në shëndetin e njerëzve, në të cilin arsyetohen shkaqet për zbatimin përkatësisht moszbatimin e vlerësimit në mënyrën dhe procedurën e përcaktuar me Ligjin për Mjedisin Jetësor.
Duke pasur parasysh të lartpërmendurën, rezulton se ekziston detyrim ligjor që komuna, në procedurën për miratimin e Planit urbanistik të detajuar, të miratojë Vendim për zbatimin ose vendim për moszbatimin e vlerësimit strategjik të ndikimit në mjedisin jetësor, në të cilin arsyetohen shkaqet për zbatimin, përkatësisht moszbatimin e vlerësimit strategjik. Ndërkaq, organi që përgatit dokumentacionin planifikues është i detyruar, në përputhje me nenin 65 të Ligjit për Mjedisin Jetësor, siç e përcaktojnë edhe dispozitat e Ligjit për Planifikim Hapësinor dhe Urbanistik, që në ueb-faqen e tij të publikojë Vendimin e lartpërmendur, së bashku me formularët përkatës, ku nga kjo datë rrjedh edhe afati për njoftimin e publikut lidhur me Vendimin dhe mundësinë e paraqitjes së ankimit ndaj tij.
Në rastin konkret, ushtruesi i detyrës së kryetarit të Komunës së Gostivarit, lidhur me procedurën për miratimin e Propozim-planit urbanistik të detajuar përfundimtar për bllokun 25, njësia urbane-zona VI, VII dhe VIII, KK Gostivar 1 – Komuna e Gostivarit, më 04.11.2024, ka miratuar Vendimin për moszbatimin e vlerësimit strategjik, të regjistruar me nr.18-2416/1 të datës 04.11.2024, në të cilin në pikën 2 të Vendimit është cekur se Vendimi, së bashku me formularët për përcaktimin e nevojës për zbatimin përkatësisht moszbatimin e vlerësimit strategjik publikohet në ueb-faqen e Komunës së Gostivarit www.gostivari.gov.mk.
Ky Vendim është publikuar në ueb-faqen e Komunës më 25.11.2024.
Në këtë gjendje faktike dhe juridike të konstatuar, rezulton se Vendimi për moszbatimin e vlerësimit strategjik (nr.18-2416/1, i datës 04.11.2024) nuk është publikuar në ueb-faqen e Komunës së Gostivarit, siç e përcakton Ligji për Mjedisin Jetësor, përkatësisht, nuk është publikuar brenda afatit të përcaktuar me Ligj prej pesë ditësh nga dita e miratimit të Vendimit.
Sa i përket procedurës për miratimin e Vendimit për miratimin e Planit urbanistik të detajuar përfundimtar për bllokun 24, KK Gostivar 1 – Komuna e Gostivarit, lidhur me Vendimin për moszbatimin e Vlerësimit strategjik nr.24-1746/1, të datës 02.10.2023, në të cilin thirret miratuesi i aktit, u konstatua se ai është publikuar në ueb-faqen e Komunës.
Duke u nisur nga fakti se publikimi i Vendimit për zbatimin ose për moszbatimin e vlerësimit strategjik në ueb-faqen e komunës është detyrim i përcaktuar me Ligj gjatë miratimit të Planit urbanistik të detajuar dhe se ndaj një Vendimi të tillë, publiku ka të drejtë ankimimi brenda afatit prej 15 ditësh nga dita e publikimit të tij në ueb-faqen e organit që e përgatit dokumentin planifikues, rrjedh se publikimi i Vendimit në ueb-faqen e komunës është pjesë e rëndësishme e procedurës për miratimin e Planit urbanistik të detajuar, nga e cila varet informimi i publikut dhe ushtrimi i së drejtës së mbrojtjes juridike në fushën e mbrojtjes dhe përparimit të mjedisit jetësor.
Prandaj, mospublikimi i dy vendimeve të kontestuara, përkatësisht mosrespektimi i afatit të përcaktuar me Ligj për publikimin e tyre në mënyrën dhe procedurën e përcaktuar me Ligjin për Mjedisin Jetësor, nënkupton se në dy vendimet e kontestuara, nuk është respektuar tërësisht procedura për miratimin e Planit urbanistik të detajuar, çka rezulton me cenimin e procedurës për miratimin e Planit urbanistik të detajuar të parashikuar me Ligjin për Planifikim Hapësinor dhe Urbanistik dhe që çon në cenimin e parimit të sundimit të së drejtës, si vlerë themelore e rendit kushtetues.
