
Gjykata Kushtetuese e
Republikës së Maqedonisë së Veriut
U.nr.1/2025
Shkup, 30.04.2025
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në përbërje të dr.Darko Kostadinovski, Kryetar i Gjykatës dhe gjykatësve Naser Ajdari, mr.Tatjana Vasiq-Bozaxhieva, dr.Jadranka Daboviq-Anastasovska, Elizabeta Dukovska, Dobrilla Kacarska, dr.Ana Pavllovska-Daneva dhe mr.Fatmir Skender, në bazë të nenit 110 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, nenit 38 alineja 2 dhe nenit 73 alineja 3 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.115/2024), në seancën e mbajtur më 30 prill 2025, miratoi
A K T V E N D I M
HIDHET POSHTË iniciativa për inicimin e procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 10 paragrafi 4 në pjesën: “me përjashtim se partnerit strategjik do t’i lejohet të fillojë kërkimin dhe eksploatimin e lëndëve të para minerale për qëllimet e projektit, sapo të jetë parashtruar kërkesa për dhënien e koncesionit për kërkim dhe eksploatim nga investitori” të Ligjit për Përcaktimin e Interesit Publik dhe Nominimin e Partnerit Strategjik për Zbatimin e Projektit për Ndërtimin e Korridorit Infrastrukturor 8 (Aksi: Tetovë-Gostivar-Bukojçan dhe Projektit për Autostradën Trebenishtë-Strugë-Qafë Thanë) dhe Korridorit 10d (Aksi i Autostradës Prilep-Manastir) në Republikën e Maqedonisë së Veriut (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.163/2021 dhe 111/2023).
Arsyetim
I
Zharko Stevanoski, avokat nga Prilepi, Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut i parashtroi iniciativë për inicimin e procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dispozitës së Ligjit, të paraqitur në dispozitivin e këtij aktvendimi.
Në iniciativë parashtruesi potencon se ligjvënësi në nenin 10 paragrafi 4 të Ligjit për Përcaktimin e Interesit Publik dhe Nominimin e Partnerit Strategjik për Zbatimin e Projektit për Ndërtimin e Korridorit Infrastrukturor 8 (Aksi: Tetovë-Gostivar-Bukojçan dhe Projektit për Autostradën Trebenishtë-Strugë-Qafë Thanë) dhe Korridorit 10d (Aksi i Autostradës Prilep-Manastir) në Republikën e Maqedonisë së Veriut (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.163/2021 dhe 111/2023), parashikoi një përjashtim sipas të cilit partnerit strategjik Behtel dhe Enka ose personave të ndërlidhur me ta, në kundërshtim me të gjitha rregullativat në fuqi për lëndët e para minerale dhe të gjitha rregullat e tjera, t’i lejohet të fillojë me kërkimin dhe eksploatimin e lëndëve të para minerale që me aktin e parashtrimit të kërkesës për dhënien e koncesionit nga ana e investitorit. Gjithashtu, potencon se lidhur me iniciativën e mëparshme të parashtruar nga ana e tij, Gjykata Kushtetuese ka miratuar Aktvendimin U.nr.182/2024 të datës 30.10.2024, me të cilin nuk ka iniciuar procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 10 paragrafi 4 në pjesën: “partnerit strategjik do t’i lejohet të fillojë kërkimin dhe eksploatimin e lëndëve të para minerale për qëllimet e projektit, sapo të jetë parashtruar kërkesa për dhënien e koncesionit për kërkim dhe eksploatim nga investitori”, të Ligjit në fjalë.
Në iniciativën e tanishme të parashtruar, parashtruesi në tri pika potencon se çfarë përmbante arsyetimi i Aktvendimit U.nr.182/2024 të datës 30.10.2024. Njëkohësisht, në pikën 4, parashtruesi në iniciativë paraqet edhe përmbajtjen në vijim: “Sipas Gjykatës, pretendimi se dispozitat e kontestuara e shkelin të drejtën e garantuar kushtetuese të qytetarit për të kërkuar mbrojtje gjyqësore të të drejtave të tij është i pabazë, sepse ndërtimet me interes strategjik në vetvete nuk mund të përbëjnë bazë për kufizimin e së drejtës së qytetarëve për të kërkuar mbrojtje gjyqësore për shtyrjen e shpronësimit ose marrjen e posedimit, si një nga autorizimet që rrjedhin nga e drejta e pronësisë”, gjë që mbetet e paqartë, sepse një përmbajtje e tillë nuk është pjesë e arsyetimit të Aktvendimit U.nr.182/2024 të datës 30.10.2024 dhe arsyet e citimit të kësaj përmbajtjeje nga ana e parashtruesit janë të paqarta.
