BZSP.nr.9/2025

Gjykata Kushtetuese e
Republikës së Maqedonisë së Veriut
BZSP.nr.9/2025
Shkup, 19.11.2025

         

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në përbërje të Kryetarit të Gjykatës, dr.Darko Kostadinovski dhe gjykatësve Naser Ajdari, mr.Tatjana Vasiq-Bozaxhieva, dr.Jadranka Daboviq-Anastasovska, dr.Osman Kadriu, Dobrilla Kacarska, dr.Ana Pavllovska – Daneva dhe mr.Fatmir Skender, në bazë të nenit 110 alineja 3 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, nenit 72 alineja 2 dhe nenit 79 paragrafi 2 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.115/2024), në seancën e mbajtur më 19 nëntor 2025, miratoi

V E N D I M

  1. PRANOHET kërkesa për shkelje të lirisë së mendimit dhe shprehjes publike të mendimit të Biljana Nikollovska Todorova nga Shkupi, Igor Jankovski nga Shkupi dhe Tome Angellovski nga fshati Mesheishtë, Debërcë.
  2. KONSTATOHET shkelja e lirisë së mendimit dhe shprehjes publike të mendimit të Biljana Nikollovska Todorova nga Shkupi, Igor Jankovski nga Shkupi dhe Tome Angellovski nga fshati Mesheishtë, Debërcë, e kryer me Aktgjykimin XXI P4-401/20, të datës 15.07.2022 të Gjykatës Themelore Civile të Shkupit dhe Aktgjykimin GZH-1463/23, të datës 19.12.2024 të Gjykatës së Apelit të Shkupit.
  3. Ky vendim do të publikohet në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut”.

Arsyetim

I

Biljana Nikollovska Todorova, Igor Jankovski dhe Tome Angellovski, të gjithë nëpërmjet avokatit Filip Medarski nga Shkupi, kanë parashtruar kërkesë në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut për mbrojtjen e lirisë dhe të drejtës për shprehjen publike të mendimit. Në kërkesë thuhet se si punonjës së TV “Tellma” në cilësinë e gazetares, kameramanit dhe organizatorit të një ekipi gazetaresk, kanë ngritur padi në Gjykatën Themelore Civile të Shkupit kundër Republikës së Maqedonisë së Veriut për kompensim të dëmit material për shkak të frikës së përjetuar dhe për kompensim të dëmit jomaterial për shkelje të lirisë së shprehjes, për shkak të mosmarrjes së veprimeve nga ana e shtetit më 27.04.2017, për të mbrojtur integritetin fizik dhe psikik, si dhe për të ndërmarrë veprimet e duhura për të mbrojtur lirinë e shprehjes.

Parashtruesit, në ditën kritike më 27.04.2017, në orën 18:30 si ekip gazetaresk, si punonjës të TV “Tellma” mbërritën në oborrin e Kuvendit, me qëllimin e vetëm për të transmetuar drejtpërdrejt tubimin publik të një grupi të qytetarëve, që zhvillohej para Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ndërsa po përgatitnin pajisjet për të filluar transmetimin drejtpërdrejt, në një moment turma filloi të hiqte me forcë barrierat mbrojtëse të vendosura si korridor, qëllimi i të cilave ishte të pengonte turmën të hynte në Kuvend, ndërsa policia që siguronte Kuvendin dhe oborrin e tij nuk reagoi fare ndaj gjithë kësaj sjelljeje. Përkundrazi, ata vetëm shikonin parashtruesit në fjalë, madje disa nga punonjësit e policisë që ruanin hyrjen kryesore të Kuvendit, përshëndetën disa nga demonstruesit.

Parashtruesit filluan duke raportuar drejtpërdrejt për situatën e përshkallëzuar para Kuvendit, por për shkak të valës së madhe dhe të shpejtë të turmës, ata u rrethuan dhe nuk mund të tërhiqeshin ose të largoheshin nga oborri i Kuvendit. Në një situatë të tillë, ndërsa bazuar në përvojën e tyre të mëparshme nga tubimet publike para Kuvendit, parashtruesit prisnin që policia të ndërhynte në kohë dhe mos të shkaktoheshin pasoja më të mëdha. Gjatë raportimit të tyre, ata vunë re se dyert e Kuvendit ishin hapur nga brenda, se policia u tërhoq dhe se demonstruesve iu lejua të hynin brenda.

Duke pasur parasysh faktin se ishin të rrethuar nga turma e demonstruesve, ata u shtynë brenda në hollin e Kuvendit së bashku me ta. Në shkallët e hollit, parashtruesit vunë re praninë e njësive speciale, por kishin ndjesinë dhe mendimin se ata nuk ushtronin asnjë rezistencë, por përkundrazi, kishin ndjesinë sikur po komunikonin me njerëzit që kishin hyrë me forcë në Kuvend dhe nuk ndërmerrnin asnjë masë për të mbrojtur Kuvendin.

Të paralajmëruar nga kolegët e tyre gazetarë, të cilët në atë kohë ndodheshin në qendrën e shtypit të Kuvendit, që të largoheshin nga ndërtesa sa më shpejt të ishte e mundur, sepse turma ishte e dhunshme dhe e zemëruar ndaj të gjithë ”tjetërmendasve”, parashtruesit, të frikësuar për jetën dhe sigurinë e tyre, u fshehën në një cep dhe vëzhguan situatën.

Në afërsi të tyre ishin personat zyrtarë me uniformë, por ata nuk ndërmorën asnjë masë për t’i evakuuar dhe për t’ua shpëtuar jetën, pavarësisht kërcënimeve dhe fyerjeve drejtuar qartas ndaj tyre. Për shkak të mosmarrjes së dukshme të masave për t’i evakuuar dhe mbrojtur ata, parashtruesit arritën në përfundimin se ishin të pasigurt dhe se nuk mund të mbështeteshin te personat zyrtarë me uniformë për mbrojtjen e tyre. Me kalimin e kohës, parashtruesit kishin marrë informacione se grupe të shumta përkrahësish të dy partive politike ishin drejtuar drejt Kuvendit, gjë që shtoi frikën për sigurinë e tyre, veçanërisht për shkak të faktit se punonjësit e policisë të pranishëm në Kuvend nuk ndërmerrnin asnjë veprim, e as policia nuk ndërmori ndonjë veprim për të shpërndarë turmën dhe për t’i larguar ata nga ndërtesa e Kuvendit.

