Kostadinovski për “Klik Plus”: Kur Gjykata Kushtetuese është e  pakompromis është normale që disa struktura të jenë nervoze

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, dr.Darko Kostadinovski, në intervistën për emisionin “Klik Plus” foli për disa çështje aktuale juridike-kushtetuese, ku iu referua lëndës për Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, zbatimit të vendimeve të Gjykatës, ndryshimeve të Kodit Penal, padisë kushtetuese, reformave në administratën publike dhe iniciativave që lidhen me pagat e gjykatësve dhe Marrëveshjen kolektive në kulturë. Lidhur me reagimet publike ndaj lëndës për Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, Kostadinovski ashpërisht i hodhi poshtë pretendimet se Gjykata Kushtetuese “e masakron gjuhën shqipe”, duke vlerësuar se bëhet fjalë për manipulim politik dhe abuzim me çështje të ndjeshme.

“Kjo është një gënjeshtër e rëndë dhe një manipulim i rëndë. Më pengon shumë kur prejudikohet. Te ne, politikanët me shumë lehtësi, duke kërkuar vota politike, duke mobilizuar vota, abuzojnë me tema që nuk janë aspak të përshtatshme për manipulim politik, siç janë marrëdhëniet ndëretnike. Nuk e di nga ka ardhur referati i tij, por absolutisht nuk bëhet fjalë për ndonjë masakrim të gjuhës shqipe. Unë shumë herë deri tani kam theksuar se askush nuk do ta prekë gjuhën shqipe, ajo është kategori kushtetuese, ashtu siç është e rregulluar me Kushtetutë”, deklaroi Kostadinovski.

Ai theksoi se Gjykata Kushtetuese nuk e kontestoi thelbin e të drejtës së përdorimit të gjuhës shqipe, por analizon dispozita konkrete ligjore përmes prizmit të sigurisë juridike dhe kushtetutshmërisë.

“Siguria juridike, si parim themelor i sundimit të së drejtës, kërkon që në qarkullimin juridik të ketë norma të qarta dhe precize. Para meje është Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, më lejoni, vetëm në dispozitat ajo nomoteknikë, ai “wording” përshkon pothuajse të gjitha nenet e ligjit, por kjo nuk do të thotë se thelbi është jokushtetues, por do të hiqeshin dispozitat jokushtetuese, si për shembull: “dhe institucionet e tjera”, “si të gjitha organet e trupat e tjerë” dhe “institucionet e tjera”, “si dhe në fusha të tjera”, “si dhe të gjitha institucionet e tjera”; Në të drejtën nuk ekziston diçka e tillë, nuk ekziston ligj në të cilin do të gjeni “si dhe në të gjitha fushat e tjera”, sepse atëherë do të kemi dikë që është arbitër, që të vendosë cilat janë ato fusha. Për shembull, përdorimi i gjuhës shqipe në kopsht, nëse kjo do të thotë masakrim, atëherë kjo është një gënjeshtër, një e pavërtetë”, theksoi Kryetari i Gjykatës.

Kostadinovski iu referua në mënyrë të veçantë mendimit të Komisionit të Venecias, duke vlerësuar se në opinion publik përdoren në mënyrë selektive pjesë të rekomandimeve.

“Mendimi i Komisionit të Venecias është shumë i rëndësishëm për ne. Gjykata Kushtetuese çdo ditë merr vendime duke u bazuar në standarde ndërkombëtare dhe norma të pranuara përgjithësisht të së drejtës ndërkombëtare. Është hipokrizi që nga mendimi i Komisionit të Venecias të zgjidhet ajo që na konvenon, ndërsa ajo që nuk na konvenon të mos theksohet. Komisioni është shumë i qartë: në krahasim me ligjin e vitit 2008, ky Ligj rrit ndjeshëm fushëveprimin e përdorimit të gjuhës shqipe dhe kjo është për t’u lavdëruar. Por, njëkohësisht thotë se në rrethanat aktuale, nëse Ligji zbatohet plotësisht, do ta ngadalësojë ndjeshëm funksionimin e të gjithë sistemit gjyqësor, e me këtë do të shfaqej edhe rreziku për cenimin serioz të së drejtës për gjykim të drejtë”, tha Kostadinovski.

