U.nr.102/2024

Gjykata Kushtetuese e
Republikës së Maqedonisë së Veriu
U.nr.102/2024
Shkup, 09.10.2024

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut në përbërje të Kryetarit të Gjykatës, dr.Darko Kostadinovski dhe gjykatësve mr.Tatjana Vasiq-Bozaxhieva, dr.Jadranka Daboviq-Anastasovska, Elizabeta Dukovska, dr.Osman Kadriu, Dobrilla Kacarska, dr.Ana Pavllovska-Daneva dhe mr.Fatmir Skender, në bazë të nenit 110 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe nenit 73 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.115/2024), në seancën e mbajtur më 09 nëntor 2024, miratoi


A K T V E N D I M

  1. NUK INICIOHET procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së pjesës: “Nëse nuk paraqiten deklaratat e pëlqimit lidhur me korrigjimin e gabimit apo nëse ekzistenca e tij konstatohet në procedurë sipas detyrës zyrtare, atëherë gabimi i bërë nuk korrigjohet, megjithatë ekzistenca e gabimit shënohet në fletëpronësinë, së bashku me vërtetimin për evidentimin e ndryshimit”, të nenit 209 paragrafi 6 të Ligjit për Kadastrën e Patundshmërive (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.55/2013, 41/2014, 115/2014, 116/2015, 153/2015, 192/2015, 61/2016, 172/2016 dhe 64/18, si dhe “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut” nr.124/2019).
  2. HIDHET POSHTË iniciativa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së pjesës: “nëse në bashkëngjitje të fletëparaqitjes për korrigjimin e gabimit paraqitet deklaratë pëlqimi për korrigjimin e gabimit, e noterizuar te noteri, e dhënë nga bartësit e të drejtave, të regjistruar në Kadastrën e patundshmërive, si dhe nga subjektet në favor të të cilave janë regjistruar të drejtat e tjera sendore, ngarkesat, kufizimet dhe shënimet”, të nenit 209 paragrafi 6, si dhe të tërësisë së nenit 209 të Ligjit të lartpërmendur në pikën 1 të këtij aktvendimi.
  3. Ky aktvendim do të publikohet në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut”.

Arsyetim

I

Simo Tripunoski nga Shkupi, në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, parashtroi iniciativë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së pjesëve të nenit 35 të Ligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Kadastrën e Patundshmërive (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.124/2019), të theksuara në pikat 1 dhe 2 të këtij aktvendimi.

Gjykata duke i analizuar pretendimet e parashtruara në këtë iniciativë, konstatoi se në pjesën hyrëse të iniciativës, parashtruesi kërkon që të bëhet analizë kushtetuese-gjyqësore e tërësisë së nenit 35 të ndryshimit të kryher në Ligj, të publikuar në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.124/2019. Në arsyetimin e iniciativës kërkohet analizë kushtetuese-gjyqësore vetëm për paragrafin 6 të nenit 35 të Ligjit të njëjtë. Në pjesën përfundimtare të iniciativës, kërkohet vlerësimi i kushtetutshmërisë së pjesëve të theksuara në pikat 1 dhe 2 të këtij aktvendimi, nga neni 35 i ndryshimit të theksuar të Ligjit në fjalë.

Gjykata mori parasysh faktin se me nenin 35 të Ligjit, të publikuar në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.124/2019 ndryshohet tërësisht përmbajtja e nenit 209 të Ligjit për Kadastrën e Patundshmërive. Megjithatë, për shkak të karakterit të çështjes juridike të iniciuar dhe nevojës për një pasqyrë dhe analizë të plotë të tërësisë së Ligjit, Gjykata u përcaktua që neni 209 i këtij Ligji, me të gjitha ndryshimet dhe plotësimet e tij të jetë objekt i analizës kushtetuese-gjyqësore, në vend të nenit 35 të theksuar në iniciativë.

