
Gjykata Kushtetuese e
Republikës së Maqedonisë së Veriut
U.nr.255/2024
Shkup, 16.04.2025
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në përbërje të Kryetarit të Gjykatës, dr.Darko Kostadinovski dhe gjykatësve Naser Ajdari, mr.Tatjana Vasiq-Bozaxhieva, dr.Jadranka Daboviq-Anastasovska, Elizabeta Dukovska, dr.Osman Kadriu, Dobrilla Kacarska, dr.Ana Pavllovska-Daneva dhe mr.Fatmir Skender, në bazë të nenit 110 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, nenit 38 alineja 1 dhe nenit 73 alineja 3 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.115/2024), në seancën e mbajtur më 16 prill 2025, miratoi
A K T V E N D I M
HIDHET POSHTË iniciativa për inicimin e procedurës për vlerësimin e ligjshmërisë së nenit 5 paragrafi 1 pika 4 nënpika a alineja 3 të Kushteve për sigurimin e detyrueshëm në komunikacion me përgjegjësi prej dëmeve të shkaktuara nga persona të tretë (sigurimi i autopërgjegjësisë–AP), të miratuara nga Këshilli Drejtues i Sigurimit GRAVE Jo-Jetë SHA Shkup, me Vendimin numër 28/37, të datës 05.12.2019.
Arsyetim
I
Miodrag Vidiniq nga Shkupi, përmes avokates Biljana Kërstevska, parashtroi iniciativë për inicimin e procedurës për vlerësimin e ligjshmërisë së nenit 5 paragrafi 1 pika 4 nënpika a alineja 3 të Kushteve për sigurimin e detyrueshëm në komunikacion me përgjegjësi prej dëmeve të shkaktuara nga persona të tretë (sigurimi i autopërgjegjësisë–AP), të miratuara nga Këshilli Drejtues i Sigurimit GRAVE Jo-Jetë SHA Shkup, me Vendimin numër 28/37, të datës 05.12.2019.
Parashtruesi i iniciativës konsideron se me dispozitën e kontestuar shkelet neni 16 i Ligjit për Sigurimin e Detyrueshëm në Komunikacion, pasi që përtej dispozitave ligjore, miratuesi ka shtuar një kusht shtesë ku i siguruari i humb të drejtat e tij të sigurimit kur kërkon që ato të shfuqizohen.
Sipas parashtruesit të iniciativës, Ligji për Sigurimin e Detyrueshëm në Komunikacion, me sigurimin e përgjegjësisë automobilistike, ndër të tjera, rregullon dëmet e shkaktuara nga përdorimi i një mjeti motorik nga një person i paautorizuar. Konkretisht, në nenin 16 paragrafi 2 të Ligjit, në pjesën mbi të drejtën e subrogimit, përcaktohet se persona të paautorizuar konsiderohen personat që kanë drejtuar një automjet pa leje përkatëse drejtimi, përkatësisht pa patentë shoferi, personat që kanë drejtuar një automjet në mënyrë të paligjshme dhe personat që kanë drejtuar një automjet nën ndikimin e alkoolit mbi nivelin e lejuar, në përputhje me Ligjin, ndërsa në nenin 5 paragrafi 1 pika 4 nënpika a alineja 3 të Kushteve për sigurimin e detyrueshëm në komunikacion me përgjegjësi prej dëmeve të shkaktuara nga persona të tretë, përcaktohet se një person i humb të drejtat e sigurimit kur konsiderohet se personi është nën ndikimin e alkoolit, nëse pas një aksidenti rrugor ai arratiset apo refuzon t’i nënshtrohet një testi alkooli ose nëse konsumon alkool në një mënyrë që e bën të pamundur përcaktimin e pranisë së alkoolit në gjak në kohën kur ka ndodhur dëmi.
Sipas parashtruesit, dispozita e përcaktuar në këtë mënyrë në Kushtet për sigurimin e detyrueshëm në komunikacion me përgjegjësi prej dëmeve të shkaktuara nga persona të tretë është në kundërshtim me nenin 16 të Ligjit për Sigurimin e Detyrueshëm në Komunikacion pasi që Shoqëria, në ato kushte, përcakton gjithashtu se një person i paautorizuar konsiderohet edhe një person që është larguar nga vendi i ngjarjes së aksidentit rrugor, i cili, përtej rregullave ligjore, përcakton të drejtën e rekursit apo regresit për shumën e paguar të kompensimit për dëmin, së bashku me interesin dhe shpenzimet e shkaktuara në atë mënyrë nga personi i paautorizuar.