Ai shtoi se Komisioni ka vënë në dukje edhe se ligji përmban “shumë paqartësi lidhur me kuptimin dhe fushëveprimin e tij”, ndërsa Gjykata Kushtetuese e ka për detyrë të ndërhyjë sa herë që ka norma të paqarta dhe joprecize që mund të zbatohen në mënyrë arbitrare. Në pjesën për shfuqizimin e të ashtuquajturit “balancues”, Kryetari Kostadinovski vlerësoi se zgjidhja e re ligjore përfaqëson një koncept dukshëm më të mirë, sepse përveç përfaqësimit adekuat dhe të drejtë, afirmon edhe parimin e profesionalizmit dhe kompetencës.

“Thelbi i ligjit është se operacionalizimi i përfaqësimit adekuat dhe të drejtë tani bëhet me ligj dhe jo me akte nënligjore. Edhe më e rëndësishme është se përveç përfaqësimit adekuat dhe të drejtë, operacionalizohet edhe një vlerë tjetër kushtetuese, profesionalizmi dhe kompetenca, përkatësisht sistemi meritor. Kur këto dy vlera kushtetuese bashkohen, atëherë kemi ligj të mirë. Qytetarët do të kenë administratë publike shumë më profesionale dhe më kompetente, plus të përfaqësuar në mënyrë të drejtë”, deklaroi Kostadinovski.

Duke iu referuar zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, Kostadinovski theksoi se me aktin e ri të Gjykatës janë vendosur mekanizma dukshëm më të fortë për ndjekjen e ekzekutimit të tyre.

“Me Aktin e ri të Gjykatës ne e kemi përforcuar ndjeshëm mekanizmin për ndjekjen e ekzekutimit të vendimeve tona. Nëse konstatojmë se një organ nuk e respekton vendimin, do të bëjmë një raport të veçantë dhe do ta njoftojmë Prokurorin Publik, sepse mosrespektimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese është vepër penale dhe e kualifikuar me dhjetë vjet burg”, potencoi Kryetari i Gjykatës.

Lidhur me ndryshimet e Kodit Penal, ai vlerësoi se shteti në një periudhë të shkurtër ka krijuar madje “pesë regjime juridike” për një vepër penale të ndjeshme, çka sipas tij përbën cenim serioz të sigurisë juridike dhe të sundimit të së drejtës.

“Ne në Gjykatën Kushtetuese shpesh themi se ndryshimet e shpeshta të ligjeve janë cenim i rëndë i sigurisë juridike dhe i sundimit të së drejtës. Kemi pasur një regjim juridik deri në vitin 2004, pastaj ndryshime dhe plotësime katastrofale, pastaj procedura jonë, pastaj ndryshime të reja, pastaj mundësia e një zgjidhjeje tjetër. Pesë regjime juridike nga viti 2024 e deri më sot, për një fushë të ndjeshme. Nëse kishim ndërhyrë dhe nuk e kishim ndaluar procedurën, do të kishim krijuar boshllëk juridik dhe nuk do të kishte më vepër penale. Kjo do të ishte thirrje për grabitje të përgjithshme”, tha Kostadinovski.

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, dr.Darko Kostadinovski, në intervistë foli edhe për nevojën e ndryshimeve kushtetuese, rolin e Gjykatës Kushtetuese në rendin juridik, presionet politike mbi institucionin, si dhe për lëndën që lidhet me nenin 218 dhe borxhet e ndërmarrjeve publike. Vlerësoi se megjithëse Kushtetuta jep një kornizë të mjaftueshme për funksionimin e shtetit, ekzistojnë disa dobësi dhe paqartësi që në të ardhmen duhet të tejkalohen. Ai evidentoi se Gjykata Kushtetuese, përmes praktikës së saj, e jep përmbajtjen e vlerave themelore të rendit kushtetues.