Parashtruesit nuk mundën të largoheshin nga ndërtesa e Kuvendit sepse turma demonstruesish po hynin vazhdimisht, policia që ishte e pranishme nuk i ndaloi fare, dhe në një moment demonstruesit nga turma filluan t’i trajtonin dhunshëm si ekip gazetaresk, duke i pyetur: “nga cili televizion jeni?”, me ç’rast nuk u lejuan të largoheshin nga Kuvendi dhe si pasojë ngelën të bllokuar në holl për dy deri në tri orët e ardhshme.

Rreth orës 22:00, në vendngjarje kishin mbërritur pjesëtarë të Njësisë së Ndërhyrjes së Shpejtë (NJNSH), të cilët kanë hyrë përmes hyrjes kryesore të Kuvendit dhe janë drejtuar në katin e parë, ku kanë filluar ta shtyjnë turmën poshtë. Në ato momente është përhapur panik ndërmjet të pranishmëve, ku disa kanë filluar të iknin, ndërsa disa të tjerë kanë bërë thirrje që njerëzit të hynin brenda, gjë që ua ka shtuar ndjenjën e frikës parashtruesve se do të sulmoheshin dhe në rastin më të keq, do të vriteshin. Brenda një kohe të shkurtër, dritat në ndërtesën e Kuvendit janë fikur dhe parashtruesit, të frikësuar për veten dhe sigurinë e tyre, kanë arritur të kalonin nëpër turmë dhe të dilnin nga hyrja kryesore e Kuvendit në mënyrë që të mos njiheshin si ekip gazetaresk nga turma e zemëruar, por pa sukses.

Turma e demonstruesve e njohën si gazetare të TV “Tellma” parashtruesen Biljana Nikollovska Todorova, dhe si pasojë kanë filluar të bërtisnin fjalë fyese ndaj saj. Demonstruesit kanë vrapuar drejt tyre dhe kanë filluar të hidhnin shufra dhe gurë.

Parashtruesit, të tmerruar kanë vrapuar drejt shtëpisë së ARM-së, ku kanë vënë re një automjet policie me rreth tridhjetë policë, me shpresën se do t’i mbronin nga turma e zemëruar që po vraponte drejt tyre. Punonjësit e policisë u kishin thënë që të iknin, pasi ata nuk mund t’u ndihmonin. Parashtruesit më pas kanë vazhduar të iknin dhe pranë AMSM-së, pasi kanë arritur të shpëtonin nga turma, kanë kontaktuar redaksinë e TV “Tellma” për t’u dërguar një automjet pa shenja dalluese të televizionit, me të cilin janë dërguar në selinë e TV “Tellma”.

Në një gjendje të tillë faktike, parashtruesit në kërkesën e padisë drejtuar Gjykatës Themelore Civile Shkup theksuan se liria e shprehjes, në kuptimin e nenit 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut të Këshillit të Evropës, nënkupton edhe të ashtuquajturat detyrime pozitive të shtetit, të cilat synojnë mbrojtjen e sigurisë së gazetarëve gjatë kryerjes së detyrave të tyre.

Konkretisht, parashtruesit citojnë nenin 3 paragrafët 1 dhe 2 të Ligjit për Media, me të cilët garantohet liria e shprehjes dhe liria e mediave dhe përcaktohet fushëveprimi i lirisë së mediave.

Në rastin konkret, shteti, përmes institucioneve përkatëse shtetërore, nuk garantoi sigurinë e parashtruesve gjatë kryerjes së punës së tyre në Kuvend. Aq më tepër që, siç mund të shihet nga video incizimi, një deputet i Kuvendit kishte hequr hekurin e sigurisë me qëllim që të hapeshin dyert e Kuvendit.

Pas prezantimit të të gjitha dëshmive në procedurën e shkallës së parë, më 15.07.2022, Gjykata Themelore Civile e Shkupit ka miratuar Aktgjykimin 21P4-401/20, duke e refuzuar kërkesëpadinë e parashtruesit në tërësi dhe ndër të tjera, edhe për shkeljen e lirisë së shprehjes. Arsyetimi i gjykatës së shkallës së parë në këtë pjesë është si në vijim:

“Në rastin konkret, neni 10 i Konventës Evropiane për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut i referohet mundësisë që secili të shprehë mendimin e tij në jetën e përditshme dhe jo në kushte kur ndodhin akte dhune, siç ishte ngjarja më 27.04.2017. Interpretimi i këtij neni në kësisoj rrethana siç janë këto konkretet,  duke marrë parasysh që paditësit si një gazetar, kameraman dhe organizator, përkatësisht si një ekip gazetaresk, u penguan të raportonin, përbën një interpretim të dispozitës jashtë qëllimit të saj për të cilin është përcaktuar. Në një situatë të tillë, siç është ngjarja e datës 27.04.2017, shteti e ka për detyrim të kujdeset për mbrojtjen e shëndetit, jetës dhe pronës së të gjithë personave fizikë dhe juridikë, kështu që nuk mund të thuhet se bëhet fjalë se shteti nuk u ka mundësuar paditësve si ekip gazetaresk të shprehin mendimet e tyre pa frikë”.

Kundër këtij aktgjykimi, parashtruesit, nëpërmjet të autorizuarit të tyre, avokatit Filip Medarski nga Shkupi, kanë parashtruar ankesë në kohë në Gjykatën e Apelit të Shkupit, e cila më 19.12.2024 ka miratuar Aktgjykimin GZH-1463/23, duke e refuzuar ankesën e parashtruesve si të pabazë, me arsyetimin se:

“Fakti që aktet e dhunës ndodhën në vendin dhe kohën kur paditësit po kryenin detyrat e tyre profesionale, gjykata e shkallës së parë ka konstatuar saktë se kjo nuk nënkupton ndërhyrje nga shteti në ushtrimin e të drejtës së lirisë së shprehjes së paditësve siç pretendohet në padi. E drejta e ​​lirisë së shprehjes dhe liria e mediave siç është shënuar në nenin 3 paragrafët 1 dhe 2 të Ligjit për Media nënkupton se liria e përcaktuar kështu është e dyanshme, ku gazetarët kanë të drejtë të raportojnë, dhe qytetarët si recipientë të marrin informacione, prandaj nuk mund të konkludohet se shteti ka shkelur të drejtën e lirisë së paditësve për të informuar dhe se duke vepruar kështu, ka shkelur edhe të drejtën e qytetarëve për të marrë informacionet e transmetuara nga paditësit”.