Ndërkaq, sipas parashtruesit të iniciativës, dispozita e kontestuar është në kundërshtim me nenin 8 paragrafi 1 alineja 1, 3 dhe 6, nenin 9 paragrafi 2, nenin 30 paragrafi 1 dhe 2, si dhe nenin 51 të Kushtetutës, me ç’rast kërkohet miratimi i aktvendimit për ndërprerjen e zbatimit të akteve dhe veprimeve të veçanta, të miratuara dhe të ndërmarra në bazë të pjesës së dispozitës së kontestuar.

Në vijim të iniciativës theksohet se me nenin 35 të Ligjit të lartpërmendur ndryshohet neni 209 i tekstit themelor të Ligjit, prandaj citohet një pjesë e paragrafit 6, ku thuhet:

“nëse në bashkëngjitje të fletëparaqitjes për korrigjimin e gabimit paraqitet deklaratë pëlqimi për korrigjimin e gabimit, e noterizuar te noteri, e dhënë nga bartësit e të drejtave, të regjistruar në Kadastrën e patundshmërive, si dhe nga subjektet në favor të të cilave janë regjistruar të drejtat e tjera sendore, ngarkesat, kufizimet dhe shënimet. Nëse nuk bashkëngjiten deklaratat e pëlqimit për korrigjimin e gabimit apo nëse konstatohet ekzistenca e gabimit në procedurë sipas detyrës zyrtare, atëherë gabimi i bërë nuk korrigjohet, megjithatë ekzistenca e gabimit shënohet në fletëpronsinë, së bashku me vërtetimin për evidentimin e ndryshimit.”

Sipas parashtruesit të iniciativës, pjesa e dispozitës e cituar në këtë mënyrë është në kundërshtim me dispozitat kushtetuese të theksuara.

Në iniciativë citohet neni 7 i Ligjit për Pronësinë dhe të Drejtat e Tjera Sendore, sipas të cilit, fitimi, mbrojtja dhe ndërprerja e së drejtës së pronësisë dhe e të drejtave të tjera sendore rregullohen me ligj, ndërsa sipas nenit 112 të Ligjit të njëjtë, e drejta e pronësisë fitohet sipas Ligjit, në bazë të veprimit juridik dhe të trashëgimisë, si dhe me vendim të organit kompetent shtetëror, sipas mënyrës dhe kushteve të përcaktuara me ligj.

Më pas citohen nenet 174, 175 dhe 176 të Ligjit për Kadastrën e Patundshmërive, ku janë të rregulluara baza ligjore, dokumentet dhe kushtet për regjistrim në evidencën kadastrale, si dhe tërësia e nenit 209 të Ligjit, që rregullon problematikën lidhur me heqjen e gabimeve gjatë regjistrimit. Në këtë kuptim, citohet edhe neni 97 i Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative, ku përcaktohet procedura për korrigjimin e gabimeve të dukshme teknike në aktet administrative.

Sipas pretendimeve në iniciativë, dispozita ligjore e kontestuar është në dëm të bartësit të së drejtës së pronësisë, përkatësisht, bartësit të vërtetë të së drejtës së pronësisë, në rastet kur nuk ka pëlqim për të nga personi tek i cili gabimisht është regjistruar e drejta e pronësisë. Si rrjedhojë, në pamundësi që të kryehet korrigjimi sipas detyrës zyrtare, shkelet e drejta e garantuar kushtetuese mbi pronësinë, ndërsa bartësi i vërtetë i së drejtës duhet të zhvillojë procedurë të veçantë për mbrojtjen e së drejtës së tij, me shpenzime vetanake, pa fajin e tij. Po kështu, shkelen seriozisht të drejtat e garantuara kushtetuese, si dhe cënohet siguria juridike. Me pjesën e kontestuar të dispozitës, lejohet që personi që gabimisht është regjistruar si bartës i së drejtës së pronësisë të mbetet i regjistruar në evidencë, vetëm për shkak se refuzon të japë pëlqim për korrigjimin e gabimit, pa pasur ndonjë bazë ligjore për regjistrimin e tij si pronar. Kjo zgjidhje ligjore dukshëm krijon pasiguri juridike dhe pabarazi mes qytetarëve, si dhe cenon të drejtën e pronësisë.

