Më 25 mars 2026, në orën 9:30, Gjykata Kushtatuese do të mbajë seancën e saj të tetë. Në Rendin e ditës janë përfshirë tetë lëndë për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë dhe do të diskutohet për:
I. INICIATIVAT PËR VLERËSIMIN E KUSHTETUTSHMËRISË DHE LIGJSHMËRISË
1. Referatin U.nr.241/2024
Akti i kontestuar: Neni 1, 2, 4 dhe 5 i Ligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Siguri në Komunikacionin Rrugor (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.208/2024).
Parashtruesi i iniciativës: Toni Jakimovski
Pretendimet në iniciativë:
Parashtruesi thekson se dispozitat e kontestuara janë në kundërshtim me nenet 8 paragrafi 1 alineja 3, 51, 52 paragrafi 4 dhe 54 paragrafi 1 të Kushtetutës, si dhe thekson se shkarkimi i kryetarit dhe anëtarëve të Këshillit Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor, para përfundimit të mandatit 4 vjeçar, është bërë pa argumente dhe pa bazë të përcaktuar paraprakisht.
Shënim: Referati është shqyrtuar në Rendin e ditës së seancës së njëzetenjëtë të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të mbajtur më 15 tetor 2025. Propozimi i gjykatësit raportues nuk mori shumicën e nevojshme të votave. Lënda është në fazë votimi.
2. Referatin U.nr.83/2025
Akt i kontestuar: Nenet 4-a, 4-b, 5, 5-a, 6, 6-a, 7 dhe 8 të Ligjit për Zonat Zhvillimore Industriale Teknologjike (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.14/2007, 103/2008, 130/2008, 139/2009, 156/2010, 127/2012, 41/2014, 41/2014, 160/2014, 72/2015, 129/2015, 173/2015, 192/2015, 217/2015, 30/2016, 83/2018 dhe 83/18, si dhe “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.13/2023, 59/2025 dhe 154/2025).
Parashtruese e iniciativës: Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore, e përfaqësuar nga Mendi Qura
Pretendimet në iniciativë:
Parashtruesi pretendon se Ligji i kontestuar shkakton kaos në rendin kushtetues-juridik në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe cenon pozitën e barabartë juridike të të gjitha subjekteve të tregut. Pretendohet se me këtë Ligj cenohet barazia ndërmjet personave juridikë dhe fizikë vendas dhe të huaj, të regjistruar për kryerjen e veprimtarisë në territorin e vendit, jashtë zonave të zhvillimore industriale teknologjike, duke paraparë ndihmë shtetërore.
3. Referatin U.nr.118/2025
Akti i kontestuar: Neni 34 paragrafi 1 alineja 1 të Ligjit për Gjykatat (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.58/2006, 35/2008, 150/2010, 83/2018, 198/2018 dhe “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.96/2019) dhe neni 3 paragrafi 1 pika 5, neni 24 paragrafi 2 alineja 3, si dhe neni 69 pika 4 për pjesën: “Nuk lejohet ankimi kundër aktgjykimit, me të cilin akti administrativ i veçantë anulohet ose shpallet i pavlefshëm dhe lënda kthehet për rigjykim nga organi publik” të Ligjit për Kontestet Administrative (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.96/2019).
Parashtruesi i iniciativës: Branko Radojçiq, avokat
Pretendimet në iniciativë:
Pretendohet se me dispozitat e kontestuara krijohet rrezik sistemik për rendin kushtetues, për shkak të kompetencës së papërshtatshme dhe të pambështetur me Kushtetutë të Gjykatës Administrative për të ushtruar kontroll mbi aktet e Kuvendit, që nuk janë të natyrës administrative, por politike, të cilat rrjedhin drejtpërdrejt nga funksioni i tij kushtetues si organ ligjvënës dhe politik. Theksohet se me rregullimin e tillë cenohet drejtpërdrejt parimi themelor kushtetues i ndarjes së pushteteve në legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor. Parashtruesi thekson se vendimi i Kuvendit për zgjedhjen e gjykatësit në Gjykatën Kushtetuese, anëtarit të Këshillit Gjyqësor apo guvernatorit nuk përbën akt administrativ për nga natyra e tij dhe se vendimi nuk miratohet në procedurë administrative, por në procedurë të veçantë parlamentare, e cila është shprehje e vullnetit politik.
4. Referatin U.nr.156/2025
Akti i kontestuar: Neni 18 paragrafi 5 në pjesën: “në përputhje me ligjin” të Ligjit për Ekspertizë (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut” nr.154/2023).