Gjykata e Apelit gjatë vendimmarrjes nuk e mori parasysh qëndrimin e Gjykatës Kushtetuese të shprehur në vendimet paraprake, siç është Vendimi U.br.142/2023 i datës 10.07.2023, në të cilin Gjykata konstatoi se shteti në rrethana të jashtëzakonshme dhe të dhunshme, si ato të lartpërmendurat ka shkelur të drejtën e shprehjes së lirë të mendimit.

Qëndrimi i Gjykatës së Apelit sa i përket vendimit të miratuar nga Gjykata Kushtetuese gjatë gjykimit me një rast ku situata ose veprimi ishin identik ose të ngjashëm, shprehet në arsyetimin e Aktgjykimit GZH-1463/23 të datës 19.12.2024, me të cilin vlerësoi se efektet e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, me të cilat anulohet ndonjë akt i veçantë përfundimtar ose akti i plotfuqishëm, me të cilin është shkelur ndonjë liri ose e drejtë e qytetarit, kufizohen vetëm ndërmjet palëve në kontestin që është zgjidhur me aktin e anuluar, respektivisht veprimi i vendimeve të tilla të Gjykatës Kushtetuese është inter partes.

Parashtruesit e morën aktgjykimin e lartpërmendur më 16.04.2025, përmes personit të autorizuar, avokatit Filip Medarski nga Shkupi.

Bazuar në nenet e cituara të Kushtetutës dhe Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut është e qartë se gazetarët gëzojnë mbrojtje në kuadër të lirisë së garantuar të shprehjes (liria e garantuar e informimit publik nga neni 16 i cituar i Kushtetutës, si dhe liria e shprehjes nga neni 10 i Konventës Evropiane).

Nga vendimet e lartpërmendura gjyqësore, ndër të tjera, edhe nga arsyetimet e tyre, konstatohet se dy gjykatat e interpretuan nenin 10 të KEDNJ-së në një mënyrë që i referohet mundësisë që secili të shprehë mendimin e tij në jetën e përditshme, dhe jo në kushte kur ndodhin akte dhune, siç ishte ngjarja më 27.04.2017. Ky mund të ishte një konstatim i saktë, por në një gjendje tjetër faktike, domethënë, nëse vetë parashtruesi me vullnet të lirë kishte vendosur të merrte pjesë në demonstrata dhe më pas me demonstruesit e tjerë të hynte në Kuvend dhe nëse në këtë rast i kishte ndodhur diçka gjatë kryerjes së veprimtarisë së tij. Ndërkaq, këtu bëhet fjalë për një gjendje faktike krejtësisht ndryshe.

Parashtruesit, si një gazetar, kameraman dhe organizator i një ekipi gazetaresk, përkatësisht si punonjës mediatikë, kanë qenë të pranishëm në oborrin e Kuvendit, ku kanë raportuar për çështje me interes publik, për tubimin publik të një grupi qytetarësh, që zhvillohej para Kuvendit. Detyra e shtetit ishte të parandalonte çdo përpjekje për të hyrë në Kuvend, kështu që nuk ka qenë i saktë konkluzioni i dy gjykatave se në rastin konkret nuk mund të zbatohen neni 10 i Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe neni 16 i Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, përkatësisht se siguria e parashtruesit nuk përfshihet në nenin 10 të KEDNJ-së dhe nenit 16 të Kushtetutës.

Nga arsyetimi i dy gjykatave imponohet nevoja për t’iu përgjigjur dy pyetjeve, përkatësisht: situatës gjatë pranisë së parashtruesve në Kuvend, dhe nëse me mosndërhyrjen e shtetit më 27.04.2017, në drejtim të mosmarrjes së masave parandaluese (pasi kishte një numër të mjaftueshëm të punonjësve policorë që do të siguronin Kuvendin) ndaj çdo sulmi nga demonstruesit, përbën shkelje të lirisë së shprehjes së parashtruesve, në kuptimin që me mosmarrjen e veprime të tilla është vënë në pikëpyetje siguria e tyre.

Lidhur me atë që u tha më sipër, Gjykata Themelore Civile e Shkupit dhe Gjykata e Apelit Shkup, së pari, nuk arritën në konkluzion se parashtruesi ka raportuar në një atmosferë paqësore dhe normale kuvendore për çështjet me interes publik. Për më tepër, Kuvendi, përveçse është organi më i lartë shtetëror, ku deputetët mund të ushtrojnë lirinë e tyre politike të shprehjes dhe gazetarët mund ta përcjellin lirisht atë informacion te publiku, patjetër duhet të jetë edhe një vend ku të gjithë të pranishmit do të ndihen të sigurt në ushtrimin e lirive të tyre. Kështu, shteti e ka për detyrë të mbrojë të gjithë të pranishmit në Kuvend dhe ai nuk e ka bërë këtë. Prandaj, kjo nuk është një situatë në të cilën parashtruesit në cilësinë e gazetarit, kameramanit dhe organizatorit të ekipit gazetaresk, si punonjës të medias u angazhuan në raportimin e një “konflikti”, por përkundrazi ata ishin objekt i sulmit për shkak të mosmarrjes së masave nga organet shtetërore kompetente. Së dyti, gjykatat duhet ta vlerësojnë sigurinë e parashtruesve si pjesë përbërëse të lirisë së tyre të shprehjes, pasi ata ka qenë të pranishëm në Kuvend si një ekip gazetaresk i akredituar. Sido që të jetë, në këtë rast nga dëshmitë dhe video incizimet, mund të arrihet në një përfundim të vetëm se shteti nuk ndërmori veprime mbrojtëse paraprake dhe ato që ndërmori ishin të vonuara.

Për më tepër, parashtruesit në kërkesën në fjalë theksojnë se në arsyetimin e aktgjykimeve, të dyja gjykatat nuk morën parasysh rrethanat se trazirat e këtilla u organizuan nga shteti, respektivisht nga një deputet, ministri i Punëve të Brendshme dhe persona të punësuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe organet e tyre përbërëse. Prandaj, pa diskutim, parashtruesit konsiderojnë se duhet të merret parasysh se shteti nuk ndërmori asnjë veprim për të mbrojtur të pranishmit në Kuvend, sepse shteti i organizoi ato. Këto demonstrata nuk dallonin nga ato të mëparshmet, kur përdoreshin masa dhe aktivitete me çfarëdolloj mjetesh për të shpërndarë turmat para Kuvendit, por vetëm në këtë ditë kritike, më 27.04.2017, shteti nuk përdori asnjë masë dhe mjet për ta parandaluar turmën që të hynte në Kuvend.