Duke u bazuar në të lartpërmendurën, propozohet që Gjykata të iniciojë procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së pjesës së kontestuar të nenit 209 paragrafi 6 të Ligjit në fjalë, si dhe më pas ta anulojë atë.

II

Në seancën e mbajtur, Gjykata konstatoi se në nenin 209 paragrafi 6 të Ligjit, parashikohet që gabimet nga paragrafi 4 i këtij neni të hiqen, edhe në rast se janë kryer ndryshime lidhur me llojin e së drejtës dhe bartësin e së drejtës, nëse ndaj fletëparaqitjes për korrigjimin e gabimit bashkëngjitet deklarata e pëlqimit për korrigjimin e gabimit, e noterizuar te noteri, e dhënë nga bartësit e të drejtave, të regjistruar në Kadastrën e patundshmërive dhe nga subjektet në favor të të cilave janë regjistruar të drejtat e të tjera sendore, ngarkimet, kufizimet dhe shënimet. Në qoftë se nuk paraqiten deklaratat e pëlqimit për korrigjimin e gabimit apo nëse ekzistenca e gabimit konstatohet në procedurë sipas detyrës zyrtare, atëherë gabimi i bërë nuk korrigjohet, megjithatë ekzistenca e gabimit shënohet në fletpronësinë, së bashku me vërtetimin për evidentimin e ndryshimit.

Gjykata, gjithashtu konstatoi se në paragrafin 4 të nenit 209 të këtij Ligji, të cilit i referohet paragrafi 6 i dispozitës ligjore të njëjtë, ku përfshihen pjesët e kontestuara, parashikohet që: “Gjatë mbarëvajtjes së Kadastrës së patundshmërive, korrigjohen edhe gabimet që lidhen me të dhënat për të drejtat dhe për bartësit e të drejtave mbi patundshmëritë e regjistruara gjatë krijimit dhe mbarëvajtjes së Kadastrës së patundshmërive, nëse gjatë mbarëvajtjes së Kadastrës së patundshmërive nuk janë kryer ndryshime lidhur me llojin e së drejtës dhe me bartësin e së drejtës, gjë që konfirmohet me kontrollin e bazës ligjore për regjistrim”.

III

Sipas nenit 8 paragrafi 1 alineja 1, 3 dhe 6 të Kushtetutës, liritë dhe të drejtat themelore të njeriut dhe qytetarit, të njohura në të drejtën ndërkombëtare dhe të përcaktuara me Kushtetutë, sundimi i së drejtës dhe mbrojtja juridike e pronësisë, janë disa nga vlerat themelore të rendit kushtetues të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Në nenin 9 paragrafi 2 të Kushtetutës është përcaktuar se qytetarët janë të barabartë para Kushtetutës dhe ligjeve.

Me nenin 30 paragrafi 1 të Kushtetutës, garantohet e drejta e pronësisë dhe e drejta e trashëgimisë. Pronësia krijon të drejta dhe obligime dhe duhet të shërbejë për të mirën e individit dhe të bashkësisë, sipas paragrafit 2 të dispozitës kushtetuese të njëjtë.

Sipas nenit 51 të Kushtetutës, në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ligjet duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën, ndërsa të gjitha rregullat e tjera duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën dhe me ligjin dhe secili e ka për detyrë të respektojë Kushtetutën dhe ligjet.                            

