Nuk iniciohet procedurë për dispozitat e Ligjit për Tatimin Minimal Global mbi Fitimin


Në seancën e katërt të mbajtur më 18.02.2026, Gjykata nuk inicio procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 54 paragrafi 1 në pjesën: “viti 2024 – 10%”, paragrafi 2 në pjesën: “vitin 2024 – 8%” dhe nenit 59 paragrafi 1 të Ligjit për Tatimin Minimal Global mbi Fitimin (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.3/2025).


Gjykata Kushtetuese vlerësoi se nuk bëhet fjalë për prapaveprim, siç thuhet në iniciativë, megjithëse Ligji është miratuar më 27 dhjetor 2024, ndërsa është publikuar në “Gazetën Zyrtare” më 3 janar 2025 dhe zbatohet për vitin fiskal që fillon më 1 janar 2024, sepse detyrimi tatimor vijon pas përfundimit të vitit fiskal dhe pas parashtrimit të llogarisë vjetore, ndërsa Ligji nuk ndërhyn në marrëdhëniet juridike tashmë që kanë përfunduar dhe janë të formës së prerë.


Ligji përfshin kompanitë e mëdha multinacionale dhe grupet vendase, të cilat janë të gatshme dhe të afta të përshtatin politikat e tyre afariste dhe tatimore, me qëllim: parandalimin e erozionit të bazës tatimore dhe planifikimit agresiv të tatimit, sigurimin e tatimimit minimal efektiv prej 15%, ndalimin e “garës drejt fundit” (uljes së normave tatimore nga ana e shteteve për të tërhequr investime), shpërndarjen e drejtë të barrës tatimore dhe rritjen e të ardhurave publike.


Me miratimin e Ligjit për Tatimin Minimal Global mbi Fitimin, Republika e Maqedonisë së Veriut iu bashkua reformës globale tatimore si një zbatim kombëtar i Shtyllës së Dytë (Pillar Two) të zgjidhjes më të gjerë të OECD/G20, e cila synon kapërcimin e sfidave tatimore që rrjedhin nga globalizimi dhe digjitalizimi i ekonomisë. Gjatë formulimit të mendimit të saj juridik, Gjykata mori parasysh faktin se Ligji i kontestuar është pjesë e procesit më të gjerë ndërkombëtar që ka qenë objekt i debateve publike, marrëveshjeve ndërkombëtare dhe përgatitjeve për një periudhë të gjatë. Subjektet për të cilat zbatohet Ligji, përkatësisht grupet e mëdha multinacionale dhe vendase, për shkak të fushëveprimit dhe natyrës së punës së tyre, disponojnë kapacitetet e nevojshme për t’i ndjekur këto procese dhe për t’i përshtatur politikat e tyre afariste dhe tatimore.


Gjykata vlerësoi se në këtë rreth të ngushtë të përcaktuar dhe specifik të tatimpaguesve, zbatimi i Ligjit nuk çon në një ndërhyrje të paparashikueshme dhe arbitrare në pritjet e tyre legjitime, as në shkelje të esencës së sigurisë juridike.


Me këtë Ligj synohet parandalimi i erozionit të bazës tatimore, sigurimi i nivelit minimal të tatimimit dhe shpërndarja e drejtë e barrës tatimore, çka përbën interes publik legjitim të shkallës së lartë. Prandaj, Gjykata vlerësoi se zbatimi i Ligjit nga 1 janari 2024 është një masë proporcionale në raport me këtë qëllim, veçanërisht duke marrë parasysh mekanizmat kalimtare të parashikuara dhe shtyrjen e zbatimit të rregullave të caktuara.


Gjykata konstatoi se dispozitat e Ligjit nuk e shkelin sigurinë juridike dhe nuk janë në kundërshtim me parimin e ndalimit të veprimit prapaveprues të ligjeve, të përcaktuar në nenin 52 paragrafi 4 të Kushtetutës.