
Gjykata Kushtetuese e
Republikës së Maqedonisë së Veriut
U.nr.133/2022
Shkup, 09.04.2025
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në përbërje të dr.Darko Kostadinovski, Kryetar i Gjykatës Kushtetuese dhe gjykatësve Naser Ajdari, mr.Tatjana Vasiq-Bozaxhieva, dr.Jadranka Daboviq-Anastasovska, Elizabeta Dukovska, dr.Osman Kadriu, Dobrilla Kacarska, dr.Ana Pavllovska-Daneva dhe mr.Fatmir Skender, në bazë të nenit 110 alineja 3 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, nenit 70 alineja 2 dhe nenit 78 paragrafi 2 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, numër 70/1992 dhe “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, numër 202/2019, 256/2020 dhe 65/2021), në seancën e mbajtur më 9 prill 2025, miratoi
V E N D I M
- REFUZOHET kërkesa e prof.dr.Dimitar Apasiev nga Shkupi, për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave nga neni 110 alineja 3 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, që i referohen të drejtës së veprimit politik dhe ndalimit të diskriminimit në bazë të përkatësisë politike.
2. Ky vendim do të publikohet në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut”.
Arsyetim
I
Prof.dr.Dimitar Apasiev, më 23.12.2022, Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut i parashtroi kërkesë për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave sipas nenit 110 alineja 3 të Kushtetutës, të cilat lidhen me të drejtën e veprimit politik dhe ndalimit të diskriminimit në bazë të përkatësisë politike, të cilat ai beson se janë shkelur nga një veprim i kryer nga z.Talat Xhaferi, në një kohë kur ai e ushtronte funksionin e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Parashtruesi në kërkesë jep kronologjinë e ngjarjeve lidhur me propozimin për inicimin e iniciativës qytetare në nivel shtetëror për shpalljen e referendumit që ai ia ka paraqitur kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi. Konkretisht, ai thekson se më 7 tetor 2022, në cilësinë e personit fizik – propozues i autorizuar, i ka paraqitur kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, mr.Talat Xhaferi, propozim-kërkesë për të iniciuar iniciativë qytetare në nivel shtetëror për shpalljen e një referendumi të detyrueshëm shtesë, me të cilin ka kërkuar që të mundësohet mbledhja e mëtejshme e papenguar e 150.000 nënshkrimeve të qytetarëve, të përcaktuara me Kushtetutë për shpalljen e një referendumi me pyetjen e mëposhtme: “A pajtoheni me vazhdimin e negociatave me BE-në duke i pranuar Konkluzionet parlamentare nr.08-3238/1 të 16 korrikut 2022?“.
Parashtruesi i kërkesës konsideron se kryetari i Kuvendit, z.Talat Xhaferi, ka vepruar në kundërshtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, pasi në vend që menjëherë t’ia paraqesë kryetarit të Komisionit Ligjvënës-Juridik dhe kryetarit të trupit punues amë sipas Ligjit për Referendum, propozimin e tij për mendim mbi rregullshmërinë e iniciativës, ai me Njoftimin nr.08-4147/2 (të datës 12.10.2022), në mënyrë arbitrare i ka urdhëruar parashtruesit, si propozues, që në afat prej 15 ditëve ta harmonizojë Propozimin për iniciativë qytetare me Rregulloren. Sipas parashtruesit të kërkesës, njoftimi i kryetarit të Kuvendit është tekanjoz, konfuz dhe i pakuptimtë sepse bazohet në dispozita të Rregullores së Kuvendit që i referohen parregullsisë të një “projektligji”, megjithëse në këtë rast konkretisht bëhet fjalë për një Propozim për inicimin e iniciativës qytetare në nivel shtetëror për shpalljen e referendumit. Ai konsideron se kryetari i Kuvendit dha një përgjigje paushalle, në të cilën citoi nene të pasakta dhe të parëndësishme të Ligjit për Referendum.
Pas marrjes së njoftimit, parashtruesi i kërkesës, si propozues i autorizuar, në kohë e ka paraqitur Parashtresën për harmonizim procedural të Kërkesës/precizimit të propozimit të paraqitur fillimisht, në të cilën i specifikoi të gjitha lëshimet e bëra nga kryetari i Kuvendit dhe përsëri i kërkoi atij të veprojë në përputhje me Ligjin dhe Rregulloren. Kryetari i Kuvendit më 15 nëntor 2022 e ka dhënë Njoftimin e dytë (nr.08-4147/4) që parashtruesi e ka pranuar më 17.11.2022, në të cilin pa bazë ligjore dhe arsyetim, kryetari i Kuvendit e përsëriti vendimin për të mos e dërguar propozimin në seancë plenare. Sipas parashtruesit, ky veprim i Kryetarit të Kuvendit i tejkalon plotësisht kompetencat e tij vetanake, e uzurpon kompetencën e plenumit dhe e shkel procedurën për një iniciativë qytetare, si një e drejtë e garantuar kushtetuese, duke e kualifikuar atë si një akt klasik ultra vires.
Me veprimin e përshkruar, parashtruesi konsideron se është shkelur e drejta subjektive e garantuar kushtetuese për veprim politik, përkatësisht e drejta – si qytetar – për të marrë pjesë aktive në jetën politike, duke paraqitur parashtresa dhe propozime te organet e pushtetit shtetëror, ku bën pjesë edhe e drejta për të paraqitur një propozim për qasje drejt ndryshimit të Kushtetutës, një propozim për miratimin ose ndryshimin dhe plotësimin e një ligji, si dhe e drejta për të iniciuar iniciativë qytetare për shpalljen e një referendumi në nivel shtetëror.
Parashtruesi konsideron se duke refuzuar ta dërgojë iniciativën te organet kompetente parlamentare, kryetari i Kuvendit e ka keqpërdorur pozitën dhe autorizimin e tij zyrtar, në kundërshtim me normat kushtetuese, ligjore dhe procedurale, ka uzurpuar në mënyrë arbitrare kompetencën e seancës plenare të Kuvendit dhe e ka penguar parashtruesin ta ushtrojë të drejtën e mbrojtur me Kushtetutë për veprim politik. Sipas parashtruesit, ky veprim i kryetarit të Kuvendit e kërcënon demokracinë dhe sundimin e së drejtës si vlera themelore të rendit kushtetues të Republikës së Maqedonisë.
