
Gjykata Kushtetuese e
Republikës së Maqedonisë së Veriut
U.nr.89/2025
Shkup, 28.01.2026
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në përbërje të Kryetarit të Gjykatës, dr.Darko Kostadinovski dhe gjykatësve Naser Ajdari, mr.Tatjana Vasiq-Bozaxhieva, dr.Osman Kadriu, Dobrilla Kacarska, dr.Ana Pavllovska-Daneva dhe mr.Fatmir Skender, në bazë të nenit 110 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe nenit 38 alineja 2 dhe nenit 73 alineja 3 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.115/2024), në seancën e mbajtur më 28 janar 2026, miratoi
A K T V E N D I M
HIDHET POSHTË iniciativa për inicimin e procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 266-v paragrafët 1 dhe 2 të Ligjit për Marrëdhëniet Detyrimore (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.18/2001, 4/2002, 5/2003, 84/2008, 81/2009, 161/2009 dhe 123/2013, si dhe “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.215/2021 dhe 154/2023).
Arsyetim
I
Dushko Çangov nga Shkupi, para Gjykatës Kushtetuese, parashtroi iniciativë për inicimin e procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dispozitave të Ligjit të shënuar në dispozitivin e këtij aktvendimi.
Theksohet se ato janë në kundërshtim me nenin 8 paragrafi 1 alineja 3 dhe me nenin 118 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Sipas pretendimeve, këto dispozita e cenojnë sundimin e së drejtës nga neni 8 paragrafi 1 alineja 3 të Kushtetutës, sepse janë në kundërshtim me disa nene të këtij Ligji.
Pikërisht, është cenuar parimi i ndërgjegjshmërisë dhe ndershmërisë nga neni 5 i Ligjit për Marrëdhëniet Detyrimore për shkak se debitori që vonon shlyerjen e borxhit kryesor në fund të vitit, krahas borxhit kryesor, detyrohet të paguajë edhe normën e interesit për vitin përkatës. Për këto arsye, nuk është e drejtë që debitori, në vitin e dytë, të detyrohet të paguajë vetëm borxhin kryesor. Përveç kësaj, është cenuar edhe parimi i marrëdhënieve të barabarta ndërmjet palëve, me atë që debitori që i paguan me kohë detyrimet monetare vihet në pozitë të pabarabartë në raport me debitorin që vonohet me pagesën e detyrimeve monetare. Gjithashtu, dispozitat e kontestuara janë në kundërshtim edhe me nenin 9 të Ligjit për Marrëdhëniet Detyrimore, sepse kreditorit i shkaktohet dëm me atë që me dispozitën e kontestuar parashikohet që debitori të mos paguajë normë interesi mbi normën e interesit të pamaturuar, të cilën e ka borxh nga periudha e mëparshme. Në fund, theksohet se dispozitat e kontestuara bien ndesh edhe me nenin 266 paragrafi 1 dhe nenin 268 paragrafi 1 të të njëjtit Ligj.
Lidhur me kundërshtimin e dispozitave të kontestuara me nenin 118 të Kushtetutës theksohet se Republika e Maqedonisë së Veriut ka lidhur Marrëveshjen e Stabilizimit dhe Asociimit me Bashkimin Evropian, me të cilën shteti ka marrë përsipër detyrimin që tërë legjislacionin kombëtar ta harmonizojë me të drejtën evropiane të kontratave. Po ashtu, me dispozitat e kontestuara është cenuar edhe Direktiva nr.2021/7 pika 15, me të cilën rregullohet se norma e interesit llogaritet në nivel vjetor, e jo për periudha më të gjata se një vit. Sipas pretendimeve, me dispozitat e kontestuara janë cenuar edhe pikat 16, 19 dhe 20 të Direktivës me numër 2000/35.