Parashtruesi i iniciativës: Igorço Toçev
Pretendimet në iniciativë:
Parashtruesi pretendon se pjesa e kontestuar lejon kthimin e mjeteve të paguara në përputhje me ligjin, nëse kandidati për ekspert nuk e jep provimin brenda një viti nga data e pagesës së mjeteve. Sipas iniciativës, është e paqartë se cili ligj i veçantë do ta rregullojë çështjen se si dhe ku do të kthehen mjetet dhe nuk ka arsye të mjaftueshme pse do të mundësohej të rregullohej kthimi i mjeteve me një ligj të veçantë, në vend se të parashikohej kthimi i tyre me Ligjin për Ekspertizë.
5. Referatin U.nr.107/2025
Akti i kontestuar: Neni 64 paragrafi 7, neni 96 paragrafi 2 alineja 1, neni 97 paragrafi 1 dhe neni 120 paragrafi 1 të Ligjit për të Punësuarit në Ministrinë e Mbrojtjes (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.53/2024).
Parashtruesi i iniciativës: Nikollçe Musharevski
Pretendimet në iniciativë:
Në pretendimet ekzistojnë pohime se me dispozitat e kontestuara përcaktohet vlerësimi i të punësuarve në Ministri, të cilat përcaktojnë cilësinë, përkushtimin e të punësuarve në kryerjen e detyrave të tyre të punës, por pretendohet se të punësuarve nuk u jepet mundësia të paraqesin ankime ose kundërshtime kundër vendimit të këshillit të autorizuar, me çka mohohet mundësia e mbrojtjes së të drejtave që eventualisht mund të shkelen.
6. Referatin U.nr.138/2025
Akt i kontestuar: Neni 17 paragrafët 1 dhe 2 në pjesën: “të gjykatësit” të Ligjit për Akademinë e Gjykatësve dhe Prokurorëve Publikë (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.129/2023 dhe 53/2024).
Parashtruesi i iniciativës: Igorço Toçev
Pretendimet në iniciativë:
Parashtruesi konsideron se përcaktimi i pagës së drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të Akademisë së Gjykatësve dhe Prokurorëve Publikë të zgjedhur nga Këshilli Drejtues nuk duhet të llogaritet në të njëjtin Ligj si për funksionarët e tjerë publikë, sepse sipas interpretimit të tij, Akademia nuk është organ që mund të krahasohet me Kuvendin ose Qeverinë që zgjedhin ose emërojnë anëtarët. Sipas pretendimeve, është e kontestueshme që pagat e drejtorit të Akademisë të përcaktohen në nivelin e gjykatësit suprem ose gjykatësit të gjykatës së apelit.
7. Referatin U.nr.159/2025
Akt i kontestuar: Pjesa: “mund të inkorporojë edhe instrumente të tjera financiare nëse ato bashkëngjiten me akte nënligjore” nga neni 28 paragrafi 2 të Ligjit për Veprimtari Inovative, Zhvillimi Shkencor dhe Teknologjik dhe Sipërmarrje (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.154/2025 dhe 192/2025).
Parashtruesi i iniciativës: Igorço Toçev
Pretendimet në iniciativë:
Parashtruesi pretendon se pjesa e kontestuar nuk është mjaftueshëm e qartë dhe precize, përkundër tërësisë së dispozitave të Ligjit. Sipas këndvështrimit të tij, nga përmbajtja e Ligjit për Veprimtari Inovative nuk përcaktohet se kush “e miraton” aktin nënligjor nga dispozita e nenit 28 paragrafi 2 dhe Agjencisë i jepet mundësia të inkurpurojë edhe instrumente të tjera financiare. Pretendohet se me pjesën e kontestuar krijohet gjithashtu mundësia, që përtej rregullave të përcaktuara me Ligj, të përcaktohen kritere për inkorporimin e “instrumenteve të tjera financiare”.
8. Referatin U.nr.162/2025
Akti i kontestuar: Neni 39 paragrafi 3 në pjesën: “nuk ka” të Ligjit për Gjahun dhe Gjuetinë (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.263/2023, 170/2024 dhe 132/2025).
Parashtruesi i iniciativës: Igorço Toçev
Pretendimet në iniciativë:
Parashtruesi pretendon se dispozita e kontestuar përcakton privilegj për koncesionerin nga periudha paraprake e menaxhimit kundrejt koncesionarëve të ardhshëm të gjahut. Konsideron se me rrethanat e theksuara bëhet diskriminim i një kategorie personash, në llogari të të tjerëve që tashmë kanë fituar të drejta në të kaluarën.