Më tej, në kërkesë thuhet se me veprimin e lartpërmendur, kryetari i Kuvendit e shkel edhe të drejtën e ndalimit të diskriminimit të qytetarëve në bazë të përkatësisë politike, e cila garantohet me Kushtetutë dhe me nenin 14 dhe nenin 1 të Protokollit nr.12 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Parashtruesi potencon se është deputet i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut nga opozita dhe kryetar i një partie politike parlamentare opozitare – “E Majta (“Levica”)”, kështu që përkatësia e tij politike është e njohur publikisht, gjë që e bën të qartë se ai e gëzon karakteristikën e mbrojtur “përkatësia politike”, si bazë e mundshme diskriminimi.
Pretendimet për diskriminim, parashtruesi i mbështet me të dhëna nga Pasqyra kronologjike e iniciativave për Referendum, e përgatitur nga Instituti Parlamentar sipas iniciativave të mëparshme qytetare, të dorëzuara në Kuvend në të kaluarën (nga viti 1991 deri në vitin 2022), nga të cilat mund të përcaktohet se kryetarët e Parlamentit, përfshirë Xhaferin, kanë vepruar në mënyrë të drejtë dhe plotësisht korrekte në përputhje me nenet 191 dhe 192 të Rregullores së Kuvendit, pasi të gjitha iniciativat e mëparshme janë dërguar te trupat punues përkatës në Kuvend dhe te plenumi i Kuvendit. Me këto të dhëna është dëshmuar se parashtruesi, si tjetërmendës politik dhe opozitar, ishte vendosur në një pozicion të pafavorshëm në krahasim me qytetarët e tjerë që në të kaluarën kishin tentuar të iniciojnë një iniciativë qytetare dhe se veprimi i z.Talat Xhaferi ishte qartazi i motivuar politikisht dhe përfaqësonte goditje ndaj pluralizmit politik dhe demokracisë në vend. Veprimi kundërkushtetues dhe i paligjshëm i kontestuar i kryetarit të Kuvendit e përmbush plotësisht thelbin e një akti që përbën diskriminim të drejtpërdrejtë mbi një bazë diskriminuese – përkatësinë politike. Duke vepruar kështu, kryetari i Kuvendit e diskriminon parashtruesin si qytetar për shkak të bindjeve të tij politike, duke e mbytur demokracinë dhe debatin politik në publik dhe duke e penguar në mënyrë efektive iniciativën legjitime qytetare që ai e kishte parashtruar, si një e drejtë qytetare dhe politike e garantuar me Kushtetutë.
Parashtruesi kërkon që Gjykata Kushtetuese, në një procedurë urgjente dhe me karakter ndalues, të konstatojë shkelje të së drejtës për ndalimin e diskriminimit në bazë të përkatësisë politike dhe të përcaktojë një mënyrë efektive për të shmangur pasojat nga veprimi i kontestuar i kryetarit të Kuvendit. Ai konkretisht propozon që Gjykata Kushtetuese ta anulojë Njoftimin nr.08-4147/4 (të datës 15.11.2022) të kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe me qëllim shmangien e pasojave nga zbatimi i veprimit të kryetarit të Kuvendit, ta detyrojë atë të paraqesë Propozim-kërkesën për inicimin e iniciativës qytetare në nivel shtetëror për shpalljen e referendumit shtesë të detyrueshëm të 7 tetorit 2022 te kryetari i Komisionit Ligjvënës-Juridik dhe te kryetari i trupit punues amë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, me qëllim që të marrë një mendim mbi rregullshmërinë e iniciativës.
Më 18.01.2023, 20.02.2023, 28.03.2023, 05.12.2023, 15.12.2023 dhe 09.02.2024, parashtruesi paraqiti dëshmi shtesë – iniciativa qytetare të paraqitura nga qytetarë të tjerë dhe parti politike për mbledhjen e nënshkrimeve për shpalljen e referendumit, të cilat iu dorëzuan Komisionit Parlamentar për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive dhe Komisionit Ligjvënës-Juridik, në përputhje me Rregulloren e Kuvendit, si dëshmi se gjatë veprimit me iniciativat e tjera për referendum, nga individë të tjerë, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, ka vepruar në përputhje me Rregulloren dhe në përputhje me procedurën e përcaktuar në mënyrë të rreptë për veprim, por se vetëm ai është diskriminuar dhe është vënë në një në një pozicion të pafavorshëm në krahasim me qytetarët e tjerë si propozues.Parashtruesi e dorëzoi edhe Mendimin e Komisionit për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi, të miratuar më 02.03.2023, me të cilin Komisioni konstatoi se Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Talat Xhaferi, në cilësinë e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, e kanë diskriminuar në mënyrë të drejtpërdrejtë Dimitar Apasievin në bazë të bindjeve politike në fushën e jurisprudencës dhe administratës, si dhe Aktvendimin X.P4-400/23 të Gjykatës Themelore Civile Shkup (të datës 30.06.2023), me të cilin ajo gjykatë shpallet jokompetente për të vepruar sipas padisë së paditësit prof.dr.Dimitar Apasiev kundër të paditurit Talat Xhaferi për konstatimin e diskriminimit dhe përcaktimin e kompensimit të dëmit, me ç’rast i ka shfuqizuar të gjitha veprimet e ndërmarra në procedurë dhe e ka hedhur poshtë padinë e Dimitar Apasievit kundër Talat Xhaferit, dhe Aktvendimin GZH-2558/23 të datës 26.10.2023 të Gjykatës së Apelit Shkup, me të cilin ankesa e paditësit Dimitar Apasiev refuzohet si e pabazë dhe vërtetohet Aktvendimi i Gjykatës Themelore Civile P4-400/23, i datës 30.06.2023.
II
Më 3 tetor 2024, Gjykata Kushtetuese mbajti seancë publike në prani të parashtruesit, dr.Dimitar Apasiev, ish-kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, mr.Talat Xhaferi dhe ekspertëve, ku bazuar në seancën publike të mbajtur, si dhe dokumentacionin e paraqitur për këtë rast, e konstatoi situatën faktike si në vijim:
Parashtruesi i kërkesës prof.dr.Dimitar Apasiev është kryetar i partisë politike “E Majta (“Levica”)” dhe deputet në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ai më 7 tetor 2022, në cilësinë e personit fizik – propozues i autorizuar, kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut i ka parashtruar Propozim–kërkesë për inicimin e iniciativës qytetare në nivel shtetëror për shpalljen e një referendumi të detyrueshëm shtesë, me të cilin ka kërkuar të mundësohet mbledhja e mëtejshme e papenguar e 150.000 nënshkrimeve të qytetarëve, të përcaktuara me Kushtetutë për shpalljen e referendumit me pyetjen: “A pajtoheni me vazhdimin e negociatave me BE-në duke i pranuar Konkluzionet parlamentare nr.08-3238/1 të 16 korrikut 2022?”. Kërkesa është mbështetur me 750 nënshkrime të qytetarëve.