“Nëse Gjykata Kushtetuese, në cilindo rast dhe në çfarëdo mënyre, e interpreton pluralizmin, drejtësinë sociale, të drejtën për një mjedis jetësor, sundimin e së drejtës, ndarjen e pushteteve apo cilëndo prej këtyre parimeve, atëherë ky interpretim bëhet detyrues për të gjitha organet, përfshirë Kuvendin dhe gjykatat, të cilat nuk mund ta interpretojnë ndryshe”, deklaroi Kostadinovski.

Ai tha se në Kushtetutë ka edhe “boshllëqe kushtetuese” konkrete, duke e dhënë si shembull të ashtuquajturën “veto xhepi” të Presidentit të shtetit, si dhe mundësinë e interpretimeve autentike, të cilat sipas tij përbëjnë “recidivë nga sistemi paraprak”.

“Interpretimet autentike janë një gjë shumë e rrezikshme. Efekti juridik i interpretimit autentik është prapaveprues. Kur jepet një interpretim autentik se si duhet të interpretohet një nen i caktuar i një ligji të caktuar, konsiderohet se ai nen duhet të interpretohet në atë mënyrë që nga dita kur është miratuar ligji. Kjo është recidivë e socializmit”, deklaroi Kryetari.

Duke iu referuar faktit se shteti ende nuk ka Ligj për Gjykatën Kushtetuese, Kostadinovski theksoi se institucioni funksionon në bazë të vetëm gjashtë dispozitave kushtetuese dhe Aktit të Gjykatës, duke vlerësuar se qëllimi i hartuesit të Kushtetutës ishte ta mbronte Gjykatën nga ndërhyrjet politike.

 “Mendoj se kjo Gjykatë Kushtetuese, me këtë përbërje, në këto dy vitet e fundit vërtet vepron ashtu siç e ka menduar hartuesi i Kushtetutës. Meqenëse organet shtetërore janë nervoze dhe kjo gjë paraqet problem për punën e tyre, kjo do të thotë se Gjykata  Kushtetuese po e kryen mirë punën e saj”, deklaroi Kostadinovski.

Ai porositi se Gjykata Kushtetuese në dy vitet e fundit “me guxim dhe seriozitet” e ushtron rolin e saj si korrigjuese e pushteteve të tjera dhe foli hapur për ndikimet dhe presionet politike mbi institucionin.

“Unë me përgjegjësi të plotë pohoj se, nëse bëhet një analizë që nga shpallja e pavarësisë e deri më sot, dhe gjendet qoftë edhe një qeveri, një ligjvënës apo një pushtet lokal që ka pasur probleme me Gjykatën Kushtetuese siç ka sot, unë do ta lë togën time dhe do të largohem. E them këtë sepse kjo dëshmon se Gjykata Kushtetuese po e kryen punën e saj me seriozitet dhe guxim, duke u bërë ballë presioneve politike. Ky është realiteti”, deklaroi Kryetari Kostadinovski.

Për lëndën që lidhet me nenin 218 dhe borxhet e ndërmarrjeve publike, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese paralajmëroi se vendimi eventual mund të ketë pasoja serioze për sistemin shtetëror dhe ekonominë.

“Pasojat e vendimit tonë eventual mund të jenë katastrofale, madje edhe me përmasa kataklizmike, sepse borxhet e ndërmarrjeve publike janë rreth një miliard euro”, theksoi Kostadinovski.

Ai theksoi se shteti duhet të vendosë disiplinë financiare dhe t’i japë fund punës së papërgjegjshme të ndërmarrjeve publike.

“Ndërmarrjet publike nuk mund të sillen me arrogancë dhe me komfort, ndërsa kompanitë private të falimentojnë sepse nuk mund t’i arkëtojnë borxhet e tyre. Shteti duhet të gjejë ndonjë mënyrë si të merret me këtë ose me mbipunësimin partiak, që ata të marrin pagë. Për shembull, një kompani private mund të falimentojë, kësaj gjendjeje duhet t’i jepet fund”, porositi Kryetari Kostadinovski.

