U.nr.37/2025

Nuk u gjet asnjë fjalë

Gjykata Kushtetuese e
Republikës së Maqedonisë së Veriut
U.nr.37/2025
Shkup, 19.11.2025

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në përbërje të Kryetarit të Gjykatës, dr.Darko Kostadinovski dhe gjykatësve Naser Ajdari, mr.Tatjana Vasiq-Bozaxhieva, dr.Jadranka Daboviq-Anastasovska, dr.Osman Kadriu, Dobrilla Kacarska, dr.Ana Pavllovska-Daneva dhe mr.Fatmir Skender, në bazë të nenit 110 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe nenit 73 alineja 1 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.115/2024), në seancën e mbajtur më 19 nëntor 2025, miratoi

A K T V E N D I M

1.       INICIOHET procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 54 paragrafi 1 në pjesën: “viti 2024-10%”, paragrafi 2 në pjesën: “viti 2024-8%” dhe nenit 59 paragrafi 1 të Ligjit për Tatimin Minimal Global mbi Fitimin (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.3/2025).

2.       Ky aktvendim do të publikohet në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut”.

Arsyetim

I

Bobi Spirkovski, avokat nga Shkupi, para Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut parashtroi iniciativë për inicimin e procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dispozitave të Ligjit të shënuar në pikën 1 të dispozitivit të këtij aktvendimi.

Sipas pretendimeve, dispozitat e kontestuara nuk janë në përputhje me nenin 8 paragrafi 1 alineja 3 dhe nenin 52 paragrafi 4 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Theksohet se me pjesët e kontestuara dhe dispozitën e kontestuar, ligjvënësi ka vendosur zbatim prapaveprues të Ligjit sepse ai ka hyrë në fuqi më 3 janar 2025, ndërsa zbatohet për vitin fiskal 2024, edhe atë me përqindje maksimale prej 10%, përkatësisht 8% si bazë tatimore për llogaritjen e tatimit shtesë. Pikërisht, me nenin 52 paragrafi 4 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, ndalohet zbatimi prapaveprues i Ligjit.


Në iniciativë theksohet se me dispozitat e kontestuara cenohet siguria juridike, përkatësisht parashikueshmëria legjitime dhe pritshmëritë legjitime të subjekteve të së drejtës, të tanguara nga këto dispozita, veçanërisht të investitorëve të huaj në Republikën e Maqedonisë së Veriut, pasi ato zbatohen në mënyrë prapavepruese, duke imponuar një detyrim të ri tatimor, pa u dhënë mundësi këtyre subjekteve që ta përshtatin veprimtarinë e tyre me detyrimet e reja tatimore. Në këtë pjesë, parashtruesi i iniciativës citon një pjesë të Vendimit të Gjykatës Kushtetuese, U.nr.98/2024 dhe U.nr.139/2024, të datës 25.09.2024, si praktikë gjyqësore, me të cilin u shfuqizuan neni 2 dhe neni 4 të Ligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Marrëdhëniet Detyrimeve (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.154/2023).

Sipas pretendimeve, që një dispozitë të ketë efekt të justifikuar prapaveprues është e nevojshme të ekzistojë interesi publik, çka në rastin konkret jo vetëm që nuk ekziston, por një veprim i tillë i ligjvënësit është i dëmshëm për interesin ekonomik të shtetit. Pikërisht, në arsyetimin e Propozim Ligjit për Tatimin Minimal Global mbi Fitimin nuk është theksuar asnjë argument me të cilin është arsyetuar zbatimi prapaveprues i dispozitave të kontestuara. Përkundrazi, në arsyetimin e dispozitave të propozuara ligjore, për nenin 59 paragrafi 1 të kontestuar është theksuar se neni 59 rregullon në cilat vite fiskale do të zbatohen dispozitat e këtij Ligji.

Në iniciativë theksohet se, ndryshe nga përcaktimi në nenin 56 paragrafët 1 dhe 2 të Direktivës së Bashkimit Evropian, nr.2022/2526 të 14.12.2022, me të cilët rregullohet procesi i inkorporimit dhe afati kalimtar për hyrjen në fuqi të tij, në dispozitat e kontestuara nuk parashikohet afati kalimtar për hyrjen e tyre në fuqi, çka është tepër e dëmshme për interesin ekonomik të vendit dhe ka efekt negativ mbi ekonominë e shtetit, përkatësisht mbi investitorët vendor dhe të huaj. Përveç kësaj, Direktiva e lartpërmendur nuk parashikon zbatim prapaveprues të saj.

