Më 17.06.2026, Gjykata Kushtetuese, duke procesuar lëndën me numër UZ.nr.10/2025, shfuqizoi Vendimin për ndryshimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore në Komunën e Tetovës, me nr.07-766/4 të datës 24.04.2007.
Gjatë procedurës, për shkak të mosdorëzimit të dokumentacionit të plotë, Gjykata Kushtetuese, në katër raste, i kërkoi Komunës së Tetovës që të dorëzonte të gjithë dokumentacionin që i kishte paraprirë miratimit të vendimit të kontestuar. Megjithatë, Komuna nuk dorëzoi as kërkesën për marrjen e pëlqimit të Qeverisë dhe as aktin për dhënien e këtij pëlqimi, por vetëm Listën e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore në Komunën e Tetovës, të miratuar më 30.11.2006.
Gjithashtu, Gjykata Kushtetuese, në tri raste, i kërkoi Qeverisë që të dorëzonte dokumentacionin përkatës që dëshmonte dhënien e pëlqimit të kërkuar, por një dokumentacion i tillë nuk u dorëzua.
Rrjedhimisht, nga shqyrtimi i dokumentacionit të dërguar, Gjykata konstatoi se Komuna e Tetovës nuk kishte dorëzuar dëshmi se i kishte parashtruar Qeverisë kërkesë për marrjen e pëlqimit të nevojshëm, e as aktin përkatës me të cilin Qeveria kishte dhënë pëlqimin për Listën në fjalë, në përputhje me nenin 5 paragrafi 2 të Ligjit për Përcaktimin e Emrave të Rrugëve, Shesheve, Urave dhe Objekteve të Tjera Infrastrukturore. Për këtë arsye, Gjykata konstatoi se kushti ligjor për marrjen e pëlqimit paraprak të Qeverisë nuk ishte përmbushur.
Në bazë të nenit 5 paragrafi 2 të Ligjit për Përcaktimin e Emrave të Rrugëve, Shesheve, Urave dhe Objekteve të Tjera Infrastrukturore, miratimi i vendimit për ndryshimin e emrave të këtyre objekteve kushtëzohet nga marrja paraprake e pëlqimit të Qeverisë.
Si rrjedhojë, miratimi i Vendimit të kontestuar pa pëlqimin paraprak të Qeverisë përbën shkelje të parimit të sundimit të së drejtës, të garantuar me nenin 8 paragrafi 1 alineja 3 dhe nenin 51 të Kushtetutës, si dhe nenin 5 paragrafi 2 të Ligjit për Përcaktimin e Emrave të Rrugëve, Shesheve, Urave dhe Objekteve të Tjera Infrastrukturore.