Kryetari i Kuvendit, mr.Talat Xhaferi, me Njoftimin nr.08-4147/2 të 12 tetorit 2022, duke iu referuar dispozitave të Ligjit për Referendum (neneve 14, 15, 25, 26 dhe 66) dhe të Rregullores së Kuvendit (nenit 60 paragrafi 1 alineja 5, nenit 135 dhe nenit 136), e urdhëroi parashtruesin si propozues, brenda 15 ditëve, që ta harmonizojë Propozimin për iniciativë qytetare me Rregulloren e Kuvendit. Në njoftim, kryetari i Kuvendit ka potencuar se kërkesa nuk ishte përgatitur në përputhje me nenin 135 të Rregullores dhe se pyetja e parashtruar nuk ishte e përshtatshme pasi konkluzionet nuk janë akt i përgjithshëm juridik, ligj apo Kushtetutë, përkatësisht se ato janë një qëndrim që udhëzon Qeverinë në veprimet e saj. Kryetari është mbështetur në nenin 136 të Rregullores së Kuvendit, i cili i referohet rasteve kur paraqitet një projektligj që nuk është përgatitur në përputhje me dispozitat e Rregullores.
Pas pranimit të njoftimit, më 11 nëntor 2022, parashtruesi i kërkesës si propozues i autorizuar, kryetarit të Kuvendit i ka parashtruar Parashtresë për harmonizimin me Rregulloren të Kërkesës/precizimit të propozimit të parashtruar fillimisht, në të cilin i ka paraqitur lëshimet të cilat, sipas mendimit të tij, i ka kryer kryetari i Kuvendit dhe nga fillimi ka kërkuar prej tij të veprojë në përputhje me Ligjin dhe Rregulloren, përkatësisht ta dorëzojë Propozimin deri tek organet amë të punës të Komisionit për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive dhe Komisionit Ligjvënës-Juridik. Parashtruesi në parashtresë e ka shpjeguar pyetjen e referendumit për të cilën ka propozuar që të jetë: “A jeni për negociata me BE-në me pranimin e qëndrimeve të votuara parlamentare të cilat i përmbajnë Konkluzionet nr.08-3238/1 të 16 korrikut 2022?” PRO KUNDËR
Kryetari i Kuvendit më 15 nëntor 2022 e ka dhënë Njoftimin e dytë me numër 08-4147/4 në të cilin ka konstatuar se parashtruesi nuk ka vepruar sipas kërkesës për harmonizim me dispozitat e Rregullores së Kuvendit. Parashtruesi e ka pranuar njoftimin më 17 nëntor 2022 dhe më 22 nëntor 2022 kryetarit të Kuvendit i ka dorëzuar kërkesë me shkrim që Propozimi të vihet në rend dite në seancën plenare të 95-të të Kuvendit.
Dr.Dimitar Apasiev më 23 dhjetor 2022, Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut i parashtroi kërkesë për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave nga neni 110 alineja 3 të Kushtetutës, në të cilën pohon se kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, me veprimin e tij – mosparaqitjen e propozimit të tij për të iniciuar iniciativë qytetare në nivel shtetëror për shpalljen e një referendumi, i ka shkelur të drejtat e tij subjektive të garantuara me Kushtetutë për veprim politik dhe barazi para ligjeve, përkatësisht ndalimin e diskriminimit në bazë të përkatësisë politike.
Parashtruesi i kërkesës për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave, më 19 dhjetor 2022, i parashtroi Komisionit për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi parashtresë për diskriminim në bazë të bindjeve politike, pas së cilës Komisioni lëshoi një Mendim më 2 mars 2023, ku konstatoi se Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Talat Xhaferi, në cilësinë e tij si kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, e kanë diskriminuar në mënyrë të drejtpërdrejtë Dimitar Apasievin në bazë të bindjeve politike në fushën e jurisprudencës dhe administratës.
Në një datë të papërcaktuar në vitin 2023, parashtruesi i kërkesës për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave, Dimitar Apasiev, në Gjykatën Themelore Civile në Shkup ngriti padi kundër të paditurit Talat Xhaferi, për konstatimin e diskriminimit dhe përcaktimin e kompensimit të dëmit.
Më 30 qershor 2023, Gjykata Themelore Civile e Shkupit, jashtë seancës, me Aktvendimin H.P4-400/23 shpalli veten jokompetente për të vepruar sipas padisë së paditësit prof.dr.Dimitar Apasiev kundër të paditurit Talat Xhaferi, për konstatimin e diskriminimit dhe përcaktimin e kompensimit të dëmit, ku vlera e kontestit ishte 100.000 denarë, me ç’rast i ka shfuqizuar të gjitha veprimet e ndërmarra në procedurë dhe e ka hedhur poshtë padinë e Dimitar Apasievit kundër Talat Xhaferit. Në arsyetimin e Aktvendimit, ndër të tjera, citohen dispozitat e neneve 50, 108 dhe 110 të Kushtetutës, Amendamenti XXI i Kushtetutës, si dhe dispozitat e neneve 51 dhe 56 të Rregullores së Gjykatës Kushtetuese. Gjykata Themelore Civile theksoi se nuk është kompetente të veprojë sipas padisë, sepse shqyrtimi i faktit nëse i padituri, në cilësinë e tij si organ kompetent në një procedurë në përputhje me Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, e ka shkelur ndalimin kushtetues të diskriminimit, është kompetencë e Gjykatës Kushtetuese. Gjykata Civile në fjalë nuk ka autorizim ligjor për t’i shqyrtuar veprimet e të paditurit në kuadër të autorizimit të tij ligjor që rrjedh nga ligjet dhe aktet e veçanta nënligjore, siç është Rregullorja e Kuvendit, përkatësisht për të shqyrtuar nëse i padituri e ka respektuar të drejtën e paditësit për trajtim të barabartë.
Gjykata e Apelit e Shkupit, me Aktvendimin GZH-2558/23 të datës 26 tetor 2023, e refuzoi ankesën e paditësit Dimitar Apasiev si të pabazë dhe e vërtetoi Aktvendimin e Gjykatës Themelore Civile P4-400/23 të datës 30 qershor 2023. Nga arsyetimi i Aktvendimit u konstatua se Gjykata e Apelit i pranoi plotësisht argumentet e Gjykatës Themelore Civile se Gjykata Themelore nuk është kompetente për ta zgjidhur çështjen e kontestuar, por Gjykata Kushtetuese si organ i veçantë i Republikës që mbron kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë.
