Takim bilateral me delegacionin e Gjykatës Supreme Kushtetuese të Egjiptit në prag të Takimit të Katërt Vjetor të Forumit të Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit

Në prag të Takimit të Katërt Vjetor të Forumit të Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit (BCCF), më 11 nëntor 2026, në Gjykatën Kushtetuese do të zhvillohet takim bilateral me delegacionin e nivelit të lartë të Gjykatës Supreme Kushtetuese të Republikës Arabe të Egjiptit.

Delegacioni egjiptian do të kryesohet nga Shkëlqesia e Tij, Boulos Fahmi Iskandar, Kryetar i Gjykatës Supreme Kushtetuese të Egjiptit, ndërsa në përbërjen e tij do të jetë edhe Mahmud Mohamed Ali Goneim, nënkryetar i Gjykatës.

Nga ana e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në takimin bilateral do të marrin pjesë Kryetari, dr.Darko Kostadinovski dhe gjykatësit dr.Osman Kadriu, mr.Tatjana Vasiq-Bozaxhieva, mr.Fatmir Skender, prof.dr.Ana Pavllovska-Daneva dhe mr.Meri Dika-Gjorgievska.

Takimi do t’i kushtohet thellimit të bashkëpunimit bilateral, shkëmbimit të përvojave dhe praktikave gjyqësore-kushtetuese, si dhe sfidave me të cilat përballen gjykatat kushtetuese në mbrojtjen e kushtetutshmërisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të së drejtës.

Vizita e delegacionit egjiptian është pjesë e aktiviteteve ndërkombëtare që i paraprijnë Takimit të Katërt Vjetor të Forumit të Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit, nikoqire e të cilit është Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Takimi do të mbahet nga 12 deri më 14 nëntor në Ohër.

Në fokus të Takimit Vjetor do të jetë Konferenca Ndërkombëtare me temë: “Sfidat bashkëkohore të sundimit të së drejtës: Roli i gjykatave kushtetuese”, e planifikuar më 13 nëntor. Konferenca do të bashkojë kryetarë dhe gjykatës të gjykatave kushtetuese, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe ekspertë të shquar juridikë, të cilët do të diskutojnë për përforcimin e besimit të qytetarëve në gjykatat kushtetuese, sfidat e epokës digjitale dhe mbrojtjen efektive të të drejtave kushtetuese.

Kryetari i Gjykatës Supreme Kushtetuese të Egjiptit, Boulos Fahmi Iskandar, do të jetë gjithashtu një nga folësit e Konferencës, me pjesëmarrje në sesionin e parë tematik kushtuar çështjes: “Si të rritet besimi në gjykatat kushtetuese?”.

Pjesëmarrja e përfaqësuesve të gjykatave kushtetuese dhe institucioneve nga vendet jashtë rajonit të Ballkanit, dëshmon dimensionin dhe rëndësinë ndërkombëtare të këtij eventi, si dhe mundësitë për shkëmbimin më të gjerë të përvojave dhe praktikave të mira në fushën e drejtësisë kushtetuese.

Më shumë informacione lidhur me programin dhe pjesëmarrësit në Takimin e Katërt Vjetor të Forumit të Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit janë në dispozicion në linkun në vijim:
https://ustavensud.mk/bccf/