U.nr.55/2025

Gjykata Kushtetuese e
Republikës së Maqedonisë së Veriut
U.nr.55/2025
Shkup, 19.11.2025

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në përbërje të Kryetarit të Gjykatës, dr.Darko Kostadinovski dhe gjykatësve Naser Ajdari, mr.Tatjana Vasiq-Bozaxhieva, dr.Jadranka Daboviq-Anastasovska, dr.Osman Kadriu, Dobrilla Kacarska, dr.Ana Pavllovska-Daneva dhe mr.Fatmir Skender, në bazë të nenit 110 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, nenit 38 alineja 1 dhe 3, nenit 71 dhe nenit 73 alineja 3 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut“, nr.115/2024), në seancën e mbajtur më 19 nëntor 2025, miratoi


A K T V E N D I M

  1. NUK INICIOHET procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 177 të Ligjit për Procedurën Jashtëkontestimore (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë“, nr.9/2008 dhe 77/2018).
  1. HIDHET POSHTË iniciativa për inicimin e procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 12 të Ligjit për Noteri (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.55/2007, 138/2007, 8/2008, 21/2008, 86/2008, 20/2009, 139/2009 dhe 135/2011) dhe kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e Aktvendimit noterial O.nr.584/11, UDR-87/11 të datës 17.06.2022, së bashku me korrigjimin e datës 20.02.2023.

Arsyetim

I

Sande Pejoski nga Ohri, parashtroi iniciativë në Gjykatën Kushtetuese për inicimin e procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dispozitave të ligjeve të shënuara në pikat 1 dhe 2 të dispozitivit të këtij aktvendimi, si dhe kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së aktit të shënuar në pikën 2 të dispozitivit të aktvendimit.

Sipas parashtruesit, me Aktvendimin noterial në fjalë, ndalohet procedura e trashëgimisë tashmë të përfunduar në mënyrë të plotfuqishme (aktvendimi i plotfuqishëm O.br.12-584/2011 dhe UDR.nr.87/11, i datës 16.01.2012) dhe prona që ka qenë objekt i trashëgimisë i transferohet një pale të tretë dhe baza për një veprim të tillë nga noteri është marrëveshja për mbajtje të përjetshme nga viti 2004.

Parashtruesi konsideron se Marrëveshja për mbajtje të përjetshme nuk është përmbushur dhe është revokuar me një testament të deklaruar më datë 29.12.2011. Përmbushja e kësaj  marrëveshjeje është bërë e pamundur për shkak të heqjes së aftësisë afariste të pranuesit të shërbimeve përmes vendimeve gjyqësore të plotfuqishme nga viti 2009. Si trashëgimtar, ai e ka poseduar dhe administruar pronën në mënyrë të ligjshme dhe të qetë, ndërsa me Aktvendimin noterial ai është fshirë në mënyrë të paligjshme nga kadastra si pronar, gjë që është në kundërshtim me disa parime kushtetuese dhe dispozita ligjore dhe me të i shkelet e drejta e pronësisë, e drejta e mbrojtjes juridike dhe parimi i sundimit të së drejtës.

Sipas parashtruesit, neni 177 i Ligjit për Procedurën Jashtëkontestimore dhe neni 12 të Ligjit për Noteri janë në kundërshtim me nenin 8 paragrafi 1 alineja 3, nenet 9, 30, 50, 51 dhe 54 të Kushtetutës dhe janë në kolizion me nenet 126 dhe 137 të Ligjit për Marrëdhënie Detyrimore, me nenin 125 paragrafi 5 të Ligjit për Pronësinë dhe të Drejtat e Tjera Sendore, si dhe me nenin 1 të Protokollit nr.1 dhe nenin 6 të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut.

Duke u mbështetur në të lartpërmendurën, parashtruesi propozon që të shfuqizohet ose fshihet neni 177 i Ligjit për Procedurën Jashtëkontestimore dhe neni 12 i Ligjit për Noteri dhe të anulohet Aktvendimi Noterial O.nr.584/11, UDR-87/11 i datës 17.06.2022, së bashku me korrigjimin e datës 20.02.2023, si dhe të urdhërohet kthimi i pronës në gjendjen e mëparshme dhe Kadastra ta zbatojë aktvendimin e plotfuqishëm të trashëgimisë.