Më 6 korrik 2023, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut i dorëzoi Gjykatës Kushtetuese një përgjigje ndaj kërkesës për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave, të nënshkruar nga kryetari i Kuvendit, mr.Talat Xhaferi, në të cilën theksohet se ai, si kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ka vepruar në përputhje me dispozitat e Rregullores së Kuvendit, se qëllimi i tij i vetëm ishte të respektonte dhe të siguronte zbatimin e Rregullores dhe se në asnjë rast nuk kishte ndërmend të vendoste askënd në një pozitë të pabarabartë mbi asnjë bazë, por përkundrazi kërkoi që të respektoheshin procedurat parlamentare.
Nga Pasqyra kronologjike e iniciativave të dorëzuara për referendum në Kuvend, e përgatitur nga Instituti Parlamentar, u përcaktua se në periudhën nga viti 1991 deri më 7 tetor 2022, janë parashtruar 12 iniciativa për referendum, nga të cilat 10 janë dërguar në komisionet kompetente parlamentare, përkatësisht në një seancë plenare të Kuvendit. Ngjashëm me iniciativën e parashtruesit, iniciativa e parashtruar nga partia politike VMRO-DPMNE përmes propozuesit të autorizuar Hristijan Mickovski për shpalljen e referendumit në lidhje me Marrëveshjen me Bullgarinë, gjithashtu nuk është dërguar në komisionet parlamentare, përkatësisht është kthyer për përpunim të saj për arsye formale për shkak të mospërmendjes së emrit kushtetues të shtetit.
Nga dëshmitë e paraqitura shtesë nga parashtruesi i kërkesës, u konstatua se në periudhën pas 7 tetorit 2022 (kur parashtruesi e paraqiti propozimin, përkatësisht iniciativën qytetare në Kuvend) deri më shkurt 2024, në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut janë dorëzuar 11 propozime, përkatësisht iniciativa qytetare, nga të cilat njëra ishte për ndryshimin e Kushtetutës, ndërsa të tjerat ishin iniciativa për shpalljen e referendumit në nivel shtetëror. Këto iniciativa të paraqitura janë përpunuar në përputhje me nenin 191 paragrafi 2 të Rregullores së Kuvendit dhe të njëjtat janë paraqitur në Komisionin Ligjvënës – Juridik të Kuvendit dhe në komisionin amë, e më pas në Kuvend për vendimmarrje në seancë të Kuvendit.
III
Mendim ligjor
Dispozita të Kushtetutës
Në nenin 2 të Kushtetutës përcaktohet se në Republikën e Maqedonisë së Veriut, sovraniteti buron nga qytetarët dhe u takon qytetarëve. Qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut pushtetin e realizojnë nëpërmjet përfaqësuesve të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet referendumit dhe formave të tjera të deklarimit të drejtpërdrejtë.
Liritë dhe të drejtat themelore të njeriut dhe të qytetarit, të njohura me të drejtën ndërkombëtare dhe të përcaktuara me Kushtetutë, sundimi i së drejtës, pluralizmi politik janë vlerat themelore të rendit kushtetues të Republikës së Maqedonisë së Veriut të përcaktuara në nenin 8 paragrafi 1 alinetë 1, 3 dhe 5 të Kushtetutës.
Sipas nenit 9 të Kushtetutës, qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut janë të barabartë në liritë dhe të drejtat pavarësisht nga gjinia, raca, ngjyra e lëkurës, prejardhja kombëtare dhe sociale, bindja politike dhe fetare, pozita pronësore dhe shoqërore. Qytetarët janë të barabartë para Kushtetutës dhe ligjeve.
Me nenin 16 të Kushtetutës, i cili ka të bëjë me liritë dhe të drejtat qytetare dhe politike, garantohet liria e bindjes, ndërgjegjes, mendimit dhe e shprehjes publike të mendimit. Garantohet liria e fjalës, paraqitjes publike, informimit publik dhe e themelimit të lirë të institucioneve për informim publik.
Sipas nenit 20 të Kushtetutës, qytetarëve u garantohet liria e bashkimit me qëllim të ushtrimit dhe mbrojtjes së të drejtave dhe bindjeve të tyre politike, ekonomike, sociale, kulturore dhe të drejtave dhe bindjeve të tjera.
Në nenin 24 të Kushtetutës është përcaktuar se çdo qytetar ka të drejtë të parashtrojë parashtresa në organet shtetërore dhe shërbimet e tjera publike dhe për ato të marrë përgjigje. Qytetari nuk mund të thirret në përgjegjësi, as të pësojë pasoja të dëmshme për qëndrimet e paraqitura në parashtresa, përveç nëse me to nuk ka kryer vepër penale.
Sipas nenit 50 të Kushtetutës, çdo qytetar mund të thirret në mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të përcaktuara me Kushtetutë, para gjykatave dhe para Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë, në procedurë të mbështetur mbi parimet e prioritetit dhe urgjencës. Garantohet mbrojtja gjyqësore e ligjshmërisë së akteve të veçanta të administratës shtetërore dhe të institucioneve të tjera që ushtrojnë autorizime publike.
Sipas nenit 110 alineja 3 të Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë i mbron liritë dhe të drejtat e njeriut e të qytetarit, që kanë të bëjnë me lirinë e bindjes, ndërgjegjes, mendimit dhe shprehjes publike të mendimeve, bashkimin dhe veprimin politik dhe ndalimin e diskriminimit të qytetarëve mbi bazë të gjinisë, racës, fesë, përkatësisë kombëtare, sociale dhe politike.
Rregullorja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut(“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”,nr.70/1992 dhe ”Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.202/2019, 256/2020 dhe 65/2021)
Sipas nenit 51 të Rregullores së Gjykatës Kushtetuese, çdo qytetar që beson se me një akt ose veprim të veçantë i është shkelur e drejta ose liria e tij, siç përcaktohet në nenin 110 alineja 3 të Kushtetutës, mund të kërkojë mbrojtje nga Gjykata Kushtetuese brenda 2 muajve nga data e dorëzimit të aktit të veçantë të përfunduar ose të plotfuqishëm, përkatësisht nga data e njoftimit për veprimin e ndërmarrë që ka shkaktuar shkeljen, por jo më vonë se 5 vjet nga data e marrjes së tij. Kërkesa, sipas nenit 52 të Rregullores, duhet t’i përmbajë arsyet për të cilat kërkohet mbrojtje, aktet ose veprimet që i kanë shkelur ato, faktet dhe dëshmitë mbi të cilat bazohet kërkesa, si dhe të dhënat e tjera të nevojshme për vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese.