Me këtë iniciativë, parashtruesi përqendrohet konkretisht në pjesën e Aktvendimit, ku Gjykata pohon se çështja e pasojave dhe dëmeve specifike mbi shëndetin e njeriut, botën bimore dhe shtazore për shkak të aktiviteteve në vendin “Oreovec” është në kompetencën e organeve të tjera, para të cilave qytetarët mund të mbrojnë interesat e tyre ligjore, ku sipas parashtruesit, ky pohim çon në përfundimin se për Gjykatën dispozita e kontestuar nuk është jokushtetuese, për shkak të ekzistencës së mekanizmit për mbrojtjen gjyqësore të të drejtave gjatë zbatimit të projektit. Duku u mbështetur në të kuptuarit e këtillë të kësaj pjese të Aktvendimit, parashtruesi vlerëson se Gjykata Kushtetuese duhet ta shqyrtojë përsëri të njëjtën çështje për të cilën është prononcuar më parë, pasi që nga momenti i miratimit të Aktvendimit U.nr.182/2024 të datës 30.10.2024, deri në momentin e parashtrimit të kësaj iniciative kanë ndryshuar rrethanat dhe janë krijuar baza për një vendimmarrje ndryshe, sepse ka dështuar mbrojtja gjyqësore që qytetarët prisnin në lidhje me aktivitetet në fshatin Oreovec.
Në vazhdim të iniciativës, parashtruesi paraqet një kronologji të ngjarjeve që lidhen me procedurën gjyqësore që banorët e fshatit Oreovec e zhvilluan para Gjykatës Themelore në Prilep dhe para Gjykatës së Apelit në Manastir, por që nuk arritën të merrnin një vendim pozitiv mbi propozimin e paraqitur për vendosjen e një mase të përkohshme. Përkatësisht, Gjykata Themelore e Prilepit, duke vendosur lidhur me propozimin për lëshimin e një mase të përkohshme për sigurimin e një kërkese monetare të kreditorëve (banorët e fshatit Oreovec) kundër debitorëve (Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore Shkup, Bechtel Enka UK2 Limited Mbretëria e Bashkuar – Dega në Maqedoninë e Veriut dhe Bechtel Enka UK Limited Mbretëria e Bashkuar – Dega në Maqedoninë e Veriut), ka miratuar Aktvendimin VPP2-75/24 të datës 28.10.2024, sipas të cilit propozimi i kreditorëve, me të cilin ata kanë kërkuar që, për sigurimin e kërkesës monetare, të shqiptohet një masë e përkohshme në atë mënyrë që debitorëve t’u ndalohet ndërmarrja e çfarëdo aktiviteti ndërtimi me miniera, pastrimin e terrenit, nxjerrjen e lëndëve të para minerale – materialit ndërtimor dhe teknik dhe transportin e materialit ndërtimor dhe teknik në zonën ndërmjet fshatrave Pletvar dhe fshatit Oreovec, si dhe përdorimin e rrugës lokale për në fshatin Oreovec që lidhet me rrugën rajonale Gradsko-Prilep, është refuzuar si i pabazë dhe ky Aktvendim vërtetohet me Aktvendimin e Gjykatës së Apelit Manastir GZH-1431/24, të datës 18.12.2024.
Parashtruesi thekson se banorët e fshatit Oreovec nuk i kanë mbrojtur interesat e tyre ligjore, sepse dispozita e kontestuar e nenit 10 paragrafi 4 të Ligjit në fjalë ishte e detyrueshme për gjykatën dhe gjykata nuk mund të vendoste jashtë saj. Si rrjedhojë, ndërsa në kontekstin e Aktvendimit të miratuar U.br.182/2024 të datës 30.10.2024 për mosinicimin e procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit në fjalë të Ligjit, parashtruesi me të drejtë ka ngritur çështjen se ku dhe pse ka dështuar mbrojtja gjyqësore, të cilës i referohet Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj, përkatësisht mbrojtja gjyqësore në rastin konkret ishte e pazbatueshme, me ç’rast rreziku dhe dëmi i shkaktuar nga zbatimi i projektit mbi shëndetin e njeriut, mjedisin jetësor, të drejtën për ajër të pastër dhe botën bimore dhe shtazore ka ndodhur dhe në ndërkohë asgjë nuk e pengon partnerin strategjik dhe investitorin të vazhdojnë me shkelje të tilla të të drejtave themelore të njeriut dhe vlerave themelore, të parashikuara me Kushtetutë. Në iniciativë, parashtruesi i referohet konventave ndërkombëtare që lidhen me mjedisin jetësor dhe paraqet shembuj të procedurave të zhvilluara para Gjykatës në Strasburg për këtë çështje, duke theksuar se banorët e fshatit Oreovec do të ushtrojnë gjithashtu të drejtat e tyre para kësaj Gjykate, por mbetet e hapur çështja nëse ne si shtet do të jemi në gjendje të riparojmë pasojat e mosrespektimit të tillë të konventave ndërkombëtare, për të cilat shteti është zotuar, përkatësisht, si do ta kthejmë këtë pjesë të pasurisë natyrore kombëtare që ndodhet në fshatin Oreovec në gjendjen e saj origjinale.
