Gjykata Kushtetuese do ta rishqyrtojë nenin 218 të Ligjit për Përmbarim për shkak dyshimeve për paparashikueshmëri juridike dhe mospërmbarim ndaj organeve shtetërore, komunave dhe ndërmarrjeve publike

Për shkak të interesit më të madh publik dhe pyetjeve gazetareske, ju informojmë se Gjykata Kushtetuese, në seancën e parë të mbajtur më 21 janar 2026, inicioi procedurë për nenin 218 të Ligjit për Përmbarim. Sqarimi më i detajuar i vendimmarrjes është siç vijon:


Përmbajtja e nenit të kontestuar:


Neni 218

1. Përmbarimi për arkëtimin e kërkesave monetare nuk mund të kryhet mbi sendet dhe të drejtat e Republikës së Maqedonisë dhe organeve të saj, njësive të vetëqeverisjes lokale dhe ndërmarrjeve publike, nëse ato janë të domosdoshme për ushtrimin e veprimtarisë, përkatësisht detyrave të tyre.

2. Kryetari i gjykatës në territorin e së cilës zbatohet veprimi përmbarimor do të përcaktojë se cilat sende dhe të drejta janë të domosdoshme për ushtrimin e veprimtarisë dhe detyrave të debitorit, nëse gjatë zbatimit të përmbarimit palët nuk bien dakord për këtë çështje ose nëse paraqitet nevoja për një përcaktim të tillë.


Gjykata Kushtetuese në këtë fazë të procedurës, shprehu dyshim se dispozita është e paqartë dhe e pasaktë. Konkretisht, Gjykata konsideron se me këtë zgjidhje ligjore, ligjvënësi inkorporon ndalim të përgjithshëm dhe të paqartë sa i përket përmbarimit të sendeve dhe të drejtave, pa vendosur standarde ligjore dhe precize se cilat sende dhe të drejta janë të domosdoshme për ushtrimin e veprimtarisë së tyre, përkatësisht detyrave të tyre.


Gjykata dyshon se me këtë normë të rregulluar në këtë mënyrë, aktgjykimet e plotfuqishme, aktvendimet përmbarimore që qytetarët, personat juridikë i kanë në cilësinë e tyre si kreditorë nëpër procedura janë vetëm deklarative, sepse në praktikë nuk mund të përmbarohen sendet ose të drejtat, veçanërisht pasi nuk është e qartë se për çfarë sende dhe të drejta bëhet fjalë.

Gjykata konsideron se paragrafi 2, i cili lidhet me paragrafin 1, nuk mund të qëndrojë në rendin juridik pa paragrafin 1. Përveç kësaj, me justifikim të plotë është ngritur çështja e përmbajtjes së tij, sipas të cilit kryetari i Gjykatës në territorin e së cilës kryhet përmbarimi, ka të drejtë diskrecionale të vendosë se cilat sende dhe të drejta janë të domosdoshme për ushtrimin e veprimtarisë.


Gjykata shpreh dyshime se dispozita krijon paparashikueshmëri juridike dhe shkel drejtpërdrejt sigurinë juridike të subjektit, gjë që është në kundërshtim me parimin kushtetues të sundimit të së drejtës, të rregulluar me nenin 8 të Kushtetutës.


Para Gjykatës, gjithashtu me justifikim të plotë është ngritur çështja se me kufizimin e mundësisë së arkëtimit efektiv të kërkesave monetare, cenohet edhe e drejta e garantuar kushtetuese e pronës, e rregulluar me nenin 30 të Kushtetutës.


Për parashtruesin e iniciativës, Nikollçe Mitevski, vetëm paragrafi i parë i nenit 218 ishte i kontestueshëm, por gjatë seancës, Gjykata vendosi me vetiniciativë të iniciojë procedurë edhe për paragrafin 2 të Ligjit.


Në iniciativë, ndër të tjera, theksohet edhe një shembull që lidhet me praktikën e pamundësisë së ushtrimit të së drejtës për pension për një person të punësuar në një ndërmarrje komunale, të cilit nuk i janë paguar kontributet dhe i cili ka mbushur 15 vjet stazh pune. Konkretisht, pretendohet se një person me kontribute pensioni të papaguara ka marrë aktgjykim të plotfuqishëm gjyqësor në favorin e tij, por nuk mund t’i arkëtojë mjetet nga ndërmarrja komunale dhe se përmbaruesi nuk mund të ndërmarrë veprime përmbarimore, pikërisht për shkak të pasaktësive të përmbajtjes së dispozitës së kontestuar.


Gjatë miratimit të kësaj dispozite, Gjykata Kushtetuese do ta marrë parasysh efektin juridik të vendimeve, në rast të shfuqizimit ose anulimit të mundshëm, çfarë do të nënkuptonte kjo gjë për organet shtetërore, ndërmarrjet publike dhe komunat, të cilat përballen me procedurat përmbarimore dhe në përputhje me këtë, ajo do të vlerësojë se çfarë vendimi do të marrë.