Në një gjendje të tillë faktike, parashtruesit konsiderojnë se gjykatat nuk e kanë zbatuar siç duhet KEDNJ-në, e as nuk kanë dhënë një interpretim juridikisht relevant të lirisë së shprehjes të garantuar me Kushtetutë. Në përputhje me interpretimet e nenit 10 të KEDNJ-së, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut thekson se ky nen krijon një detyrim pozitiv për shtetin për të siguruar mbrojtjen e atyre që janë në rrezik nga sulmet fizike ose të tjera për shkak të ushtrimit të lirisë së tyre të shprehjes. Për shembull, në rastin Ozgur Gundem kundër Turqisë, 2000, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, në paragrafin 43 theksoi: “Gjykata rikujton rëndësinë e lirisë së shprehjes si një parakusht për një demokraci funksionale. Në të vërtetë, ushtrimi efektiv i kësaj lirie nuk bazohet vetëm në detyrimin e shtetit për të mos ndërhyrë, por mund të përfshijë edhe masa pozitive mbrojtjeje, madje edhe në sferën e marrëdhënieve midis individëve. Gjatë determinimit nëse ekziston ndonjë detyrim pozitiv, duhet të vlerësohet nëse është arritur një ekuilibër i drejtë ndërmjet interesit publik në shoqëri dhe interesit të individit, gjë që është karakteristike për Konventën. Shtrirja e këtij detyrimi domosdoshmërisht ndryshon, nëse marret parasysh diversiteti i situatave në shtetet kontraktuese, vështirësia e hartimit të politikave në shoqëritë moderne dhe zgjedhjet që duhet të bëhen në varësi të prioriteteve dhe burimeve. Megjithatë, një detyrim i tillë nuk duhet të interpretohet në një mënyrë që do të impononte një barrë të pamundur ose joproporcionale mbi pushtetin”.

Në një rast tjetër, Dink kundër Turqisë, 2010, ku bëhet fjalë për vrasjen e gazetarit Firat Dink, i njohur si Hrant Dink, që ndodhi në një kohë kur kundër tij po zhvillohej procedurë gjyqësore për shkak të fyerjes së turqizmit, e cila po zhvillohej sipas kërkesës së një grupi nacionalist. Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut konstatoi shkelje të nenit 10, në kuptimin që procedura e zhvilluar kundër tij, e kombinuar me mungesën e mbrojtjes për të cilën ai kishte nevojë, përbënte një ndërhyrje në të drejtën e tij për lirinë e shprehjes. Po në të njëjtin rast, Gjykata vendosi se “shtetet janë të detyruara të krijojnë një mjedis të favorshëm për pjesëmarrjen e të gjithë personave të interesuar në debatet publike, duke u mundësuar atyre të shprehin mendimet dhe idetë e tyre pa frikë, si dhe duke u garantuar që askush nuk do të cenojë sigurinë e tyre gjatë transmetimit të informacionit me karakter publik. (Dink kundër Turqisë § 137)”.

Për më tepër, në pjesën II. Parimet nga pika 21 e Rekomandimit CM/Rec (2016) 4 të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës drejtuar shteteve anëtare mbi mbrojtjen e gazetarëve dhe sigurinë e gazetarëve dhe punonjësve të tjerë të medias, thuhet se: “Dimensioni thelbësor përfshin një detyrim primar të Shtetit për të garantuar të drejtën për jetë në një mënyrë që do të vendosë dispozita penale efektive që do të dekurajojnë kryerjen e veprave penale kundër individëve, të mbështetura nga një aparat detyrues për parandalimin, shtypjen dhe ndëshkimin e shkeljeve të dispozitave të tilla. Kjo gjë, gjithashtu, në rrethana të përshtatshme shtrihet në një detyrim pozitiv të pushteteve për të marrë masa parandaluese operative për të mbrojtur individët, jeta e të cilëve është në rrezik nga aktivitetet kriminale të individëve të tjerë. Duke marrë parasysh vështirësitë e hartimit të politikave në shoqëritë moderne, pa parashikueshmërinë e sjelljes njerëzore dhe vendimet operative që duhet të merren në përputhje me prioritetet dhe burimet, fushëveprimi i detyrimit pozitiv duhet të interpretohet në një mënyrë që të mos imponojë një barrë të pamundur ose joproporcionale mbi pushtetet. Pavarësisht kësaj, pushtetet duhet t’i kushtojnë vëmendje pozitës së të cenueshme në të cilin vendosen gazetarët për të mbuluar tema politikisht të ndjeshme “vis-a-vis” me ata që janë në pushtet”.

Gjithashtu, sipas parashtruesve, Aktgjykimet e cituara të Gjykatës Themelore Civile të Shkupit dhe Gjykatës së Apelit të Shkupit kanë një implikim serioz me të ashtuquajturin efekt frenues (chilling effect) mbi lirinë e shprehjes. Konkluzionet e këtilla në mënyrë të pashmangshme krijojnë implikime në praktikën gjyqësore se në ngjarje të tilla, të njëjta ose të ngjashme, shteti në të vërtetë nuk e ka për detyrë të mbrojë lirinë e shprehjes, përkatësisht të ndërmarrë masa parandaluese, të parandalojë ose të ndërhyjë në kohën e duhur për të shmangur rrezikun për personat që ushtrojnë lirinë e shprehjes.

Sipas kësaj, parashtruesit konsiderojnë se Gjykata Kushtetuese ka baza të mjaftueshme për të interpretuar dhe ofruar mbrojtje në përputhje me nenin 16 të Kushtetutës, përkatësisht lirinë e mendimit dhe shprehjen publike të mendimit, si dhe nenin 10 të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, veçanërisht duke marrë parasysh vendimet U.br.146/2021, U.br.11/2023 dhe U.br.26/2023, me të cilat Gjykata Kushtetuese ka konstatuar shkelje të të drejtave të parashtruesve Vllatko Stojanovski, Dushica Mërgja dhe Goran Tërpenoski, prandaj konsiderojnë se ekzistojnë kushte që edhe në këtë rast Gjykata të mbajë të njëjtin qëndrim dhe të konstatojë shkelje.