Gjykata, duke i vendosur pretendimet e iniciativës në korrelacion me përmbajtjen e tërësisë së nenit 209 të Ligjit në fjalë, konstatoi se në fakt ato mund të ndërlidhen vetëm në raport me shkeljet e mundshme në pjesën:”Nëse nuk paraqiten deklaratat e pëlqimit për korrigjimin e gabimit ose nëse konstatohet ekzistenca e gabimit në procedurë sipas detyrës zyrtare, atëherë gabimi i bërë nuk hiqet, megjithatë ekzistenca e gabimit evidentohet në fletëpronësinë, së bashku me vërtetimin për evidentimin e ndryshimit”, nga paragrafi 6 i dispozitës së lartpërmendur ligjore, me dispozitat kushtetuese të lartpërmendura. Kjo është për shkak se, sipas pretendimeve të iniciativës, për parashtruesin nuk kontestohet e drejta e agjencisë për të kryer korrigjimin e gabimit sipas kushteve dhe mënyrës së përcaktuar në dispozitën e sipërpërmendur kur paraqitet deklarata e pëlqimit për korrigjim, por kontestohet mungesa e autorizimit të agjencisë për ta korrigjuar këtë gabim, kur ndonjë deklaratë e tillë nuk është paraqitur.

Duke analizuar pretendimet e iniciativës, rezulton se për iniciuesin nuk ka ndonjë gjë të kontestuar lidhur me rastet kur Kadastra e heq gabimin dhe kryen ndryshimet lidhur me llojin e së drejtës dhe bartësin e së drejtës, nëse ndaj fletëparaqitjes për korrigjimin e gabimit bashkëngjitet deklarata e pëlqimit për korrigjim, e noterizuar te noteri, e dhënë nga bartësit e të drejtave të regjistruar në Kadastrën e patundshmërive, si dhe nga subjektet në favor të të cilave janë regjistruar të drejtat e tjera sendore, ngarkesat, kufizimet dhe shënimet. Më saktë, për iniciuesin, në këndvështrimin kushtetues, nuk është problem autorizimi i Kadastrës që, në rast se ekziston deklarata e pëlqimit për korrigjimin e gabimit të noterizuar te noteri, ta korrigjojë gabimin e bërë, me ç’rast për pjesën e parë të dispozitës së kontestuar në iniciativë, nuk mund të bëhet ndërlidhja e arsyeve të kontestimit me përmbajtjen e kësaj pjese të dispozitës. Si rrjedhojë, Gjykata vlerësoi se në fakt, kjo pjesë e dispozitës nuk është objekt i interesit të iniciuesit të iniciativës, prandaj nisur nga kjo, nuk ekzistojnë kushte procedurale që të jetë edhe objekt i një analize të veçantë kushtetuese-gjyqësore.

Për parashtruesin, problemi kushtetues paraqitet në situatat kur në Kadastër nuk paraqitet deklarata e pëlqimit për korrigjimin e gabimit të bërë ose kur Kadastra sipas detyrës zyrtare konstaton një gabim të tillë, ndërkohë që legjivënësi parashikon të mos korrigjohet gabimi i bërë, ndërsa ekzistenca e gabimit vetëm të shënohet në fletëpronësinë, së bashku me vërtetimin për evidentimin e ndryshimit.

Me qëllim që të jepet përgjigje mbi çështjet e ngritura me këtë iniciativë, për Gjykatën ishte e nevojshme të bënte një analizë më të gjerë të disa dispozitave të Ligjit në lidhje me rëndësinë e Kadastrës së patundshmërive, mënyrën e funksionimit të saj dhe sistemin e vendosur për regjistrimin dhe mbarëvajtjen e të dhënave të nevojshme mbi patundshmëritë.

Konkretisht, sipas nenit 2 pika 2 të Ligjit për Kadastrën e Patundshmërive, shprehja “Kadastra e patundshmërive” që përdoret në këtë Ligj, nënkupton se Kadastra është një libër publik në të cilin regjistrohen e drejta e pronësisë dhe të drejtat e tjera sendore mbi patundshmërite, të dhënat mbi patundshmëritë, si dhe të drejtat dhe faktet e tjera, ku regjistrimi i të cilave përcaktohet me ligj.