Në iniciativë citohet neni 266-b paragrafi 2 i Ligjit për Marrëdhëniet Detyrimore dhe theksohet se nga përmbajtja e tij rrjedh se interesi i detyrueshëm për tërë periudhën e vonesës që është më e gjatë se një vit, llogaritet në mënyrë që ndërmjet tyre shumëzohen kryegjëja, norma e vetme e interesit ndëshkues për të gjithë periudhën e vonesës, ndërkohë që kjo periudhë është më e gjatë se një vit, pastaj shtohet edhe numri i viteve të të gjithë periudhës së vonesës dhe në fund, prodhimi i fituar pjesëtohet me 100. Me llogaritjen e normës së interesit të rregulluar në këtë mënyrë, cenohet neni 38 paragrafi 2 i të njëjtit Ligj. Kështu nuk mund të llogaritet norma e interesit e përgjithshme e detyrueshme e debitorit për periudhë më të gjatë se një vit, sepse në këtë mënyrë, nuk mundësohet absolutisht zbatimi i Standardit Ndërkombëtar të Kontabilitetit SNK-7.
II
Gjykata në seancë konstatoi se në pajtim me nenin 266-v paragrafi 1 të Ligjit për Marrëdhëniet Detyrimore (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.18/2001, 4/2002, 5/2003, 84/2008, 81/2009, 161/2009 dhe 123/2013, si dhe “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.215/2021 dhe 154/2023), llogaritja e normës së interesit ndëshkues bëhet përmes zbatimit të metodës së thjeshtë dekursive të normës së interesit të kryegjësë së maturuar, pa e shtuar normën e interesit ndëshkues në kryegjë. Sipas paragrafit 2 të të njëjtit nen, kur llogaritja e normës së interesit ndëshkues bëhet për periudhë llogaritëse më të gjatë se një vit, atëherë vlera e normës së interesit ndëshkues të detyruar, fitohet në atë mënyrë që prodhimi i fituar përmes shumëzimit të kryegjësë, normës së interesit ndëshkues dhe numrit të viteve të vonesës pjesëtohen me numrin 100.
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë me Aktvendimin U.nr46/2015 të 23 shtatorit 2015, nuk inicioi procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 266-v paragrafët 1 dhe 2 të Ligjit për Marrëdhëniet Detyrimore (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.18/2001, 4/2002, 5/2003, 84/2008, 81/2008, 81/2009 dhe 161/2009).
III
Sipas nenit 38 alineja 2 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Gjykata Kushtetuese do ta hedhë poshtë iniciativën nëse tashmë ka vendosur për çështjen e njëjtë dhe nuk ka baza të tjera për vendimmarrje tjetër.
IV
Në rastin konkret kërkohet vlerësimi i kushtetutshmërisë së nenit 266-v paragrafët 1 dhe 2 të Ligjit për Marrëdhëniet Detyrimore.
Këto dispozita kanë qenë lëndë e vlerësimit para Gjykatës Kushtetuese, nga aspekti i përputhshmërisë së tyre me nenet 8 dhe 55 të Kushtetutës, ku Gjykata me Aktvendimin U.nr.46/2015 të 23 shtatorit 2015, ka vendosur të mos iniciojë procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së tyre.
Lidhur me pretendimet nga iniciativa se dispozitat e kontestuara janë në kundërshtim me nenet 5, 7, 9, nenin 38 paragrafi 2, nenin 266 paragrafi 1 dhe nenin 268 paragrafi 1 të Ligjit për Marrëdhëniet Detyrimore, si dhe me Direktivën nr.2021/7 pika 15 dhe Direktivën nr.2000/35 pikat 16, 19 dhe 20, ato nuk mund të jenë lëndë e vlerësimit gjyqësor-kushtetues, për arsye se Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut në përputhje me nenin 110 alineja 1 të Kushtetutës, është kompetente të vendosë për përputhshmërinë e ligjeve me Kushtetutën.
Duke marrë parasysh se neni 266-v paragrafët 1 dhe 2 të Ligjit për Marrëdhëniet Detyrimore më parë ka qenë lëndë e vlerësimit nga Gjykata Kushtetuese dhe se në rastin konkret nuk ka baza për vendimmarrje tjetër, Gjykata konstatoi se janë plotësuar kushtet e nenit 38 alineja 2 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, për hedhjen poshtë të iniciativës.
V
Në bazë të lartpërmendurës, Gjykata vendosi si në dispozitivin e këtij aktvendimi.
KRYETAR
i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut,
dr.Darko Kostadinovski