Fjalimi i Kryetarit dr.Kostadinovski në Takimin e 9-të të nivelit të lartë në Egjipt


Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, dr.Darko Kostadinovski, mbajti fjalim në Takimin e 9-të të nivelit të lartë të kryetarëve të gjykatave kushtetuese, gjykatave supreme dhe këshillave kushtetues në Afrikë, i cili mbahet më 7 dhe 8 shkurt në Republikën Arabe të Egjiptit. Në fokus të eventit janë sfidat bashkëkohore të drejtësisë kushtetuese.

Kostadinovski mbajti fjalim në sesionin kushtuar pavarësisë së drejtësisë kushtetuese, ku paraqitja e tij ishte në cilësinë e përfaqësuesit dhe kryesuesit të Forumit Ballkanik të Gjykatave Kushtetuese (BCCF). Në prezantimin e tij, Kostadinovski foli për “Gjyqësorin kushtetues në Republikën e Maqedonisë së Veriut: rruga nga formalizmi i përpiktë drejt konstitucionalizmit të gjallë”. Në vijimsi fjalimi i plotë i Kryetarit Darko Kostadinovski:


Titulli: Gjyqësori kushtetues në Republikën e Maqedonisë së Veriut: rruga nga formalizmi i përpiktë drejt konstitucionalizmit të gjallë


I nderuar Kryetar i Gjykatës Supreme Kushtetuese të Egjiptit, Bulos Fahmi Iskandar,


Të dashur kolegë,


Është nder për mua të flas në këtë takim jashtëzakonisht të rëndësishëm, ku do të shkëmbehen mendime dhe përvoja për të tashmen dhe të ardhmen e drejtësisë kushtetuese në Afrikë. Sot, jam me ju si Kryetar i një Gjykate Kushtetuese nga një kontinent tjetër dhe si kryesues i Forumit të Gjykatave Kushtetuese nga Ballkani, me qëllim që të ndaj me ju pikëpamjet e mia për ndryshimet e rëndësishme në gjyqësorin kushtetues në Maqedoni, në Ballkan edhe në Evropë.


Të dashur mysafirë,


Rrënjët e drejtësisë kushtetuese në rajonin tonë janë shumë të thella. Para tre vitesh, ne në Maqedoni kremtuam jubile të madh, 60 vjet të gjyqësorit kushtetues. Si pjesë e shtetit federal të Jugosllavisë, Gjykata Kushtetuese në Maqedoni u themelua që në vitin 1963. Brenda kornizës së rendit kushtetues të atëhershëm jugosllav, Gjykata Kushtetuese ishte pjesë e të ashtuquajturit unitet të pushtetit, me kompetenca dukshëm më të vogla se gjyqësori kushtetues në Maqedoninë e pavarur, i cili filloi në vitin 1991. Me Kushtetutën e vitit 1991, Gjykata Kushtetuese u vendos si organ i përgjegjës për mbrojtjen Kushtetutës, ruajtjen e gjendjes së kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, si dhe mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut dhe qytetarit, ndërsa Gjykata, si organ “sui generis”, u tërhoq nga ndarja e pushteteve, përkatësisht u vendos mbi tri pushtetet, legjislativin, ekzekutivin dhe gjyqësorin, si kontrollues i tyre. Sa të mëdha ishin dallimet në kompetenca, aq të mëdha ishin edhe sfidat për Gjykatën në një rend demokratik. Një gjë është e qartë: ishin të mëdha edhe pritjet e qytetarëve. Në shoqërinë time, unë jam i njohur për realizmin e ashpër dhe dozën e madhe të vetëkritikës. Nëse e shikoj dhe analizoj realitetin e sotëm kushtetues në Maqedoni, vetëm një përfundim i mundshëm është objektiv: Ai është se Gjykata Kushtetuese, nga pavarësia e shtetit e deri para dy viteve, në masë të madhe i ka zhgënjyer pritjet e qytetarëve. Thjesht nuk pati sukses të merrte përsipër rolin që hartuesit e Kushtetutës ia caktuan, nuk luftoi për autonominë dhe pavarësinë e saj të plotë, nuk arriti t’i shpëtonte “tendosjeve të politikës”, në disa periudha bëri shumë kompromise me politikën, madje në periudha të caktuara perceptohej si “njësi rajonale e Qeverisë”! Gjendja e sotme me sundimin e së drejtës në Maqedoni dhe mosbesimi i qytetarëve në tërë sistemin e pushtetit, e konfirmojnë këtë. Ja edhe një tregues: në shtatë vitet e fundit kam dhënë 57 mendime të veçuara, gjë që nuk flet mirë për Gjykatën!


