U.nr.82/2023

Gjykata Kushtetuese e
Republikës së Maqedonisë së Veriut
U.nr.82/2023
Shkup, 17.09.2025

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në përbërje të dr.Darko Kostadinovski, Kryetar i Gjykatës dhe gjykatësve Naser Ajdari, mr.Tatjana Vasiq-Bozaxhieva, dr.Jadranka Daboviq-Anastasovska, dr.Osman Kadriu, Dobrilla Kacarska, dr.Ana Pavllovska-Daneva dhe mr.Fatmir Skender, në bazë të nenit 110 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, nenit 38 alineja 3 dhe nenit 73 alineja 3 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.115/2024) në seancën e mbajtur më 17 shtator 2025, miratoi

A K T V E N D I M

HIDHET POSHTË iniciativa për inicimin e procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së nenit 2 paragrafi 2 alineja 6 të Rregullores për Procedurën e Dorëzimit dhe Regjistrimit të Marrëveshjeve Kolektive dhe Ndryshimeve të Tyre te Organi Shtetëror Kompetent, si dhe për Mënyrën e Mbajtjes së Evidencës së Marrëveshjeve Kolektive të Dorëzuara dhe Ndryshimeve të Tyre (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.223/2022).

Arsyetim

I

Prof.dr.Angell Ristov, kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Punonjësve të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” – Shkup, i parashtroi Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut iniciativë për inicimin e procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së dispozitës së kontestuar të Rregullores, të dhënë në dispozitivin e këtij aktvendimi.

Sipas pretendimeve në iniciativë, dispozita e kontestuar e Rregullores për Procedurën e Dorëzimit dhe Regjistrimit të Marrëveshjeve Kolektive dhe Ndryshimeve të Tyre te Organi Shtetëror Kompetent, si dhe për Mënyrën e Mbajtjes së Evidencës së Marrëveshjeve Kolektive të Dorëzuara dhe Ndryshimeve të Tyre është në kundërshtim me nenin 8 paragrafi 2 alineja 3, me nenet 32, 34 dhe 37 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe me dispozitat e Ligjit për Marrëdhëniet e Punës, me të cilat rregullohen marrëveshjet kolektive.

Sipas parashtruesit, dispozita e kontestuar e kufizon të drejtën për negociata kolektive dhe e shkel rregullimin hierarkik të akteve juridike në sistemin juridik, pasi në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe parimet themelore të sistemit tonë juridik, e drejta për marrëveshje kolektive, e cila garantohet me Kushtetutë dhe ligj, nuk mund të kufizohet me akt nënligjor, aq më tepër që një kusht i tillë nuk parashikohet me Ligjin për Marrëdhëniet e Punës. Njëkohësisht, nga neni 56 paragrafi 1 i Ligjit për Organizimin dhe Punën e Organeve të Administratës Shtetërore rrjedh se me rregullore përcaktohen dhe përpunohen dispozitat e veçanta të ligjeve dhe rregulloreve të tjera, me qëllim zbatimin e tyre.

Kështu, me dispozitën e kontestuar kufizohet e drejta e zbatimit të marrëveshjes kolektive, gjë që është në kundërshtim me Kushtetutën. Në dispozitat e Ligjit për Marrëdhëniet e Punës, më konkretisht në nenin 231 paragrafi 4, përcaktohet që ministri që është përgjegjës për çështjet e punës është kompetent edhe për përcaktimin e procedurës, por në të, nuk përcaktohet edhe se mund të parashikojë kushte të reja, të cilat nuk parashikohen me Ligjin në fjalë. Në rastin konkret, ministri kompetent e vendosi veten në rolin e ligjvënësit, gjë që është në kundërshtim me Kushtetutën.

Bazuar në sa më sipër, Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut i propozon të iniciojë procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së dispozitës së kontestuar të Rregullores, si dhe ta shfuqizojë atë. Njëkohësisht, i propozon Gjykatës të miratojë aktvendim për ndalimin e zbatimit të dispozitës së kontestuar.

II

Në seancë, Gjykata konstatoi se me nenin 2 paragrafi 2 alineja 6 të Rregullores për Procedurën e Dorëzimit dhe Regjistrimit të Marrëveshjeve Kolektive dhe Ndryshimeve të Tyre te Organi Shtetëror Kompetent, si dhe për Mënyrën e Mbajtjes së Evidencës së Marrëveshjeve Kolektive të Dorëzuara dhe Ndryshimeve të Tyre (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.223/2022) përcaktohet që kërkesa për regjistrimin e marrëveshjes kolektive duhet të bashkëngjitet me pëlqimin e Ministrisë së Financave për marrëveshjet kolektive në sektorin publik, në rastet kur me marrëveshjen parashihen implikime fiskale për Buxhetin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

III

Në përputhje me nenin 110 alineja 2 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Gjykata Kushtetuese vendos për përputhshmërinë e rregullave të tjera dhe marrëveshjeve kolektive me Kushtetutën dhe ligjet.

Në përputhje me nenin 38 alineja 3 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Gjykata Kushtetuese e hedh poshtë iniciativën nëse ekzistojnë pengesa të tjera procedurale për vendimmarrje mbi iniciativën.

Me iniciativën kontestohet neni 2 paragrafi 2 alineja 6 të Rregullores për Procedurën e Dorëzimit dhe Regjistrimit të Marrëveshjeve Kolektive dhe Ndryshimeve të Tyre te Organi Shtetëror Kompetent, si dhe për Mënyrën e Mbajtjes së Evidencës së Marrëveshjeve Kolektive të Dorëzuara dhe Ndryshimeve të Tyre.

Duke e vlerësuar iniciativën konkrete dhe dispozitën e Rregullores që kontestohet, u përcaktua se me Vendimin U.nr.69/2023 dhe U.nr.70/2023 të 9 tetorit 2024 (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.220/2024), Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi nenin 2 paragrafi 2 alineja 6, të kontestuar të Rregullores për Procedurën e Dorëzimit dhe Regjistrimit të Marrëveshjeve Kolektive dhe Ndryshimeve të Tyre te Organi Shtetëror Kompetent, si dhe për Mënyrën e Mbajtjes së Evidencës së Marrëveshjeve Kolektive të Dorëzuara dhe Ndryshimeve të Tyre.

Duke pasur parasysh faktin se dispozita e kontestuar nuk është më pjesë e rendit juridik të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Gjykata konstatoi se ekzistojnë pengesa procedurale për të vepruar sipas iniciativës dhe për këtë arsye e hedh poshtë atë, në përputhje me nenin 38 alineja 3 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese.

Në bazë të lartpërmendurës, sipas Gjykatës Kushtetuese nuk janë përmbushur kushtet e nenit 37 paragrafi 1 të Aktit të Gjykatës lidhur me ndalimin e zbatimit të akteve ose veprimeve të veçanta, të ndërmarra në bazë të dispozitës së kontestuar.

IV

Bazuar në sa më sipër, Gjykata me shumicë votash, vendosi si në dispozitivin e këtij aktvendimi.

KRYETAR
i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut,
dr.Darko Kostadinovski