Në nenin 55 është paraparë se për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave Gjykata Kushtetuese vendos, sipas rregullit, në bazë të një seance të mbajtur publike. Në seancë publike ftohen pjesëmarrësit në procedurë dhe Avokati i Popullit, ndërsa sipas nevojës mund të thirren edhe persona të tjerë, organe apo organizata. Seanca publike mund të mbahet edhe nëse ndonjëri nga pjesëmarrësit në procedurë ose Avokati i Popullit nuk është i pranishëm, nëse janë ftuar me rregull.
Ligji për Referendum dhe Format e Tjera të Deklarimit të Drejtpërdrejtë të Qytetarëve (”Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.81/2005, 3/2006 dhe 50/2006)
Sipas nenit 2 të këtij Ligji, referendumi është një formë e deklarimit të drejtpërdrejtë të qytetarëve në vendimmarrje për çështje të caktuara me kompetencë të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, për çështje me kompetencë të komunave, Qytetit të Shkupit dhe komunave në Qytetin e Shkupit, si dhe për çështje të tjera me rëndësi lokale.
Në nenin 3 të Ligjit përcaktohet se iniciativa qytetare është një formë e deklarimit të drejtpërdrejtë të qytetarëve në vendimmarrje përmes inicimit të iniciativave para Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, para këshillave komunale, Qytetit të Shkupit dhe komunave në Qytetin e Shkupit. Iniciativa qytetare mund të iniciohet për paraqitjen e një propozimi për qasje drejt ndryshimit të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), një propozimi për miratimin e një ligji dhe për shpalljen e një referendumi në nivel shtetëror (në tekstin e mëtejmë: iniciativë qytetare në nivel shtetëror).
Sipas nenit 24 të Ligjit, një referendum në nivel shtetëror mund të shpallet për nevojën e ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe për çështje të tjera brenda kompetencës së Kuvendit (referendum i mëparshëm) dhe për vendime të miratuara nga Kuvendi ose që qytetarët të shprehin mendimin e tyre për çështje të tjera për të cilat ka vendosur Kuvendi (referendum shtesë).
Procedura për inicimin e një iniciative qytetare në nivel shtetëror rregullohet në nenin 66 dhe nenin 67 të Ligjit. Sipas nenit 66, një iniciativë qytetare në nivel shtetëror iniciohet me propozimin e 100 qytetarëve. Iniciativa qytetare në nivel shtetëror zbatohet për çështjet nga neni 3 paragrafi 2 i këtij Ligji. Propozimi për inicimin e një iniciative qytetare në nivel shtetëror duhet të paraqitet nga një propozues i autorizuar dhe të ketë të bëjë me një çështje për të cilën është kompetent të vendosë Kuvendi. Një propozues i autorizuar, sipas kuptimit të paragrafit 3 të këtij neni, është nënshkruesi i parë i propozimit për inicimin e një iniciative qytetare.
Në përputhje me nenin 67 të Ligjit, propozimi për inicimin e iniciativës qytetare në nivel shtetëror i paraqitet kryetarit të Kuvendit. Kur kryetari i Kuvendit vërteton se iniciativa është në përputhje me nenin 66 të këtij Ligji, ai duhet ta njoftojë propozuesin e autorizuar brenda tri ditëve. Kur kryetari i Kuvendit vërteton se iniciativa është e parregullt, ai do ta vendosë çështjen që lidhet me iniciativën në rendin e ditës të seancës së parë të radhës të Kuvendit, por jo më vonë se 15 ditë nga dita e konstatimit të parregullsisë së iniciativës. Kuvendi me konkluzion përcakton nëse iniciativa është e rregullt. Kryetari i Kuvendit duhet ta njoftojë propozuesin e autorizuar për konkluzionin e Kuvendit brenda tri ditëve nga dita e miratimit të tij.
Rregullorja e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë (”Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, numër 91/2008, 119/2010 dhe 23/2013).
Sipas nenit 60 të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, kryetari i Kuvendit, ndër të tjera, e shqyrton rregullshmërinë e propozimit për inicimin e iniciativës qytetare për miratimin e një ligji, për shpalljen e referendumit në nivel shtetëror dhe për paraqitjen e një propozimi për qasjen drejt ndryshimit të Kushtetutës.
Procedura për propozim për miratimin e një ligji rregullohet në Kapitullin IX të Rregullores, ku neni 135 e rregullon përmbajtjen e projektligjit, ndërsa neni 136 e rregullon trajtimin e një propozimi të parregullt. Ky nen përcakton se nëse projektligji nuk është përgatitur në përputhje me dispozitat e kësaj Rregulloreje, kryetari i Kuvendit, para se t’ua paraqesë atë deputetëve, do t’i kërkojë propozuesit ta harmonizojë atë me dispozitat e kësaj Rregulloreje. Nëse propozuesi nuk e plotëson projektligjin brenda 15 ditëve nga kërkesa e kryetarit të Kuvendit, projektligji konsiderohet se nuk është paraqitur.
Procedura për iniciativën qytetare në nivel shtetëror është rregulluar në nenin 191 të Rregullores, sipas të cilit kryetari i Kuvendit, pas marrjes së propozimit për inicimin e iniciativës qytetare për miratimin e ligjit, për shpalljen e referendumit në nivel shtetëror dhe për paraqitjen e propozimit për qasjen drejt ndryshimit të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, menjëherë ia paraqet kryetarit të Komisionit Ligjvënës-Juridik dhe kryetarit të trupit punues amë. Komisioni Ligjvënës-Juridik dhe trupi punues amë i paraqesin kryetarit të Kuvendit mendim për rregullshmërinë e iniciativës brenda dy ditëve të punës.
Sipas nenit 192 paragrafi 2 të Rregullores, nëse kryetari i Kuvendit konstaton se iniciativa është e parregullt, ai e vendos çështjen që lidhet me iniciativën në rendin e ditës të seancës së parë të radhës të Kuvendit. Kuvendi me anë të një konkluzioni përcakton nëse iniciativa është e rregullt. Kryetari i Kuvendit e njofton propozuesin e autorizuar për konkluzionin e Kuvendit brenda tri ditëve.