Të dashur kolegë,


Ky realitet në Maqedoni ka filluar të ndryshojë në masë të konsiderueshme gjatë dy viteve të fundit. Në maj të vitit 2024, Gjykata Kushtetuese miratoi Akt të ri të Gjykatës. Si rezultat i aktivizmit gjyqësor, i rritjes së guximit dhe vendosmërisë te përbërja gjyqësore, duke e shfrytëzuar mundësinë kushtetuese që Gjykata të jetë vetërregulluese (kjo për shkak se Maqedonia është shembull unik në Evropë, ku nuk ka ligj për Gjykatën Kushtetuese, por Gjykata është vetërregulluese), vetë Gjykata Kushtetuese vendosi risi të rëndësishme në funksion të punës më efikase, në funksion të pavarësisë statusore, administrative dhe buxhetore, risi të rëndësishme për mbrojtjen e Kushtetutës. Kështu, Gjykata Kushtetuese në një farë mënyre ndoqi praktikën e gjykatave evropiane dhe pak nga pak dilte nga formalizmi i përpiktë dhe nga koncepti i ngurtë kelsenian i “ligjvënësit negativ”, dhe kalonte në konceptin e konstitucionalizmit të gjallë, në të cilin është e pashmangshme të kapërcehet kufiri drejt “ligjvënësit pozitiv”! Me Aktin e Gjykatës, shtrirja e kompetencës sonë u zgjerua nga kontrolli formal i kushtetutshmërisë drejt përgjegjësisë për interpretimin e Kushtetutës në një drejtim që do t’u përgjigjet nevojave të shoqërisë dhe do të sigurojë mbrojtje efektive të të drejtave themelore. Një aktivizëm i tillë gjyqësor, guximi dhe vendosmëria e shtuar e përbërjes gjyqësore, qëndrimi im si Kryetar se nuk ka kompromise me politikën, filluan të japin rezultate të rëndësishme. Në periudhën e fundit, nga procedurat dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, u bëmë dëshmitarë të nervozizmit të politikanëve, nervozizmit të organeve shtetërore, Kuvendit, Qeverisë, gjë që është sigurisht një tregues i rëndësishëm se Gjykata Kushtetuese është në rrugën e duhur. Konsideruam dhe konsiderojmë se nëse Gjykata Kushtetuese është në majë të piramidës së sundimit të së drejtës, ajo duhet ta marrë këtë përgjegjësi dhe vetëm kështu do ta përmbush thelbin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, si dhe të sundimit të së drejtës, që do të thotë: se Kushtetuta është “lex imperium”; se askush nuk ka më shumë pushtet sesa ai që i është dhënë me Kushtetutë dhe ligje; se askush nuk është mbi Kushtetutën dhe se secili e ka për detyrë ta respektojë Kushtetutën.


Të nderuar,


E gjithë kjo deri më tani, në vija të shkurtra, iu kushtua realitetit tonë kushtetues. Tani më lejoni ta mbaj vëmendjen tuaj në diçka që lidhet me prezantimin tim paraprak, për të cilën personalisht unë, edhe si gjykatës edhe si Kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë, madje edhe në punimet e mia shkencore, jam angazhuar gjatë viteve të fundit duke promovuar teorinë e të ashtuquajturit “konstitucionalizëm i gjallë i moderuar”.


Kushtetuta është shtylla kurrizore e sistemit juridik dhe politik të një shteti dhe burimi themelor i së drejtës. Dihet përgjithësisht se me Kushtetutë vihen themelet mbi të cilat ndërtohet dhe funksionon një sistem juridik, në të cilin përmbahen rregullat për organizimin shoqëror, rregullat për qeverisjen, me qëllim themelor mbrojtjen e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut dhe të qytetarit. Por fakt është se, Kushtetuta është organizëm i gjallë, qëllimi i të cilit është të mbijetojë nëpër faza të ndryshme historike dhe shoqërore. Natyrisht, as gjyqësori kushtetues nuk mund t’i shmang ndryshimet.


