Historiku

Gjyqësori kushtetues në Maqedoni për herë të parë u krijua me Kushtetutën e Republikës Socialiste të Maqedonisë në vitin 1963. Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë u konstituua dhe filloi me punë në vitin 1964.

Në kushtet e bashkësisë së organizuar federative të ish-Jugosllavisë, në të cilën Maqedonia ishte një njësi federale, Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë, si organ i pavarur i Republikës për mbrojtjen e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, punën e saj e filloi më 15 shkurt të vitit 1964. Pozita dhe kompetenca e saj ishin rregulluar me Kushtetutë, ndërsa procedura dhe efekti juridik i vendimeve të saj ishin rregulluar me Ligjin për Gjykatën Kushtetuese të Maqedonisë të vitit 1963.

Para inkorporimit të këtij organi të veçantë, organi përfaqësues ose ligjvënës ishte njëkohësisht bartës i kushtetutshmërisë, pasi konsiderohej se krijuesi i ligjeve e përcakton edhe kushtetutshmërinë e tyre, gjë që, nga ana tjetër, ishte një model i pranuar përgjithësisht në sistemin e unitetit të pushtetit, përkatësisht në vendet e demokracive popullore.

Nevoja për të inkorporuar gjyqësorin kushtetues lidhej drejtpërdrejt me vendosjen e kompetencës së gjykatave në çështjet administrative, fushëveprimi i të cilave deri atëherë bazohej vetëm në gjykimin e çështjeve civile dhe penale. Me inkorporimin e kontestit administrativ, përkatësisht kontrollit gjyqësor të akteve administrative të veçanta, funksioni i gjyqësorit të rregullt u kompletua, duke e përfshirë kështu të drejtën civile, penale dhe administrative. Në këtë mënyrë u shpreh nevoja që mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe të qytetarit të arrihej përmes gjykatave si organe të veçanta dhe të pavarura që e kryejnë funksionin e gjyqësorit dhe jo përmes arbitraritetit të organeve administrative dhe organeve të tjera.

Nëse gjykatat konsideronin se ligji që duhej të zbatonin nuk ishte në përputhje me Kushtetutën, ato kishin të drejtë t’i propozonin Gjykatës Supreme të fillonte procedurë për vlerësimin e përputhshmërisë së ligjit në fjalë me Kushtetutën. Gjatë asaj periudhe, organi ligjvënës e ruante të drejtën për t’i anuluar, përkatësisht për t’i shfuqizuar aktet jokushtetuese dhe të paligjshme dhe aktet e tjera të organit ekzekutiv, ndërsa ky organ, nga ana tjetër, e kishte këtë të drejtë sa i përket akteve të administratës.

Kushtetuta e Republikës Socialiste të Maqedonisë e vitit 1974 dhe Ligji mbi Bazën e Procedurës dhe Efektin e Vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të vitit 1976 sollën ndryshime të vogla në kompetencën e Gjykatës dhe efektin juridik të vendimeve të saj, por pozita e saj në lidhje me pushtetin ligjvënës dhe ekzekutiv mbeti e pandryshuar. Gjykata Kushtetuese ishte pjesë e sistemit të unitetit të pushtetit dhe e kishte për detyrë të siguronte harmoninë e brendshme të rendit juridik. Pavarësisht kompetencës së saj relativisht të kufizuar (ndër të tjera, Gjykata Kushtetuese nuk kishte kompetencë t’i shfuqizonte ose anulonte ligjet jokushtetuese, por vetëm ta përcaktonte mospërputhjen e tyre me Kushtetutën), Gjykata Kushtetuese në atë kohë luajti rol të rëndësishëm në mbrojtjen e rendit juridik brenda kornizës së sistemit politik bazuar në parimin e unitetit të pushtetit.

Një nga funksionet themelore të Gjykatës Kushtetuese sipas Kushtetutës së vitit 1974 ishte t’i ndiqte me interes zhvillimet për respektimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, ta informonte organin ligjvënës për kushtet dhe problemet që kishin të bëjnë me respektimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, si dhe t’i jepte organit ligjvënës mendime dhe propozime për miratimin dhe ndryshimin e ligjeve dhe për marrjen e masave të tjera për të siguruar kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë. Në fakt, në shumicën e rasteve në të cilat bëri ndërhyrje në lidhje me kushtetutshmërinë e ligjeve, Gjykata Kushtetuese gjatë kësaj periudhe më shpesh e praktikoi metodën e paralajmërimit dhe të vënies në dukje, duke ia lënë ligjvënësit që vetë ta mënjanojë jokushtetutshmërinë e ligjit. Në këtë mënyrë, ndërhyrja e drejtpërdrejtë përmes kasacionit shmangej në mënyrë të vetëdijshme, duke krijuar një atmosferë bashkëpunimi në arritjen e qëllimit të përbashkët.

Qytetarët e Republikës së Maqedonisë, në referendumin e mbajtur më 8 shtator të vitit 1991, duke e vetafirmuar shtetësinë dhe sovranitetin e Republikës së Maqedonisë me anë të plebishitit, e shprehën vullnetin e tyre dhe votuan që Republika e Maqedonisë të konstituohet si shtet sovran dhe i pavarur, gjë që në aspektin e së drejtës kushtetuese, u plotësua me miratimin e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë më 17 nëntor të vitit 1991.

Sipas Kushtetutës, sistemi socio-ekonomik dhe politik i Republikës bazohet në parimin e sundimit të së drejtës, lirive dhe të drejtave të njeriut, ndarjes së pushteteve, ekonomisë së tregut dhe vlerave të tjera themelore të shoqërisë moderne demokratike.

Kushtetuta e tanishme e përcakton Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut si organ i Republikës që mbron kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë, si dhe mbron liritë dhe të drejtat themelore të njeriut dhe qytetarit.