U.nr.161/2023

Gjykata Kushtetuese e
Republikës së Maqedonisë së Veriut
U.nr.161/2023
Shkup, 04.03.2026

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në përbërje të Kryetarit të Gjykatës, dr.Darko Kostadinovski dhe gjykatësve Naser Ajdari, mr.Tatjana Vasiq-Bozaxhieva, dr.Osman Kadriu, Dobrilla Kacarska, dr.Goce Naumovski, dr.Ana Pavllovska-Daneva dhe mr.Fatmir Skender, në bazë të nenit 110 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe nenit 72 alineja 1 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.115/2024), në seancën e mbajtur më 4 mars 2026, miratoi

V E N D I M

  1. SHFUQIZOHET neni 40 paragrafi 2 alineja 4 i Statutit të Komunës së Sopishtës, nr.01-2845/3, i datës 02.07.2007.
  2. Ky vendim do të publikohet në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut”.

Arsyetim

I

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut, bazuar në nenin 23 paragrafi 4 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese, me vetiniciativë vendosi të formojë lëndë për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së dispozitës së shënuar në pikën 1 të këtij vendimi.

Me Aktvendimin U.nr.161/2023 të datës 25 qershor 2025, Gjykata inicioi procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së saj, sepse me justifikim të plotë u ngrit çështja e përputhshmërisë së saj me dispozitat e Kushtetutës dhe Ligjit për Vetëqeverisje Lokale.

II

Në seancë, Gjykata konstatoi se neni 15 alineja 3 i Rregullores së Këshillit të Komunës Qendër – Shkup, nr.08-4264/1, i datës 01.10.2020, përcakton se një anëtar i Këshillit në mbledhjet e Këshillit ka të drejtë të parashtrojë kërkesë për dhënien e interpretimit autentik të rregullave.

III

Një nga qëllimet themelore të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut është vendosja e sundimit të së drejtës në sistemin e qeverisjes. Ky parim kushtetues përcaktohet si vlerë themelore e rendit kushtetues të Republikës së Maqedonisë së Veriut në nenin 8 paragrafi 1 alineja 3 të Kushtetutës.

Në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ligjet medoemos duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën, ndërsa të gjitha rregullat e tjera me Kushtetutën dhe me ligjin. Secili e ka për detyrë ta respektojë Kushtetutën dhe ligjet, në përputhje me nenin 51 të Kushtetutës.

Sipas nenit 110 alineja 2 të Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut vendos për përputhshmërinë e rregullave të tjera dhe marrëveshjeve kolektive me Kushtetutën dhe me ligjet.

Sipas nenit 23 paragrafi 4 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese, Gjykata Kushtetuese mund të vendosë, me vetiniciativë, që të formojë lëndë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së një ligji, përkatësisht kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së një rregulli ose akti tjetër të përgjithshëm ose kushtetutshmërisë së një programi dhe statuti të partive politike dhe shoqatave të qytetarëve.

Këshilli i Komunës së Sopishtës, bazuar në nenin 36 paragrafi 1 pika 1, nenin 62 paragrafi 1 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë” nr.5/2002) dhe nenin 41 pika 1 të Statutit të Komunës së Sopishtës (“Fletorja Zyrtare e Komunës së Sopishtës”, nr.1/1997), në mbledhjen e mbajtur më 02.07.2007, miratoi Statutin e Komunës së Sopishtës, nr.01-2845/3.

Në nenin 40 paragrafi 2 alineja 4 të Statutit të Komunës së Sopishtës përcaktohet se Komisioni Statutor-Juridik, i formuar nga Këshilli i Komunës jep interpretim autentik të Statutit dhe korrigjon gabimet në tekstin e publikuar të aktit të Komunës.

Interpretim autentik të ligjeve jep ligjvënësi, si organ i pushtetit legjislativ. Kuvendi, në përputhje me nenin 68 paragrafi 1 alineja 2 të Kushtetutës, miraton ligje dhe jep interpretim autentik të ligjeve, ndërsa procedura për interpretim autentik të ligjeve rregullohet me Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.248/2023).

Sipas teorisë juridike, interpretim autentik i ligjeve do të thotë përcaktimi i përmbajtjes dhe kuptimit të vërtetë të një ligji të miratuar tashmë, ku gjatë zbatimit të tij shfaqen paqartësi, mëdyshje ose përmban zbrazëtira. Interpretimi autentik është pjesë përbërëse e ligjit të publikuar.

Ligji për Vetëqeverisje Lokale nuk përmban dispozitë të shprehur qartë se këshilli i komunës mund të japë interpretim autentik të akteve që miraton. Në përputhje me nenin 36 paragrafi 1 pika 1 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, këshilli i komunës miraton statutin komunal dhe aktet e tjera, ndërsa sipas nenit 62 paragrafi 1 të Ligjit, gjatë ushtrimit të detyrave brenda kompetencës së tij, këshilli miraton akte, përkatësisht: statutin, programet, planet, vendimet dhe rregullat e tjera të përcaktuara me ligj, që do të thotë se Ligji nuk përmban një dispozitë ku shprehet qartë se këshilli i komunës mund të japë interpretim autentik të akteve që miraton.

Duke marrë parasysh se neni 40 paragrafi 2 alineja 4 të Statutit i jep mundësinë Komisionit Statutor-Juridik të formuar nga Këshilli i Komunës së Sopishtës të japë një interpretim autentik të Statutit, Gjykata konstatoi se Këshilli i Komunës i ka kaluar, përkatësisht i ka tejkaluar kompetencat e tij të parashikuara në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, prandaj dispozita e kontestuar nuk është në përputhje me vlerën themelore të sundimit të së drejtës nga neni 8 paragrafi 1 alineja 3 dhe parimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë nga neni 51 i Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ligjit për Vetëqeverisje Lokale.

IV

Bazuar në sa më sipër, Gjykata, me shumicë votash vendosi si në dispozitivin e këtij vendimi.

V

Ky vendim ka efekt juridik që nga dita e publikimit të tij në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut”.

KRYETAR
i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut,
dr. Darko Kostadinovski