Sipas nenit 8 paragrafi 1 alineja 6 të Ligjit, në kompetencat të Agjencisë së Kadastrës së Patundshmërive, ndër të tjera, përfshihet edhe krijimi dhe mbarëvajtja e Kadastrës së patundshmërive.

Në Ligjin e lartpërmendur, në nenin 145 është inkorporuar parimi i saktësisë dhe mirëbesimit, sipas të cilit të dhënat në Kadastrën e patundshmërive konsiderohen të sakta, prandaj personi me vetëdije të plotë i cili ka besuar në atë që është shënuar në Kadastrën e patundshmërive, pa pasur njohuri se të dhënat që janë shënuar janë të pasakta ose të paplota, nuk do të pësojë pasoja të dëmshme.

Në nenin 174 paragrafi 1 të Ligjit, si baza ligjore për regjistrim në Kadastrën e patundshmërive përcaktohen:

– ligji;
– aktgjykimet e plotfuqishme, vendimet për masë të përkohshme, masat paraprake dhe aktet e tjera për sigurimin e kërkesave sipas ligjit;
– vendimi i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë;
– aktet ekzekutive ose të plotfuqishme të organeve të pushtetit shtetëror, të organeve të njësive të vetëqeverisjes lokale dhe të Qytetit të Shkupit, si dhe të personave juridikë dhe të tjerë, të cilëve me ligj u është besuar të kryejnë autorizime publike;
– aktet juridike dhe
– deklaratat e notarizuara te noteri, mbi bazën e të cilave mund të kryhet regjistrimi i të drejtave mbi patundshmëritë ose deklaratat për pranimin e vijës kufitare të sapopërcaktuar dhe pranimin e gjendjes faktike, të dhëna te gjeodeti i autorizuar si pjesë përbërëse e elaboratit gjeodetik, dorëzimi i të cilit është i detyrueshëm sipas këtij ose ndonjë ligji tjetër.

Sipas nenit 175 paragrafi 1 të Ligjit, gjatë krijimit dhe mbarëvajtjes së Kadastrës së patundshmërive përdoren dokumentet në të cilat përfshihet baza ligjore nga neni 174 paragrafi 1 i këtij Ligji.

Në paragrafin 2 të nenit 175 të Ligjit është përcaktuar se për regjistrimin e patundshmërive, për të cilat të drejtat mbeten të paevidentuara dhe për të cilat nuk ekzistojnë të dhëna në Kadastrën e tokës, dokumentet nga paragrafi 1 i këtij neni, duhet të përmbajnë të dhëna të mjaftueshme mbi patundshmërinë dhe për bartësin e të drejtave mbi patundshmërinë (adresa, numri, hyrja, banesa, e të ngjashme), të cilat, krahasuar me të dhënat e mbledhura gjatë vlerësimit, mundësojnë identifikimin e patundshmërisë (përputhshmëria e të dhënave).

Për regjistrimin e objekteve infrastrukturore, sipas paragrafit 3 të nenit 175 të Ligjit, në Kadastrën e objekteve infrastrukturore si pjesë e Kadastrës së patundshmërive, dokumentet nga paragrafi 1 i këtij neni, duhet të përmbajnë të dhëna të mjaftueshme për patundshmërinë dhe për bartësit e të drejtave mbi patundshmërinë – identifikuesi i objektit infrastrukturor, lloji i objektit infrastrukturor sipas klasifikimit bazë, lloji sipas nënklasifikimit brenda klasifikimit bazë, gjatësia/lartësia/sipërfaqja, të dhënat personale dhe të adresës së subjekteve-bartëse të të drejtave mbi objektet infrastrukturore (NVAS/NVAQ, emri/mbiemri, selia/adresa) dhe të dhënat e tjera specifike për objektin infrastrukturor, të cilat, krahasuar me të dhënat e mbledhura gjatë vlerësimit, mundësojnë identifikimin e patundshmërisë (përputhshmëria e të dhënave).

