Gjykata Kushtetuese, duke vepruar mbi kërkesën e qytetarit Jugosllav Milenkoviq për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të garantuara me nenin 110 alineja 3 të Kushtetutës dhe në lidhje me nenin 9 të Kushtetutës, konstatoi shkelje të ndalimit të diskriminimit mbi bazën e përkatësisë sociale.
Gjykata vlerësoi se me aktgjykimet e Gjykatës Themelore Civile të Shkupit dhe Gjykatës së Apelit të Shkupit, të miratuara në kontest konkret të punës, gjatë një periudhe të caktuar, përderisa ai ka punuar në Gjykatën Kushtetuese, parashtruesi është vendosur në pozicion më pak të favorshëm në krahasim me personat e tjerë në situata të krahasueshme, pa arsyetim objektiv dhe të justifikuar.
Vendimi u mor në bazë të gjendjes faktike të konstatuar dhe analizës juridike të kryer, me ç’rast Gjykata i mori parasysh aktgjykimet e plotfuqishme gjyqësore, aktet administrative dhe rrjedhën e procedurave para gjykatave të rregullta.
Përkatësisht, parashtruesi, si nëpunës administrativ në shërbimin profesional të Gjykatës Kushtetuese, me aktgjykim të plotfuqishëm fitoi të drejtën për shtesë në pagë për karrierë “V” në vlerë prej 15%, si dhe të drejtën për pagesën e kontributeve për periudhën paraprake. Pas zbatimit të aktgjykimit, me aktvendim të sekretarit të përgjithshëm, për të janë përcaktuar pika shtesë për llogaritjen e pagës, me ç’rast është përcaktuar që llogaritja do të kryhej nga data 01.09.2019.
I pakënaqur me këtë aktvendim, parashtruesi ka ngritur procedurë gjyqësore me kërkesë që e drejta e llogaritjes dhe pagesa e pagës t’i pranohet për periudhën paraprake. Edhe pse në procedurën paraprake kërkesa e tij paditëse ishte miratuar, pas ankesës te Avokaturës së Shtetit aktgjykimi u shfuqizua, ndërsa në procedurën e përsëritur kërkesa e tij u refuzua, gjë që u vërtetua edhe nga Gjykata e Apelit.
Në të njëjtën kohë, punonjës të tjerë të Gjykatës Kushtetuese, me të njëjtin titull ose të ngjashëm dhe me aktgjykime të plotfuqishme identike për të njëjtën të drejtë, kanë ngritur procedura me të njëjtën kërkesë juridike, me ç’rast në rastet e tyre gjykatat i kanë miratuar kërkesat dhe ua kanë pranuar të drejtën e tyre për pagesë për periudhën e njëjtë.
Gjykata Kushtetuese konstatoi se parashtruesi ndodhej në të njëjtën ose në një pozitë juridike dhe faktike thelbësisht të ngjashme me personat e përmendur si krahasues, përkatësisht se bëhet fjalë për raste identike sa i përket fakteve relevante dhe çështjes juridike në shqyrtim.
Duke marrë parasysh sa më sipër, Gjykata vlerësoi se trajtimi i ndryshëm i parashtruesit nuk bazohet në justifikim objektiv dhe të arsyeshëm dhe se me vendimet gjyqësore të kontestuara është kryer shkelje e ndalimit të diskriminimit.
Sa i përket pretendimeve për diskriminim në lidhje me veprimet e Avokaturës së Shtetit, Gjykata konstatoi se në rastin konkret është parashtruar ankesë kundër aktgjykimit të shkallës së parë, me të cilën kërkesa paditëse e parashtruesit fillimisht ishte miratuar, pas së cilës aktgjykimi është shfuqizuar dhe lënda është kthyer për rigjykim.
Gjykata vlerësoi se parashtrimi i ankesës është mjet procedural ligjor dhe vlerësim diskrecional brenda kornizës së procedurës gjyqësore, i cili nuk përbën veprim me pasoja të drejtpërdrejta juridike mbi të drejtat e parashtruesit dhe as nuk mund të konsiderohet në vetvete trajtim diskriminues. Prandaj, në këtë pjesë nuk është vërtetuar asnjë shkelje e lirive dhe të drejtave të garantuara kushtetuese.
