Në seancën e sotme të 9-të, Gjykata inicioi procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Marrëveshjes kolektive të kulturës, në tërësi, të lidhur më 30.12.2019, në bazë të iniciativës së parashtruar nga avokati Tomisllav Stefkov, ndërsa Gjykata me vetiniciativë inicioi procedurë për nenin 78-l të Ligjit për Kulturë.
Nga analiza kushtetuese-gjyqësore e këtij rasti lindën tri pyetje kryesore: nëse marrëveshja kolektive tejkalon delegimin ligjor, nëse vendos sistem autonom pagesash pa ndonjë kornizë ligjore dhe nëse ofron kritere të qarta dhe objektive për përcaktimin e pagave.
Në këtë fazë të procedurës, Gjykata vlerëson se Marrëveshja kolektive nuk është në drejtim të autorizimit ligjor. Ajo nuk e elaboron normën ligjore të nenit 78-l të Ligjit për Kulturë, por e përcakton modelin e saj të përcaktimit të pagave. Në këtë mënyrë, sipas Gjykatës Kushtetuese, cenohet sundimi i së drejtës, ndarja e pushteteve dhe vihet në pikëpyetje ligjshmëria e sistemit të pagave.
Para Gjykatës Kushtetuese, me justifikim të plotë është ngritur edhe çështja se lëshimi i bërë për mosrregullimin e të drejtave lidhur me pagat dhe shtesat duhet të kërkohet në nenin 76-l, sepse pikërisht në të është bërë lëshimi, përkatësisht nuk është normuar kjo çështje e rëndësishme. Konkretisht, Ligji për Kulturë nuk përcakton metodologji specifike për llogaritjen e pagave, nuk përcakton koeficiente të ndërlikueshmërisë dhe nuk ofron formulë të qartë për llogaritje. Dispozita nuk përmban kritere, asnjë metodologji, asnjë kufizim, përkatësisht asnjë koeficient. Paga, si e drejtë themelore nga marrëdhënia e punës, nuk buron nga ligji, por nga një vendim dhe në këtë mënyrë vihen në pikëpyetje siguria juridike dhe barazia.
Para Gjykatës u ngrit çështja nëse, për shembull, dy punonjës me të njëjtat kualifikime, në vendin e njëjtë të punës, me veprimtarinë e njëjtë mund të kenë paga të ndryshme vetëm për shkak të themeluesit të ndryshëm dhe nëse në një rast të tillë, vlera e punës nuk përcaktohet nga sistemi por nga buxheti.
Lidhur me dispozitat që lidhen me pushimin e paguar për arsimim, aftësim profesional dhe angazhime artistike, Gjykata dyshon se me to parashikohen pushime me pagesë me kohëzgjatje dukshëm më të gjatë, duke ndryshuar kështu dallimin ligjor ndërmjet pushimit me pagesë dhe atij pa pagesë, si dhe duke tejkaluar kufijtë ligjorë. Në këtë mënyrë, lind pyetja nëse Marrëveshja kolektive nuk bën thjesht rirregullime, por krijon regjim të ri normativ që devijon nga struktura ligjore.
Lidhur me pyetjet e gazetarëve sa i përket numrit të punonjësve, institucioneve të përfshira dhe vlerës së pagave, sipas informacionit të marrë në këtë rast, Gjykata informon si në vijim:
Marrëveshja kolektive e kontestuar për kulturën i përfshin 74 institucione nacionale me 1.976 punonjës dhe 49 institucione lokale me 492 punonjës të tjerë, përkatësisht në total 2.345 punonjës në 123 institucione, bartës së jetës kulturore në vend.
Bëhet fjalë për një rrjet institucionesh: Biblioteka “Vëllezërit Milladinov” në Shkup, Qendra Kulturore dhe Informative (QKI) në Shkup, QKM në Shkup, Muzeu i Qytetit të Shkupit, Biblioteka Nacionale dhe Universitare “Shën Klimenti i Ohrit”, Institucioni Nacional “Vardar Film”, Agjencia e Filmit, Filarmonia Nacionale, Opera dhe Baleti Nacional, Orkestra e Muzikës Xhaz, Teatri i Dramës në Shkup, Teatri Popullor i Maqedonisë, Teatri për Fëmijë dhe të Rinj, Stobi në Veles, “Vera e Ohrit”, “Mbrëmjet Strugane të Poezisë”, Muzeu i Artit Bashkëkohor në Shkup, Shtëpia Përkujtimore e Nënë Terezës dhe të tjera.
Sipas të dhënave të siguruara, paga bazë varion nga 45.000 denarë për nivelin më të ulët të personelit ndihmës – teknik deri në 128.000 denarë për nivelin më të lartë të ofruesve të shërbimeve.