Në procedurën e mbarëvajtjes së Kadastrës së patundshmërive sipas paragrafit 4 të dispozitës së njëjtë, konsiderohet se ekziston përputhshmëria e të dhënave lidhur me bartësin e së drejtës mbi patundshmërinë si dhe vet patundshmërinë, nëse të dhënat për paraardhësin ligjor dhe të dhënat për patundshmërinë, të përfshira në dokumentin bazë ligjor, janë identike me të dhënat për bartësin e së drejtës mbi patundshmërinë dhe vet patundshmërinë, të regjistruara në Kadastrën e patundshmërisë para dorëzimit të fletëparaqitjes.

Regjistrimi i të drejtave mbi patundshmëritë në procedurën e mbarvajtjes së Kadastrës së Patundshmërive nuk do të kryhet nëse nuk ekziston përputhshmëria e të dhënave, të përfshira në dokumentin që përman bazën ligjore, siç përcaktohet në nenin 175 paragrafi 5 të Ligjit.

Neni 176 i Ligjit, me titull “Kushtet për regjistrim”, përmbledh përmbajtjen e dy dispozitave të cituara më parë, ku në mënyrë që të realizohet regjistrimi, parashihen kushtet në vijim: ekzistenca e një baze ligjore përkatëse për regjistrim, përkatësisht dokumentet që përmbajnë bazën ligjore duhet të jenë të përgatitura në formë të shkruar/elektronike dhe të noterizuara nga organi kompetent sipas Ligjit, aktet e organeve kompetente duhet të jenë ekzekutive dhe të plotfuqishme, si dhe duhet të ekzistojë përputhshmëria e të dhënave sipas nenit 175 të këtij Ligji. Në bazë të kësaj rezulton se regjistrimi në Kadastrën e patundshmërive kryhet vetëm nëse ekziston baza ligjore përkatëse, akti ekzekutiv i plotfuqishëm dhe i notarizuar nga organi kompetent, si dhe nëse të dhënat në dokumentet janë përkatëse për regjistrim.

Në nenin 209 paragrafi 4 të Ligjit parashihet se gjatë mbarëvajtjes së Kadastrës së patundshmërive hiqen edhe gabimet që lidhen me të dhënat për të drejtat dhe bartësit e të drejtave mbi patundshmëritë, të regjistruar gjatë krijimit dhe mbarëvajtjes së Kadastrës, nëse gjatë mbarëvajtjes së Kadastrës nuk janë kryer ndryshime lidhur me llojin e së drejtës dhe bartësin e së drejtës, gjë që konfirmohet me kontrollin e bazës ligjore për regjistrim. Sipas paragrafit 5 të dispozitës së njëjtë, gabimet nga paragrafët 1 dhe 4 të këtij neni hiqen nga fletëpronësia, pas raportimit nga ndonjëra palë ose në bazë të detyrës zyrtare, përmes vërtetimit për korrigjimin e gabimit.

Nga analiza e pjesës së paragrafit 6 të nenit 209 të Ligjit, e cila i referohet zbatimit përkatës të paragrafit 4 të dispozitës së njëjtë dhe për të cilën Gjykata vlerësoi se mund të lidhet me pretendimet në iniciativë (paragrafi 1 i pjesës përfundimtare të aktvendimit) për shkak të objektit të interesit të saj, u vendos se mosparaqitja e deklaratave të pëlqimit për korrigjimin e gabimit ose konstatimi i një gabimi të tillë sipas detyrës zyrtare përbën një pengesë ligjore për kryerjen e korrigjimit të gabimit, për të cilin është përcaktuar që të mos hiqet, por ky gabim duhet të shënohet në fletëpronësinë, së bashku me një vërtetim për evidentimin e ndryshimit. Evidentimi bëhet me qëllim që gabimi i konstatuar lehtësisht të jetë i dukshëm në rast të qarkullimit të mëtejshëm ligjor të patundshmërisë, por edhe për të siguruar gjurmë të shkruar për ekzistencën e një gabimi specifik që nuk mund të hiqet nga ana e Agjencisë. Në çdo rast, nuk bëhet fjalë për gabime të dukshme teknike të kryera në një akt administrativ, të cilat sipas dispozitave të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative mund të korrigjohen, por për gabime specifike sipas llojit, të cilat lidhen me të dhënat për të drejtat dhe bartësit e të drejtave mbi patundshmëritë.