Bazuar në pretendimet e paraqitura, si dhe në dëshmitë e propozuara, është e pakontestueshme se më 27.04.2017, nga ana e shtetit nuk janë ndërmarrë masa parandaluese për të parandaluar hyrjen e turmës në Kuvend, dhe nuk është reaguar për tri deri në katër orë për të stabilizuar situatën në Kuvend, duke e bërë kështu shtetin të mos përmbushë detyrimin e tij pozitiv për të mbrojtur gazetarët, dhe me këtë edhe parashtruesit, të cilët atë ditë si ekip gazetaresk po raportonin për çështje me interes publik. Prandaj, propozohet që Gjykata Kushtetuese të konstatojë shkelje të lirisë së bindjes, ndërgjegjes, mendimit dhe shprehjes publike të mendimit sipas nenit 16 të Kushtetutës dhe nenit 10 të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe të përcaktojë masa për mënjanimin e shkeljes.

II

Në seancë, Gjykata, bazuar në analizën e plotë të kërkesës së parashtruar nga parashtruesit, si dhe në analizën e dy aktgjykimeve dhe dëshmive të siguruara, konstatoi gjendjen faktike si më poshtë:

Në ditën kritike, më 27.04.2017, parashtruesit e kërkesës, si ekip gazetaresk i akredituar, punonjës të SHTR TV ”Tellma”, ishin dërguar nga punëdhënësi i tyre për të raportuar mbi rrjedhën e protestës së qytetarëve të mbledhur në oborrin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe mbi atë se çfarë po ndodhte në ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku mbahej seanca për zgjedhjen e kryetarit të tij.

Paralelisht me seancën, jashtë ndërtesës së Kuvendit u zhvilluan protesta, të cilat u intensifikuan për shkak se shumica e re parlamentare duhej të zgjidhte kryetarin e ri të Kuvendit. Ndërsa po zhvillohej zgjedhja e kryetarit të ri, parashtruesit, si ekip gazetaresk, ishin në oborrin e Kuvendit në orën 6:30 të mbrëmjes dhe po përgatitnin pajisjet e tyre për të filluar transmetimin drejtpërdrejt.

Në një moment, turma filloi të hiqte me forcë barrierat mbrojtëse të vendosura si korridor. Parashtruesit filluan të transmetonin drejtpërdrejt situatën e përshkallëzuar përpara Kuvendit, por për shkak të valës së madhe dhe të shpejtë të turmës, ata u rrethuan dhe nuk mund të tërhiqeshin ose të largoheshin nga oborri i Kuvendit. Në një situatë të tillë, parashtruesit prisnin që policia të ndërhynte në kohën e duhur dhe se nuk do të shkaktoheshin pasoja të mëdha. Gjatë raportimit të tyre të drejtpërdrejtë, parashtruesit vunë re se dyert e Kuvendit u hapën nga brenda, se policia u tërhoq dhe se demonstruesve iu lejua të hynin pa pengesa në ambientet e Kuvendit.

Parashtruesit, duke pasur parasysh faktin se ishin të rrethuar nga turma e demonstruesve, së bashku me ta u shtynë në hollin e Kuvendit, prej nga vazhduan të raportonin drejtpërdrejt. Gjatë periudhës kur parashtruesit ishin brenda Kuvendit, personat nga turma lëviznin lirshëm nëpër Kuvend, ndërsa policia dhe siguria e Kuvendit nuk morën asnjë masë për t’i mbrojtur ata. Parashtruesit, u paralajmëruan nga kolegët e tyre gazetarë që ishin në qendrën e shtypit të Kuvendit që të largoheshin nga ndërtesa sa më shpejt të ishte e mundur, sepse turma ishte e dhunshme dhe e zemëruar ndaj të gjithë ”tjetërmendasve”.

Parashtruesit, të frikësuar për jetën dhe sigurinë e tyre, u fshehën në një cep dhe vëzhguan. Pranë tyre kishte persona me uniformë, por ata nuk morën asnjë masë për t’i evakuuar dhe për t’u shpëtuar jetën, pavarësisht kërcënimeve dhe fyerjeve të qarta që iu drejtuan nga demonstruesit. Gjatë gjithë kohës që zgjati kjo situatë, parashtruesit kishin përshtypjen se policia që duhej t’i mbronte nga trazirat ishte në komunikim me demonstruesit, ku më pas ata arritën në përfundimin se nuk ishin të sigurt dhe se nuk mund të mbështeteshin te personat zyrtarë për t’i mbrojtur.

Me kalimin e kohës, parashtruesit dëgjuan se turma të shumta përkrahësish të dy partive politike po shkonin drejt Kuvendit, gjë që ua shtoi frikën për sigurinë e tyre, veçanërisht për shkak të faktit se kishin një pasqyrë të qartë se punonjësit e policisë, të pranishëm në Kuvend nuk ndërmerrnin asnjë veprim. Ata u detyruan të qëndronin në hollin e Kuvendit për dy deri në tri orët e ardhshme, ku numri i demonstruesve nuk u zvogëlua fare, sjellja ishte e dhunshme dhe pjesëtarët e MPB-së që ishin të pranishëm nuk e kryenin detyrën e tyre ligjore dhe nuk ndërmerrnin masa për siguri dhe mbrojtje. Parashtruesit, si ekip gazetaresk, nuk mundën të largoheshin nga ndërtesa sepse një turmë njerëzish qëndronin te dera e Kuvendit, të cilët në një moment filluan të silleshin dhunshëm ndaj tyre dhe t’i pyesnin se nga cili televizion ishin, duke mos u lejuar atyre të largoheshin nga ndërtesa e Kuvendit.

Rreth orës 21:30, në vendngjarje mbërritën pjesëtarë të Njësisë së Ndërhyrjes së Shpejtë (NJNSH), të cilët hynë përmes hyrjes kryesore të Kuvendit, u drejtuan në katin e parë dhe filluan ta shtyjnë turmën poshtë. Në ato momente, për një kohë të shkurtër u fikën dritat në ndërtesën e Kuvendit, u dëgjua një shpërthim, u përhap panik ndërmjet të pranishmëve, disa filluan të iknin, e disa të tjerë të thërrisnin që njerëzit të hynin brenda, gjë që ua shtoi ndjenjën e frikës parashtruesve se do të sulmoheshin. Në një moment, parashtruesit së bashku me disa nga të pranishmit në turmë, arritën të largoheshin nga Kuvendi përmes hyrjes kryesore.