Zhvillimi i prezantimit publik dhe anketës publike për propozimin e Planit urbanistik të detajuar është gjithashtu një nga fazat për miratimin e Planit urbanistik të detajuar.
Nga analiza e aktvendimeve të miratuara nga kryetari i Komunës së Gostivarit për dy vendimet e kontestuara, Gjykata konstatoi se në procedurën për miratimin e Vendimit për miratimin e Propozim-planit urbanistik të detajuar përfundimtar për bllokun 25, njësia urbane-zona VI, VII dhe VIII, KK Gostivar 1 – Komuna e Gostivarit, kryetari ka miratuar Aktvendimin nr.18-253/37 të datës 25.10.2024, ndërsa në procedurën për miratimin e Vendimit për miratimin e Planit urbanistik të detajuar përfundimtar për bllokun 24, KK Gostivar 1 – Komuna e Gostivarit, Kryetari i Komunës së Gostivarit, e ka miratuar Aktvendimin nr.23-1628/121 të datës 25.05.2023.
Siç vërehet nga përbërja e anëtarëve të Komisionit, në dy aktvendimet, si dhe nga përgjigja e Komunës, kryetari i Komunës së Gostivarit nuk ka formuar Komision të Ekspertëve për Zhvillimin e Prezantimit Publik dhe Anketës Publike në përputhje me nenin 35 paragrafi 10 të Ligjit për Planifikim Hapësinor dhe Urbanistik, përkatësisht, përveç anëtarit të jashtëm – hartuesi i planit, dy anëtarët e tjerë janë të punësuar në administratën komunale. Kjo do të thotë se, në të dyja komisionet nuk kishte anëtarë-persona profesionalë në përputhje me Ligjin, sa i përket anëtarëve që duhet të emërohen nga administrata komunale, përkatësisht, një anëtar të jetë i punësuar kompetent për planifikim urbanistik dhe një punonjës profesional të jetë nga fusha e planifikimit urbanistik.
Përveç kësaj, anëtarët në dy komisionet e formuara me dy aktvendime të veçanta, pas përfundimit të procedurës për zhvillimin e prezantimit publik dhe anketës publike lidhur me Vendimin për miratimin e Propozim-planit urbanistik të detajuar përfundimtar për bllokun 25, njësia urbane-zona VI, VII dhe VIII, KK Gostivar 1 – Komuna e Gostivarit, e kanë hartuar Raportin nr.18-253/43 të datës 25.11.2024, po ashtu, lidhur edhe me procedurën për miratimin e Vendimit për miratimin e Planit urbanistik të detajuar përfundimtar për bllokun 24, KK Gostivar 1 – Komuna e Gostivarit, e kanë hartuar Raportin nr.23-1628/128 të datës 22.06.2023, (anketa publike e zhvilluar nga 01.06.2023–07.06.2023). Nga shqyrtimi i kryer i dokumentacionit të dorëzuar, rrjedh se, në kundërshtim me nenin 35 paragrafi 11 të Ligjit për Planifikim Hapësinor dhe Urbanistik, në dy raportet, komisionet nuk e kanë respektuar afatin e parashikuar me Ligj prej pesë ditësh pune për hartimin e raporteve nga dita e përfundimit të anketës publike.
Lidhur me kontestimin për shkelje të nenit 36 paragrafi 5 të Ligjit për Planifikim Hapësinor dhe Urbanistik gjatë miratimit të Vendimit për miratimin e Planit urbanistik të detajuar përfundimtar për bllokun 24, KK Gostivar 1 – Komuna e Gostivarit, nga dokumentacioni i siguruar rrjedh se, pas dy anketave publike të zhvilluara, nuk është dorëzuar Mendim profesional për vlerësimin e shkallës së harmonizimit të propozimit përfundimtar të Planit urbanistik nga Komisioni kompetent i Urbanizmit. Konkretisht, është miratuar Konkluzioni nr.23-1628/116 i datës 18.04.2023, i cili i është dorëzuar Ministrisë së Transportit.
Ky Konkluzion është miratuar pas Njoftimit të marrë për mangësitë e konstatuara me nr.21-5035/2 të datës 28 tetor 2022, nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, Sektori i Rregullimit të Hapësirës – Shkup.
Komuna e Gostivarit përmes sistemit informativ e-urbanizëm (procedura nr.8096), me shkresën nr.23-1628/144 të datës 19.07.2024, Ministrisë së Transportit i ka dorëzuar kërkesë për pëlqim për Propozim-planin përfundimtar për ndryshimin dhe plotësimin e Planit urbanistik të detajuar për bllokun 24 KK Gostivar 1, Komuna e Gostivarit.
