
Gjykata Kushtetuese e
Republikës së Maqedonisë së Veriut
UZ.nr.19/2025
Shkup, 15.10.2025
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në përbërje të dr.Darko Kostadinovski, Kryetar i Gjykatës dhe gjykatësve Naser Ajdari, mr.Tatjana Vasiq-Bozaxhieva, dr.Jadranka Daboviq-Anastasovska, dr.Osman Kadriu, Dobrilla Kacarska, dr.Ana Pavllovska-Daneva dhe mr.Fatmir Skender, në bazë të nenit 110 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, nenit 38 alineja 1 dhe nenit 73 alineja 3 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.115/2024), në seancën e mbajtur më 15 tetor 2025, miratoi
A K T V E N D I M
HIDHET POSHTË iniciativa për rishqyrtimin e Vendimit U.nr.98/2024 dhe U.nr.139/2024 të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të miratuar në seancën e mbajtur më 25 shtator 2024.
Arsyetim
I
Kuzman Cillkov nga Shkupi, parashtroi iniciativë në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut për shqyrtimin e aktit të shënuar në dispozitivin e këtij aktvendimi.
Në iniciativë thuhet se nenet 2 dhe 4 të shfuqizuara të Ligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Marrëdhënie Detyrimore (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.154/2023), duhet të anulohen pasi me të gjitha lëndët e përfunduara dhe të plotfuqishme në periudhën nga 20 korriku 2023 deri më 10 tetor 2024, shkelet parimi i çështjes së gjykuar.
Parashtruesi konsideron se vendimi i kontestuar nuk është në përputhje me nenet 8, 14 dhe 30 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Në kontekstin e njëjtë, parashtruesi nënvizon se kërkesa e përcaktuar me vendim gjyqësor të plotfuqishëm ose me vendim të organit tjetër kompetent ose me marrëveshjes për kompensim (barazim) të arritur para gjykatës ose para organit tjetër kompetent, përbën pronë të debitorit dhe rrjedhimisht kështu krijohet hapësira për cenimin e së drejtës së garantuar kushtetuese të pronës, gjë që nuk është në përputhje me nenin 30 paragrafi 1 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Për arsyet e lartpërmendura, parashtruesi kërkon që Gjykata të iniciojë procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit të kontestuar U.nr.98/2024 dhe U.nr.139/2024, të miratuar nga Gjykata Kushtetuese, në seancën e mbajtur më 25 shtator 2024, si dhe që Gjykata të miratojë aktvendim për ndërprerjen e zbatimit të akteve ose veprimeve të veçanta, të ndërmarra në bazë të vendimit të kontestuar.
II
Në seancë, Gjykata konstatoi se me Vendimin U.nr.98/2024 dhe U.nr.139/2024 të 25 shtatorit 2024 janë shfuqizuar nenet 2 dhe 4 të Ligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Marrëdhënie Detyrimore (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.154/2023).
III
Sipas nenit 112 paragrafi 3 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të formës së prerë dhe të ekzekutueshme.
Në nenin 81 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut është rregulluar se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të formës së prerë dhe të ekzekutueshme, si dhe juridikisht të detyrueshme për të gjitha subjektet juridike.
Sipas nenit 38 alineja 1 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Gjykata Kushtetuese do ta hedhë poshtë iniciativën nëse nuk është kompetente të vendosë për kërkesën.
IV
Nga pretendimet në iniciativë rezulton se parashtruesi kërkon rishikimin e Vendimit U.nr.98/2024 dhe U.nr.139/2024 të Gjykatës Kushtetuese, të miratuar në seancën e mbajtur më 25 shtator 2024, me të cilin Gjykata i shfuqizoi nenet 2 dhe 4 të Ligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Marrëdhënie Detyrimore (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.154/2023) dhe si rrjedhojë ato nuk ishin vlefshme më që nga dita e publikimit të Vendimit të Gjykatës Kushtetuese në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut”.
Duke e marrë parasysh se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të formës së prerë dhe të ekzekutueshme, si dhe se nuk i nënshtrohen shqyrtimit as nga Gjykata Kushtetuese dhe as nga ndonjë organ tjetër, Gjykata vlerësoi se janë përmbushur kushtet e nenit 38 alineja 1 të Aktit të Gjykatës që iniciativa të hidhet poshtë.
V
Bazuar në sa më sipër, Gjykata vendosi si në dispozitivin e këtij aktvendimi.
KRYETAR
i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut,
dr.Darko Kostadinovski