Pasi dolën nga Kuvendi, një person nga turma njohu Biljana Nikollovska Todorovën dhe filloi të bërtiste fjalë fyese ndaj saj, ndërsa më pas demonstruesit vrapuan drejt parashtruesve dhe hodhën në drejtim të tyre gurë dhe shufra. Parashtruesit, të tmerruar vrapuan drejt shtëpisë së ARM-së, ku vunë re një automjet policie me rreth tridhjetë policë, me shpresën se do t’u ofronin ndihmë. Megjithatë, policët u kanë thënë që të iknin, pasi ata nuk mund t’u ndihmonin. Parashtruesit më pas kanë vazhduar të iknin me vrap, pasi ende ndiqeshin nga persona të panjohur, dhe diku afër LAMM-së ata kanë arritur të shpëtonin nga turma, ku më pas kanë kontaktuar redaksinë e TV “Tellma” me kërkesë për t’u dërguar atyre një automjet pa shenja dalluese të televizionit për t’i dërguar ata në selinë e televizionit.

Parashtruesit parashtruan padi në Gjykatën Themelore Civile në Shkup, duke kërkuar që e paditura, Republika e Maqedonisë së Veriut të detyrohet të paguajë kompensim për dëmin jomaterial për shkak të frikës së përjetuar, me një shumë prej 190,000.00 denarëve për secilin, dhe kompensim për shkelje të lirisë së shprehjes, me një shumë prej 120,000.00 denarëve për secilin, me kamatë ndëshkuese ligjore në vlerën e normës referuese të BPRMV-së, që për çdo gjysmë vjetor ishte në fuqi në ditën e fundit të gjysmë vjetorit, që i paraprin gjysmë vjetorit aktual, të rritur me 8 pikë përqindjeje, të llogaritur nga dita e shpalljes së vendimit deri në pagesën përfundimtare.

Me Aktgjykimin XXI P4-401/20 të datës 15.07.2022, Gjykata Themelore Civile e Shkupit e hodhi poshtë padinë e lartpërmendur si të pabazë.

Në arsyetimin e Aktgjykimit theksohet:

“Lidhur me pjesën e kërkesës së padisë për kompensimin e dëmit jomaterial për shkak të shkeljes së drejtës së lirisë së shprehjes, duke pasur parasysh nenin 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ku theksohet se shtetet janë të detyruara të krijojnë një mjedis më të favorshëm për pjesëmarrje në debatet publike për të gjithë personat e interesuar, duke i mundësuar atyre të shprehin mendimet dhe idetë e tyre pa frikë, gjykata vendosi se ishte e pabazë për arsyet e mëposhtme:

Në rastin konkret, neni 10 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe interpretimi i këtij neni i referohet mundësimit të çdo individi për të shprehur mendimin e tij në jetën e përditshme, e jo në kushte kur ndodhin akte dhune, siç ishte ngjarja e datës 27.04.2017. Interpretimi i këtij neni në kushte si në rastin konkret, me faktin që paditësit si ekip gazetaresk u penguan të raportonin, përfaqëson një interpretim të dispozitës përtej qëllimit të saj për të cilin është përcaktuar. Në një situatë të tillë të një ngjarjeje si ajo e datës 27.04.2017, shteti ka detyrim të kujdeset për shëndetin, jetën dhe pronën e të gjithë personave fizikë dhe juridikë, prandaj nuk mund të thuhet se shteti nuk u ka mundësuar paditësve si ekip gazetaresk të shprehin mendimet dhe idetë e tyre pa frikë.

Duke marrë parasysh atë që u përmend më sipër, meqenëse ky lloj dëmi nuk përfshihet në përgjegjësinë objektive të shtetit, paditësit duhet ta kishin dëshmuar shkeljen sipas parimit të përgjegjësisë subjektive, që do të thotë se nuk ka shkelje të së drejtës së lirisë së shprehjes, prandaj padia u refuzua si e pabazë.

Të pakënaqur me aktgjykimin e marrë, parashtruesit e kërkesës, përmes avokatit Filip Medarski nga Shkupi, paraqitën ankesë kundër tij.

Gjykata e Apelit Shkup, me Aktgjykimin GZH-1463/23 të datës 19.12.2024, e refuzoi ankesën si të pabazë dhe e vërtetoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore Civile Shkup XXI P4-401/20 të datës 15.07.2022.

Parashtruesit e kërkesës, Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit Shkup GZ-1463/23 të datës 19.12.2024 e kanë pranuar më datë 16.04.2025, përmes personit të autorizuar, avokatit Filip Medarski nga Shkupi.

Kërkesa për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave para Gjykatës Kushtetuese është parashtruar më 12.06.2025, gjë që është në përputhje me nenin 53 paragrafi 3 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit kërkesa në Gjykatën Kushtetuese paraqitet në afat prej 60 ditësh nga pranimi i aktit me të cilin janë shteruar mjetet juridike, përkatësisht 60 ditë nga dita e njoftimit për ndërmarrjen e veprimit, por jo më vonë se një vit nga dita e ndërmarrjes së veprimit.

III

Në përputhje me nenin 8 paragrafi 1 alineja 1 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, liritë dhe të drejtat themelore të njeriut dhe qytetarit, të njohura me të drejtën ndërkombëtare dhe të përcaktuara me Kushtetutë, përfaqësojnë një nga vlerat themelore të rendit kushtetues të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Ме nenin 11 paragrafi 1 të Kushtetutës është përcaktuar se integriteti fizik dhe moral i njeriut është i pacenueshëm.

Në përputhje me nenin 16 të Kushtetutës, i cili i referohet lirive dhe të drejtave të njeriut dhe të drejtave politike, garantohet liria e bindjes, ndërgjegjes, mendimit dhe shprehjes publike të mendimit. Garantohet liria e fjalës, paraqitjes publike, informimit publik dhe themelimit të lirë të institucioneve për informim publik. Garantohet qasja e lirë tek informatat, liria e pranimit dhe bartjes së informatave. Garantohet e drejta e përgjigjes në mjetet e informimit publik. Garantohet e drejta e korrigjimit në mjetet e informimit publik. Garantohet e drejta e mbrojtjes së burimit të informatës në mjetet e informimit publik dhe censura është e ndaluar.