Për arsyet e lartpërmendura, parashtruesi me këtë iniciativë propozon që përsëri Gjykata Kushtetuese të iniciojë procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit në fjalë të Ligjit dhe ta shfuqizojë atë. Njëkohësisht, për shkak të rrezikut të shkeljes së pakthyeshme të të drejtave të garantuara kushtetuese të qytetarëve, të drejtave të qytetarëve për jetë, një mjedis të shëndetshëm dhe mbrojtjen e botës bimore dhe shtazore, parashtruesi propozon që Gjykata të miratojë aktvendim që do ta ndalojë zbatimin e nenit të kontestuar të Ligjit deri në një vendim përfundimtar mbi iniciativën e parashtruar. Ai propozon që Gjykata të mbajë edhe një seancë përgatitore me praninë e tij personale, me qëllim të ofrimit të informacioneve, dokumentacionit dhe të dhënave të caktuara shtesë që nuk përfshihen në këtë iniciativë.
Parashtruesi ndaj iniciativës ka bashkëngjitur dokumentacionin që lidhet me procedurën gjyqësore para Gjykatës Themelore të Prilepit.
II
Në seancë, Gjykata konstatoi që sipas nenit 10 paragrafi 4 të Ligjit Përcaktimin e Interesit Publik dhe Nominimin e Partnerit Strategjik për Zbatimin e Projektit për Ndërtimin e Korridorit Infrastrukturor 8 (Aksi: Tetovë-Gostivar-Bukojçan dhe Projektit për Autostradën Trebenishtë-Strugë-Qafë Thanë) dhe Korridorit 10d (Aksi i Autostradës Prilep-Manastir) në Republikën e Maqedonisë së Veriut (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.163/2021 dhe 111/2023): “Gjatë përdorimit të gropave dhe guroreve të shpronësuara për qëllimet e projektit, investitori dhe partneri strategjik duhet të respektojnë të gjitha rregullativat në fuqi për lëndët e para minerale, me përjashtim se partnerit strategjik do t’i lejohet të fillojë kërkimin dhe eksploatimin e lëndëve të para minerale për qëllimet e projektit, sapo të jetë parashtruar kërkesa për dhënien e koncesionit për kërkim dhe eksploatim nga investitori”.
Me këtë iniciativë kontestohet pjesa: “me përjashtim se partnerit strategjik do t’i lejohet të fillojë kërkimin dhe eksploatimin e lëndëve të para minerale për qëllimet e projektit, sapo të jetë parashtruar kërkesa për dhënien e koncesionit për kërkim dhe eksploatim nga investitori”, që përfshihet në nenin 10 paragrafi 4 të Ligjit.
III
Në përputhje me nenin 110 alineja 1 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut vendos për përputhshmërinë e ligjeve me Kushtetutën.
Sipas nenit 38 alineja 2 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Gjykata Kushtetuese do ta hedhë poshtë iniciativën nëse tashmë ka vendosur për çështjen e njëjtë dhe nuk ka baza për vendimmarrje ndryshe.
Gjykata Kushtetuese duke vepruar mbi iniciativën e parashtruar më parë nga i njëjti parashtrues, miratoi Aktvendimin U.nr.182/2024 të datës 30.10.2024, me të cilin nuk inicioi procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 10 paragrafi 4 për pjesën: “me përjashtim se partnerit strategjik do t’i lejohet të fillojë kërkimin dhe eksploatimin e lëndëve të para minerale për qëllimet e projektit, sapo të jetë parashtruar kërkesa për dhënien e koncesionit për kërkim dhe eksploatim nga investitori” të Ligjit për Përcaktimin e Interesit Publik dhe Nominimin e Partnerit Strategjik për Zbatimin e Projektit për Ndërtimin e Korridorit Infrastrukturor 8 (Aksi: Tetovë-Gostivar-Bukojçan dhe Projektit për Autostradën Trebenishtë-Strugë-Qafë Thanë) dhe Korridorit 10d (Aksi i Autostradës Prilep-Manastir) në Republikën e Maqedonisë së Veriut (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.163/2021 dhe 111/2023).