Konkretisht, në rast të mungesës së qartë të vullnetit nga ana e personit në të cilin, gabimisht është regjistruar ndonjë e drejtë mbi patundshmërinë e caktuar, për ta korrigjuar atë në favor të bartësit të vërtetë të të drejtave, Agjencia e Kadastrës së  Patundshmërive, si organ kompetent për krijimin dhe mbarëvajtjen e Kadastrës, nuk ka kompetencë për ta zgjidhur mosmarrëveshjen e krijuar dhe nuk posedon mekanizma për detyrimin dhe arritjen e pëlqimit për vullnet të mirë sa i përket këtyre rasteve. Mundësia e vetme sipas nenit 238 të Ligjit është që të ngritet padi për fshirjen e regjistrimit të së drejtës. Më saktësisht, sipas kësaj dispozite, çdo person që ka ndonjë interes ligjor, ka mundësi përmes padisë para Gjykatës Administrative të kërkojë fshirjen e regjistrimit në Kadastrën e Patundshmërive brenda tri viteve nga regjistrimi i kryer. Po ashtu, personi i tanguar ka në dispozicion mekanizmat ligjore të parashikuara në Ligjin për Pronësinë dhe të Drejtat e Tjera Sendore që ta mbrojë të drejtën e tij nga gabimi i konstatuar, por jo edhe i korrigjuar gjatë regjistrimit ose mbarëvajtjes së Kadastrës.

Parimi i saktësisë dhe mirëbesimit sipas nenit 145 të Ligjit, si dhe ndalimi ligjor nga neni 175 paragrafi 5 i Ligjit për të mos kryer regjistrimin kur nuk ekziston përputhshmëria e të dhënave të përfshira në dokumentin bazë ligjor përbëjnë pengesë ligjore për të ndërhyrë në korrigjimin e gabimit kur nuk ka pëlqim nga personi në të cilin, gabimisht është kryer regjistrimi.

Gjykata, në bazë të lartpërmendurës, sa i përket pjesës së paragrafit 6 të nenit 209 të Ligjit, për të cilën vendosi se është objekt interesi në iniciativë, vlerësoi se nuk është problematike nga këndvështrimi kushtetues, pasi që saktësia e siguruar e të dhënave, në mënyrën që e parashikon tërësia e dispozitës së lartpërmendur ofron siguri juridike për qytetarët lidhur me të dhënat e regjistruara, kështu që në kuptimin e nenit 8 paragrafi 1 alineja 3 të Kushtetutës, rezulton se është në drejtim të përputhjes me sundimin e së drejtës. Përkundrazi, pranimi i korrigjimit të gabimit pa pëlqimin dhe deklaratën e personit në të cilin është bërë regjistrimi mund të çojë në një kaos ligjor, përmes parashtrimit të kërkesave për korrigjim nga të dyja palët deri në pafundësi. Me këtë rregullim dhe me sigurimin e mbrojtjes ligjore, garantohet edhe e drejta kushtetuese e pronësisë sipas nenit 8 paragrafi 1 alineja 6 dhe nenit 30 të Kushtetutës.