Ligji për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr. 258/2020)
Neni 5 i Ligjit për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi ndalon çdo diskriminim të bazuar në racë, ngjyrë të lëkurës, prejardhje kombëtare ose etnike, gjini, orientim seksual, identitet gjinor, përkatësi në një grup të margjinalizuar, gjuhë, shtetësi, prejardhje shoqërore, arsim, religjion ose besim fetar, bindje politike, besim tjetër, aftësi të kufizuara, moshë, gjendje familjare ose martesore, gjendje pasurore, gjendje shëndetësore, gjendje personale dhe shoqërore, ose çdo bazë tjetër.
Neni 6 i të njëjtit Ligj e përcakton diskriminimin si çdo dallim, përjashtim, kufizim ose dhënie përparësie të mbështetur në baza diskriminuese, qoftë përmes veprimit ose mosveprimit, që ka për qëllim ose pasojë parandalimin, kufizimin, njohjen, gëzimin ose ushtrimin e të drejtave dhe lirive të një personi ose grupi të caktuar në baza të barabarta me të tjerët. Kjo i përfshin të gjitha format e diskriminimit, duke e përfshirë edhe pamundësimin e përshtatjes së arsyeshme dhe pamundësimin e qasjes dhe disponueshmërisë së infrastrukturës, të mallrave dhe shërbimeve.
Sipas nenit 8 të Ligjit, diskriminimi i drejtpërdrejtë ekziston kur një person ose grup trajtohet, është trajtuar ose do të trajtohej në mënyrë të pafavorshme në raport me një person ose grup tjetër në një gjendje faktike ose të mundshme, të krahasueshme ose të ngjashme, mbi baza diskriminuese.
Sipas nenit 32 të Ligjit, një person që beson se është diskriminuar mund të ngrejë padi para një gjykate civile kompetente. Dispozitat e Ligjit për Procedurë Civile zbatohen në mënyrë përkatëse në procedurë, përveç nëse është rregulluar ndryshe me këtë Ligj. Procedura ka karakter urgjent.
Sipas nenit 33 të Ligjit, në procedurën për mbrojtje nga diskriminimi, përveç gjykatës me kompetencë të përgjithshme vendore, kompetencë ka edhe gjykata në territorin e së cilës ndodhet vendbanimi, përkatësisht selia e paditësit.
Llojet e padive përkatësisht kërkesave për padi që mund të ngrihen në procedurat për diskriminim janë përcaktuar në nenin 34.
Kalimi i përgjegjësisë së dëshmimit në rastet e diskriminimit parashikohet në nenin 37 të Ligjit, sipas të cilit paditësi që pretendon se është kryer diskriminim në përputhje me dispozitat e këtij Ligji është i detyruar të paraqesë faktet që e bëjnë të mundshme kërkesën dhe më pas përgjegjësia e dëshmisë kalon tek i padituri për të dëshmuar se nuk ekziston diskriminimi.
Dispozita relevante të së drejtës ndërkombëtare dhe
Praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejta të Njeriut
E drejta për veprim politik, përkatësisht pjesëmarrja politike, garantohet nga neni 25 i Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike, i miratuar në kuadër të OKB-së, sipas të cilit çdo qytetar ka të drejtën dhe mundësinë, pa asnjëlloj diskrimini të theksuar në nenin 2 dhe pa kufizime të paarsyeshme:
a) të marrë pjesë në drejtimin e punëve publike, qoftë drejtpërdrejt ose nëpërmjet përfaqësuesve të zgjedhur në mënyrë të lirë;
b) të votojë dhe të zgjidhet në zgjedhje periodike, autentike, të përgjithshme, të barabarta dhe të fshehta, të cilat do të sigurojnë shprehjen e lirë të vullnetit të zgjedhësve;
c) të pranohet, në kushte të përgjithshme dhe të barabarta, në shërbimin publik të vendit të tij.
Sipas Komitetit të të Drejtave të Njeriut, e drejta për pjesëmarrje të barabartë në çështjet publike e parashikuar në nenin 25 të Paktit është e lidhur ngushtë me idenë e demokracisë. Komiteti i të Drejtave të Njeriut në Komentin e tij të përgjithshëm nr.25 ka përcaktuar se kjo e drejtë “qëndron në thelbin” e qeverisjes demokratike të bazuar në pëlqimin e popujve dhe në parimet e Paktit. Fushëveprimi i saj material është i gjerë, pasi përfshin të drejtën e çdo qytetari për të marrë pjesë në kryerjen e çështjeve publike, të drejtën për të votuar dhe për t’u zgjedhur, si dhe të drejtën për të pasur qasje në shërbimet publike. Aspekti i parë – kryerja e punëve publike – u interpretua nga Komiteti si “një koncept i gjerë që lidhet me ushtrimin e pushtetit politik, në veçanti ushtrimin e pushteteve legjislative, ekzekutive dhe administrative. Kjo i përfshin të gjitha aspektet e administratës publike, formulimin dhe zbatimin e politikave në nivel ndërkombëtar, kombëtar, rajonal dhe lokal”. E drejta për të marrë pjesë në kryerjen e punëve publike mund të ushtrohet drejtpërdrejt përmes ushtrimit të funksioneve në organet legjislative, në ekzekutiv dhe përmes mekanizmave të demokracisë së drejtpërdrejtë ose përmes përfaqësuesve të zgjedhur në mënyrë të lirë, por edhe duke ushtruar ndikim përmes debateve publike ose organizatave të shoqërisë civile. Me fjalë të tjera, kryerja e punëve publike përfshin të drejtën për t’u përfshirë plotësisht dhe për të ndikuar në proceset e vendimmarrjes në çdo fazë: formulimin, monitorimin dhe zbatimin e politikave dhe legjislacionit që ndikojnë në bartësit e të drejtave.
Neni 1 i Protokollit nr.12 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut përcakton një ndalim të përgjithshëm të diskriminimit, duke parashikuar që gëzimi i çdo të drejte të përcaktuar me ligj duhet të sigurohet pa asnjë diskriminim në çfarëdolloj baze, siç janë gjinia, raca, ngjyra, gjuha, religjioni, mendimi politik ose çdo mendim tjetër, prejardhja kombëtare ose shoqërore, lidhja me një pakicë kombëtare, prona, lindja ose ndonjë status tjetër. Askush nuk duhet të diskriminohet nga ndonjë organ publik për asnjë nga arsyet e përcaktuara në paragrafin 1.