“The world as we have created it is a process of our thinking. It canot be changed without changing our thinking”, janë fjalët e Ajnshtajnit të madh. Nëse është kështu, ndërsa është! Atëherë sigurisht që ndryshimet në botën globale, të cilat janë rezultat i ndryshimit të të menduarit, kërkojnë pranim dhe përshtatje ndaj këtyre ndryshimeve. Në gjyqësorin kushtetues kjo është e mundur përmes teorisë së “konstitucionalizmit të gjallë ose real!”


Më parë përmenda se si rezultat i aktivizmit gjyqësor, i cili është në thelbin e këtij koncepti, vetë Gjykata Kushtetuese vendosi dy risi të rëndësishme në gjyqësorin kushtetues. E para është vendosja e asaj që në gjyqësorin kushtetues evropian quhet “vendim interpretues”. Thelbi i këtij lloji vendimi është se Gjykata ka bërë një vlerësim fillestar të kushtetutshmërisë, ka shprehur dyshime dhe ka inicuar procedurë, dhe në aktvendim i ka arsyetuar qëndrimet e saj juridike, por e prolongon vendimin përfundimtar dhe cakton afat kohor për miratuesin e aktit për ta harmonizuar atë, nën “kërcënimin” represiv për një vendim shfuqizues ose anulues. Kuptimi i kësaj risie është që Gjykata ta ruajë integritetin e rendit juridik dhe t’i japë edhe një mundësi (të kufizuar në kohë) organit që e ka miratuar aktin e kontestuar që të korrigjohet dhe të kthehet në sferën e kushtetutshmërisë, në mënyrë që të mos krijohen boshllëqe juridike që do të mund të kishin implikime serioze për rendin.

Risia e dytë paraqet ofrimin e mundësisë që Gjykata ta ndjekë zbatimin e kushtetutshmërisë, ligjshmërisë dhe lirive dhe të drejtave të njeriut dhe të qytetarit të përcaktuara me Kushtetutë dhe, sipas gjykimit të saj, të miratojë raport të veçantë në të cilin do ta theksojë nevojën për ndërmarrjen e masave për zbatimin dhe mbrojtjen e tyre, të cilin do t’ia dërgojë organit kompetent.


Përfitimi nga këto lloje të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është konfirmuar tashmë në dy raste konkrete, ku njëri ka përfunduar me sukses, ndërsa tjetri është ende vazhdon.


Vendosja e vendimeve interpretuese dhe raporteve të veçanta për kushtetutshmërinë, si rezultat i aktivizmit gjyqësor, i interpretimit krijues, inovativ dhe vizionar të vlerave dhe normave kushtetuese në përputhje me frymën e kohës, duke zgjeruar kështu kompetencat e Gjykatës Kushtetuese, përfaqëson një lloj rishikimi “të butë” të tekstit të Kushtetutës. Në këtë mënyrë, aktivizmi gjyqësor dhe ndryshimi i praktikës gjyqësore e përcaktojnë pamjen reale të Kushtetutës dhe të rendit të vendosur me të, ndoshta edhe më mirë se normat eksplicite që ajo përmban.

Në realitet, si kompetenca eksplicite ashtu edhe ajo implicite e Gjykatës Kushtetuese çojnë në një hap të vazhdueshëm, më të madh ose më të vogël, jashtë kompetencës së Gjykatës Kushtetuese, si ligjvënës negativ dhe në një “ndërhyrje” në fushëveprimin e ligjvënësit pozitiv. Reagimet ndaj “ndërhyrjeve” të tilla nga ligjvënësi pozitiv janë të ndryshme dhe varen nga rasti në rast. Diskutimi për marrëdhënien e ndërsjellë ndërmjet ligjvënësve pozitivë dhe negativë është shumë interesant, por aspak i thjeshtë dhe i lehtë. Në këtë marrëdhënie komplekse, realiteti bazohet në faktin se roli mbrojtës i Gjykatës Kushtetuese në mbrojtjen e Kushtetutës nuk është më roli i saj i vetëm sot, dhe në shumë vende me demokraci të qëndrueshme nuk është më as roli i saj më i rëndësishëm. Në shumë raste, gjykatat kushtetuese filluan ta përcaktojnë legjitimitetin kushtetues të ligjeve që i shqyrtonin, dhe vendimet e tyre në këto raste patën gjithashtu pasoja të rëndësishme. Ky ishte rezultat i faktit se gjykatat kushtetuese në gjysmën e dytë të shekullit të 20-të jo vetëm që e mbronin, por edhe filluan ta interpretojnë Kushtetutën. Roli “interpretues” i gjykatave kushtetuese, në dallim nga funksioni i tyre origjinal “mbrojtës”, pati ndikim pozitiv në promovimin e standardeve dhe udhëzimeve të përgjithshme për veprimin e organeve publike. Në këtë mënyrë, duke e interpretuar Kushtetutën, gjykatat kushtetuese filluan t’u ofrojnë organeve shtetërore mjete konceptuale dhe standarde për veprim. Prandaj sot, gjykatat kushtetuese nuk kanë më vetëm detyrë mbrojtëse për ta mbrojtur Kushtetutën, por edhe rol të rëndësishëm në krijimin e rendit juridik gjithëpërfshirës.