II

Në seancë, Gjykata konstatoi se neni 177 paragrafi 1 i Ligjit për Procedurën Jashtëkontestimore (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.9/2008 dhe 77/2018) parashikon që gjykata, pasi të përcaktojë se cilët persona kanë të drejtë trashëgimie, me aktvendim i shpallë ata për trashëgimtarë. Sipas paragrafit 2 të të njëjtit nen, aktvendimi përmban të dhënat në vijim:

1) emri dhe mbiemri, emri i babait, ndërsa për gratë e martuara edhe mbiemri i vajzërisë, profesioni, data e lindjes dhe shtetësia e të vdekurit dhe NVAQ;
2) përcaktimi i patundshmërive me të dhënat nga librat publikë, ku regjistrohen të drejtat e patundshmërive, si dhe përcaktimi i sendeve të tundshme duke iu referuar regjistrimit;
3) emri dhe mbiemri, profesioni, vendbanimi, respektivisht vendqëndrimi i trashëgimtarit, marrëdhënia e tij me trashëgimlënësin, nëse trashëgon si trashëgimtar ligjor ose testamentar dhe nëse ka më shumë trashëgimtarë dhe pjesa me të cilën secili prej tyre është pjesëmarrës në trashëgimi, NVAQ;
4) nëse e drejta e trashëgimtarit shtyhet për shkak të mungesës së kohës ose përkufizohet në një kohë të caktuar ose shtyhet derisa të përmbushet një kusht i caktuar që varet nga një kusht zgjidhës (që sjell prishjen e trashëgimisë), përkatësisht një urdhëresë që do të konsiderohet si kusht zgjidhës ose kufizohet nga një e drejtë uzufrukti ose ndonjë e drejtë tjetër dhe në favor të kujt është;
5) emri dhe mbiemri, NVAQ, profesioni dhe vendbanimi i personave të cilëve u ka takuar legati, uzufrukti ose ndonjë e drejtë tjetër nga trashëgimia me një përcaktim të saktë të asaj të drejte.
Në përputhje me paragrafin 3 të të njëjtit nen, nëse në procedurën për diskutimin e trashëgimisë, të gjithë trashëgimtarët bien dakord për ndarjen dhe metodën e ndarjes, gjykata do ta përfshijë këtë marrëveshje në aktvendimin e trashëgimisë nëse nuk është në kundërshtim me rregullat ekzistuese.

Neni 12 i Ligjit për Noteri (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.55/2007, 138/2007, 8/2008, 21/2008, 86/2008, 20/2009, 139/2009 dhe 135/2011) i cili u shfuqizua në përputhje me nenin 179 të Ligjit për Noteri (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.72/2016), kishte përmbajtjen në vijim:

(1) Noteri para fillimit të punës është i detyruar të sigurohet në aspekt të përgjegjësisë për dëmin që mund t’u shkaktojë palëve të treta gjatë kryerjes së shërbimeve noteriale. Në kushtet e sigurimit mund të parashikohet dëmi deri në një shumë të caktuar që noteri duhet ta kompensojë drejtpërdrejt.
(2) Shuma minimale e sigurimit është 50,000 euro në kundërvlerë në denarë.
(3) Sipas raportit nga nenin 8 paragrafi 8 të këtij Ligji, noteri i cili sa i përket shpërblimit të fituar në vitin paraprak, ka realizuar një shpërblim më të madh sesa shuma e siguruar, e përmendur në paragrafni 2 të këtij neni, në këtë rast paguan një sigurim deri në lartësinë e shpërblimit të realizuar.
(4) Gjatë ndryshimit të kushteve për sigurimin e lartësisë së shumës së sigurimit, noteri është i detyruar, në afat prej 30 ditëve, ta harmonizojë sigurimin e tij me kushtet dhe shumën e ndryshuar dhe ta njoftojë Odën për këtë.
(5) Noteri është i detyruar ta vazhdojë sigurimin e përgjegjësisë për dëmin.
(6) Oda mund të marrë përsipër sigurimin e përgjegjësisë për dëmet e të gjithë noterëve në Republikën e Maqedonisë. Në këtë rast, noterët janë të detyruar t’i paguajnë Odës një kompensim për sigurimin e përgjegjësisë për dëmet.

Gjithashtu, Gjykata në seancë konstatoi se noterja Momana Ivanoska nga Ohri, e autorizuara e Gjykatës Themelore të Ohrit, si gjykatë e shkallës së parë të trashëgimisë, duke vepruar sipas propozimit për diskutimin e trashëgimisë së të ndjerës Pejoska Regina nga Ohri, më 17.06.2022 miratoi Aktvendimin O.nr.584/11, UDR.87/11 dhe Aktvendimin për korrigjimin e Aktvendimit të lartpërmendur të datës 20.02.2023.


