Studentët e Universitetit Amerikan të Evropës (FON) në vizitë në Gjykatën Kushtetuese

Studentët e vitit të parë të Fakultetit të Shkencave Juridike dhe Politike pranë Universitetit Amerikan të Evropës (FON), së bashku me dekanen, prof.dr. Sejdefa Xhafçe, vizituan sot Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Gjatë vizitës, studentët u njohën me historikun, pozitën kushtetuese, kompetencat dhe mënyrën e funksionimit të Gjykatës Kushtetuese, si dhe me rolin e saj në mbrojtjen e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë.

Temat u prezantuan nga këshilltaret e Gjykatës, Suzana Fetai Cana dhe Magdalena Paunkova-Spasova, si dhe nga këshilltari Emir Kurtishi, të cilët punojnë me lëndë.

Studentët shprehën interesim për procedurën e Gjykatës dhe për të gjitha fazat e saj, që nga parashtrimi i iniciativës, përmes shqyrtimit të rrethanave, e deri te miratimi i vendimit.

Gjatë vizitës, ata u informuan edhe për transparencën aktive të Gjykatës Kushtetuese, qasjen në informacione lidhur me punën e saj, si dhe aktivitetet e orientuara drejt rritjes së transparencës dhe hapjes ndaj opinionit publik, me theks të veçantë në regjistrimin dhe transmetimin e drejtpërdrejtë të seancave.

Për studentët u organizua edhe një vizitë në ambientet e Gjykatës, përfshirë sallën ku mbahen seancat, ku patën mundësinë të njihen nga afër me institucionin dhe kushtet e punës.