Gjykatësja Kacarska: Pa padi kushtetuese nuk ka mbrojtje gjyqësore – kushtetuese efektive


Më 24.03.2026, në Gjykatën Kushtetuese u mbajt tryeza e rrumbullakët me temën: “Inkorporimi i ankesës kushtetuese?”, e organizuar me mbështetjen e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shkup. Në kuadër të eventit, mbajti fjalim edhe gjykatësja Dobrilla Kacarska, e cila theksoi:


“Nuk do të flas shumë për temën lidhur me inkorporimin e padisë kushtetuese”, pasi si askush tjetër më parë, gjatë mandatit tim trevjeçar të kryetares, kam bërë shumë përpjekje dhe paraqitje sa i përket inkorporimit të padisë kushtetuese. Gjatë takimeve me autoritetet, kërkova hapje të pjesshme të Kushtetutës, si dhe kërkova që Kushtetuta të hapet posaçërisht për këtë çështje dhe të mos diskutohet për asgjë tjetër. Megjithatë, nuk gjeta mirëkuptim dhe kjo është e ditur për të gjithë të pranishmit këtu, por edhe për të gjithë opinionin publik. Madje, u kritikova në një farë mënyre se kjo ishte dëshira ime, megjithëse të gjithë jemi të vetëdijshëm për rëndësinë dhe përfitimet për të gjithë qytetarët.


Do të shtoja se Republika e Maqedonisë së Veriut, ashtu si ish-republikat e tjera jugosllave, doli nga një sistem i përbashkët politik dhe pas fitimit të pavarësisë u përball me sfida të ngjashme, duke krijuar institucione të pavarura dhe duke zbatuar në mënyrë konsistente parimin e ndarjes së pushteteve. Megjithatë, përgjigjet ndaj këtyre sfidave nuk ishin identike, veçanërisht në fushën e sigurimit të mbrojtjes efektive të të drejtave të garantuara kushtetuese të qytetarëve. Në këtë drejtim, analiza e përvojave rajonale tregon se Maqedonia mbeti përjashtim pikërisht në lidhje me inkorporimin e ankesës kushtetuese.

Për tridhjetë vjet, sistemi juridik funksionon me një lëshim që nuk është vetëm çështje teknike, por është dobësi thelbësore në mbrojtjen e të drejtave kushtetuese. Kjo konfirmohet edhe nga arkivi i Gjykatës Kushtetuese, ku janë regjistruar qindra kërkesa që nuk kanë marrë epilog gjyqësor, vetëm sepse juridiksioni i Gjykatës është i kufizuar dhe nuk lejon gjykimin e të gjitha shkeljeve të të drejtave dhe lirive të njeriut, por vetëm brenda kornizës së përcaktuar ngushtë të nenit 110 alineja 3 të Kushtetutës”.