III


Sipas nenit 8 paragrafi 1 alineja 3 të Kushtetutës, sundimi i së drejtës është vlerë themelore e rendit kushtetues të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Me nenin 9 paragrafi 1 të Kushtetutës përcaktohet se qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut janë të barabartë në liritë dhe të drejtat pavarësisht nga gjinia, raca, ngjyra e lëkurës, prejardhja kombëtare dhe sociale, bindjet politike dhe fetare, pozita pronësore dhe shoqërore. Në paragrafin 2 të të njëjtit nen është parashikuar se qytetarët janë të barabartë para Kushtetutës dhe ligjeve.
Në pajtim me nenin 30 paragrafi 1 të Kushtetutës, garantohet e drejta e pronësisë dhe e drejta e trashëgimisë. Sipas paragrafit 2 të nenit të njëjtë, pronësia krijon të drejta dhe obligime dhe duhet të shërbejë për të mirën e individit dhe të bashkësisë. Në paragrafin 3 të nenit të njëjtë përcaktohet se askujt nuk mund t’i merren ose t’i kufizohen pronësia dhe të drejtat që rrjedhin prej saj, përveç nëse bëhet fjalë për interes publik të përcaktuar me ligj. Me paragrafin 4 të nenit të njëjtë parashikohet se në rast të shpronësimit të pronës ose në rast të kufizimit të pronësisë, garantohet kompensim i drejtë, i cili nuk mund të jetë më i ulët se vlera e tregut.
Sipas nenit 50 paragrafi 1 të Kushtetutës, çdo qytetar mund të thirret në mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të përcaktuara me Kushtetutë para gjykatave dhe para Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë në një procedurë të mbështetur mbi parimet e prioritetit dhe urgjencës. Në pajtim me paragrafin 2 të të nenit të njëjtë, garantohet mbrojtja gjyqësore e ligjshmërisë së akteve të veçanta të administratës shtetërore dhe institucioneve të tjera që ushtrojnë autorizime publike. Në paragrafin 3 të këtij neni parashikohet që qytetari ka të drejtë të njoftohet me të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe në mënyrë aktive të kontribuojë individualisht ose së bashku me të tjerët, në përparimin dhe mbrojtjen e tyre.
Me nenin 51 të Kushtetutës parashikohet se në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ligjet medoemos duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën, ndërsa të gjitha rregullat e tjera me Kushtetutën dhe me ligjin. Sipas paragrafit 2 të nenit të njëjtë, secili e ka detyrë ta respektojë Kushtetutën dhe ligjet.
Në nenin 54 paragrafi 1 të Kushtetutës parashikohet që liritë dhe të drejtat e njeriut dhe qytetarit mund të kufizohen vetëm në rastet e përcaktuara me Kushtetutë.
Në përputhje me nenin 110 paragrafët 1 dhe 2 të Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese vendos për përputhshmërinë e ligjeve me Kushtetutën dhe për përputhshmërinë e rregullave të tjera dhe marrëveshjeve kolektive me Kushtetutën dhe me ligjet.


