Kryetari Kostadinovski zhvilloi takime pune në Athinë: në fokus ishin sundimi i së drejtës dhe bashkëpunimi gjyqësor  

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, dr.Darko Kostadinovski, në kuadër të vizitës së përbashkët me Kryetarin e Gjykatës Supreme, Afrim Fidani dhe Kryetarin e Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski, zhvilluan disa takime pune me përfaqësues të lartë të institucioneve gjyqësore të Republikës së Greqisë, me qëllim përforcimin e sundimit të së drejtës dhe thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.


Delegacioni u takua me Kryetaren e Gjykatës së Revizionit, Sotiria Touni dhe zëvendësprokurorin e përgjithshëm, Antonis Nikitanis, gjatë të cilave u prezantua roli dhe misioni i këtij institucioni, i themeluar në vitin 1829. Rëndësi e veçantë iu dha kompetencave në fushën e financave publike, kontrollit parandalues së prokurimeve publike, si dhe rolit këshillues së Gjykatës në lidhje me kontratat e lidhura nga organet shtetërore.


Gjithashtu, u shqyrtuan prioritetet që synojnë përmirësimin e disiplinës financiare, menaxhimit dhe kapaciteteve të revizionit.
Sipas agjendës, delegacioni zhvilloi takim edhe në Ministrinë e Drejtësisë, së bashku me sekretaren e përhershme, Vasiliki Gjavi, nënkryetarin e Gjykatës Supreme, Panajotis Livoropulos dhe zëvendësprokurorin publik, Sofoklis Logotetis. Në takim u shkëmbyen pikëpamje mbi thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në gjyqësor, me theks në shkëmbimin e praktikave të mira, përforcimin e kapaciteteve institucionale dhe modernizimin e sistemeve gjyqësore. U theksua se presidenca e ardhshme e Republikës së Greqisë me Bashkimin Evropian hap mundësi për nisma të reja të përbashkëta, veçanërisht në fushën e digjitalizimit.


Në këtë kontekst, delegacioni ynë i prezantoi kompetencat e institucioneve, duke e nënvizuar rolin e Gjykatës Kushtetuese si garantuese e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë dhe si një shtyllë kyçe në mbrojtjen e sundimit të së drejtës dhe sigurinë juridike.


Delegacioni zhvilloi gjithashtu edhe takim të posaçëm pune me Mihalis Pikramenos, Kryetar i Këshillit Shtetëror të Republikës së Greqisë – institucion me kompetenca të ngjashme në kontrollin kushtetues dhe gjyqësor. Në takim u shkëmbyen përvoja mbi vlerësimin e kushtetutshmërisë së akteve të miratuara nga organet shtetërore, si dhe mbi organizimin dhe funksionimin e dy sistemeve. U shqyrtuan ngjashmëritë dhe ndryshimet në modelet e kontrollit kushtetues, ndërsa u theksua se besimi në gjyqësor është një parakusht kyç për stabilitetin e proceseve demokratike.


Bashkëbiseduesit u dakorduan se: “Krijimi i perceptimit lidhur me mungesën e besimit në sistemin gjyqësor ndikon drejtpërdrejt në demokraci”.


Në këtë takim u shpreh edhe gatishmëria për intensifikimin e bashkëpunimit, ndërsa Kryetari Kostadinovski u bëri ftesë për vizitë reciproke në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe për pjesëmarrje në Forumin Ballkanik të Gjykatave Kushtetuese, si një platformë për shkëmbimin rajonal të përvojave dhe përforcimin e praktikës kushtetuese dhe gjyqësore.