Lidhur me ndalimin e diskriminimit, nga praktika e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut rezulton se, për të qenë diskriminim, duhet të ekzistojë trajtim i ndryshëm midis personave në situata analoge ose situata të ngjashme relevante. Megjithatë, vetëm ndryshimet në trajtim të cilat bazohen në karakteristikat personale (ose “statusin”) sipas të cilave personat ose grupet e personave ndryshojnë nga njëri-tjetri mund ta vënë në zbatim atë dispozitë… Ndryshimi në trajtim midis personave në situata analoge ose situata të ngjashme relevante do të konsiderohet diskriminues vetëm nëse nuk ka justifikim objektiv ose të arsyeshëm, përkatësisht, nëse nuk ka “qëllim legjitim” ose nëse nuk ka “marrëdhënie të arsyeshme proporcionaliteti midis mjeteve të përdorura dhe qëllimit që synohet të arrihet”. (rastet Molla Sali v. Greece [GC], Andrejeva v. Latvia [GC] etj.)
E drejta për një gjykim të drejtë, e cila përfshin edhe të drejtën për një seancë publike, garantohet nga neni 6 paragrafi 1 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, sipas të cilit kushdo ka të drejtë për një seancë të drejtë dhe publike brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj për përcaktimin e të drejtave dhe detyrimeve të tij civile ose të çdo akuze penale kundër tij.
Sa i përket të drejtës për një seancë publike, me gojë para Gjykatës Kushtetuese, një rast relevant është rasti Selmani e të tjerët kundër Republikës së Maqedonisë (Ankesa nr.67259/14, Aktgjykimi i datës 09.02.2017, i cili ka të bëjë me ngjarjet e datës 24.12.2012 dhe largimin me forcë të gazetarëve nga salla e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë). Në këtë rast, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka konstatuar shkelje të nenit 6 të Konventës (e drejta për një gjykim të drejtë) sepse Gjykata Kushtetuese nuk arriti të mbajë seancë publike lidhur me kërkesën për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave. Gjykata Evropiane arriti në përfundimin se rasti i ankimuesve u shqyrtua vetëm para Gjykatës Kushtetuese, e cila veproi si gjykatë e shkallës së parë dhe të vetme. Asnjë organ tjetër gjyqësor nuk e kishte shqyrtuar çështjen para Gjykatës Kushtetuese, që nënkupton se parashtruesit kishin të drejtë për një seancë me gojë para Gjykatës Kushtetuese. Meqenëse Gjykata Kushtetuese nuk kishte mbajtur një seancë publike, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut konstatoi shkelje të nenit 6 paragrafi 1 të Konventës në lidhje me mosmbajtjen e seancës me gojë në procedurat para Gjykatës Kushtetuese.
Qëndrime të Gjykatës
Nga dispozitat kushtetuese të lartpërmendura rezulton se vlera themelore e rendit kushtetues të Republikës së Maqedonisë janë liritë dhe të drejtat themelore të njeriut dhe qytetarit të njohura në të drejtën ndërkombëtare dhe të përcaktuara me Kushtetutë dhe se sfera e këtyre lirive dhe të drejtave përfshin edhe liritë dhe të drejtat politike të qytetarit të cilat shprehen përmes të drejtës për bashkim dhe veprim politik, si formë dhe mënyrë që qytetari të marrë pjesë në jetën politike të vendit. Liria e veprimit politik, si një e drejtë themelore, përbën shprehje të saj dhe lidhet ngushtë me ushtrimin e të drejtave të tjera kushtetuese, siç janë e drejta e lirisë së mendimit dhe shprehjes publike të mendimit, liria e fjalës dhe e shfaqjes publike, e drejta e tubimit paqësor, liria e bashkimit me qëllim ushtrimin e bindjeve politike, e drejta e qytetarit për të paraqitur ankesa te organet shtetërore dhe për të marrë përgjigje lidhur me to.
Liria e veprimit politik është shprehje e sovranitetit të qytetarëve, përkatësisht e drejta demokratike e qytetarëve për të marrë pjesë në procesin politik, e cila nuk shterohet vetëm me votimin në zgjedhje në të cilat qytetarët zgjedhin përfaqësuesit e tyre në organet legjislative, por edhe me pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të qytetarëve në ushtrimin e pushtetit përmes referendumeve dhe formave të tjera të deklarimit. Përmes formave të ndryshme të veprimit politik, duke përfshirë format e demokracisë së drejtpërdrejtë (referendumi dhe iniciativa qytetare), qytetarët marrin pjesë në krijimin e vendimeve për çështje me interes publik. Për shembull, përmes një iniciative qytetare, qytetarët mund të paraqesin një propozim për të ndryshuar Kushtetutën, të propozojnë miratimin e një ligji ose të paraqesin një propozim për të shpallur një referendum.
Llojet e referendumeve, përkatësisht çështjet që vendosen në mënyrë të detyrueshme në referendum, përcaktohen me Kushtetutë, ndërsa mënyra dhe procedura për shpalljen e referendumit dhe inicimin e iniciativës qytetare janë çështje ligjore, përkatësisht i nënshtrohen rregullimit të Ligjit për Referendum dhe Format e Tjera të Deklarimit të Drejtpërdrejtë të Qytetarëve (“Gazeta Zyrtare e RM-së”, nr.81/2005, 3/2006 dhe 50/2006).
Një nga hapat e parë në procedurën lidhur me propozimin për inicimin e iniciativës qytetare në nivel shtetëror është shqyrtimi i rregullshmërisë së propozimit. Kjo detyrë nga Rregullorja e Kuvendit i është besuar kryetarit të Kuvendit, i cili, në përputhje me nenin 60, shqyrton rregullshmërinë e propozimit për inicimin e iniciativës qytetare për miratimin e ligjit, për shpalljen e referendumit në nivel shtetëror dhe për paraqitjen e një propozimi për ndryshimin e Kushtetutës. Nga dispozitat e Ligjit për Referendum dhe Format e Tjera të Deklarimit të Drejtpërdrejtë të Qytetarëve të përmendura më sipër, më saktësisht në dispozitën e nenit 67 paragrafi 5, rezulton se në rast se kryetari i Kuvendit konstaton se iniciativa është e parregullt, çështja që lidhet me iniciativën do të vendoset në rendin e ditës të seancës së parë të radhës të Kuvendit, e cila do të përcaktojë me konkluzion nëse iniciativa është e rregullt. E njëjta gjë rrjedh edhe nga dispozitat e neneve 191 dhe 192 të Rregullores së Kuvendit, meqenëse Rregullorja përcakton që kryetari i Kuvendit paraprakisht duhet t’ia paraqesë propozimin Komisionit Ligjvënës Juridik dhe komisionit amë, të cilët gjithashtu japin mendim te kryetari lidhur me rregullshmërinë e propozimit.
