Aktivitete të reja për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Gjykatës Kushtetuese dhe Fondacionit gjerman IRZ.


Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, dr.Darko Kostadinovski, zhvilloi takim pune me delegacionin e Fondacionit Gjerman për Bashkëpunim Ligjor Ndërkombëtar (IRZ), i përbërë nga dr.Shtefan Pirner, udhëheqës i projektit për Ballkanin Perëndimor dhe dr.Arnd Uoller, menaxher i pavarur i projektit.


Gjatë takimit, u shkëmbyen mendime dhe informacione mbi aktivitetet aktuale, si dhe mbi mundësitë për avancimin dhe thellimin e tyre të mëtejshëm. Palët u pajtuan rreth cilësisë dhe efekteve të bashkëpunimit të deritanishëm, ku u shprehën se ato përbëjnë një kontribut të rëndësishëm në përforcimin e kapaciteteve institucionale dhe avancimin e ekspertizës profesionale.


Bashkëbiseduesit theksuan rëndësinë e këtij partneriteti sa i përket përforcimit të mëtejshëm të rolit të Gjykatës Kushtetuese në garantimin e sundimit të së drejtës dhe mbrojtjes së kushtetutshmërisë, ligjshmërisë dhe të drejtave të njeriut, në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare.


Në këtë drejtim u shqyrtuan dhe u përcaktuan prioritetet e bashkëpunimit të ardhshëm, përfshirë edhe organizimin e një konference rajonale së bashku me IRZ-në në kuadër të projektit: “Mbështetje për punën e Gjykatës Kushtetuese”, si pjesë e zgjerimit të aktiviteteve për përforcimin e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor. Konferenca do të shërbejë si platformë për shkëmbimin e përvojave profesionale dhe thellimin e bashkëpunimit ndërmjet gjykatave kushtetuese të vendeve të hapësirës sllavofolëse.