Delegacioni i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, i udhëhequr nga Kryetari, dr. Darko Kostadinovski, ndësa i përbërë nga gjykatësit Dobrilla Kacarska, prof. dr. Osman Kadriu dhe prof. dr. Ana Pavllovska-Daneva, si dhe mr. Simona Gerasimova-Jovanovska, këshilltare e pavarur e protokollit, më 9 dhe 10 korrik 2026 zhvilloi vizitë dypalëshe në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Serbisë.
Në kuadër të vizitës, kryetarët Kostadinovski dhe Petrov nënshkruan Memorandum Mirëkuptimi dhe Bashkëpunimi Dypalësh ndërmjet Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Serbisë dhe Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Pas nënshkrimit të Memorandumit, u zhvillua diskutim profesional ndërmjet anëtarëve të dy delegacioneve, me temën: “Ekzekutimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”.
Me këtë vizitë, pas gati 15 vitesh, u rivendos bashkëpunimi dypalësh ndërmjet gjykatave kushtetuese të Republikës së Serbisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke hapur kështu një kapitull të ri në bashkëpunimin e ndërsjellë institucional.
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Kostadinovski, shprehu falënderime për mikpritjen dhe, ndër të tjera, theksoi se gjykatat kushtetuese kanë një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm, sepse nuk ka asgjë më të çmuar sesa mbrojtja e të drejtave dhe lirive të njeriut.
“Takimet e tilla janë një mundësi për të shkëmbyer përvojat tona të çmuara dhe për të diskutuar për një sërë çështjesh që mund të jenë të dobishme për të dyja gjykatat”, u shpreh Kryetari Kostadinovski, i cili gjatë takimit u njoftua me pjesëmarrësit dhe me kompetencat e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Në fjalën e tij hyrëse, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Serbisë, Petrov, ndër të tjera, theksoi domosdoshmërinë e bashkëpunimit të rregullt institucional ndërmjet dy shteteve fqinje, të lidhura nga historia dhe kultura, në një fushë që, krahas ekonomisë, është ndër më të rëndësishmet për jetën e qytetarëve, siç është sundimi i së drejtës.
“Do të pajtoheni se institucionet tona kanë, në njëfarë mase, përgjegjësi më të madhe se çdo institucion politik apo politikan individual për përforcimin dhe avancimin e sundimit të së drejtës, jo vetëm si parim themelor, por edhe si parim jetik i demokracisë bashkëkohore kushtetuese”, theksoi Kryetari Petrov. Ai shtoi se shpreson që më në fund të jetë marrë mësimi se sundimi i së drejtës nuk është një tërësi parimesh dhe vlerash abstrakte dhe as një konstruksion normativ i krijuar nga lart apo nga jashtë, por një sistem parimesh dhe vlerash themelore që ndërtohet nga brenda, përmes vendimeve gjyqësore të bazuara ligjërisht dhe të arsyetuara mirë, veçanërisht nga gjykatat kushtetuese, si dhe nga jashtë, përmes dialogut të vazhdueshëm institucional, ku një rëndësi të veçantë ka dialogu ndërmjet gjykatave kushtetuese.
Siç theksoi ai, sundimi i së drejtës arrihet edhe përmes ndërtimit dhe përforcimit të besimit të qytetarëve te gjykatat kushtetuese dhe institucionet e tjera të gjyqësorit. Ai duhet të mbështetet në një ekuilibër të kujdesshëm ndërmjet së drejtës dhe politikës, i cili nuk mund të arrihet pa ndërmjetësimin, përkatësisht rolin moderues të shkencës juridike.
Gjykatësja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, prof. dr. Ana Pavllovska-Daneva, kishte gjithashtu prezantim mbi ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, duke u përqendruar kryesisht në ekzekutimin e vendimeve në kuadër të kontrollit abstrakt. Ajo trajtoi mënyrat e ekzekutimit të vendimeve, të cilat janë të detyrueshme për të gjitha subjektet që kanë detyrimin të veprojnë në përputhje me to, si dhe mundësinë që Gjykata Kushtetuese të përcaktojë afatin dhe mënyrën e ekzekutimit të vendimit të saj. Gjithashtu, ajo vuri në dukje ngjashmëritë dhe dallimet ndërmjet sistemeve juridike të Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, sa i përket ekzekutimit të vendimeve të gjykatave kushtetuese.
Gjykatësja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Serbisë, dr. Natasha Pllavshiq, në prezantimin e saj mbi ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, ndër të tjera, theksoi se ekzekutimi i vendimeve është thelbësor për mbrojtjen efektive të kushtetutshmërisë dhe të drejtave të njeriut. Ajo nënvizoi se efektiviteti i vërtetë i mbrojtjes kushtetuese dhe gjyqësore nuk përfundon me miratimin dhe publikimin e vendimit, por me ekzekutimin e tij të plotë dhe në kohë.
