U.nr.167/2025

Nuk u gjet asnjë fjalë

Gjykata Kushtetuese e
Republikës së Maqedonisë së Veriut
U.nr.167/2025
Shkup, 29.04.2026

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në përbërje të Kryetarit të Gjykatës, dr.Darko Kostadinovski dhe gjykatësve Naser Ajdari, mr.Tatjana Vasiq-Bozaxhieva, dr.Osman Kadriu, Dobrilla Kacarska, dr.Goce Naumovski, dr.Ana Pavllovska-Daneva dhe mr.Fatmir Skender, në bazë të nenit 110 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, nenit 37 paragrafi 1 dhe nenit 73 alineja 4 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.115/2024), në seancën e mbajtur më 29 prill 2026, miratoi


A K T V E N D I M


për ndërprerjen e zbatimit të akteve dhe veprimeve të veçanta

  1. NDËRPRITET zbatimi i akteve dhe veprimeve të veçanta, të ndërmarra në bazë të nenit 6 paragrafi 6 të Ligjit për Veprim me Objektet e Ndërtuara Pa Leje (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.23/2011, 54/2011, 155/2012, 53/2013, 72/2013, 44/2014, 115/2014, 199/2014, 124/2015, 129/2015, 217/2015, 31/2016, 190/2017 dhe “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.174/2021 dhe 41/2026), deri në miratimin e vendimit përfundimtar nga ana e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

2. Ky aktvendim do të publikohet në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut”.

Arsyetim


I


Aleksandar Mihajllovski, avokat nga Shkupi, në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut parashtroi iniciativë, me të cilën kontestohet kushtetutshmëria e nenit 2 të Ligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Veprim me Objektet e Ndërtuara Pa Leje (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.217/2015), si në kundërshtim me nenin 8 paragrafi 1 alinetë 3 dhe 6, nenin 9, nenin 30 paragrafët 1, 2 dhe 3, nenin 51 paragrafi 1 dhe nenin 54 paragrafi 1 të Kushtetutës.


II


Në seancë, Gjykata konstatoi se, në përputhje me nenin 6 paragrafi 6 të Ligjit për Veprim me Objektet e Ndërtuara Pa Leje (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.23/2011, 54/2011, 155/2012, 53/2013, 72/2013, 44/2014, 115/2014, 199/2014, 124/2015, 129/2015, 217/2015, 31/2016 dhe 190/2017, si dhe “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.174/2021 dhe 41/2026), si përjashtim i paragrafit 3 të këtij neni, nëse objekti i ndërtuar pa leje është ndërtuar në tokë që nuk është në pronësi të kërkuesit ose të Republikës së Maqedonisë, përkatësisht toka është në pronësi të një personi tjetër fizik ose juridik, ose objekti i ndërtuar pa leje është ndërtuar në tokë në bashkëpronësi të kërkuesit dhe një personi tjetër fizik ose juridik, ndërsa kërkuesi nuk ka lidhur marrëveshje për qira afatgjate të tokës me pronarin, përkatësisht bashkëpronarin e tokës, ose nuk ka dorëzuar deklaratë të noterizuar te noteri, me të cilën pronari, përkatësisht bashkëpronari i tokës deklaron se është dakord që të përcaktohet statusi juridik i objektit të ndërtuar pa leje dhe i njëjti të regjistrohet në librat publikë për regjistrimin e të drejtave mbi pasuritë e patundshme në emër të kërkuesit, ndërsa në momentin e ndërtimit të objektit të ndërtuar pa leje, toka mbi të cilën është ndërtuar ai ka qenë në pronësi të Republikës së Maqedonisë, kërkuesi, përveç dëshmive nga paragrafi 2 i këtij neni, është i detyruar të dorëzojë edhe vërtetim për historikun e ndryshimeve të pronësisë së tokës mbi të cilën është ndërtuar objekti i ndërtuar pa leje, si dhe deklaratë të noterizuar te noteri, të dhënë nën përgjegjësi penale dhe materiale, në të cilën do të konfirmojë se në cilin vit është ndërtuar objekti i ndërtuar pa leje.

III


Në përputhje me nenin 37 paragrafi 1 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese, Gjykata Kushtetuese, me propozim të parashtruesit ose sipas vlerësimit të saj, ka mundësi që pas inicimit të procedurës dhe deri në miratimin e vendimit përfundimtar, të miratojë aktvendim për ndërprerjen e zbatimit të akteve ose veprimeve të veçanta, të ndërmarra në bazë të ligjit, të ndonjë rregulloreje ose të ndonjë akti të përgjithshëm, që i nënshtrohen vlerësimit për kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e tyre, në rastet kur me zbatimin e tyre ekziston mundësia e shkaktimit të pasojave që vështirë mënjanohen.
Gjykata Kushtetuese, pas paraqitjes së lëndës në seancë dhe pas shqyrtimit të saj, vendosi të iniciojë procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dispozitës së Ligjit të shënuar në pikën 1 të dispozitivit të këtij aktvendimi, pasi me justifikim të plotë u ngrit çështja e përputhshmërisë së tij me nenin 8 paragrafi 1 alineja 3, nenin 9 paragrafi 2 dhe nenin 30 të Kushtetutës.
Duke marrë parasysh se Gjykata vlerësoi se me zbatimin e akteve ose veprimeve të veçanta, të ndërmarra në bazë të dispozitës së kontestuar mund të shkaktohen pasoja që vështirë mënjanohen, për këtë arsye, vendosi ta ndërpresë zbatimin e tyre deri në miratimin e vendimit përfundimtar lidhur me këtë çështje.


IV

Në bazë të lartpërmendurës, Gjykata vendosi si në dispozitivin e këtij aktvendimi.


V


Ky aktvendim ka efekt juridik nga dita e miratimit të tij.

KRYETAR
i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut,
dr.Darko Kostadinovski