Në seancën e 11-të të mbajtur sot (29.04.2026), Gjykata Kushtetuese konstatoi shkelje të lirisë së mendimit dhe shprehjes publike të mendimit të gazetarit David Ilieski dhe duke zbatuar nenin 57 paragrafi 2 të Aktit, e detyroi Bankën për Zhvillim të Maqedonisë së Veriut SHA Shkup t’ia dërgojë informatat e kërkuara, në përputhje me Kërkesën për qasje në informata publike, të evidentuar me nr.03-2916/1 të datës 10 tetor 2025, si dhe ta bëjë këtë në afat prej 8 ditëve pasi vendimi i Gjykatës Kushtetuese të publikohet në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut”.
Me miratimin e këtij vendimi, Gjykata ka bërë një hap jashtëzakonisht të rëndësishëm përpara që do të kontribuojë në të ardhmen, jo vetëm në mbrojtjen e të drejtës së garantuar kushtetuese për lirinë e shprehjes, por do të krijojë edhe një praktikë që poseduesit e informatave publike t’i dërgojnë të dhënat e kërkuara.
Ky vendim u miratua njëzëri, me mbështetjen e të gjithë tetë gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese.
Një pjesë e argumenteve të vendimit ishin:
Gjykata konstatoi se bëhet fjalë për shkelje të lirisë së mendimit dhe shprehjes publike të mendimit, e cila u shkaktua nga mosveprimi, përkatësisht nga moszbatimi i vendimit detyrues nga Agjencia e Mbrojtjes së të Drejtës për Qasje të Lirë në Informata me Karakter Publik (AQLI). Konkretisht, AQLI-ja e ka detyruar Bankën për Zhvillim, si poseduese e informatave, ta zbatonte vendimin dhe t’ia ofronte informatat e kërkuara gazetarit. Megjithëse vendimi ishte detyrues, prapëseprapë ai nuk ishte zbatuar.
Në këtë procedurë u zbatua “testi trepalësh në një shoqëri demokratike”, i cili zbatohet nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, me qëllim që të vlerësohet nëse kufizimi ka qenë i arsyeshëm, apo nëse ka pasur shkelje të lirive dhe të drejtave.
Sa i përket kushtit të parë të këtij testi, nëse ndërhyrja është e parashikuar me ligj (nëse Banka për Zhvillim ka pasur bazë ligjore për të mos i dhënë informatat), Gjykata Kushtetuese vlerësoi se mosveprimi i Bankës për Zhvillim sipas aktvendimit të plotfuqishëm të AQLI-së me të cilin urdhërohet që gazetarit t’i dërgohen të gjitha informatat e kërkuara, nuk mund të konsiderohet një kufizim i përcaktuar me ligj, por përkundrazi, është një kufizim në kundërshtim me ligjin. Mbështetja në argumentin se bëhet fjalë për sekret bankar, si arsye për mosofrimin e informatës nuk mund të përbëjë bazë ligjore për kufizimin e së drejtës.
Sa i përket kushtit të dytë, nëse ekziston një qëllim legjitim për mosofrimin e të gjitha informatave të kërkuara, Gjykata e mori në konsideratë mbrojtjen e të dhënave të besueshme si një qëllim i mundshëm legjitim, por në rastin konkret informatat ishin lëndë vlerësimi nga organi kompetent, përkatësisht AQLI-ja, e cila ka përcaktuar se nuk kishte arsye për kufizimin e informatave. Prandaj, në bazë të lartpërmendurës, mbështetja e sërishme në bazën e njëjtë nga ana e Bankës për Zhvillim nuk mund të konsiderohet e arsyeshme.
Gjatë analizimit të kushtit të tretë – domosdoshmëria në një shoqëri demokratike, nga analiza e lëndës rezulton se mosveprimi i tillë nga Banka për Zhvillim, jo vetëm që nuk është i domosdoshëm, por është edhe në kundërshtim me parimet e transparencës dhe llogaridhënies, veçanërisht kur bëhet fjalë për informata me interes publik. Vetë moszbatimi i aktvendimit të plotfuqishëm dëmton gjithashtu edhe sundimin e së drejtës.
Duke i analizuar të gjitha kushtet, Gjykata konstatoi se në këtë rast, poseduesja nuk mund të mbështet në informata të besueshme dhe për këto shkaqe të mos ofrojë të dhënat e kërkuara, pikërisht për këto arsye konsiderohet se ekziston ndërhyrja në lirinë e shprehjes, e cila nuk bazohet në një qëllim legjitim dhe nuk është e domosdoshme për një shoqëri demokratike, ku si pasojë është shkelur e drejta e parashtruesit për të marrë informata, si pjesë përbërëse e lirisë së shprehjes.
Në këtë rast, bëhet fjalë për një gazetar, i cili ka kërkuar informata në lidhje me shfrytëzimin e financave, përkatësisht shfrytëzimin e mjeteve publike nga Banka për Zhvillim – subjekt në pronësi shtetërore, ku në rastin konkret padyshim bëhet fjalë për çështje me interes publik. Përveç kësaj, Agjencia e Mbrojtjes së të Drejtës për Qasje të Lirë në Informata me Karakter Publik ka përcaktuar në dy raste se poseduesja e informatave – Banka për Zhvillim – detyrohet t’ia dërgojë të gjitha informatat parashtruesit, në tërësi, duke ia pranuar të drejtën për qasje në ato informata. Por, pavarësisht aktvendimit të plotfuqishëm, Banka për Zhvillim nuk ka vepruar, por e ka pranuar pjesërisht kërkesën, përkatësisht ka ndarë të dhëna të agreguara mbi numrin e kompanive të mbështetura, të ndara sipas sektorit, vitit dhe programit kreditor, por jo edhe listën ose bazën e të dhënave me të gjitha kompanitë (dhe projektet) që kanë marrë kredi nga Banka për Zhvillim në periudhën nga 01.01.2020 deri në ditën e marrjes së përgjigjes ndaj kërkesës, si dhe kompanitë që kanë marrë nënhua nëpërmjet bankave komerciale në kuadër të linjave kreditore të financuara ose të koordinuara nga Banka për Zhvillim.
Qëndrimi i Gjykatës Kushtetuese është se e drejta e qasjes në informata me karakter publik është pjesë përbërëse e lirisë së shprehjes, përkatësisht përbën të drejtën për të marrë informata. Ndërkaq, liria për të marrë dhe dhënë informata është një përpunim normativ i lirisë së shprehjes publike të mendimit, sepse është pjesë e pandashme e lirisë së shprehjes në kuptimin më të gjerë të saj.
Shkelja e lirisë së informimit publik nuk është vetëm procedurale, por shndërrohet në pengim të vazhdueshëm të ushtrimit të së drejtës për të marrë informata, ndërsa në këtë mënyrë pengohet liria e shprehjes publike të mendimit.
Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese ka rëndësi të madhe sepse për herë të parë në ekzistencën e saj, Gjykata vuri në zbatim mundësinë e ofruar në vetë Aktin e saj në nenin 57, si dhe njëherazi përcaktoi mënyrën dhe afatin për mënjanimin e pasojave që janë shkaktuar nga veprimi me të cilin janë shkelur ato të drejta dhe liri.