Neni 25 i Kushtetutës i garanton çdo qytetari respektimin dhe mbrojtjen e privatësisë së jetës së tij personale dhe familjare, e dinjitetit dhe e autoritetit.

Neni 50, paragrafi 1 i Kushtetutës përcakton se çdo qytetar mund të thirret në mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të përcaktuara me Kushtetutë, para gjykatave dhe para Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë, në procedurë të mbështetur mbi parimet e prioritetit dhe urgjencës.

Sipas nenit 54 të Kushtetutës, liritë dhe të drejtat e njeriut dhe qytetarit mund të kufizohen vetëm në rastet e përcaktuara me Kushtetutë dhe vetëm gjatë kohës së gjendjes së luftës ose gjendjes së jashtëzakonshme, sipas dispozitave të Kushtetutës, ku kufizimi i lirive dhe të drejtave nuk mund të jetë diskriminues në bazë të gjinisë, racës, ngjyrës së lëkurës, gjuhës, fesë, prejardhjes kombëtare ose sociale, pozitës pronësore ose shoqërore. Kufizimi i lirive dhe të drejtave sipas paragrafit 4 të këtij neni, nuk mund t’i referohet të drejtës së jetës, ndalimit të torturës, veprimit dhe ndëshkimit çnjerëzor dhe nënçmues, përcaktimit juridik të veprave të ndëshkueshme dhe dënimeve, si dhe lirisë së bindjes, ndërgjegjes, mendimit, shprehjes publike të mendimit dhe besimit fetar.

Neni 110 paragrafi 3 i Kushtetutës përcakton se Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ndër të tjera, mbron liritë dhe të drejtat që lidhen me lirinë e mendimit dhe shprehjes publike të mendimit.

Sipas nenit 53 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, çdo person fizik ose juridik që konsideron se me një akt të veçantë ose veprim individual të një organi shtetëror, një organi të njësisë së vetëqeverisjes lokale ose një subjekti tjetër që ushtron autorizime publike ka shkelur lirinë ose të drejtën e tij, të përcaktuar me nenin 110 alineja 3 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, mund të parashtrojë kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për mbrojtjen e tyre.

Kërkesa mund të parashtrohet pasi të jenë shteruar të gjitha mjetet juridike të rregullta dhe të jashtëzakonshme për mbrojtje nga akti i veçantë brenda 60 ditëve nga pranimi i aktit me të cilin janë shteruar mjetet juridike, përkatësisht 60 ditë nga dita e njoftimit për ndërmarrjen e veprimit, por jo më vonë se një vit nga dita e ndërmarrjes së veprimit.

Kërkesa, sipas nenit 53 paragrafët 4 dhe 5 të Aktit të Gjykatës, ndër të tjera, duhet të përmbajë të dhëna mbi aktin e veçantë, me të cilin parashtruesi konsideron se janë shkelur liritë dhe të drejtat e tij, përkatësisht përshkrimin e veprimit me të cilin, sipas parashtruesit, janë shkelur liritë dhe të drejtat e tij; nënvizimin e lirive dhe të drejtave të përcaktuara me nenin 110 paragrafi 3 të Kushtetutës që parashtruesi konsideron se janë shkelur; pretendimet se nga çfarë përbëhet shkelja; nënshkrimin e parashtruesit, përkatësisht të personit të cilit i është lëshuar autorizim i posaçëm për të parashtruar kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, si dhe aktin e veçantë të kontestuar, dëshmitë se janë shteruar mjetet juridike, si dhe dëshmitë e tjera relevante për vendimmarrjen.

Në nenin 10 të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore të Këshillit të Evropës parashikohet që kushdo ka të drejtën e lirisë së shprehjes. Kjo e drejtë përfshin lirinë e mendimit dhe të pranimit dhe bartjes së informatave ose ideve pa ndërhyrjen e pushtetit shtetëror edhe pavarësisht kufijve. Ushtrimi i këtyre lirive, që mbart me vete detyrime dhe përgjegjësi, mund t’i nënshtrohet disa formaliteteve, kushteve, kufizimeve dhe ndëshkimeve të parashikuara me ligj, të cilat në një shoqëri demokratike janë të domosdoshme për sigurinë kombëtare, integritetin territorial dhe sigurinë publike, për mbrojtjen nga trazirat ose krimi, për mbrojtjen e shëndetit ose moralit, reputacionit ose të drejtave të të tjerëve, për parandalimin e përhapjes së informacioneve konfidenciale ose për ruajtjen e autoritetit dhe paanshmërisë së gjyqësorit.

Sipas nenit 2 pika 1 të Ligjit për Media (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.184/2013 dhe 13/2014, si dhe “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.63/2024, 74/2024, 218/2024 dhe 87/2025), mediat janë mjete të informimit publik, respektivisht çdo lloj komunikimi si gazetat, revistat, programet e radiove dhe ato televizive, mediat onlajn – portalet e internetit, teleteksti dhe mjetet e tjera për publikim ditor ose periodik të përmbajtjeve të redaktuara në formë të shkruar, me zë ose imazh, që kanë për qëllim informimin dhe përmbushjen e nevojave kulturore, arsimore, etj. të publikut të gjerë. Mediat nuk janë buletinet, katalogët dhe format e tjera të publikimeve, pavarësisht nga mjeti i publikimit, të destinuar kryesisht për reklamime, sistemin arsimor ose korrespondencën afariste, për punën e shoqërive tregtare, institucioneve, shoqatave, partive politike, organeve shtetërore dhe gjyqësore, ndërmarrjeve publike, personave juridikë me autorizime publike dhe organizatave fetare. Gazetat dhe buletinet e institucioneve arsimore, “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, publikimet e njësive të vetëqeverisjes lokale, pllakatet, fletëpalosjet, prospektet dhe banderolat nuk konsiderohen media. Sipas pikës 5, gazetari është një person që kryen aktivitete të mbledhjes, analizimit, përpunimit, formësimit dhe/ose klasifikimit të informacionit që publikohet në një media; që është i punësuar te një botues mediatik ose që ka kontratë të lidhur me të; ose është person që kryen aktivitete gazetareske si një profesion i pavarur (gazetar i lirë).

