
Gjykata Kushtetuese e
Republikës së Maqedonisë së Veriut
U.nr.3/2026
Shkup, 13.05.2026
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në përbërje të Kryetarit të Gjykatës, dr.Darko Kostadinovski dhe gjykatësve Naser Ajdari, mr.Tatjana Vasiq-Bozaxhieva, dr.Osman Kadriu, Dobrilla Kacarska, dr.Goce Naumovski, dr.Ana Pavllovska-Daneva dhe mr.Fatmir Skender, në bazë të nenit 110 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe nenit 73 alineja 1 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.115/2024), në seancën e mbajtur më 13 maj 2026, miratoi
A K T V E N D I M
- INICIOHET procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 24 paragrafi 12 të Ligjit për Angazhimin e Personave në Punë (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.104/2025).
2. Ky aktvendim do të publikohet në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut”.
Arsyetim
I
Igorço Toçev nga Shkupi, parashtroi iniciativë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dispozitës së kontestuar të Ligjit të shënuar në pikën 1 në dispozitivin e këtij aktvendimi.
Sipas pretendimeve, ajo është në kundërshtim me nenin 8 paragrafi 1 alineja 3, nenet 51, 95 dhe 96 dhe me Amendamentin XX të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Theksohet se zhvillimi i procedurës kundërvajtëse paraqet funksion administrativ të organit dhe është pjesë e fushëveprimit të punës së tij. Njëkohësisht, theksohen vendimet nga praktika gjyqësore-kushtetuese të Gjykatës Kushtetuese dhe propozohet që dispozita e kontestuar të shfuqizohet.
II
Në seancë, Gjykata konstatoi se, sipas nenit 24 paragrafi 12 të Ligjit për Angazhimin e Personave në Punë (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.104/2025), për punën në komision anëtarët kanë të drejtë kompensimi, të cilin e përcakton ministri me aktvendim.
III
Sipas nenit 8 paragrafi 1 alineja 3 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, sundimi i së drejtës është vlerë themelore e rendit kushtetues të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Sipas paragrafit 1 pika 1 të Amendamentit XX të Kushtetutës, me të cilin është plotësuar neni 13 i Kushtetutës, për kundërvajtje të përcaktuara me ligj, sanksion mund të shqiptojë organi i administratës shtetërore ose organizata dhe organi tjetër që ushtron autorizime publike, ndërsa sipas paragrafit 2 të së njëjtës pikë, kundër vendimit të formës së prerë për kundërvajtje, garantohet mbrojtja gjyqësore sipas kushteve dhe procedurës së rregulluar me ligj.
Në nenin 51 të Kushtetutës parashikohet se në Republikën e Maqedonisë së Veriut ligjet duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën, ndërsa të gjitha rregullat e tjera me Kushtetutën dhe me ligjin. Secili e ka për detyrë ta respektojë Kushtetutën dhe ligjet.
Sipas nenit 95 paragrafi 1 të Kushtetutës, administratën shtetërore e përbëjnë ministritë dhe organet e tjera të administratës dhe organizatat e përcaktuara me ligj.
Në përputhje me nenin 96 të Kushtetutës, organet e administratës shtetërore punët nga kompetenca e tyre i ushtrojnë në mënyrë të pavarur në bazë dhe në kuadër të Kushtetutës dhe ligjeve dhe për punën e tyre i përgjigjen Qeverisë.
Sipas nenit 24 paragrafi 1 të Ligjit për Angazhimin e Personave në Punë, për kundërvajtjet e përcaktuara në këtë Ligj, procedurë kundërvajtëse zhvillon dhe sanksion kundërvajtës shqipton Komisioni për Kundërvajtje pranë Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës.
Në përputhje me paragrafin 5 të nenit të njëjtë të Ligjit, Komisioni për Kundërvajtje përbëhet nga kryetari dhe dy anëtarë, juristë të diplomuar nga radhët e nëpunësve administrativë, të punësuar në organin e administratës shtetërore kompetent për çështjet nga fusha e ekonomisë dhe punës. Njëri nga anëtarët e Komisionit duhet të jetë jurist i diplomuar me provim të dhënë të jurisprudencës.
IV
Neni 24 paragrafi 12 i kontestuar i Ligjit për Angazhimin e Personave në Punë përfshihet në Kapitullin V me titull: “Kontrolli dhe mbikëqyrja”.
Ligjvënësi në dispozitën e kontestuar ka përcaktuar të drejtën e kompensimit për punën e anëtarëve të Komisionit, të cilin ministri i Ekonomisë dhe Punës e përcakton me aktvendim.
Gjatë analizës gjyqësore-kushtetuese të dispozitës ligjore të kontestuar në korrelacion me dispozitën e Amendamentit XX të Kushtetutës, rezulton qartë se me plotësimin e nenit 13 me këtë amendament, organeve të administratës u është dhënë një kompetencë e re, konkretisht kompetenca për zhvillimin e procedurës kundërvajtëse dhe shqiptimin e sanksioneve kundërvajtëse.
Organet e pushtetit shtetëror dhe organet që ushtrojnë autorizime publike funksionin e tyre e ushtrojnë në kuadër të kompetencave të përcaktuara, ku ushtrimi i funksioneve administrative është pjesë përbërëse e punës së rregullt të organit, përkatësisht është pjesë e fushëveprimit të tij të punës dhe është kompetencë e tij.
Nga përmbajtja e nenit 24 të Ligjit, rezulton se Komisioni është formuar në kuadër të organit kompetent, i cili e ka për detyrë të zhvillojë procedurë kundërvajtëse, e cila nga natyra e saj juridike përbën funksion administrativ. Anëtarët e Komisionit janë persona që i kryejnë punët administrative në bazë të ligjit, në cilësinë e personave zyrtarë ose përgjegjës në organ.
Prandaj, kompensimi i parashikuar në nenin 24 paragrafi 12 të Ligjit i referohet veprimeve që përbëjnë ushtrimin e rregullt të funksionit administrativ.
Para Gjykatës me justifikim të plotë u ngrit çështja e përputhshmërisë së dispozitës së kontestuar me parimin kushtetues të barazisë, sepse ajo krijon mundësi që një kategori e caktuar e personave zyrtarë të vihet në pozitë më të favorshme pa justifikim objektiv dhe të arsyeshëm dhe inkorporon elemente të arbitraritetit në sistemin e administratës publike.
Gjykata vlerësoi se me parashikimin e kompensimit për veprimet administrative cenohet struktura kushtetuese e administratës shtetërore, sepse punët administrative trajtohen si aktivitete shtesë dhe jo si kompetencë e rregullt e organit. Edhe pse ligjvënësi ka autorizim të rregullojë organizimin dhe punën e organeve të administratës shtetërore, ky autorizim nuk mund të përdoret në mënyrë me të cilën ndryshohet natyra kushtetuese e funksionit administrativ dhe parimi i ushtrimit profesional dhe të unifikuar të pushtetit publik, gjë që është në kundërshtim me nenin 8 paragrafi 1 alineja 3 dhe nenet 95 dhe 96 të Kushtetutës.
Prandaj, para Gjykatës me justifikim të plotë u ngrit çështja për përputhshmërinë e nenit 24 paragrafi 12 të Ligjit për Angazhimin e Personave në Punë me nenin 8 paragrafi 1 alineja 3, nenin 51, nenin 95 dhe nenin 96 të Kushtetutës.
V
Gjykata, në bazë të lartpërmendurës vendosi si në dispozitivin e këtij aktvendimi.
KRYETAR
i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut,
dr.Darko Kostadinovski