Në prezantimin e saj, ajo i kushtoi vëmendje të veçantë dallimit ndërmjet efekteve juridike të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, mënjanimit të pasojave të dëmshme dhe ekzekutimit të vetë vendimeve. Ajo theksoi se pikërisht ekzekutimi përbën fazën përfundimtare, në të cilën qëndrimet juridike-kushtetuese të Gjykatës Kushtetuese marrin efekt konkret në rendin juridik. Siç nënvizoi ajo, vendimet e Gjykatës Kushtetuese e arrijnë plotësisht rëndësinë e tyre kushtetuese vetëm atëherë kur qëndrimet juridike të shprehura në to bëhen pjesë përbërëse e veprimtarisë së ligjvënësit, gjykatave dhe organeve të tjera shtetërore, duke siguruar kështu mbrojtjen efektive të kushtetutshmërisë dhe të drejtave të njeriut.
Në kuadër të diskutimit profesional, udhëheqësja e Shërbimit për Teknologji të Informacionit të Gjykatës Kushtetuese, Dushica Vukoviq, prezantoi procesin e transformimit digjital të Gjykatës dhe vënien në përdorim të parashtrimit elektronik.
Në diskutimin profesional morën pjesë edhe ambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Serbi, prof. dr. Nikolla Tupançeski, kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Bojana Çoguriq, nënkryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, dr. Mirosllav Gjorgjeviq, ud. drejtori i Institutit të së Drejtës Krahasuese, dr. Millosh Staniq, kryetarja e Këshillit Drejtues të Institutit, prof. dr. Sllobodanka Periq, bashkëpunëtori shkencor i Institutit, dr. Millosh Vasoviq, ish-gjykatësja e Gjykatës Kushtetuese, Katarina Manojlloviq-Andriq, zëvendëssekretarja e Gjykatës Kushtetuese, si dhe udhëheqësit e shërbimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Memorandumi i nënshkruar nga të dyja gjykatat kushtetuese, ndër të tjera, parashikon që palët nënshkruese të thellojnë bashkëpunimin përmes hartimit dhe zhvillimit të strategjive dhe programeve të përbashkëta, të cilat do të kontribuojnë në zhvillimin e marrëdhënieve miqësore, përforcimin e kapaciteteve institucionale dhe zhvillimin e kërkimeve juridike krahasuese.
Gjithashtu, Memorandumi parashikon mundësinë e realizimit të programeve të përbashkëta në lidhje me fushëveprimin e tyre të punës, si dhe të aktiviteteve të tjera për të cilat palët do të bien dakord së bashku. Parashikohet, po ashtu ftesa e ndërsjellë për pjesëmarrje në programe trajnimi, shkëmbimi i ligjëruesve, materialeve dhe informacioneve lidhur me trajnimet, siç janë paketat mësimore, publikimet dhe materialet audiovizuale, të përgatitura nga njësitë përkatëse organizative përgjegjëse për trajnimin.
Memorandumi parashikon edhe mundësinë e realizimit të kërkimeve të përbashkëta për çështje që lidhen me kompetencat e palëve, shkëmbimin e ekspertëve për tema kërkimore të përcaktuara bashkërisht, si dhe shkëmbimin e materialeve kërkimore dhe informacioneve të tjera relevante, të siguruara nga institucionet e tjera që janë me interes për palën tjetër.
Njëherazi, parashikohet ftesa e ndërsjellë për pjesëmarrje në konferenca dhe seminare shkencore të organizuara nga institucionet përkatëse, organizimi i konferencave dhe seminareve të përbashkëta shkencore për tema të dakorduara ndërmjet palëve, shkëmbimi i njohurive, informacioneve dhe përvojave, organizimi i vizitave periodike të delegacioneve, si dhe forma të tjera bashkëpunimi ndërmjet gjykatësve, këshilltarëve dhe personelit gjyqësor, me qëllim shkëmbimin e njohurive dhe përvojave, si dhe përforcimin e kapaciteteve institucionale.
Gjithashtu, parashikohet që të dyja palët të mbështesin njëra-tjetrën në avancimin dhe mbrojtjen e pavarësisë dhe integritetit të gjyqësorit kushtetues dhe të sundimit të së drejtës, duke përfshirë ndihmën e ndërsjellë, konsultimet dhe koordinimin në forume, organe dhe organizata ndërkombëtare, si dhe, sipas nevojës, harmonizimin dhe shprehjen e qëndrimeve të përbashkëta për mbrojtjen e këtyre parimeve.