Me nenin 3 paragrafi 1 të Ligjit të njëjtë garantohet liria e shprehjes dhe liria e mediave. Sipas paragrafit 2, liria e mediave në veçanti përfshin: lirinë e shprehjes së mendimeve, pavarësinë e mediave, lirinë për të mbledhur, hulumtuar, publikuar, përzgjedhur dhe transmetuar informacione me qëllim informimin e publikut, pluralizmin dhe shumëllojshmërinë e mediave, lirinë e rrjedhës së informacionit dhe hapjen e mediave ndaj mendimeve, bindjeve dhe përmbajtjeve të ndryshme, qasjen në informacione me natyrë publike, respektin për individualitetin njerëzor, privatësinë dhe dinjitetin, lirinë për të themeluar persona juridikë që kryejnë aktivitete të informimit publik, shtypjen dhe shpërndarjen e mediave të shkruara dhe mediave të tjera nga vendi dhe jashtë vendit, prodhimin dhe transmetimin e programeve audio/audiovizuale, pavarësinë e redaktorit, gazetarit, autorëve ose krijuesve të përmbajtjeve ose bashkëpunëtorëve të programit dhe personave të tjerë, në përputhje me rregullat e profesionit. Sipas paragrafit 3, liria e mediave mund të kufizohet vetëm në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

IV

Nga analiza e dispozitave kushtetuese të cituara, del se mbrojtja kushtetuese-gjyqësore nuk u referohet të gjitha lirive dhe të drejtave të përcaktuara me Kushtetutë, por disa prej tyre, përkatësisht vetëm atyre që janë brenda kompetencave të Gjykatës Kushtetuese sipas nenit 110 paragrafi 3 të Kushtetutës.

Kushtetuta garanton lirinë e bindjes, ndërgjegjes, mendimit dhe shprehjes publike të mendimit, në një mënyrë të përgjithshme për të gjithë individët, por kjo nuk do të thotë se nuk ka asnjë kufizim në manifestimin e kësaj lirie. Kufijtë e ushtrimit të kësaj lirie për një individ gjenden në veprimet e sanksionuara me ligj, me anë të të cilave në një kontest kushtetues-juridik përcaktohet nëse ekziston shkelje të lirisë së garantuar të shprehjes publike të mendimit përmes sanksionimit të ushtrimit të saj, vetëm nëse konstatohet një rast i cenimit të lirive, të drejtave dhe interesave të tjera të mbrojtura me Kushtetutë dhe ligj.

Liria e shprehjes mbrohet edhe me dokumentet ndërkombëtare, të cilat përmbajnë gjithashtu edhe kufizime të caktuara.

Liria e mediave si pjesë përbërëse e lirisë së shprehjes, ndër të tjera, përfshin lirinë e informimit publik dhe lirinë e pranimit dhe bartjes së informacionit, të cilat njëkohësisht përbëjnë baza për një shoqëri demokratike, pasi komunikimi i lirë i informacionit dhe ideve mbi çështjet politike dhe çështjet e tjera shoqërore me interes publik është thelbësor për çdo shoqëri. Kjo nënkupton lirinë e mediave për të marrë informacione mbi bazën e të cilave ato mund të ushtrojnë rolin e tyre, të komentojnë dhe raportojnë mbi të gjitha çështjet e rëndësishme me interes publik, pa kufizime me qëllim informimin e publikut.


Sipas rekomandimeve të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës (CoE), përkatësisht Rekomandimit CM/Rec(2016)4 mbi mbrojtjen e gazetarisë dhe sigurinë e gazetarëve dhe pjesëmarrësve të tjerë të mediave, Rekomandimit No. R(96)4 mbi mbrojtjen e gazetarëve në situata konflikti dhe tensioni, përveç redaktorëve, gazetarëve dhe reporterëve si individë, si punonjës të mediave përkufizohen të gjithë personat që marrin pjesë profesionalisht në krijimin, redaktimin, përpunimin, prodhimin ose shpërndarjen e përmbajtjeve mediatike në media të shtypura, elektronike, onlajn ose të tjera. Te punonjësit e mediave përfshihen edhe kameramanët, fotografët, redaktorët, respektivisht personeli teknik që mbështet transmetimin mediatik, puna profesionale e të cilit lidhet me informimin e publikut dhe përpunimin e përmbajtjes me interes publik, duke u udhëhequr nga standardet profesionale, kodet etike dhe rregullativat ligjore.


Bazuar në atë që u theksua më sipër, Gjykata konstatoi se parashtruesit e kërkesës, si ekip gazetaresk i akredituar i SHTR TV ”Tellma”, ishin të pranishëm në oborrin dhe në ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut me detyrë të raportojnë mbi rrjedhën e protestës së qytetarëve të mbledhur dhe mbi atë se çfarë ndodhte në ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku po mbahej një seancë për përzgjedhjen e kryetarit të Kuvendit si çështje me interes publik, siç është e zakonshme kur bëhet fjalë për raportimin e mediave mbi punën e Kuvendit, në përputhje me rregullativën kushtetuese, ligjore dhe procedurale.

Gjykata, bazuar në analizën e paraqitur në këtë mënyrë, konstatoi se parashtruesit në cilësinë e gazetarit, kameramanit dhe organizatorit, përkatësisht si ekip gazetaresk, u penguan të raportonin mbi ngjarjet para Kuvendit për shkak të mosmarrjes së detyrimeve nga ana e shtetit,  të cilat ishte e detyruar t’i ndërmerrte. Duke marrë parasysh të lartpërmendurën, sipas Gjykatës, pretendimi se shteti, në rrethanat e mësipërme të jashtëzakonshme dhe të dhunshme, ka shkelur të drejtën e lirisë së shprehjes, të garantuar në nenin 10 të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe nenin 16 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, është i bazuar.

Në përputhje me nenin 57 paragrafi 2 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese, Gjykata vlerësoi se ky vendim paraqet bazë që parashtruesit me kërkesën e tyre të mund të ushtrojnë të drejtat e tyre para gjykatave kompetente.

V

Bazuar në atë që u theksua më sipër, Gjykata me shumicë votash, vendosi si në dispozitivin e këtij vendimi.

VI

Ky vendim ka efekt juridik që nga dita e publikimit të tij në ”Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut”.

KRYETAR
i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut,
dr.Darko Kostadinovski