Sipas vlerësimit të Gjykatës, nuk ka shkelje as të nenit 8 paragrafi 1 alineja 1, as të nenit 9 dhe as të nenit 51 të Kushtetutës, sepse sa i përket kësaj çështjeje, sistemi ligjor ofron zgjidhjen se si të mbrohet pronësia në këto raste. Personi në favor të cilit është kryer regjistrimi dhe personi në dëm të cilit është bërë regjistrimi ndodhen në një pozitë të pabarabartë ligjore (i pari refuzon të japë deklaratë, ndërsa i dyti duhet të ndjekë procedurë gjyqësore për mbrojtjen e së drejtës), por jo për shkak të përmbajtjes së dispozitës, por për shkak të pozicionit të Agjencisë si organ që nuk ka kompetencë për të zgjidhur situata të kontestuara, por për të zbatuar ndryshimet mbi bazën ligjore dhe për të konsideruar të dhënat e paraqitura si të sakta, derisa ato të ndryshohen në mënyrën e parashikuar me ligj.

Sa i përket pjesës së kontestuar të nenit 209 paragrafi 6 të Ligjit të shënuar në pikën 2 të këtij aktvendimi, Gjykata kishte parasysh se nga analiza e tërësisë së paragrafit 4 dhe paragrafit 6, si dhe nga analiza e dispozitave të tjera të citura të Ligjit, rezulton se deklarata e dorëzuar për korrigjimin e gabimit, e noterizuar, vetvetiu nuk përbën bazë të mjaftueshme për të vepruar në drjtim të korrigjimit të gabimit të konstatuar. Më saktësisht, për korrigjimin e gabimit, përveç deklaratës së dorëzuar, domosdoshmërisht duhet që në kontrollin nga ana e Kadastrës të konstatohet përputhshmëria e të dhënave të deklaratës me ato të përfshira në bazën ligjore për regjistrim, si për llojin e së drejtës, ashtu edhe për bartësin e së drejtës. Në çdo rast, nga të dhënat e iniciativës rezulton se për parashtruesin nuk është kontestuese situata kur paraqitet pëlqimi për korrigjimin e gabimit, por kur një pëlqim i tillë nuk paraqitet, gjë që sipas Gjykatës, në mungesë të arsyeve konkrete për kundërshtim, përbën mungesë të interesit juridik për ta kontestuar këtë pjesë të dispozitës.

Sa i përket kontestimit të tërësisë së nenit 209 dhe veçanërisht tërësisë së paragrafit 6 të Ligjit, si dhe pjesës së shënuar në pikën 2 të këtij aktvendimi nga neni 209 paragrafi 6 i Ligjit që gjithashtu theksohen si të kontestuara në këtë iniciativë, Gjykata konstatoi mungesën e të dhënave që mund të lidhen me dispozitat kushtetuese të lartpërmendura në iniciativë. Duke marrë parasysh se sipas nenit 23 paragrafi 2 të Aktit të Gjykatës, ndër të tjera, iniciativa duhet të përmbajë edhe arsyet për kontestim, gjë që këtu nuk ndodh, në lidhje me dispozitat e theksuara si të kontestuara, për këto pjesë të iniciativës, ekzistojnë pengesa procedurale për vendimmarrje, prandaj Gjykata konstatoi se janë përmbushur kushtet për hedhjen poshtë të iniciativës sipas nenit 38 paragrafi 3 të Rregullores.

Në bazë të gjithçka që u përmend më sipër, sipas Gjykatës nuk janë përmbushur kushtet e nenit 37 të Aktit të Gjykatës për ndalimin e zbatimit të akteve ose veprimeve të veçanta që ndërmerren duke u mbështetur në dispozitat e kontestuara dhe pjesët e dispozitave të Ligjit.

IV

Gjykata, në bazë të lartpërmendurës, me shumicë votash vendosi si në dispozitivin e këtij aktvendimi.

V

Gjykata, sipas nenit 79 paragrafi 2 të Aktit të Gjykatës, vendosi që ky aktvendim të publikohet në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut”.

KRYETAR
i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut,
dr. Darko Kostadinovski