
Gjykata Kushtetuese e
Republikës së Maqedonisë së Veriut
U.nr.42/2025
Shkup, 21.01.2026
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në përbërje të Kryetarit të Gjykatës, dr.Darko Kostadinovski dhe gjykatësve Naser Ajdari, mr.Tatjana Vasiq-Bozaxhieva, dr.Osman Kadriu, Dobrilla Kacarska, dr.Ana Pavllovska-Daneva dhe mr.Fatmir Skender, në bazë të nenit 110 dhe 112 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe nenit 72 alineja 1 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.115/2024), në seancën e mbajtur më 21 janar 2026, miratoi
V E N D I M
- SHFUQIZOHET neni 20-a paragrafi 3 i Ligjit për Zonat Zhvillimore Industriale Teknologjike (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.14/2007, 103/2008, 139/2009, 156/2010, 172/2012, 41/2014, 160/2014, 72/2015, 129/2015, 173/2015, 192/2015, 217/2015, 30/2016 dhe 83/2018, si dhe “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.13/2023 dhe 59/2025).
- Ky vendim do të publikohet në ”Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut”.
Arsyetim
I
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut, me rastin e iniciativës së parashtruar nga Igorço Toçev nga Shkupi, në seancën e mbajtur më 22 tetor 2025, miratoi Aktvendimin U.nr.42/2025, me të cilin inicioi procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dispozitës së Ligjit të shënuar në pikën 1 të dispozitivit të këtij vendimi.
Kjo për shkak se me justifikim të plotë është ngritur çështja e përputhshmërisë së saj me nenin 8 paragrafi 1 alineja 3, nenin 32 dhe nenin 51 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut.
II
Në seancë, Gjykata konstatoi se në nenin 20-a paragrafi 3 të Ligjit për Zonat Zhvillimore Industriale Teknologjike (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.14/2007, 103/2008, 139/2009, 156/2010, 172/2012, 41/2014, 160/2014, 72/2015, 129/2015, 173/2015, 192/2015, 217/2015, 30/2016 dhe 83/2018, si dhe “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.13/2023 dhe 59/2025) është paraparë që rritja e pagës bazë dhe shtesës së pagës sipas nivelit nga paragrafët 1 dhe 2 të këtij neni, shuma e tyre dhe mënyra e përcaktimit rregullohen me marrëveshje kolektive ose me akt nënligjor, të miratuar nga Këshilli Drejtues i Drejtorisë, ndërsa mjetet, përveç sigurimit nga Buxheti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, mund të sigurohen edhe nga llogaria e aktiviteteve vetëfinancuese të Drejtorisë.
III
Në pajtim me nenin 8 paragrafi 1 alineja 3 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, sundimi i së drejtës është vlerë themelore e rendit kushtetues të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Në nenin 32 paragrafi 6 të Kushtetutës është parashikuar se ushtrimi i të drejtave të të punësuarve dhe pozita e tyre rregullohet me ligj dhe marrëveshje kolektive.
Sipas nenit 51 paragrafi 1 të Kushtetutës, ligjet duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën, dhe të gjitha rregullat e tjera me Kushtetutën dhe me ligjin.
Në nenin 110 alineja 1 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut është parashikuar se Gjykata Kushtetuese vendos për përputhshmërinë e ligjeve me Kushtetutën.
Neni 47 paragrafi 2 i Ligjit për Organizimin dhe Punën e Organeve të Administratës Shtetërore (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.58/2000, 44/2002, 13/2006, 82/2008, 167/2010, 36/2011 dhe 51/2011, si dhe “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.96/2019, 110/2019, 154/2019 dhe 121/2024) parashikon që me punën e organit të pavarur të administratës shtetërore, organizatës administrative dhe organit në përbërje, udhëheq drejtoti, të cilin e emëron dhe e shkarkon nga detyra Qeveria, përveç nëse përcaktohet ndryshe me ligj.
IV
Ligji për Zonat Zhvillimore Industriale Teknologjike, i cili rregullon organizimin e Drejtorisë, menaxhimin financiar dhe të drejtat e të punësuarve në institucionin specifik me karakter të veçantë zhvillimor dhe ekonomik për çështje të caktuara, përbën një lex specialis në raport me Ligjin për Organizimin dhe Punën e Organeve të Administratës Shtetërore, i cili përbën një lex generalis.
