Kostadinovski – Saveski: Sundimi i së drejtës kërkon vepra dhe jo deklarata


Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, dr.Darko Kostadinovski, kishte sot takim pune me prokurorin publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut, mr.Nenad Saveski.


Në këtë takim u shkëmbyen mendime dhe informata lidhur me gjendjen në sistemin gjyqësor dhe sundimin e së drejtës, si dhe rolin dhe përgjegjësitë e institucioneve në fjalë, në drejtim të avancimit të tyre dhe ndërtimit të një shteti funksional juridik.


Bashkëbiseduesit theksuan rëndësinë e sigurimit të pavarësisë dhe mëvetësisë maksimale të organeve gjyqësore, si parakusht thelbësor për sundimin e së drejtës.


Kryetari Kostadinovski theksoi se politika dhe organet shtetërore duhet të tregojnë kulturë më të lartë kushtetuese, juridike dhe politike, si dhe të përmbahen nga çdo ndikim dhe presion mbi gjyqësorin. Ai theksoi se transparenca është një nga prioritetet kryesore të Gjykatës, ku transmetimi publik i seancave paraqet hap të rëndësishëm drejt transparencës dhe llogaridhënies më të madhe.


“Përpjekjet për politizim dhe etnizim të punës së Gjykatës Kushtetuese dhe të çdo organi gjyqësor, si dhe krijimi i perceptimit për mosbesim ndaj institucioneve, përbëjnë goditje të drejtpërdrejtë ndaj demokracisë. Ka ardhur koha që politika të heqë dorë nga sistemi gjyqësor, ndërsa sistemi gjyqësor të japë rezultate konkrete”, theksoi Kostadinovski.


Prokurori publik Saveski, theksoi se pa përgjegjësi të qartë dhe rezultate të matshme, nuk mund të flitet për sundimin e vërtetë të së drejtës. Ai shtoi se transparenca është parakusht i domosdoshëm për përforcimin e besimit të qytetarëve në institucionet.


“Prokuroria Publike mbetet fuqimisht e përkushtuar në veprimin konsekuent, në kohë dhe të paanshëm, por njëkohësisht është e domosdoshme që të gjitha institucionet të kenë rol aktiv dhe të kontribuojnë në krijimin e një sistemi që jep rezultate. Mosbesimi ndaj gjyqësorit mund të kapërcehet vetëm përmes veprimeve konkrete, integritetit profesional dhe llogaridhënies së dukshme. Sundimi i së drejtës nuk është vetëm përcaktim deklarativ, por është detyrim që kërkon veprime të vazhdueshme dhe të përgjegjshme”, theksoi Saveski.

Gjatë këtij takimi, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese e informoi prokurorin publik për takimet e zhvilluara të punës në Athinë, si dhe mundësitë për bashkëpunimin e mëtejshëm, shkëmbimin e përvojave dhe mbështetjen sa i përket iniciativave të përbashkëta, veçanërisht në prag të kryesimit të Greqisë me Bashkimin Evropian në vitin 2027.