Në seancën e katërt të mbajtur sot, Gjykata inicioi procedurë për vlerësimin e ligjshmërisë së nenit 97 paragrafët 6, 7, 8, 9 dhe 10 të Marrëveshjes kolektive të Drejtorisë së të Ardhurave Publike nr.01-4228/1 të datës 12.07.2023 dhe nr.0102-4/1 të datës 21.07.2023, si dhe nuk inicioi procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së nenit 98 të Marrëveshjes kolektive të Drejtorisë së të Ardhurave Publike.
Në këtë fazë të procedurës, Gjykata dyshon se nuk ka bazë ligjore që të mbetet në fuqi neni 97 (paragrafët 6, 7, 8, 9 dhe 10) i Marrëveshjes kolektive të Drejtorisë së të Ardhurave Publike, duke pasur parasysh faktin se parashikon mbështetje financiare për Organizatën Sindikale “Solidarnost” (Solidariteti) nga të ardhurat vetanake të institucionit, përkatësisht të DAP-it.
Ligji për Marrëdhëniet e Punës përcakton se punëdhënësi është i detyruar t’i sigurojë sindikatës më të madhe përfaqësuese hapësira dhe kushte pune. Megjithatë, nuk ekziston asnjë dispozitë që lejon mbështetjen e drejtpërdrejtë financiare të aktiviteteve sindikale nga punëdhënësi.
Po ashtu, Ligji për Drejtorinë e të Ardhurave Publike përcakton qartë se të ardhurat vetanake të Drejtorisë, të realizuara nga arkëtimi i tatimeve dhe detyrimeve të tjera publike, mund të përdoren vetëm për modernizimin e pajisjeve dhe për stimulimin e punonjësve. Ligji nuk parashikon që këto mjete të përdoren për të financuar aktivitete sindikale.
Sipas Gjykatës, ekziston dyshimi se kjo dispozitë është në kundërshtim me nenin 195 të Ligjit për Marrëdhëniet e Punës, i cili përcakton qartë se punëdhënësit nuk mund të mbikëqyrin themelimin dhe punën e sindikatave.
Në Gjykatën Kushtetuese, me justifikim të plotë u ngrit çështja se Drejtoria e të Ardhurave Publike nuk ka të drejtë të financojë ose të mbështesë sindikatat në ndonjë mënyrë tjetër, nëse kjo gjë krijon mundësi për ndikim apo kontroll të aktiviteteve të tyre.
Lidhur me mos inicimin e procedurave për nenin 98 të Marrëveshjes kolektive, Gjykata konstatoi se pretendimet në iniciativë janë të pabazuara.
Sipas Gjykatës Kushtetuese, e drejta e lirimit nga puna, e paraparë në nenin 98 të kontestuar, i referohet të drejtave të anëtarëve të Organizatës Sindikale “Solidarnost” (Solidariteti), të cilat rrjedhin nga anëtarësimi dhe lidhen me aktivitetet sindikale, të cilat nuk mund t’u mohohen atyre, por as nuk mund t’i vendosin në një pozitë të pafavorshme personat të cilët nuk janë anëtarë të sindikatës. Kjo është e bazuar ligjërisht, pasi neni 198 i Ligjit për Marrëdhëniet e Punës, gjithashtu përcakton ndalimin e trajtimit të pabarabartë për shkak të anëtarësimit ose aktiviteteve sindikale, në veçanti, nuk është e lejueshme që një punonjës të vendoset në një pozitë të pafavorshme krahasuar me punonjësit e tjerë, pikërisht për shkak të anëtarësimit të tij në sindikatë ose sepse është pjesëmarrjes në aktivitete sindikale jashtë orarit të punës, si dhe gjatë orarit të punës me pëlqimin e punëdhënësit.