Për më tepër, në iniciativë, parashtruesi e thekson përvojën e tij në një procedurë në të cilën zbatohet dispozita e kontestuar dhe njëkohësisht i kërkon Gjykatës Kushtetuese ta ndërpresë procedurën për pagesën e dëmit.
Për shkak të shkaqeve të lartpërmendura, parashtruesi në iniciativë i kërkon Gjykatës Kushtetuese të angazhohet për një analizë kushtetuese-juridike dhe të iniciojë procedurë për dispozitën e kontestuar.
II
Në seancë, Gjykata konstatoi se me Vendimin numër 28/37, të datës 05.12.2019, Këshilli Drejtues i GRAVE Sigurim Jo-Jetë SHA Shkup i miratoi Kushtet për sigurimin e detyrueshëm në komunikacion me përgjegjësi prej dëmeve të shkaktuara nga persona të tretë (sigurimi i autopërgjegjësisë-AP). Në neni 5 paragrafi 1 pika 4 nënpika a alineja 3, përcaktohet se: “nëse në kohën e aksidentit rrugor automjeti drejtohej nën ndikimin e alkoolit, drogës ose narkotikëve të tjerë, konsiderohet se drejtuesi ka qenë nën ndikimin e alkoolit nëse pas aksidentit rrugor, ai arratiset ose refuzon t’i nënshtrohet një testi alkooli ose nëse konsumon alkool në një mënyrë që e bën të pamundur përcaktimin e pranisë së alkoolit në gjak në kohën kur ka ndodhur dëmi”.
III
Sipas nenit 110 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Gjykata Kushtetuese, ndër të tjera, vendos për përputhshmërinë e ligjeve me Kushtetutën dhe për përputhshmërinë e rregullave të tjera me Kushtetutën dhe ligjet.
Me Ligjin për Mbikëqyrjen e Sigurimeve (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë“, numër 27/2002, 79/2007, 67/2010, 44/2011, 188/2013, 43/2014, 112/2014, 153/2015, 192/2015, 23/2016, 83/2018, 198/2018 dhe “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, 101/2019, 31/2020, 173/2022) rregullohen kushtet sipas të cilave mund të kryhen aktivitetet e sigurimit të jetës, sigurimit jo-jetë dhe risigurimit, aktivitetet e përfaqësimit në sigurim, aktivitetet e ndërmjetësimit në sigurime (brokere) dhe themelimin, punën, mbikëqyrjen dhe ndërprerjen e veprimtarisë së kompanive të sigurimeve dhe risigurimeve, shoqërive brokere dhe shoqërive të përfaqësimit në sigurime, si dhe themelimin dhe punën e Agjencisë së Mbikëqyrjes së Sigurimeve.
Sipas nenit 3 paragrafi 1 të Ligjit, aktivitetet e sigurimit mund të kryhen nga një shoqëri sigurimi e themeluar si shoqëri aksionare me seli të regjistruar në Republikën e Maqedonisë së Veriut, sipas kushteve të përcaktuara nga ky Ligj dhe Ligji për Shoqëritë Tregtare.
Sipas nenit 5 pika 1 të të njëjtit Ligj, sigurimi kundër pasojave të një fatkeqësie – aksidenti përcaktohet si një klasë e veçantë sigurimi, në rast vdekjeje ose dëmtimi të shëndetit për shkak të lëndimit, i cili mbulon: pagesën e shumës së siguruar me vlerë të plotë, pagesën e shumës së siguruar në këste, kombinimin e pagesave nga të dyja rastet e mëparshme ose pagesën për shkak të lëndimeve, dëmtimit të shëndetit ose vdekjes së pasagjerëve.