Propozohet që Gjykata të iniciojë procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dispozitave të kontestuara, t’i jepet afat prej 3 muajsh Kuvendit që të veprojë sipas udhëzimeve të përmbajtura në Aktvendimin e Gjykatës dhe nëse afati nuk respektohet, Gjykata t’i anulojë dispozitat e kontestuara.


II

Gjykata në seancë konstatoi se në nenin 54 paragrafi 1 të Ligjit për Tatimin Minimal Global mbi Fitimin (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.3/2025) parashikohet se për qëllime të zbatimit të nenit 30 paragrafi 3 të këtij Ligji, vlera prej 5% për çdo vit fiskal duke filluar nga 1 janari në vitet kalendarike vijuese, zëvendësohet me vlerat e shënuara në tabelën vijuese: viti 2024-10%, viti 2025-9,8%, viti 2026-9,6%, viti 2027-9,4%, viti 2028-9,2%, viti 2029-9,0%, viti 2030-8,2%, viti 2031-7,4%, viti 2032-6,6% dhe viti 2033-5,8%. Në paragrafin 2 të këtij neni parashikohet se për qëllime të zbatimit të nenit 30 paragrafi 4 të këtij Ligji, vlera prej 5% për çdo vit fiskal që fillon më 1 janar në vitet kalendarike vijuese, zëvendësohet me vlerat e shënuara në tabelën vijuese: 8%, viti 2025-7,8%, viti 2026-7,6%, viti 2027-7,4%, viti 2028-7,2%, viti 2029-7,0%, viti 2030-6,6%, viti 2031-6,2%, viti 2032-5,8% dhe viti 2033 5,4%.

Në nenin 59 paragrafi 1 të Ligjit të njëjtë parashikohet se dispozitat e këtij Ligji zbatohen për vitet fiskale që fillojnë më 1 janar 2024.

Ligji në të cilin përmbahen dispozitat e kontestuara është miratuar në seancën e Kuvendit të mbajtur më 27 dhjetor 2024, ndërsa është publikuar në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.3 të 3 janarit 2025. Në përputhje me nenin 61 të tij, ky Ligj ka hyrë në fuqi ditën e publikimit të tij në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut”.

III

Sipas nenit 8 paragrafi 1 alineja 3 të Kushtetutës, sundimi i së drejtës është vlerë themelore e rendit kushtetues të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Sipas nenit 9 paragrafi 1 të Kushtetutës, qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut janë të barabartë në liritë dhe të drejtat pavarësisht nga gjinia, raca, ngjyra e lëkurës, prejardhja kombëtare dhe sociale, bindja politike dhe fetare, gjendja pronësore dhe shoqërore. Sipas paragrafit 2 të të njëjtit nen qytetarët janë të barabartë para Kushtetutës dhe ligjeve.

Në nenin 33 të Kushtetutës është përcaktuar se secili e ka për detyrë të paguajë tatim dhe detyrime të tjera publike dhe të marrë pjesë në përmbushjen e shpenzimeve publike në mënyrën e përcaktuar me ligj.

Në nenin 1 të Ligjit për Tatimin Minimal Global mbi Fitimin parashikohet se me këtë Ligj rregullohen masat për sigurimin e tatimimit efektiv minimal mbi fitimin të grupeve të kompanive multinacionale dhe grupeve të mëdha vendore, subjektet përbërëse, mënyra e llogaritjes së normës efektive tatimore, llogaritja e bazës tatimore dhe detyrimit tatimor të tatimit shtesë, subjektet e përjashtuara, procedura për mbledhjen e informacioneve për subjektet përbërëse dhe mënyra e deklarimit dhe pagesës së tatimit shtesë, me qëllim të llogaritjes dhe pagesës së tatimit minimal global mbi fitimin.

Në nenin 5 paragrafi 1 të këtij Ligji, përcaktohet se Ligji zbatohet për subjektet përbërëse që janë anëtare të një grupi të kompanive multinacionale (KMN) ose të një grupi të madh vendor, në rastet kur, sipas pasqyrave financiare të konsoliduara të kompanisë mëmë përfundimtare, të ardhurat vjetore të grupit arrijnë ose tejkalojnë shumën prej 750.000.000 eurove në të paktën dy nga katër vitet fiskale që i paraprijnë drejtpërdrejt vitit fiskal të testuar. Në përcaktimin e këtij pragu përfshihen edhe të ardhurat e subjekteve të përjashtuara sipas paragrafit 3 të këtij neni.