Pas shqyrtimit të Propozim-planit përfundimtar dhe dokumentacionit, Ministria e Transportit, Komunës së Gostivarit i ka dorëzuar Njoftim për mangësitë e konstatuara me nr.21-817/1 të datës 23.07.2024, me mangësi të konstatuara të cekura në mënyrë taksative në 10 pika të Njoftimit. Në fund të Njoftimit është dhënë shënim se pas veprimit sipas vërejtjeve, Plani i detajuar urbanistik duhet t’i dorëzohet Ministrisë së Transportit me kërkesë të re për pëlqim, me çka do të vazhdojë procedura për miratimin e tij.
Edhe përkundër vërejtjeve të cekura, Këshilli i Komunës së Gostivarit, pas Konkluzionit të Komisionit të Urbanizmit me nr.23-2628/149, të datës 05.08.2025 dhe Njoftimit nga kryetari i Komunës së Gostivarit me nr.23-1628/150, të datës 06.08.2025, ka konstatuar se procedura mund të vazhdojë, pas çka e ka miratuar Planin urbanistik pa pëlqimin e nevojshëm nga Ministria e Transportit.
Lidhur me kushtin ligjor, marrjen e pëlqimit nga organi i administratës shtetërore, kompetent për kryerjen e punëve në fushën e rregullimit të hapësirës, nga dokumentacioni i siguruar rrjedh se Këshilli i Komunës së Gostivarit i ka miratuar dy vendimet e kontestuara për Planin urbanistik të detajuar për bllokun 25 dhe Planin urbanistik të detajuar për bllokun 24, pa pëlqim të marrë, në kundërshtim me nenin 38 paragrafi 1 të Ligjit për Planifikim Hapësinor dhe Urbanistik.
Gjatë konstatimit të gjendjes faktike, Gjykata i mori parasysh të gjitha provat e dorëzuara në procedurën paraprake, nga të cilat rrjedh se ka devijime në procedurën për miratimin e vendimeve të kontestuara që përbëjnë cenim të sundimit të së drejtës si vlerë themelore e rendit kushtetues dhe të nenit 51 të Kushtetutës që parashikon se të gjithë pjesëmarrësit e përfshirë në procedurën për planifikim urbanistik, e veçanërisht vetëqeverisja lokale si bartëse e procesit të planifikimit urbanistik, duhet ta sigurojë sistemin e planifikimit urbanistik përmes procesit të vazhdueshëm të hartimit, miratimit, zbatimit dhe ndjekjes së zbatimit të planeve. Kjo për arsye se, është mënyra e vetme përmes së cilës mund të garantohet siguria juridike e qytetarëve sa i përket vlefshmërisë dhe zbatimit të akteve të miratuara që duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën dhe me ligjin, çka operacionalizohet dhe ushtrohet në mënyrën dhe procedurën e përcaktuar në Ligjin për Planifikim Hapësinor dhe Urbanistik.
Lidhur me pretendimet e Ministrisë së Transportit, si parashtruese e iniciativave se vendimet e kontestuara nuk janë në përputhje me nenin 35 paragrafët 10 dhe 11 dhe nenin 38 të Ligjit për Planifikim Hapësinor dhe Urbanistik, nenin 93 të Ligjit për Planifikim Urbanistik, nenin 65 paragrafi 10 të Ligjit për Mjedisin Jetësor, ndërsa lidhur me Vendimin e dytë të kontestuar edhe nenin 36 paragrafi 5 të Ligjit për Planifikim Hapësinor dhe Urbanistik, si dhe duke pasur parasysh edhe faktin se në rastin konkret, nga Këshilli i Komunës së Gostivarit, nuk janë dorëzuar prova se është respektuar dhe zhvilluar procedura për miratimin e vendimeve të kontestuara në përputhje me dispozitat e ligjeve të cekura, Gjykata konstatoi se gjatë miratimit të planeve urbanistike të detajuara të kontestuara, nuk janë respektuar fazat themelore të procedurës për miratimin e Planit urbanistik të detajuar, të parashikuara në Ligjin për Planifikim Hapësinor dhe Urbanistik, çka çon në cenimin e sundimit të së drejtës si vlerë themelore dhe të nenit 51 të Kushtetutës.
VI
Bazuar në sa më sipër, Gjykata vendosi si në dispozitivin e këtij vendimi.
VII
Ky vendim ka efekt juridik nga dita e publikimit të tij në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut”.
KRYETAR
i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut,
dr.Darko Kostadinovski