Në nenin 6 të Ligjit të lartpërmendur, një shoqëri sigurimi mund të kryejë aktivitete sigurimi në një ose më shumë klasa sigurimi, në kuadër të njërit prej grupeve të sigurimeve, përkatësisht:
- sigurimi jo-jetë, i cili mbulon klasat e sigurimeve nga pikat 1 deri në 18 të nenit 5 të këtij Ligji dhe
- sigurimi i jetës, i cili mbulon klasat nga pikat 19 deri në 25 të nenit 5 të këtij Ligji.
Kushtet e përgjithshme dhe të veçanta të sigurimit sipas klasës së sigurimit janë akte të politikës afariste të shoqërisë, në përputhje me nenin 39 të Ligjit për Mbikëqyrjen e Sigurimeve.
Me Ligjin për Sigurim të Detyrueshëm në Komunikacion (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, numër 88/2005, 70/2006, 81/2008, 47/2011, 135/2011, 112/2014, 145/2015 dhe “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.220/2019) rregullohet sigurimi i detyrueshëm i: a) udhëtarëve në transportin publik nga pasojat e ndonjë fatkeqësie – aksidenti; b) pronarëve, përkatësisht përdoruesve të automjeteve dhe rimorkiove; v) udhëtarëve, bagazheve dhe mallrave në komunikacionin ajror, si dhe transportuesve ajrorë, përkatësisht operatorëve të aeroplanëve dhe g) pronarëve, përkatësisht përdoruesve të anijeve, gjegjësisht barkave me motor, me përgjegjësi për dëmet e shkaktuara personave të tretë në komunikacion, si dhe rregullohen çështjet e tjera me rëndësi për sigurimin e detyrueshëm në komunikacion.
Sipas nenit 14 të Ligjit për Sigurimin e Detyrueshëm në Komunikacion, pronari, përkatësisht përdoruesve të anijeve dhe rimorkios është i detyruar të lidhë një kontratë për sigurim përgjegjësie për dëmet e shkaktuara personave të tretë nga përdorimi i automjetit motorik për shkak të vdekjes, lëndimit trupor, dëmtimit të shëndetit, shkatërrimit ose dëmtimit të sendeve (në tekstin e mëtejmë: sigurimi i përgjegjësisë automobilistike), përveç përgjegjësisë për dëmet ndaj sendeve që i ka marrë për transport.
Kompanitë e sigurimeve sa i përket pagesës së dëmit të tillë, synojnë që përmes akteve të tyre të përcaktojnë udhëzime për rregullat kontraktuale në pagesën e dëmit të shkaktuar ndaj personave të tretë në bazë të sigurimit, ku, ndër të tjera, ato përcaktojnë edhe rastet kur kompania e sigurimeve ka të drejtë për kërkesë për rekurs apo regres.
Këto kushte nuk përbëjnë një rregull, por ato janë pjesë përbërëse e kontratës së sigurimit që kontraktori i sigurimit do ta kontraktojë me siguruesin, për të cilën kontratë zbatohen dispozitat e Ligjit për Marrëdhënie Detyrimore.
Si rrjedhojë, për çdo kontest që lind midis palëve kontraktuese në lidhje me përmbajtjen e kontratës, si dhe të drejtat, detyrimet dhe përgjegjësitë e tyre nga perspektiva e Ligjit për Marrëdhënie Detyrimore, kompetente për të vendosur është një gjykatë tjetër dhe jo Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Duke marrë parasysh sa më sipër, si dhe faktin se në rastin konkret bëhet fjalë për Kushtet për sigurimin e përgjegjësisë automobilistike, të miratuara nga një shoqëri aksionare sigurimi, në përputhje me Ligjin për Sigurimin e Detyrueshëm në Komunikacion, Gjykata përcaktoi se akti i kontestuar nuk përbën rregull sipas kuptimit të nenit 110 alineja 2 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, por është një akt i politikës afariste të shoqërisë së sigurimeve që e ka miratuar atë.
Duke u bazuar në atë që u potencua dhe duke e marrë parasysh se sipas nenit 38 alineja 1 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Gjykata nuk është kompetente të vendosë për ligjshmërinë e aktit të kontestuar, kushtet që iniciativa të hidhet poshtë janë përmbushur.
IV
Bazuar në sa më sipër, Gjykata vendosi si në dispozitivin e këtij aktvendimi.
KRYETAR
i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut,
dr.Darko Kostadinovski