Për shkak të interesit të madh publik dhe pyetjeve gazetareske, ju informojmë se dy lëndë janë formuar në Gjykatën Kushtetuese për iniciativat e parashtruara, në të cilat kontestohen ndryshimet e Ligjit për Kundërvajtje, në pjesën që ka të bëjë me vendosjen dhe funksionimin e sistemit elektronik për mbikëqyrje të komunikacionit, i njohur në publik si projekti: “Qyteti i sigurt – Safe city”.
- U.nr.25/2026
Dispozitat e kontestuara: Neni 4 paragrafi 5, neni 5 paragrafi 3, neni 8 kapitulli 7-a, neni 48-a pjesa: “dërgimi”, neni 48-b pjesa: “lëshimi i procesverbalit për kundërvajtje të kryer në komunikacion me urdhërpagesë rrugore”, neni 7-b pjesa: “pranimi i përgjegjësisë për kundërvajtje të kryer”, neni 48-v, neni 48-g “mospranimi i përgjegjësisë për kundërvajtje të kryer” dhe neni 15 i Ligjit për Kundërvajtje nga data 23.01.2026.
Parashtruesit e iniciativës: Ziadin Sela, Ilire Dauti, Elmi Aziri
Pretendimet në iniciativë:
Parashtruesit theksojnë se është kontestues fakti që me këtë projekt u vendos detyrimi ligjor për të gjithë qytetarët që të kenë numër telefoni personal dhe adresë elektronike, me qëllim mundësimin e komunikimit dhe sigurimin e disponueshmërisë, në rast të ndonjë mesazhi të mundshëm për kundërvajtje. Përveç kësaj, pretendohet se është i kontestueshëm edhe fakti që në asnjë pjesë nuk parashikohet që në mesazhin celular ose komunikimin elektronik duhet të respektohet neni 7 i Kushtetutës, në përputhje me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. Gjithashtu, theksohet se të gjithë qytetarët nuk vendosen në të njëjtën pozitë, sepse sistemi zbatohet vetëm në Shkup, Tetovë dhe Kumanovë, për çka pretendohet se popullsia shqiptare është vënë “nën mbikëqyrje”, e cila është në numër më të madh në këto territore, ndryshe nga qytetet e tjera në vend.
2. U.nr.26/2026
Dispozitat e kontestuara: Neni 48-b, 48-v, 48-g të Ligjit për Kundërvajtje
Parashtruesi i iniciativës: Ylli Paçuku
Pretendimet në iniciativë:
Për parashtruesin është e kontestueshme që ky sistem zbatohet vetëm në territorin e qytetit të Shkupit, Kumanovës dhe Tetovës dhe jo në të gjithë shtetin dhe për këtë arsye pretendon se ka një zbatim selektiv territorial dhe se mënyra në të cilën zbatohet është e kontestuar. Parashtruesi, pretendon se shkeljet identike të komunikacionit në qytete të caktuara sanksionohen automatikisht përmes sistemit elektronik, ndërsa në pjesë të tjera të territorit të shtetit ato nuk i nënshtrohen shkallës së njëjtë të kontrollit dhe sanksionimit. Theksohet, se në këtë mënyrë krijohet hapësira për trajtim të ndryshëm të qytetarëve, bazuar në vendndodhjen e tyre gjeografike. Po ashtu, shton se nuk është e qartë se me çfarë kriteresh janë përzgjedhur këto qytete dhe sa do të zgjasë zbatimi. Për parashtruesin, gjithashtu kontestuese është edhe e ashtuquajtura “fazë pilot” sepse, sipas tij, është e paqartë dhe e pakufizuar në aspektin kohor.