Kryetari theksoi nevojën për inkorporimin e padisë kushtetuese, duke vlerësuar se Maqedonia e Veriut është i vetmi shtet në Evropë me një fushëveprim kaq të kufizuar të mbrojtjes së drejtpërdrejtë gjyqësore-kushtetuese.

“Nëse të gjitha të drejtat e garantuara me Kushtetutë do të gëzonin mbrojtje të drejtpërdrejtë gjyqësore-kushtetuese, përkatësisht do të inkorporohej padia kushtetuese, në këtë rast përfitimet do të ishin të mëdha. Së pari, nuk do të humbnim shumë raste në Strasburg. Së dyti, qytetarët do të mund t’i ushtronin të drejtat e tyre, ndërsa së treti Gjykata Kushtetuese do të bënte një lloj standardizimi të të drejtave të njeriut që do të ishte i detyrueshëm për gjykatat e rregullta. Kjo nënkupton se gjyqësori i rregullt do të ishte më i disiplinuar në aspektin kushtetues dhe do të kishte udhëzime të qarta se si të veprojë”, theksoi Kryetari i Gjykatës.

Kostadinovski foli edhe për iniciativën e re që lidhet me pagat e gjykatësve, ku tha se është i zhgënjyer nga kërkesat që sërish të ndërhyhet në zgjidhjen ligjore që Gjykata më parë e ka ringjallur.

“Jam i zhgënjyer. Tani do t’ju tregoj se në çfarë aspekti, ne kur e merrnim vendimin për pagat e gjykatësve, sigurisht që kishim parasysh gjithçka që do të nënkuptonte kjo për Buxhetin, qëllimisht e ndalëm procedurën për Ligjin i cili tani përsëri kontestohet me një iniciativë të re, që me anulimin e Ligjit të ri të mund ta rikthenim në fuqi. Që pagat e gjykatësve të jenë dinjitoze. Dhe çfarë më zhgënjen? Tani kontestohet ai ligj që ne e ringjallëm, përkatësisht duan që të kthehet ligji paraprak,  çfarë do të thoshte kjo nëse do të ishin realistë, tani unë po e them qëndrimin tim personal, nuk mund të flas për gjykatësit, nëse hipotetikisht Gjykata Kushtetuese ndërhyn në këtë ligj që tani na e kontestojnë, atëherë pagat e gjykatësve themelorë, të gjykatësve të apelit, përkatësisht koeficienti i pagave do të arrijë nivelin e Presidentit të shtetit, të kryeministrit të shtetit, kryetarit të kuvendit, a është kjo realiste? Nuk është.”, theksoi Kostadinovski.

Sa i përket Marrëveshjes kolektive të kulturës, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese theksoi se Gjykata vepron ekskluzivisht në bazë të argumenteve kushtetuese-juridike dhe se ka dyshime serioze se me Marrëveshjen në fjalë, rregullohen materie që mund të rregullohen vetëm me ligj.

“I gjithë sektori publik është në pozitë identike, faktike dhe juridike. E si është kjo? Në kulturë, me Marrëveshje kolektive keni tri vjet pushim të paguar për studime doktorature, ndërsa në asnjë fushë tjetër të sektorit publik nuk ekziston kjo e drejtë! A janë qytetarët të barabartë para Kushtetutës dhe ligjeve? Jo.”, deklaroi Kostadinovski.

Në intervistë, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese dërgoi edhe një porosi më të gjerë për gjendjen në shtet dhe sundimin e së drejtës:

“Nuk mund ta kemi gojën plot me vlera dhe standarde evropiane deri në mesditë, e pasdite të veprojmë në mënyrë ballkanike. Rezultati është ky që po e jetojmë sot. A është sundimi i së drejtës në nivel të lakmueshëm? Nuk është.”, porositi Kostadinovski.

Video nga intervista:

Pjesa e parë: https://www.youtube.com/watch?v=2XquatPjcSU

Pjesa e dytë: