Filloi Forumi i Sekretarëve të Përgjithshëm të Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit në Ohër në organizim të Gjykatës Kushtetuese

Nga data 24 deri më 26 qershor 2026, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut është nikoqire e tryezës së rrumbullakët të sekretarëve të përgjithshëm, në kuadër të Forumit Ballkanik të Gjykatave Kushtetuese, si pjesë e kryesimit të Forumit nga ana e Gjykatës. Eventi organizohet me mbështetjen e Bashkimit Evropian, në kuadër të projektit IPA: “Përforcimi i kapaciteteve të Gjykatës Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, me fokus në mbrojtjen e të drejtave të njeriut”.


Punëtoria zhvillohet me temën: “Organizimi i veprimtarisë së Gjykatës Kushtetuese në përputhje me rregullat për organizimin e brendshëm, sistematizimin e vendeve të punës, si dhe vlerësimin dhe avancimin e punonjësve – sfidat dhe zgjidhjet” dhe paraqet vazhdim të iniciativës për takime pune të sekretarëve të përgjithshëm të gjykatave kushtetuese, e cila filloi në fund të vitit 2025 në Prishtinë, me organizim të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës.


Në këtë Forum marrin pjesë sekretarë të përgjithshëm dhe përfaqësues të gjykatave kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, Republikës së Bullgarisë, Republikës së Kosovës, Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Turqisë, si dhe përfaqësues të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kroacisë, e cila merr pjesë me statusin e vendit vëzhgues.


Qëllimi i këtij aktiviteti është shkëmbimi i përvojave dhe praktikave të mira, shqyrtimi i sfidave të përbashkëta në organizimin dhe funksionimin e gjykatave kushtetuese, si dhe diskutimi i zgjidhjeve të mundshme juridike dhe praktike, në përputhje me standardet ndërkombëtare, rekomandimet e Këshillit të Evropës dhe praktikën krahasuese të gjykatave kushtetuese.


Gjatë sesioneve të punës, delegacionet do të prezantojnë strukturën organizative dhe institucionale të gjykatave të tyre, sistematizimin e vendeve të punës dhe menaxhimin e burimeve njerëzore, sistemet e vlerësimit dhe avancimit të punonjësve, si dhe sfidat institucionale dhe administrative me të cilat përballen.