IV


Me nenin 1 të Ligjit për Procedurën Jashtëkontestimore përcaktohen rregullat e procedurës sipas të cilave gjykatat veprojnë dhe vendosin për gjendjet dhe marrëdhëniet personale, familjare, pronësore dhe marrëdhëniet e përcaktuara me këtë Ligj ose me ndonjë ligj tjetër.
Me nenin 177 të kontestuar të Ligjit për Procedurën Jashtëkontestimore rregullohet përmbajta dhe efektet juridike të aktvendimit të trashëgimisë, të cilin gjykata e miraton pas përcaktimit të personave të cilëve u përket e drejta e trashëgimisë. Ligji përcakton që aktvendimi duhet të përmbajë të dhëna identifikimi për të vdekurin dhe trashëgimtarët (emri, mbiemri, NVAQ, shtetësia, etj.), përshkrim të pronës së patundshme dhe të tundshme, si dhe përcaktimin e saj sipas librave publikë ose regjistrimit, natyrën juridike të trashëgimisë (trashëgimtar ligjor ose testamentar) dhe pjesëmarrjen në trashëgimi, shtyrjen e trashëgimisë në rastet e kushteve pezulluese ose rezolutive dhe identifikimin e saktë të personave të cilëve u përket legati, uzufrukti ose të drejtat e tjera të kufizuara.
Në këtë mënyrë, sigurohet saktësia dhe transparenca e statusit trashëgimor-juridik, mbrojtja e palëve të treta përmes regjistrimit publik të të drejtave dhe siguria në marrëdhëniet pronësore-juridike pas vdekjes së trashëgimlënësit.
Në praktikë, nëse trashëgimtarët bien dakord për ndarjen, në këtë rast gjykata do ta pranojë marrëveshjen duke e përfshirë atë në aktvendim, me kusht që ajo të mos jetë në kundërshtim me rregullat ligjore.
Neni 177 i kontestuar i Ligjit parashikon një procedurë të qartë dhe të rregulluar ligjërisht për përcaktimin e trashëgimtarëve përmes aktvendimit gjyqësor, ku në këtë mënyrë ofrohet siguria juridike. Përmbajtja e saktë e aktvendimit garanton parashikueshmërinë e pasojave juridike, që është një pjesë thelbësore e sundimit të së drejtës. E drejta e trashëgimisë u garantohet të gjithë qytetarëve, pavarësisht gjinisë, statusit shoqëror ose bazave të tjera. Të gjithë trashëgimtarët përcaktohen sipas kritereve objektive të parashikuara me ligj ose përmes testamentit. Me nenin e kontestuar mundësohet ushtrimi i së drejtës së garantuar kushtetuese për trashëgimi.
Neni i njëjtë, gjithashtu mundëson realizimin e marrëdhënies trashëgimore-juridike dhe mbrojtjen e interesit pronësor-juridik të trashëgimtarëve. Procedura për miratimin e aktvendimit zhvillohet nga gjykata, me çka sigurohet mbrojtja juridike dhe mundësia për ankesë, në përputhje me të drejtën për siguri juridike dhe mjete juridike.
Trashëgimia ushtrohet në bazë të ligjit ose testamentit, nëpërmjet një aktvendimi gjyqësor, që njëherazi nënkupton respektim konsekuent të Kushtetutës dhe ligjeve. Me dispozitën e kontestuar nuk kufizohet e drejta e pronësisë, por rregullohet procedura e kalimit të pronës nga trashëgimlënësi te trashëgimtarët e tij, pa cenuar thelbin e së drejtës.
Prandaj, Gjykata vlerësoi se neni i kontestuar 177 i Ligjit për Procedurën Jashtëkontestimore është në përputhje me nenin 8 paragrafi 1 alineja 3, nenin 9, nenin 30, nenin 50, nenin 51 dhe nenin 54 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Parashtruesi e konteston edhe nenin 12 të Ligjit për Noteri (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.55/2007, 138/2007, 8/2008, 21/2008, 86/2008, 20/2009, 139/2009 dhe 135/2011), i cili në përputhje me nenin 179 të Ligjit për Noteri (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.72/2016) është shfuqizuar.
Duke marrë parasysh faktin se dispozita e kontestuar nuk është më pjesë e rendit juridik, Gjykata vlerësoi se ekzistojnë pengesa procedurale për vendimmarrje, në përputhje me nenin 38 paragrafi 3 të Aktit të Gjykatës.
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka kompetencë të vendosë për përputhshmërinë e rregullave me Kushtetutën dhe ligjet.
Duke marrë parasysh se Aktvendimi i kontestuar noterial O.nr.584/11, UDR-87/11 i datës 17.06.2022 nuk përmban elemente juridike, respektivisht nuk përmban norma të përgjithshme të sjelljes, nuk rregullon marrëdhëniet e subjekteve në ligj në mënyrë të përgjithshme dhe nuk përcakton të drejtat dhe detyrimet e një numri të pacaktuar subjektesh në drejtësi, që e përcaktojnë rregullin përkatës për vlerësimin kushtetues-gjyqësor, si rrjedhojë, kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së tij nuk është në kompetencë të Gjykatës, në përputhje me nenin 110 paragrafi 2 të Kushtetutës, prandaj plotësohen kushtet e nenit 38 paragrafi 1 të Aktit të Gjykatës për hedhjen poshtë të kësaj pjese të iniciativës.
Çështjet e ngritura me pretendimet e iniciativës lidhur me mospërputhjen e dispozitave ligjore të kontestuara me dispozitat e Ligjit për Marrëdhënie Detyrimore dhe Ligjin për Pronësinë dhe të Drejtat e Tjera Sendore, si dhe zbatimin e dispozitave të kontestuara, nuk janë në kompetencë të Gjykatës Kushtetuese, në përputhje me nenin 110 të Kushtetutës.


V


Bazuar në sa më sipër, Gjykata vendosi si në dispozitivin e këtij aktvendimi.

KRYETAR
i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut,
dr.Darko Kostadinovski