IV

Nga ana e parashtruesit kontestohen dispozitat e Ligjit në tërësi. Megjithatë, nga pretendimet e paraqitura në iniciativë rezulton se, në fakt, kontestohen vetëm pjesë të këtyre dispozitave, me përjashtim të nenit 59 paragrafit 1, i cili kontestohet në tërësi, e si rrjedhojë, këto dispozita janë lëndë e vlerësimit gjyqësor-kushtetues.

Gjykata vlerësoi se janë me bazë pretendimet se pjesët e kontestuara të dispozitave dhe dispozita e kontestuar janë në kundërshtim me nenin 8 paragrafi 1 alineja 3 dhe nenin 52 paragrafi 4 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Ligjvënësi, në pajtim me kompetencat e tij kushtetuese, miraton ligje, i ndryshon dhe i plotëson ato, e përcakton fillimin e zbatimit të tyre, ndërsa në këtë drejtim përcakton edhe afatet sipas të cilave subjektet duhet të udhëhiqen gjatë ushtrimit të së drejtave të tyre. Megjithatë, ligjvënësi ka edhe detyrimin të rregullojë regjimin kalimtar, në mënyrë që t’u mundësojë subjekteve për një periudhë të caktuar ta përshtatin mënyrën e veprimit të tyre me regjimin e ri, me qëllim që të mos vihen në pikëpyetje ushtrimi i të drejtave të tyre dhe pritshmëritë legjitime që i kanë pasur.

Ligji krijon detyrime vetëm pas miratimit dhe hyrjes së tij në fuqi, çka nënkupton se zbatimi i tij se bëhet i vlefshëm në të ardhmen. Rrjedhimisht, vendosja dhe pagesa e tatimit janë legjitime dhe të pranueshme vetëm pas hyrjes në fuqi të Ligjit, me të cilin përcaktohet detyrimi tatimor dhe nuk mund t’i referohet periudhave paraprake, për të cilat një detyrim i tillë tatimor nuk ka ekzistuar. Për më tepër, parashikueshmëria e detyrimeve tatimore përbën një element të rëndësishëm për tatimpaguesit në marrjen e vendimeve afariste dhe planifikimin e veprimtarisë së tyre ekonomike.

Praktika gjyqësore-kushtetuese e deritanishme tregon se ligjet kanë të bëjnë me situata dhe marrëdhënie të reja juridike, që krijohen pas hyrjes së tyre në fuqi. Në një numër më të madh të rasteve, Gjykata nuk ka konstatuar jokushtetutshmëri të ligjeve nga fusha tatimore kurdo që ka pasur ndryshime në politikën tatimore, përveçse në rastet kur zbatimi prapaveprues ka qenë më i favorshëm për qytetarët.

Nga përmbajtja e nenit 54 paragrafët 1 dhe 2 të Ligjit, në të cilin përmbahen pjesët e kontestuara, rrjedh se me detyrimin publik të vendosur, ligjvënësi më 03.01.2025 vendos detyrim të ri për pagesën e tatimit minimal global mbi fitimin, të llogaritur në bazë të të ardhurave sipas bazës tatimore të përcaktuar në bilancin tatimor për tatimin mbi fitimin për vitin 2024, i cili tashmë ishte mbyllur. Si rrjedhojë, tatimpaguesit që deri në vitin 2024, kanë punuar sipas rregullave që i kanë detyruar të paguajnë tatimin mbi fitimin për të ardhurat e realizuara, për të cilat i kanë plotësuar tashmë detyrimet tatimore për atë vit, janë vendosur në një situatë t’i nënshtrohen detyrimit të pagesës së tatimit të ri, përkatësisht tatimit minimal global mbi fitimin.

Nga e lartpërmendura, rezulton se ligjvënësi duke e përdorur të drejtën e tij që me ligj t’i rregullojë marrëdhëniet juridike, përmes detyrimit publik të vendosur me Ligjin në fjalë, më 03.01.2025 parashikoi tatimimin shtesë për të ardhurat e realizuara për vitin 2024. Në këtë mënyrë, ligjvënësi ka ndërhyrë në rregullimin e marrëdhënieve juridike të konsoliduara dhe të përfunduara paraprakisht, me nenin 54 paragrafët 1 dhe 2 dhe nenin 59 paragrafi 1 të Ligjit, ka përcaktuar rregulla të reja për marrëdhëniet juridike të vendosura dhe të përfunduara tashmë.