Në rastin konkret, parashtruesi i kërkesës dr.Dimitar Apasiev, në përputhje me kërkesat, përkatësisht kushtet materiale të nenit 66 të Ligjit për Referendum dhe Format e Tjera të Deklarimit të Drejtpërdrejtë të Qytetarëve, i paraqiti kryetarit të Kuvendit, mr.Talat Xhaferi, Propozim-kërkesë për inicimin e iniciativës qytetare në nivel shtetëror për të shpallur një referendum të detyrueshëm shtesë, me qëllim që të mundësohet mbledhja e 150.000 nënshkrimeve të përcaktuara me Kushtetutë për mbajtjen e një referendumi në të cilin qytetarët do të deklaroheshin për çështjen nëse janë pro vazhdimit të negociatave me BE-në, duke pranuar konkluzionet parlamentare nr.08-3238/1 të 16 korrikut 2022.
Pas marrjes së Propozim-kërkesës, kryetari i Kuvendit, mr.Talat Xhaferi, duke e shqyrtuar rregullshmërinë e saj, vlerësoi se propozimi nuk ishte përgatitur në përputhje me Rregulloren, përkatësisht se pyetja e ngritur ishte e papërshtatshme sepse përfundimet nuk ishin një akt i përgjithshëm juridik dhe kërkoi nga propozuesi që ta harmonizojë propozimin, duke theksuar se nëse ky harmonizim nuk do të bëhej, do të konsiderohej se propozimi nuk ishte paraqitur. Duke vepruar kështu, kryetari i Kuvendit iu referua dispozitës së nenit 136 të Rregullores, e cila përcakton se nëse projektligji nuk është përgatitur në përputhje me dispozitat e kësaj Rregulloreje, kryetari i Kuvendit, përpara se t’ua paraqesë atë deputetëve, i kërkon propozuesit ta harmonizojë atë me dispozitat e kësaj Rregulloreje. Nëse propozuesi nuk e ndryshon projektligjin brenda 15 ditëve nga kërkesa e kryetarit të Kuvendit, projektligji konsiderohet se nuk është paraqitur.
Gjykata Kushtetuese i pranoi deklaratat e z.Talat Xhaferi të paraqitura në seancën publike para Gjykatës se në këtë rast gjëja e vetme e saktë ishte të zbatoheshin vetëm dispozitat e neneve 135 dhe 136 të Rregullores së Kuvendit, pasi me të njëjtat rregullohet procedura kur një deputet paraqet një projektligj dhe i jepet autorizim kryetarit të Kuvendit t’i kërkojë deputetit ta harmonizojë propozimin brenda një afati të caktuar kohor dhe se në këtë rast, parashtruesi i kësaj kërkese, dr.Dimitar Apasiev, duhej të kishte vepruar brenda atij afati dhe ta kishte rregulluar parashtresën. Kjo për shkak se rasti ka të bëjë me paraqitjen e një iniciative qytetare nga një deputet, prandaj ishte mjaft logjike që njoftimi t’i dorëzohej atij në vendin e tij të punës në Kuvend, dhe jo në adresën e tij të shtëpisë. Nga deklaratat e palëve në seancën publike, del qartë se parashtruesi i kërkesës për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave, Dimitar Apasiev, nuk e ka respektuar afatin 15-ditor për rregullimin e parashtresës ose propozimit, prandaj për këtë arsye ajo është hedhur poshtë sikur të mos ishte paraqitur.
Gjykata konstatoi se duke vepruar në këtë mënyrë me iniciativën e paraqitur nga parashtruesi, kryetari i Kuvendit nuk i ka tejkaluar kompetencat e tij, sepse nga dispozitat e Rregullores së Kuvendit, veçanërisht nga dispozita e nenit 60 të Rregullores, rezulton qartë se kryetari i Kuvendit shqyrton rregullshmërinë e propozimit për inicimin e një iniciative qytetare për të shpallur referendum në nivel shtetëror, kështu që me dorëzimin e njoftimit në fjalë se iniciativa duhet të plotësohet dhe ndryshohet, kryetari i Kuvendit, z.Talat Xhaferi, i ka përmbushur detyrimet e tij ligjore dhe procedurale për të siguruar zbatimin e Rregullores. Me këtë veprim të kryetarit të Kuvendit, sipas mendimit tonë, nuk është shkelur liria e veprimit politik të parashtruesit dr.Dimitar Apasiev sipas nenit 110 alineja 3 e Kushtetutës, pasi ai si deputet kishte në dispozicion mjete dhe instrumente të tjera përmes të cilave mund të kishte ngritur çështjen e shpalljes së një referendumi në nivel shtetëror për çështjen specifike para Kuvendit, siç është, për shembull, mundësia e dhënë nga neni 184 i Rregullores së Kuvendit, sipas të cilit çdo anëtar i parlamentit ka të drejtë t’i propozojë Kuvendit miratimin e deklaratave, rezolutave, vendimeve, rekomandimeve dhe akteve të tjera të përgjithshme.
Në procedimet dhe veprimet e z.Talat Xhaferi, sipas vlerësimit të Gjykatës, nuk ka elementë diskriminimi, sepse pas iniciativës që më parë (në shtator 2022) ishte paraqitur nga partia politike VMRO-DPMNE për shpalljen e referendumit në lidhje me marrëveshjen me Bullgarinë, kryetari i Kuvendit veproi në të njëjtën mënyrë dhe e informoi parashtruesin e iniciativës se ajo ishte e parregullt për arsye formale dhe nuk e dërgoi atë në komisionet kompetente parlamentare.
Nga e gjithë kjo që u përmend më sipër, rezulton se, bazuar në gjendjen faktike të vërtetuar të seancës publike, nuk ka fakte dhe prova juridikisht relevante se në rastin konkret dhe me veprimet konkrete të ndërmarra nga kryetari i atëhershëm i Kuvendit, z.Talat Xhaferi, është shkelur liria e veprimit politik të parashtruesit, dr.Dimitar Apasiev, dhe se ai është diskriminuar për shkak të përkatësisë së tij politike, prandaj Gjykata vlerësoi se janë përmbushur kushtet e nenit 56 të Rregullores së Gjykatës Kushtetuese për refuzimin e kërkesës.
IV
Bazuar në sa më sipër, Gjykata me shumicë votash vendosi si në dispozitivin e këtij vendimi.
KRYETAR
i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut,
dr.Darko Kostadinovski