Nga analiza e nenit 20-a paragrafi 3, rrjedh se kjo dispozitë rregullon çështjet e pagave dhe shtesave të pagave të të punësuarve në Drejtorinë për Zonat Zhvillimore Industriale Teknologjike. Ligjvënësi ka parashikuar që këto elemente të rregullohen me marrëveshje kolektive, por edhe me aktin nënligjor të Këshillit Drejtues, ku përveç kësaj, mjetet për pagesën e tyre mund të sigurohen jo vetëm nga buxheti i shtetit, por edhe nga të ardhurat vetanake të Drejtorisë (aktivitetet vetëfinancuese).
Gjykata vlerësoi se neni 20-a paragrafi 3 i Ligjit për Zonat Zhvillimore Industriale Teknologjike është në kundërshtim me nenin 32 paragrafi 5 të Kushtetutës, i cili parashikon që ushtrimi i të drejtave i të punësuarve dhe pozita e tyre rregullohen me ligj dhe me marrëveshje kolektive, por jo edhe me akte nënligjore të miratuara nga Këshilli Drejtues.
Kjo normë kushtetuese është shprehje e parimit të dialogut social dhe autonomisë së partnerëve socialë (punëdhënësit dhe sindikatës) në rregullimin e marrëdhënieve të punës me marrëveshje kolektive, brenda kufijve të përcaktuar me ligj. Përfshirja e një akti nënligjor të miratuar nga Këshilli Drejtues, si burim për përcaktimin e shumës dhe mënyrës së rritjes së pagave shkon përtej kornizës kushtetuese, pasi i lejon një organi drejtues të rregullojë çështje që, sipas Kushtetutës, rregullohen me ligj dhe marrëveshje kolektive. Aktet nënligjore kanë karakter të instrumenteve për zbatimin e ligjit, por ato nuk janë bazë për rregullimin e të drejtave të të punësuarve, përfshirë këtu edhe nivelin e përcaktimit të pagave dhe shtesave në paga.
Prandaj, Gjykata vlerësoi se neni 20-a paragrafi 3 i Ligjit për Zonat Zhvillimore Industriale Teknologjike, përveçse është në kundërshtim me nenin 32 paragrafi 5 të Kushtetutës, është gjithashtu në kundërshtim me nenin 8 paragrafi 1 alineja 3 dhe nenin 51 paragrafi 1 të Kushtetutës sepse lejon rregullimin e të drejtave që rrjedhin nga një marrëdhënie pune me një akt që nuk ka baza kushtetuese për të. Në këtë mënyrë, shkelet parimi i hierarkisë së normave ligjore dhe rrezikohet siguria juridike e të punësuarve.
Sa i përket pjesës: “mund të sigurohen edhe nga llogaria e aktiviteteve vetëfinancuese të Drejtorisë” të nenit 20-a paragrafi 3 të Ligjit, Gjykata konstatoi se me të shkelet parimi i sigurisë juridike sepse nuk precizohet se çfarë pjese nga aktivitetet vetëfinancuese mund të shfrytëzohet për rritjen e pagave, e as cili organ do ta miratojë vendimin. Dispozita nuk është mjaftueshëm e qartë dhe precize dhe nuk përmban kritere në Ligj që do ta kufizonin ose rregullonin shfrytëzimin e këtyre mjeteve për paga dhe kompensime, në këtë mënyrë, subjektet juridike nuk do të jenë në gjendje të parashikojnë pasojat nga zbatimi i kësaj norme ligjore.
Duke marrë parasysh sa më sipër, Gjykata konstatoi se neni 20-a paragrafi 3 i Ligjit për Zonat Zhvillimore Industriale Teknologjike nuk është në përputhje me nenin 8 paragrafi 1 alineja 3, nenin 32 paragrafi 5 dhe nenin 51 paragrafi 1 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut.
V
Bazuar në sa më sipër, Gjykata vendosi si në dispozitivin e këtij vendimi.
VI
Ky vendim hyn në fuqi në ditën e publikimit të tij në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut”.
KRYETAR
i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut,
dr.Darko Kostadinovski