Në bazë të sa më sipër, Gjykata konstatoi se ekziston efekt prapaveprues i Ligjit, në kundërshtim me ndalimin kushtetues nga neni 52 paragrafi 4 i Kushtetutës, sipas të cilit ligjet dhe rregullat e tjera nuk mund të kenë efekt prapaveprues, përveçse kur ka përjashtme, në rastet kur kjo është më e favorshme për qytetarët. Pikërisht, përjashtimi i parashikuar në këtë dispozitë kushtetuese, në këtë rast, nuk mund të zbatohet sepse nuk bëhet fjalë për zgjidhje ligjore më të favorshme duke pasur parasysh se vendoset detyrim i ri tatimor që më parë nuk ka ekzistuar.

Si rrjedhojë e kësaj, me ndërhyrjen në rregullimin e marrëdhënieve që më parë nuk ishin rregulluar, ndërsa kanë përfunduar, krijohet pasiguri juridike për tatimpaguesit dhe pritshmëritë e tyre legjitime, e me këtë edhe cenim i sundimit të së drejtës.

Duke pasur parasysh faktin se në Projektligjin për Tatimin Minimal Global mbi Fitimin është theksuar se qëllimi i tij është harmonizimi me Direktivën e Këshillit (BE) 2022/2523 të 14 dhjetorit 2022 për sigurimin e nivelit minimal global të tatimimit për grupet e kompanive multinacionale dhe grupet e mëdha vendore në Bashkimin Evropian, Gjykata vlerësoi se ligjvënësi nuk ka vepruar sipas shembullit të Direktivës së lartpërmendur, nga aspekti i kohës së zbatimit të saj.

Pikërisht, Gjykata Kushtetuese, në përputhje me nenin 110 të Kushtetutës, nuk është kompetente të vlerësojë përputhshmërinë e ligjeve me aktet e Bashkimit Evropian, por Gjykata vlerësoi se është me rëndësi të analizohet qasja e Këshillit të BE-së, gjatë përcaktimit të kohës, përktatësisht se prej kur është e nevojshme të zbatohet ky detyrim publik nga shtetet anëtare të BE-së, të cilën ligjvënësi ynë nevojitet ta ndjekë sipas Kushtetutës. Direktiva e lartpërmendur është miratuar më 14 dhjetor 2022 dhe publikuar në “Gazetën Zyrtare të BE-së”, nr.L328/58 të datës 22.12.2022, ndërsa ka hyrë në fuqi në ditën e publikimit të saj në “Gazetën Zyrtare të BE-së”.

Në nenin 56 paragrafët 1 dhe 2 të Direktivës, të cilët rregullojnë inkorporimin e dispozitave të Direktivës në legjislacionin e brendshëm të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, përcaktohet se shtetet anëtare janë të detyruara t’i miratojnë ligjet, akte nënligjoret dhe akte administrative të nevojshme për harmonizimin e legjislacionit të tyre me Direktivën, më së voni deri më 31 dhjetor 2023. Gjithashtu, parashikohet që këto akte duhet t’i dorëzohen Komisionit Evropian dhe të fillojnë të zbatohen për vitet fiskale që fillojnë më 31 dhjetor 2023, përkatësisht për vitin fiskal 2024. Në këtë mënyrë, Direktiva u kërkon shteteve anëtare që të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për vendosjen e detyrimit tatimor përpara fillimit të vitit fiskal, në të cilin do të fillojë zbatimi i tij. Një situatë e tillë nuk paraqitet në rastin e Ligjit në fjalë, dispozitat e të cilit janë lëndë e kontestimit. Konkretisht, ky Ligj ka hyrë në fuqi më 3 janar 2025, ndërkohë që parashikohet të zbatohet për vitin fiskal 2024. Rrjedhimisht, rezulton se ligjvënësi, ndonëse si qëllim të Ligjit ka përcaktuar harmonizimin e legjislacionit vendor me Direktivën e lartpërmendur, nuk ka vepruar sipas mënyrës së përcaktuar në të.

V

Në bazë të lartpërmendurës, Gjykata me shumicë votash, vendosi si në dispozitivin e këtij aktvendimi.

KRYETAR
i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut,
dr. Darko Kostadinovski