Gjykata Kushtetuese organizoi tryezë të rrumbullakët të sekretarëve të përgjithshëm të gjykatave kushtetuese të Ballkanit



Në kuadër të Forumit të Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit, i cili kryesohet nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut, nga data 24 deri më 26 qershor 2026, në Ohër u mbajt tryeza e rrumbullakët në nivel të sekretarëve të përgjithshëm të gjykatave kushtetuese. Eventi u organizua nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut, me mbështetjen e Delegacionit të Bashkimit Evropian, në kuadër të projektit: “Përforcimi i kapaciteteve të Gjykatës Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, si dhe për mbrojtjen e të drejtave të njeriut”.  


Forumi iu kushtua organizimit dhe funksionimit të gjykatave kushtetuese, sistematizimit të vendeve të punës, si dhe vlerësimit dhe zhvillimit profesional të shërbimit administrativ.


Eventin e hapën Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, dr.Darko Kostadinovski, sekretarja e përgjithshme, mr.Violeta Gjorgjievska dhe udhëheqësi (team leader) i ekipit të projektit të BE-së, Karsten Manke.


Në këtë Forum morën pjesë sekretarë të përgjithshëm dhe përfaqësues të gjykatave kushtetuese nga Shqipëria, Bullgaria, Kosova, Turqia, Kroacia dhe Republika e Maqedonisë së Veriut. Ata prezantuan përvojat e institucioneve të tyre dhe shkëmbyen praktika të mira lidhur me organizimin e punës së gjykatave kushtetuese.


Në kuadër të prezantimeve, u prezantua edhe Rregullorja e re për Organizimin e Brendshëm të Gjykatës Kushtetuese, e miratuar në tetor të vitit 2025, me të cilën është vendosur struktura organizative prej 13 njësive organizative që ofrojnë mbështetje profesionale dhe administrative për Gjykatën. Theks i veçantë iu kushtua ndarjes së qartë ndërmjet funksionit gjyqësor dhe atij administrativ, rolit të sekretarit të përgjithshëm në koordinimin e shërbimit dhe menaxhimit digjital të lëndëve.


Pjesëmarrësit u njohën edhe me sistematizimin e vendeve të punës në shërbimin profesional të Gjykatës Kushtetuese, i cili parashikon 71 vende pune, prej të cilave 54 janë të plotësuara, si dhe me modelin e ndarjes së lëndëve dhe organizimin e punës së këshilltarëve juridikë. Po ashtu, u prezantua se gjatë vitit 2025, Gjykata Kushtetuese ka punuar në 520 lëndë, prej të cilave 229 kanë përfunduar, ndërsa pjesa tjetër ka vazhduar të trajtohet edhe gjatë vitit pasues.


Në Forum u prezantua edhe sistemi i ri për vlerësimin e të punësuarve në shërbimin profesional, i cili bazohet në monitorimin e vazhdueshëm të punës, raportet mujore dhe vlerësimin sipas tri kritereve: kryerja me kohë e detyrave të punës, kompetenca profesionale dhe angazhimi në punë, si dhe sjellja profesionale. Në këto diskutime u shqyrtuan edhe mundësitë për përmirësimin e mëtejshëm të këtij sistemi përmes vendosjes së treguesve për matje të performancës, rritjes së transparencës dhe planeve zhvillimore për punonjësit.


Gjatë Forumit treditor u diskutua edhe për sfidat me të cilat përballen gjykatat kushtetuese në rajon, me theks të veçantë në përforcimin e kapaciteteve institucionale, modernizimin e punës së administratës dhe shkëmbimin e përvojave ndërmjet gjykatave kushtetuese.


Forumi përfundoi me konkluzionin se takime të tilla kontribuojnë në organizimin më efikas të punës, në përmirësimin e standardeve profesionale dhe në thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit rajonal ndërmjet gjykatave kushtetuese.


Në këtë Forum morën pjesë sekretarë të përgjithshëm dhe përfaqësues të gjykatave kushtetuese të rajonit. Nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut morën pjesë sekretarja e përgjithshme, mr.Violeta Gjorgjievska, këshilltarja e Gjykatës dhe shefja e Kabinetit të Kryetarit, Lubica Gaxhovska, këshilltarja e Gjykatës, Majlinda Ismaili, si dhe këshilltarja e pavarur, Larisa Millevska.


Nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë morën pjesë sekretari i përgjithshëm, Eugen Papandile dhe drejtori i Drejtorisë Ekonomike, Burimeve Njerëzore dhe Shërbimeve Mbështetëse, Erion Tafaj. Gjykata Kushtetuese e Bullgarisë u përfaqësua nga sekretarja e përgjithshme, Nadezhda Millkovska dhe drejtoresha e Drejtorisë së Administratës së Përgjithshme dhe Burimeve Njerëzore, Vesella Argirova. Nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës morën pjesë sekretari i përgjithshëm, Veton Dula dhe menaxherja e Burimeve Njerëzore, Ardrita Fejzullahu. Gjykata Kushtetuese e Turqisë u përfaqësua nga zëvendëssekretarja e përgjithshme Tugçe Takxhi, zyrtarja e lidhjeve nga Njësia e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Gokçen Sena Kumxhu dhe shefi i Protokollit të Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Aras Mustafa. Në cilësinë e vëzhgueses mori pjesë edhe sekretarja e përgjithshme e Gjykatës Kushtetuese të Kroacisë, Sanja Tërgovac.


Pjesë e Forumit ishin edhe Martin Sopronov, ekspert i lartë juridik, Ognen Janeski, moderator i eventit dhe Viktor Gratakos, menaxher i projektit – të tre ekspertë të angazhuar në projektin e Bashkimit Evropian.