Ky “rol i ri” i Gjykatës Kushtetuese përfaqëson kufizim të konsiderueshëm të fuqisë së organit legjislativ. Ekzistenca në vetvete, krahas ligjvënësit pozitiv dhe atij negativ, nënkupton që antagonizmi ndërmjet “dy ligjvënësve” është pothuajse i pashmangshëm.


Por, megjithatë, ky antagonizëm mund të zbutet!


Ashtu si gjykatat e tjera kushtetuese në Evropë, edhe Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë, në kushtet e konstitucionalizmit modern ose të të ashtuquajturit “konstitucionalizëm të ri”, duke e braktisur formalizmin dhe duke iu përkushtuar aktivizmit gjyqësor, ka miratuar dhe përsosur mekanizma si vendimet interpretuese dhe raportet e veçanta për mbrojtjen e kushtetutshmërisë, të cilat, me qëllim të shmangies dhe/ose të zbutjes së antagonizmit ndërmjet ligjvënësit pozitiv dhe atij negativ, nxisin një kulturë kushtetuese, dialog, bashkëpunim e respekt!


Të nderuar kolegë,


Edhe konceptin e konstitucionalizmit të gjallë, edhe risitë e rëndësishme që i vendosëm, edhe gjendjet e ndryshuara në gjyqësorin kushtetues në Maqedoni gjatë dy viteve të fundit, dëshirova t’i ndaj me ju si frymëzim për ndryshime të mundshme në disa nga gjykatat tuaja kushtetuese. Në fakt, interpretimi vizionar i normave kushtetuese ishte pjesë e Komunikatës së Madridit të Kongresit të 6-të të Konferencës Botërore për Drejtësinë Kushtetuese, në të cilën shumë prej jush ishin të pranishëm, ku theksohet, citoj, “gjykatat kushtetuese kanë për detyrë, përmes vendimeve të tyre, ta interpretojnë Kushtetutën dhe të zhvillojnë parime, duke vendosur kështu baza juridike që i tejkalojnë ciklet zgjedhore dhe agjendat politike. Pjesëmarrësit e konfirmuan se mbrojtja e dinjitetit, të drejtave dhe lirive të gjeneratave të ardhshme është imperativ kushtetues. Gjykatat duhet të sigurojnë që vendimet e sotme gjyqësore të mos i pengojnë liritë dhe mirëqenien e gjeneratave të ardhshme”. Gjykatat nuk duhet të bëhen mjete të vullnetit të shumicës, as të izolohen nga shoqëritë të cilave u shërbejnë. Legjitimiteti i tyre qëndron në mandatin e tyre kushtetues, arsyetimin juridikisht të bazuar, transparencën procedurale dhe guximin për të marrë vendime sipas kushtetutave — edhe kur vendimet janë politikisht të padëshirueshme”.


Si përfundim, shumë kohë më parë filozofi grek Herakliti konstatoi: “The Only Constant in Life is Change”. Nëse është kështu, ndërsa është! Natyrshëm lind pyetja se si ta kapërcejmë frikën nga ndryshimet? E cila, gjithashtu është gjëja e vetme konstante në jetë! Përgjigja nuk është e thjeshtë, por hapi i parë do të ishte të ktheheshim nga vetja dhe të ndryshojmë me respekt, ta ndryshojmë kulturën politike, juridike e kushtetuese. Të ndërtojmë shoqëri në të cilën do të sundojë e drejta, dhe jo njeriu. “Sot, akt i patriotizmit më të lartë është përkushtimi real ndaj sundimit të së drejtës” – është mendimi me të cilin i filloj dhe i përfundoj të gjitha paraqitjet e mia publike gjatë dy viteve të fundit!


Ju falënderoj!