Me iniciativën e tanishme të parashtruar, parashtruesi kërkon që Gjykata Kushtetuese të riangazhohet në shqyrtimin e çështjes së njëjtë, për të cilën është prononcuar më parë sepse që nga momenti i miratimit të Aktvendimit U.nr.182/2024 të datës 30.10.2024, deri në momentin e parashtrimit të kësaj iniciative kanë ndryshuar rrethanat dhe janë krijuar baza për një vendimmarrje ndryshe, përkatësisht ka dështuar mbrojtja gjyqësore që qytetarët e prisnin në lidhje me aktivitetet e fshatit Oreovec. Ndërkaq, parashtruesi i referohet edhe pjesës së Aktvendimit U.nr.182/2024 të datës 30.10.2024, në të cilën Gjykata pohon se çështja e pasojave dhe dëmeve specifike mbi shëndetin e njeriut, botën bimore dhe shtazore për shkak të aktiviteteve në vendin “Oreovec” është në kompetencën e organeve të tjera, para të cilave qytetarët mund të mbrojnë interesat e tyre ligjore.
Pohimi i tillë nga Gjykata në vendimin e lartpërmendur, për parashtruesin nënkupton se Gjykata nuk e konsideron nenin përkatës të Ligjit si jokushtetues për shkak të ekzistencës së mekanizmit për mbrojtjen gjyqësore të të drejtave gjatë zbatimit të projektit dhe duke marrë parasysh se banorët e tanguar të fshatit Oreovec nuk e kanë marrë mbrojtjen gjyqësore të kërkuar, parashtruesi konsideron se janë krijuar baza për një vendimmarrje ndryshe. Më saktë, sipas tij, banorët e fshatit Oreovec nuk arritën t’i mbronin interesat e tyre ligjore për shkak se dispozita e kontestuar e nenit 10 paragrafi 4 të Ligjit në fjalë ishte e detyrueshme për gjykatën dhe se gjykata nuk mund të vendoste jashtë saj, prandaj në kontekstin e Aktvendimit të miratuar U.nr.182/2024 të datës 30.10.2024 për mosinicimin e procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit në fjalë të Ligjit, me të drejtë parashtruesi ngriti çështjen se ku dhe pse dështoi mbrojtja gjyqësore, të cilës i referohet Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj, përkatësisht mbrojtja gjyqësore në rastin konkret ishte e pazbatueshme, gjë që, sipas parashtruesit, është bazë për një vendimmarrje ndryshe nga Gjykata.
Lidhur me pretendime të tilla, Gjykata sqaron se në pjesën e Aktvendimit U.nr.182/2024 të datës 30.10.2024, ku thuhet se çështja e pasojave dhe dëmeve të shkaktuara konkretisht është në kompetencë të organeve të tjera para të cilave qytetarët mund t’i mbrojnë interesat e tyre ligjore, Gjykata pohon se kjo çështje është përtej kompetencës së saj të veprojë mbi pretendimet për dëme të shkaktuara ose rreziqe mbi dëmet e mundshme të ardhshme për shkak të aktiviteteve në lokalitetin e fshatit Oreovec, pretendime të cilat, ndër të tjera, u theksuan si arsye për mospërputhjen e nenit përkatës të Ligjit me dispozitat e Kushtetutës, të cilave iu referua parashtruesi në iniciativën e parashtruar më parë. Me fjalë të tjera, nga këndvështrimi i këtyre pretendimeve nuk mund të shqyrtohet norma ligjore në vetvete dhe të vlerësohet përputhshmëria e saj me Kushtetutën, por mund të shqyrtohet vetëm nëse përmbajtja e nenit të kontestuar të Ligjit është në përputhje me dispozitat e Kushtetutës, për të cilën Gjykata tashmë është prononcuar në Aktvendimin U.nr.182/2024 të datës 30.10.2024.
Prandaj, Gjykata i mori në konsideratë pretendimet dhe arsyet pse parashtruesi kërkon përsëri një rishqyrtim të nenit përkatës të Ligjit, megjithatë, rezultati i procedurave gjyqësore të zhvilluara nuk përbën një bazë të re ose të ndryshme për një vendim tjetër, as nuk përbën argument kushtetues për vlerësimin e përputhshmërisë së një ligji ose normës së tij me Kushtetutën, me çka janë përmbushur kushtet e nenit 38 alineja 2 të Aktit të Gjykatës që iniciativa e parashtruar të hidhet poshtë për shkak se është vendosur mbi këtë çështje.
IV
Në bazë të asaj që u përmend më sipër, Gjykata, me shumicë votash vendosi si në dispozitivin e këtij aktvendimi.
KRYETAR
i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut,
dr.Darko Kostadinovski